Problemet me prastatën nuk duhet të neglizhohen!

Doza e shëndetit ditor

Mars 03,2021

 

Jo çdo problem i shfaqur me prostatën mund të jetë kancer!

Meshkujt mbi moshën dyzet vjeç gjithnjë e më tepër përballen me probleme të prostatës, një problem që shpesh neglizhohet dhe fshihet nga pacientët. Fillimisht të sqarojmë se çfarë organi është prostata dhe çfarë duhet të bëjmë kur jep shenja se tashmë ka ndryshime shëndetësore.

Prostata është një gjendër e vogël që gjendet nën fshikëzën e urinës dhe gjendet vetëm tek meshkujt. Ajo normalisht rritet me kalimin e viteve dhe rritja e saj mund të shkaktojë ngushtim, madje edhe bllokim të uretrës. Kjo rritje e prostatës quhet rritje beninje dhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë me kancer të prostatës. Zmadhimi  apo rritja beninje e prostatës mund të shkaktojë urinim të shpeshtë, sidomos gjatë natës, nevojë urgjente për të urinuar, vështirësi në fillimin e urinimit, rrjedhje ose pika të urinës edhe pas urinimit.

Statistikat e mjekësore tregojnë se shkaku i shfaqjes së rritjes apo ndryshimit beninj të prostatës  janë ndryshimet hormonale të shkaktuara nga plakja e organizmit. Rezultatet nga kjo statistikë tregojnë se madje 50% e meshkujve pas moshës 50 vjeçare kanë rritje të prostatës. Nga ana tjetër rreth 30% e tyre kanë probleme me urinimin. Shenjat e para të problemit me prostatën shfaqet herët rreth moshës 40 vjeçare, ndërsa pas moshës 60 vjeçare, pothuajse një në dy meshkuj ka probleme të shkaktuara nga kjo gjendje. Me kalimin e moshës simptomat bëhen gjithnjë dhe më serioze.

Në përgjithësi, pothuajse tek të gjithë meshkujt të cilët përballen me probleme të prostatës vërehen simptomat e mëposhtme të cilat kanë kërkojnë ndihmë mjekësore:

  • Fillimi i dobët dhe i ngadaltë i urinimit
  • Urinim i dobët
  • Ndërprerje e pavullnetshme e urinës
  • Pika të urinës edhe pas përfundimit të urinimit

Kontrollet rregullta tek mjeku urolog të paktën një herë në vit, dhe kontrollet më të shpeshta në rast se keni probleme me prostatën, garantojnë një mënyrë të shpejtë dhe efektive të trajtimit të kësaj gjendje.

Shpesh, meshkujt rritjen beninje të prostatës e barazojnë me kancerin e prostatës. Por nuk është kështu! Jo çdo rritje beninje në prostatë kontribuon në shfaqjen e kancerit të prostatës. Vetëm 5 deri në 10% e meshkujve që vuajnë nga kanceri i prostatës e kanë të trashëguar këtë sëmundje dmth kanë historinë familjare të kësaj sëmundje.

Duhet të theksohet se zbulimi i kancerit të prostatës në fazë të hershme siguron trajtim efektiv pa probleme të mëdha. Por nëse kanceri rritet dhe përhapet jashtë prostatës, i cili quhet kancer i përparuar, mund të shkaktojë dhimbje ose djegie gjatë urinimit, rritje të frekuencës ose vështirësi në urinim, gjak në urinë ose spermë, dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, ijeve ose kofshëve të sipërme. Rregulli është i thjeshtë: Nëse këto këto simptoma janë të pranishme, mos vononi, vizitoni mjekun urolog i cili me anë të disa analizave të thjeshta të cilat i mundëson mjekësia moderne që ne praktikojmë në klinikën tonë do të përcaktojë diagnozën e saktë dhe trajtimin e duhur të mëtejshëm.