00389 2 3091 484
Nëntor 11,2020
Çfarë është sistemi imunitar?
Sistemi imunitar është një rrjetë komplekse qelizash, indesh dhe organesh. Së bashku, ato ndihmojnë organizmin tuaj për të luftuar kundër infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera.
Sistemi imunitar përbëhet nga dy pjesë themelore: i lindur (sistemi imunitar me të cilin keni lindur) dhe i arritur ( i cili zhvillohet gjatë kontaktit të organizmit tuaj me mikrobe ose produkte kimikale të mikrobeve). Këto dy pjesë funksionojnë sëbashku.
Sistemi imunitar i lindur njihet ndryshe si “reagues i shpejtë”, më saktë, është pikërisht ai i cili përgjigjet menjëherë kur organizmi identifikon “sulmues”. Qelizat e këtij sistemi imunitar e rrethojnë dhe e luftojnë “sulmuesin”. Qelizat të cilat veprojnë në këtë mënyrë quhen fagocite.
Sistemi imunitar i arritur, me ndihmën sistemit imunitar të lindur prodhon qeliza (antitrupa) të cilat e mbrojnë trupin tuaj nga ndonjë “sulmues” konkret. Antitrupat zhvillohen nga qelizat e njohura si limfocite B pas ekspozimit të organizmit ndaj “sulmuesit”. Ato qëndrojnë në trup dhe pas disa ditësh organizmi krijon antitrupa. Pasi organizmi të jetë ekspozuar ndaj “sulmuesit” herën tjetër sistemi imunitar arrin da detektojë “sulmuesin” dhe fillon të mbrohet.
Pjesët përgjegjëse të sistemit imunitar?
Të dyja këto sisteme imunitare janë të krijuara nga një numër i madh dhe i ndryshëm qelizash dhe organesh, duke përfshirë:
Lëkurën: Ajo është bariera e parë e cila ndihmon në parandalimin e depërtimit të mikrobeve brenda në trup.
Membranat e mukozës: Ato janë mbështjella të brendshme të disa organeve dhe hapësirave në trup. Prodhojnë mukus dhe substanca të tjera të cilat mund ti rrethojnë dhe ti sulmojnë mikrobet.
Qelizat e bardha të gjakut: përgjegjëse për luftimin e mikrobeve
Organet dhe indet e sistemit limfatik: Këtu bëjnë pjesë timusi, shpretka, bajamet, nyjet limfatike, enët limftike dhe palca e kockave. Ato i prodhojnë, i akumulojnë dhe i transportojnë nëpërmjet enëve të bardha të gjakut.
Si funksionon sistemi imunitar?
Sistemi juaj imunitar mbron trupin tuaj nga substancat që i konsideron të dëmshme ose të huaja. Këto substanca quhen antigjene. Ato mund të jenë mikrobe siç janë bakteret dhe viruset; kimikate ose toksina. Ato gjithashtu mund të jenë qeliza të dëmtuara nga kanceri ose djegiet.
Kur sistemi juaj imunitar njeh apo e dallon antigjenin, ai e sulmon atë. Kjo quhet përgjigje imune. Pjesë e kësaj përgjigje është krijimi i antitrupave. Antitrupat janë proteina që sulmojnë, dobësojnë dhe shkatërrojnë antigjenet. Trupi juaj krijon qeliza të tjera për të luftuar antigjenin.
Sistemi juaj imunitar e mban mend antigjenin. Duke e njohur përsëri, ai mund ta identifikojë shpejt dhe të dërgojë antitrupat e saktë. Falë kësaj, në shumicën e rasteve nuk sëmureni. Kjo mbrojtje nga ndonjë sëmundje e veçantë njihet si imunitet.
Cilat janë llojet e imunitetit?
Ekzistojnë tre lloje të ndryshme të imunitetit:
Imuniteti i lindur: Kjo është mbrojtja me të cilën njeriu lind. Është linja e parë e mbrojtjes së trupit tuaj. Përfshin barriera të tilla si lëkura dhe mukozat. Ata parandalojnë hyrjen e substancave të dëmshme në trup.
Imuniteti aktiv: Ndryshe njihet si imunitet adaptiv, aktivizohet dhe zhvillohet kur infektoheni ose vaksinoheni kundër një substance të huaj. Imuniteti aktiv është zakonisht afatgjatë. Tek shumë sëmundje, mund të zgjasë gjithë jetën.
Cilat janë problemet që mund të ketë sistemi imunitar?
Ndonjëherë ndodh që tek disa persona të shfaqet përgjigje imune, edhe atëherë kur nuk ka kërcënim real. Kjo mund të shkaktojë probleme si: alergji, astmë dhe sëmundje autoimune. Nëse keni sëmundje autoimune, sistemi juaj imunitar gabimisht njeh dhe sulmon qelizat e shëndetshme në trupin tuaj.
Probleme të tjera me sistemin imunitar ndodhin kur ai nuk funksionon siç duhet. Këto probleme përfshijnë sëmundje të mungesës së imunitetit. Nëse keni sëmundje të shkaktuar nga mungesa e imunitetit, do të sëmureni shumë më lehtë dhe shumë më shpesh. Infeksionet mund të zgjasin gjatë, mund të jenë më serioze dhe më të vështira për tu trajtuar. Zakonisht ato kanë të bëjnë me çrregullime gjenetike.
Ekzistojnë sëmundje të tjera që mund të ndikojnë në sistemin tuaj imunitar. Për shembull, HIV (virusi i mungesës së imunitetit human) dëmton sistemin tuaj imunitar duke shkatërruar qelizat e bardha të gjakut. Nëse nuk trajtohet, virusi mund të shkaktojë AIDS (Sindroma e Mungesës së Imunitetit të Fituar). Personat me AIDS kanë të dëmtuar rëndë sistemin imunitar dhe vuajnë nga sëmundje shumë të rënda.