Shëndeti mendor në punë: një rrugë drejt mirëqenies

Doza e shëndetit ditor

19 Dhjetor, 2023

Puna luan një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve, por është gjithashtu burimi i një sërë situatash që përfshijnë përvoja të tilla si: stresi, mbingarkesa, konfliktet me kolegët, ngacmimet në vendin e punës dhe shfaqjen e problemeve me shëndetin mendor.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e përkufizon shëndetin mendor si mirëqenie mendore që u mundëson njerëzve të përballojnë momentet stresuese në jetë, të zhvillojnë të gjitha aftësitë e tyre, të jenë në gjendje të mësojnë dhe të punojnë në mënyrë adekuate dhe të kontribuojnë në përmirësimin e komunitetit të tyre. Gjithashtu, shëndeti mendor duhet të jetë pjesë përbërëse e mirëqenies së përgjithshme në kompani, e cila do t’i mundësojë kompanisë marrjen e vendimeve, vendosjen e rregullave dhe bashkëpunimit për të arritur qëllimet e parashikuara te kompanise, pra për arritjen e suksesit personal dhe profesional. Megjithatë, rëndësia e shëndetit mendor dhe mënyra se si ai ndikon në produktivitetin dhe përfitimin e vetë kompanive shpesh neglizhohet (nuk i kushtohet vëmendje).

Mjedisi i punës mund të konsiderohet si një nga faktorët kryesorë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor. Një mjedis i favorshëm pune ofron kënaqësi dhe kontribuon në vetë-realizimin e individit. Nga ana tjeter, mjedisi jo i favorshëm i punës, çon në ndryshime të shëndetit mendor.

Tashmë është demostruar se punonjësit e kënaqur dhe të shëndetshëm i kryejnë obligimet e tyre shumë më mirë dhe probabiliteti që ata të qëndrojnë, të vazhdojnë të punojnë në kompani është i lartë. Në të kundërt, ata punonjës që janë vazhdimisht nën stres, përballen me ankth apo depresion në vendin e punës, mund të përballen me probleme serioze, jo vetëm individualisht, por si ekip dhe në përgjithësi brenda organizatës në të cilën punojnë. Për këtë arsye, marrja e masave për parandalimin dhe trajtimin e shëndetit mendor në vendin e punës kontribuon në reduktimin e mungesave, situatave të pakëndshme në vendin e punës dhe situatave/kushteve të tjera të lidhura me to.

Sipas Qendrës së Shëndetit Mendor, në vendin e punës, një në pesë punonjës vuan nga depresioni dhe 70% e tyre vuajnë nga reduktimi i produktivitetit, përkeqësimi i shëndetit fizik dhe, në rastin më të keq, vetëdëmtimi.

Nga ana tjetër, me anë të qasjes profesionale dhe reflektuese, personat përgjegjës në punë mund të ndihmojnë në reduktimin e stresit dhe zhvillimin e qëndrueshmërisë psikologjike të nevojshme për të qenë më produktivë. Prandaj, është e nevojshme të krijohen strategji në të cilat punonjësit duhet të marrin pjesë dhe, në këtë mënyrë, të menaxhojnë shëndetin e tyre mendor, të informohen për problemin, të përfshihen dhe të veprojnë për të mirën e të gjithëve. Personat përgjegjës në punë duhet të jenë shembull në zhvillimin e shëndetit të favorshëm mendor dhe në marrjen e kohës për të rimbushur me energji dhe për të frymëzuar ekipin e tyre për ta ndjekur këtë shembullin.

Një nga mënyrat kryesore për të promovuar shëndetin mendor në punë është nxitja e një mjedisi të shëndetshëm dhe të dobishëm pune, ku ata ndihen të sigurt dhe të respektuar, një vend ku vlerësohen dhe u ofrohen mundësi për rritje dhe zhvillim personal dhe profesional. Përveç kësaj, mbështetja emocionale është e nevojshme, duke ofruar mbështetje psikologjike dhe shërbime udhëzuese (këshillim dhe/ose terapi), mbështetje për gjetjen e ekuilibrit punë-jetë, dhe natyrisht opsionin e orareve fleksibël të punës, pushimet me pagesë dhe aktivitete të tjera që lehtësojnë mirëqenien e individit/punonjësit. Është gjithashtu shumë e dobishme të ofrohet trajnim për tema që lidhen me shëndetin mendor, rëndësinë e tij dhe mënyrat për ta parandaluar dhe trajtuar atë.

Shëndeti mendor është një aspekt jetik i mirëqenies në vendin e punës. Prandaj, punëdhënësit duhet të ndërmarrin hapa për të identifikuar faktorët e rrezikut dhe për të krijuar sisteme mbështetëse dhe programe shëndetësore dhe parandaluese për punonjësit e tyre. Është e rëndësishme të mbani mend se shëndeti mendor në punë rrit motivimin, përqendrimin dhe kreativitetin, gjë që çon në performancë më të mirë. Ndihmon gjithashtu në balancimin e sferës personale dhe atë profesionale, përmirësimin e cilësisë së jetës së punonjësve, sepse shëndeti i mirë mendor krijon një mjedis të përshtatshëm dhe të këndshëm pune, i cili nga ana tjetër rrit kënaqësinë dhe lumturinë në punë.

Ekipi i psikologëve dhe psikiatërve në klinikën Zhan Mitrev është në dispozicionin tuaj për konsultim dhe trajtim të të gjitha problemeve tuaja me shëndetin mendor. Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484

Dr. Marija Kostadinovska
Specialiste psikiatre