Sindroma X – Dhimbje gjoksi me arterie koronare normale

Doza e shëndetit ditor

13 Nëntor, 2020

Tek afërsisht 20% e pacientëve me dhimbje akute ose kronike të gjoksit, angiografia koronare selektive si procedura kryesore që pasqyron arteriet koronare nuk tregon ngushtim të dukshëm të arterieve koronare që ushqejnë muskujt e zemrës.

Për më shumë se 50 vjet kjo gjendje është e njohur në mjekësi si angina pectoris me arterie koronare normale ose Sindroma X.

Karakteristikat kryesore të këtij sindromi janë:

– shfaqje e dhimbjes anginale në gjoks që zgjat më shumë se 10 minuta deri në disa orë, zakonisht gjatë stresit fizik ose mendor por edhe kur pushoni

-ishemia e provuar e muskulit të zemrës gjatë  testit të stresit (stres test)

– gjetje krejtësisht normale të angiografisë koronare.

Një nga shkaqet kryesore të dhimbjes në gjoks tek këta pacientë të cilët kanë arterie koronare normale është dëmtimi i mikroqarkullimit të muskulit të zemrës. Ndryshimet funksionale dhe anatomike në mikroqarkullimin e muskulit të zemrës shkaktojnë shtrëngim të enëve, duke reduktuar  rrjedhën e gjakut në zemër dhe duke shkaktuar ishemi të miokardit dhe dhimbje në kraharor.

Për shkak se problemi kryesor me këtë sindromë nuk janë arteriet e mëdha koronare por kapilarët e vegjël, kjo sindromë quhet edhe anginë mikrovaskulare. Disa ekspertë besojnë se njerëzit me këtë gjendje mund të kenë një ndjeshmëri anormale ndaj dhimbjes në muskulin e zemrës.

Prevalenca e SINDROMËS X tek njerëzit është mjaft e lartë dhe sot është një problem i vërtetë shëndetësor. Është shumë më e zakonshme tek gratë (tipike tek gratë në menopauzë) sesa tek burrat. Për shkak të simptomave të theksuara të dhimbjes në gjoks, e cila zakonisht është e një natyre kronike, pacientët shpesh i nënshtrohen procedurave të shtrenjta diagnostike, shpesh kryejnë ekzaminime dhe marrin sasi të madha ilaçesh.

Është e rëndësishme të theksohet se pacientët me Sindromën X në të vërtetë kanë një prognozë të shkëlqyeshme përkundër cilësisë së reduktuar të jetës për shkak të dhimbjes së shpeshtë dhe të përsëritur të gjoksit. Komplikime të tilla si kardiomiopatitë dhe aritmitë mund të shfaqen vetëm tek një numër i vogël pacientësh.

Dr. Shpend Idrizi
Spec. në mjekësinë interne, Subsepec. në kardiologji