00389 2 3091 484
Mars 03,2024
Kolla e mirë ose kolla e madhe është një sëmundje infektive serioze e shkaktuar nga bakteria gram negativ Bordetella pertussis.
Infeksioni transmetohet me anë të aero-pikave, domethënë duke thithur ajrin e kontaminuar me këtë baktere nga një person i sëmurë. Bakteria transmetohet me anë të pikave përmes sekrecioneve të mukozës së sistemit të frymëmarrjes nga personi i infektuar dhe i nxjerr ato kur kollitet, teshtin, flet. Ka një probabilitet më të vogël të transmetimit të infeksionit në mënyrë indirekte – përmes objekteve të kontaminuara nga mjedisi i pacientit, ku bakteria mund të mbijetojë për 3-5 ditë. Indeksi i infektimit është shumë i lartë rreth 80%. Transmetimi është më i madh në fillim të sëmundjes dhe mund të zgjasë deri në 4 javë, sepse nuk i kemi shenjat karakteristike të kollës së madhe, që janë sulmet e kollitjes, që të dyshojmë se bëhet fjalë për pertusis.
Bartës të infeksionit janë kryesisht popullata e moshuar dhe adoleshentët që kanë një pamje klinike të lehtë të një infeksioni të rrugëve të frymëmarrjes të ngjashme me të ftohtin dhe për këtë arsye e përhapin infeksionin në mjedis pa e ditur. Kolla e mirë mund të transmetohet nga individë që kanë një formë të lehtë të sëmundjes ose individë të infektuar që nuk kanë asnjë simptomë dhe janë bartës të baktereve. Në këtë mënyrë, foshnjat mund të infektohen nga prindërit, vëllai ose motra e tyre më e madhe që nuk e dinë se kanë kollë të mirë dhe janë transmetues (ngjitës).
Tek popullata ku ka përqindje të lartë të vaksinimit, sëmundja dhe vdekshmëria prej saj janë shumë të ulëta sepse me vaksinim të rregullt mbrohen më të rrezikuarit, përkatësisht foshnjat dhe të moshuarit që konsiderohen si popullata më e brishtë tek të cilët kolla e mirë ka ecurinë më të rëndë dhe shkakton komplikacionet më të rënda.
Bakteria Bordetella pertussis është agresive ndaj epitelit mbrojtës të rrugëve të frymëmarrjes. Pas depërtimit të saj lidhet me qelizat ciliare të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes ku shumohet, krijon endotoksina dhe substanca biologjike aktive që janë përgjegjëse për ecurinë e mëtejshme të sëmundjes. Duke dëmtuar epitelin mbrojtës të sistemit të frymëmarrjes, ekspozohen receptorët e kollës, gjë që çon në sulme të kollës spazmatike. Me përparimin e sëmundjes ndodhin ndryshime në rrugët e poshtme të frymëmarrjes dhe shfaqen komplikacione, pneumoni, bronkit, bronkiolit tek foshnjat.
Inkubacioni i sëmundjes zakonisht zgjat nga 7-14 ditë, dhe ndonjëherë simptomat e sëmundjes mund të shfaqen edhe pas 21 ditësh. Simptomat e kësaj sëmundjeje varen në radhë të parë nga mosha e fëmijës dhe nga statusi i tij i vaksinimit, kështu që pamja më e rëndë klinike dhe një shkallë e lartë e komplikimeve manifestohen përkatësisht tek foshnjat në 6 muajt e parë të jetës.
Ecuria e sëmundjes zhvillohet në tre faza. Fëmijët më të rritur dhe të rriturit nuk kanë kalime të qarta nga një fazë në tjetrën, pamja e tyre klinike është e lehtë, atipike, që i ngjan një ftohjeje. Prandaj, ky grup është edhe transmetuesi më i madh i infeksionit dhe atyre duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë.
Faza e parë quhet edhe faza katarale. Kjo fazë është jospecifike dhe karakterizohet me simptoma dhe shenja si në rastin e infeksioneve të tjera respiratore, prandaj është shumë e vështirë të zbulohet sëmundja në këtë periudhë.
Simptomat fillojnë me gërvishtje ose dhimbje të fytit, bllokim ose rrjedhje të hundës, teshtitje, me rretje të lehtë të temperaturës së trupit por jo domosdoshmërisht, dhe një kollë që gradualisht intensifikohet. Në këtë fazë, pacienti është më ngjitës dhe e përhap shumë shpejt infeksionin në mjedis.
Kjo është faza më e vështirë. Këtu shfaqet ajo kollë e fortë dhe intensive që mund të zgjasë 2-6 javë. Karakterizohet nga sulme të rënda, të shpejta, të papritura dhe të pakontrollueshme të kollës. Gjatë thithjes dhe nxjerrjes së ajrit, fëmija kollitet vazhdimisht, gjë që shkakton skuqje të fytyrës, lotim të syve, madje edhe mungesë ajri dhe cianozë. Në fund të sulmit, fëmija thith me shpejtësi ajrin, duke lëshuar një tingull karakteristik të ngjashëm me tingullin e gomarit, prandaj sëmundja në gjuhën popullore njihet “kolla e gomarit”. Ky sulm i kollitjes mund të pasohet me të vjella dhe nxjerrjen e një sasie mukusi. Sulmet e kollës mund të shkaktohen edhe nga ndryshimet e temperaturës në mjedis, prania e tymit, si dhe gjatë ushqyerjes së fëmijës.
Pamja klinike më dramatike e kollës është e pranishme tek foshnjat. Organizmi i foshnjës së vogël lufton për tu mbushur me ajër gjatë krizave të kollës.
Bakteria që është shkaktare e kësaj sëmundjeje me toksinën e saj shkatërron epitelin mbrojtës të trungut të frymëmarrjes, çon në ekspozimin e receptorëve të kollës, duke krijuar një sekret të trashë tek foshnja që nuk mund të mënjanohet me aktin e kollitjes. Përveç kollitjes, ata përjetojnë edhe ndërprerje në frymëmarrje të quajtura apnea. Në raste të caktuara, foshnjat mund të mos kenë as kollë, mund të kenë vetëm apnea. Ato apnea, nëse janë të shpeshta dhe zgjasin për një kohë të gjatë, mund të çojnë në marrje të reduktuar të oksigjenit dhe cianozës, për shkak të së cilës vuan pjesa më e ndjeshme e kësaj periudhe të jetës, që është truri i fëmijës. Për shkak të vetë hipoksisë dhe cianozës, tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël mund të ndodhin konvulsione, asfiksi dhe në rastet më të rënda dhe vdekje.
Faza e tretë quhet edhe faza e rikuperimit ose faza e shërimit. Kjo është faza ku simptomat zvogëlohen, numri i sulmeve të kollës zvogëlohet dhe vetë kolla nuk është më karakteristike. Por për shkak të toksinës së fortë të sekretuar nga bakteria Bordetella pertussis, që shkakton edhe kollën, kjo fazë mund të zgjasë për një kohë të gjatë, madje deri në një muaj ose më shumë.
Komplikimet më të shpeshta që ndodhin janë asfiksia tek foshnjat, bronkopneumonia e cila mund të ketë një përfundim të keq, inflamacion i veshit të mesëm, dehidratim, konvulsione. Për shkak të sulmeve të rënda të kollës dhe përpjekjeve të mëdha që bën fëmija, mund të shfaqen gjakderdhje në tru, plasje e kapilarëve në të bardhat e syve, gjakderdhje nga hunda, mukozat dhe lëkura. Gjithashtu mund të shkaktojë inflamacion të strukturave të trurit që mund të rezultojë në çrregullime neurologjike.
Si rezultat, një numër i madh foshnjash kanë nevojë për trajtim spitalor dhe disa prej tyre përfundojnë në njësi të kujdesit intensiv dhe terapi me mbështetje respiratore. Në raste të caktuara, sëmundja mund të ketë përfundim fatal.
Për shkak të forcës së kollës, mund të shfaqen hernie të kërthizës dhe hernie inguinale, prolaps rektal dhe fraktura në zonën e kraharorit.
Diagnoza në fazën e parë është mjaft e vështirë sepse pamja klinike është e ndërthurur me shumë simptoma të tjera të disa infeksioneve respiratore. Vetëm në fazën e dytë, kur shfaqet kolla tipike, dyshohet për pertusis.
Diagnoza më e shpejtë e kollës së mirë vendoset nga zbulimi molekular i Bordetella pertussis me metodën Multiplex Real Time PCR (reaksion zinxhir polimerazë), i cili gjithashtu zbulon një numër të vogël kopjesh të bakteres aktuale.
Në klinikën tonë, ne kemi disa lloje të paneleve respiratore që zbulojnë një numër të madh virusesh dhe bakteresh respiratore duke përdorur metodën PCR. Në të gjitha këto panele është përfshirë bakteria Bordetella pertussis. Këto panele PCR ofrojnë rezultate në një kohë të shkurtër për vetëm disa orë. Merret mostër me një shtupë (bris) për hundë dhe fyt.
Zbulimi i hershëm dhe identifikimi i saktë i patogjenëve të frymëmarrjes kontribuon në marrjen e terapisë në kohë, duke reduktuar në këtë mënyrë komplikimet e sëmundjes si dhe parandalimin në kohë të përhapjes së saj.
Terapia me antibiotikë është trajtimi i zgjedhur për kollën e mirë. Antibiotikët e përdorur janë nga grupi i makrolideve si azitromicina, klaritromicina, eritromicina. Që trajtimi të jetë efektiv, trajtimi duhet të fillohet në fazën e hershme të sëmundjes, pra gjatë javës së parë ose të dytë, para se të shfaqen sulmet e kollitjes.Trajtimi me antibiotikë mund të shkurtojë periudhën infektive dhe të zvogëlojë rrezikun e përhapjes së infeksionit tek personat e tjerë.
Profilaksia me antibiotikë kryhet edhe tek familjarët që kanë kontakt të ngushtë me një person të infektuar.
Mënyra më e mirë për të parandaluar kollën e mirë është imunizimi!
Imunizimi kundër pertusis kryhet me vaksina të kombinuara, të cilat janë si më poshtë:
Sipas kalendarit të imunizimit, vaksinimi fillon kur foshnjat janë 2 muajshe dhe vazhdon në 4 dhe 6 muajsh. Ky quhet edhe primoimunizim.
Një nivel solid mbrojtjeje arrihet me doza përforcuese, pra me rivaksinim. Rivaksinimi i parë kryhet një vit pas përfundimit të vaksinimit primar, duke dhënë një dozë Pentaxim në moshën 18 muajshe. Rivaksinimi i dytë bëhet në moshën 7 vjeçare, pra në klasën e dytë.
Tek gratë shtatzëna rekomandohet vaksinimi në tremujorin e fundit të shtatzënisë për të pasur kohë të mjaftueshme që trupi i nënës të krijojë një sasi të mjaftueshme antitrupash mbrojtës që do t’i ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme të porsalindurit në 3 muajt e parë deri në fillimin e vaksinimit të imunizimit të rregullt.
Me imunizimin e rregullt dhe mbulimin e më shumë se 95% të fëmijëve, mund të arrihet një imunitet i mirë kolektiv, kështu që edhe nëse ndodh infektimi me këtë baktere, infeksioni do të kalojë me një pamje klinike më të lehtë.
Vaksinat stimulojnë sistemin imunitar për të krijuar antitrupa dhe kështu e përgatisin trupin e fëmijës për të njohur virusin ose bakteret specifike që do të jenë më të lehta për t’u luftuar.
Është për të ardhur keq që sëmundje të cilat kanë qenë në zhdukje, tani po fillojmë të paraqiten përsëri megjithatë ekzistojnë vaksina adekuate që mund t’i mbrojnë fëmijët.
Masat e tjera parandaluese janë pjesë e masave të përgjithshme parandaluese që praktikohen për të gjitha sëmundjet e tjera respiratore.