Tiroiditi Hashimoto

Doza e shëndetit ditor

28 Korrik, 2020

Çfarë është tiroiditi Hashimoto?

Tiroiditi Hashimoto është një inflamacion i gjëndrës tiroide, që ndodh si rezultat i proceseve komplekse autoimune, pra sistemi imunitar prodhon antitrupa që sulmojnë në mënyrë selektive gjëndrën tiroide. Tiroiditi Hashimoto është shkaku më i zakonshëm i hipotiroidizmit. Është një gjendje kronike që zhvillohet gradualisht përgjatë disa viteve – gjatë të cilave dëmton ngadalë gjëndrën tiroide. Simptomat e manifestimit janë të njëjta si në rastin e gjëndrës tiroide jo aktive – hipotiroidizmit.

Si bëhet vendosja e diagnozës?

Diagnoza është e shpejtë dhe e lehtë, bëhet me anë të analizës së antitrupave specifikë kundër peroksidazës tiroide (ATPO) në gjak, si dhe me anë të vlerave të hormoneve të tiroides. Gjithashtu, rekomandohet kryerja e ultrasonografisë (ekos) së gjëndrës tiroide, pasi pacientët me tiroidit Hashimoto kanë një konstatim apo gjetje ultrasonografike specifike.

Si trajtohet?

Trajtimi varet nga faza në të cilën diagnostikohet tiroiditi Hashimoto. Tek pacientët e diagnostikuar me hipotiroidizëm, fillohet me terapi për zëvendësimin e hormoneve. Pasi mjeku juaj endokrinolog t’ju ketë dhënë terapi e duhur, duhet të vazhdohet me monitorimin dhe analizohet sipas nevojës.


Fakte interesante në lidhje me tiroiditin e Hashimoto

Tiroiditi Hashimoto mund të zmadhojë dhe zvogëlojë gjëndrën tiroide!

Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Simptoma e parë është zakonisht zmadhimi i gjendrës tiroide ose goiter – që shfaqet si rezultat i sulmit të vazhdueshëm të gjëndrës tiroide nga e sistemit imunitar. Gjëndra bëhet shumë aktive duke u përpjekur të mbrohet dhe të vazhdojë të funksionojë normalisht, duke rezultuar me hipertrofi. Me kalimin e kohës gjëndra konsumohet, bëhet jofunksionale, fillon të zvogëlohet dhe më pas atrofohet.

Tiroiditi Hashimoto në disa raste mund të shkaktojë hipertiroidizëm!

Kjo është paksa konfuze apo jo? Edhe pse rrallë, një pjesë e pacientëve kanë Hashitoksikozë- ose e thënë ndryshe ajo është faza e hershme e tiroiditit Hashimoto në të cilën gjëndra është e çrregullt dhe sekreton sasi të shtuara të hormoneve tiroide të cilat shkaktojnë rrahje të shpejta të zemrës, humbje peshe dhe ankth – shenja klasike të hipertiroidizmit. Kjo fazë mund të zgjasë nga 1 deri në 12 muaj.

Hipotireoza e patrajtuar mund të jetë fatale!

Tiroiditi Hashimoto i cili nuk ndiqet nga mjeku dhe veçanërisht hipotiroidizmi i patrajtuar mund të shkaktojë një numër të madh çrregullimesh (kolesterol të lartë, shtim në peshë, sëmundje kardiovaskulare, reduktim të kapacitetit mendor, abort dhe keqformim tek foshnja e porsalindur) por ndonjëherë mund të ketë rezultat fatal me komë myxedematous dhe vdekje.

Suplementet e jodit nuk rekomandohen për pacientët me tiroiditet Hashimoto

Disa pacientë kanë dyshime se tiroiditi Hashimoto shfaqet për shkak të mungesës së jodit dhe shpesh marrin suplemente vetë. Sidoqoftë, suplementet apo shtesat e jodit në fakt dëmtojnë gjëndrën tiroide Hashimoto dhe ndikojnë në përkeqësimin e hipotiroidizmit.

Pse quhet Hashimoto?

Emri i kësaj sëmundje bazohet në emrin e mjekut japonez Hakaru Hashimoto i cili ka qenë i pari që ka bërë përshkrimin e kësaj gjendje. Hashimoto në vitin 1912 ishte i pari që paraqiti tezën e goiterit limfomatik me karakter beninj dhe shpëtoi shumë pacientë me tiroidit Hashimoto nga operacione të panevojshme të tiroides.

Dr. Nadica Bozhinovska
Specialiste endokrinologe