Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

30.06.2021

Alergjia e shkaktuar ndaj rrezeve të diellit

Alergjia nga dielli është një term që përdoret shpesh për të përshkruar një numër kushtesh në të cilat shfaqet skuqje e lëkurës ose kruajtje kur ekspozohet ndaj rrezeve të diellit. Forma më e zakonshme e alergjisë nga dielli është erupcioni ose i njohur ndryshe si shpërthim polimorf i dritës, i cili gjithashtu njihet si alergji e shkaktuar nga dielli.

Disa persona kanë një lloj alergjie të trashëguar nga dielli. Disa të tjerë zhvillojnë shenja dhe simptoma vetëm kur diçka tjetër i shkakton ato, të tilla si ilaçet ose kontakti i lëkurës me bimë të tilla si pashkanati ose limoni jeshil. Rastet e lehta të alergjisë nga dielli mund të zhduken pa terapi. Sidoqoftë, format më të rënda të alergjisë mund të kërkojnë trajtim me kremra ose tableta steroide. Personat me alergji të rëndë ndaj diellit mund të kenë nevojë të marrin masa paraprake dhe të përdorin krem me faktor mbrojtës ndaj rrezeve të diellit.

Simptomat

Pamja e lëkurës së prekur nga alergjia e diellit mund të ndryshojë shumë në varësi të shkakut të problemit.
Simptomat që mund të ndodhin janë:
• Skuqje
• Kruajtje ose dhimbje
• Pika të vogla
• Rrjepje e lëkurës, shtresa të thata ose gjakderdhje
• Flluska ose njolla

Zakonisht, simptomat shfaqen vetëm në rastet e lëkurës së ekspozuar në diell dhe zakonisht shfaqen brenda disa minutash ose orësh pas ekspozimit në diell.

Kur duhet të paraqiteni tek mjeku?

Duhet të paraqiteni tek mjeku juaj dermatolog nëse keni reaksione të pazakonta ose shqetësuese të lëkurës pas ekspozimit në diell. Për simptoma të rënda ose të vazhdueshme, duhet të ndiqeni nga mjek dermatolog i cili do të bëj vendosjen e diagnozës së saktë dhe do t’ju rekomandojë terapinë e duhur për trajtimin e këtyre çrregullimeve të lëkurës.

Shkaqet

Disa lloje ilaçesh, kimikatesh dhe sëmundjesh mund ta bëjnë lëkurën më të ndjeshme ndaj diellit. Nuk dihet me siguri përse disa persona kanë alergji nga dielli dhe të tjerët jo. Ndoshta këtu luajnë rol disa tipare të trashëguara.

Faktoret e rrezikut

Faktorët e rrezikut për reaksionin alergjik ndaj rrezeve të diellit janë:

  • Raca. Çdokush mund të vuaj nga alergjia e diellit, por ka disa alergji të shkaktuara nga dielli që janë më të zakonshme tek njerëzit me lëkurë të bardhë.
  • Ekspozimi ndaj substancave të caktuara. Disa simptoma të alergjisë së lëkurës shkaktohen kur lëkura bie në kontakt me substance të caktuara dhe më pas ekspozohet ndaj rrezeve të diellit. Substancat që shpesh shkaktojnë këtë lloj reagimi janë parfumet, dezinfektuesit, madje edhe disa nga kimikatet e përdorura në kremrat kundër diellit.
  • Përdorimi i barnave të caktuara. Disa ilaçe mund të përshpejtojnë procesin e djegies së lëkurës – të tilla si antibiotikët (tetraciklina), ilaçe sulfonamide dhe ilaçet të cilat përdoren për qetësimin e dhimbjeve të tilla si ketoprofen.
  • Prania e ndonjë sëmundje tjetër të lëkurës. Dermatiti rrit rrezikun e alergjisë nga dielli.
  • Faktori trashëgues. Nëse ndonjë nga anëtarët e rrethit më të ngushtë familjar (vëllai, motra ose prindërit) vuajnë nga alergjia e diellit, ka shumë mundësi që alergjia të shfaqet edhe tek ju.

Parandalimi

Nëse keni alergji ndaj diellit ose ndjeshmëri të rritur ndaj diellit, mund të parandaloni reagimin duke ndjekur këto rekomandime:

  • Shmangni ekspozimin në diell gjatë periudhës së indeksit të lartë. Mundohuni të shmangni ekspozimin në diell ndërmjet orës 10:00 dhe 16:00.
  • Shmangni ekspozimin e menjëhershëm ndaj rrezeve të forta të diellit. Rritni gradualisht kohën e kaluar jashtë në mënyrë që qelizat e lëkurës të kenë kohë për tu përshtatur me rrezet e diellit.
  • Përdorni syze dielli dhe veshje mbrojtëse. Këmisha me mëngë të gjata dhe kapele me strehë të gjerë mund të ndihmojnë në mbrojtjen e lëkurës tuaj nga dielli. Shmangni pëlhura që janë të holla ose të endura rrallë pasi rrezet UV mund të kalojnë përmes tyre.
  • Përdorni krem mbrojtës. Përdorni krem për diellin me spektër të gjerë dhe me faktor mbrojtës të paktën 30. Aplikoni kremin kundër diellit çdo dy orë, ose më shpesh nëse bëni not ose djersiteni.
  • Shmangni alergjenët e njohur. Nëse e dini që ndonjë substancë e veçantë ju shkakton reagim në lëkurë, të tilla si ilaçet ose kontaktet me alergjenët, mundohuni ti shmangni ato.