Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

21.11.2023

Çfarë është sëmundja pulmonare obstruktive kronike SPOK?

Sëmundja pulmonare obstruktive kronike është një grup sëmundjesh të mushkërive që vështirësojnë frymëmarrjen dhe me kalimin e kohës bëhen me të rënda.
Normalisht, rrugët e frymëmarrjes dhe alveolat e mushkërive janë elastike dhe të zgjerueshme. Ndërkohë që mbusheni me frymë, ajri kalon në rrugët e frymëmarrjes për të furnizuar trupin me oksigjen. Nëse keni SPOK / COPD (Chronic obstructive pulmonary disease), sasia e ajrit që hyn dhe del nga rrugët tuaja të frymëmarrjes është e kufizuar dhe kjo mund të shkaktojë probleme:

  • Rrugët e frymëmarrjes dhe alveolat e mushkërive bëhen më pak elastike,
  • Muret e rrugëve të frymëmarrjes trashen dhe mund të kenë ënjtje,
  • Rrugët e frymëmarrjes prodhojnë më shumë mukus se normalisht dhe mund të bllokohen.

Cilat janë llojet e SPOK?

Ekzistojnë 2 dy lloje kryesore:

  • Emfizema: Prek alveolat pulmonare, si dhe muret ndërmjet tyre. Në këtë rast, ato janë të dëmtuara dhe më pak elastike
  • Bronkiti kronik: Në këtë lloj, membrana mukoze e rrugëve të frymëmarrjes është vazhdimisht e irrituar dhe si pasoje shfaqet ënjtje dhe mukus.

Shumica e personave me COPD kanë emfizemë dhe bronkit kronik, por ashpërsia e secilit lloj mund të ndryshojë nga personi në person.

Cili është shkaku i SPOK?

SOPK zakonisht shkaktohet nga ekspozimi afatgjatë ndaj irrituesve që dëmtojnë mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Tymi i cigares është identifikuar si shkaktari kryesor i kësaj sëmundjeje (sipas hulumtimeve në SHBA), purot dhe lloje të tjera të tymit të duhanit gjithashtu mund të shkaktojnë SPOK, veçanërisht nëse thithen vazhdimisht.

Ekspozimi ndaj irrituesve të tjerë nëpërmjet thithjes mund të kontribuojë gjithashtu në zhvillimin e SPOK. Këto përfshijnë konsumin pasiv te duhanit, ndotjen e ajrit dhe tymrat kimikë ose pluhurin nga mjedisi ose vendi i punës. Mosha dhe astma janë gjithashtu pjesë e shkaqeve të mundshme të kësaj sëmundjeje.
Gjendja gjenetike e quajtur mungesa e antitripsinës alfa-1, në raste të rralla, mund të ndikojë në shkaktimin e SPOK.

Cilat janë simptomat e SPOK?

Simptomat mund të mos jenë të ndjeshme në fillim ose mund të jenë vetëm të lehta. Ndërkohë që sëmundja përparon, simptomat zakonisht bëhen më të rënda:

  • Kollë e shpeshtë ose kollë që prodhon shumë mucus (sekrecion)
  • Frymëmarrje e shkurtër
  • Zhurmë ose fishkëllimë kur merrni frymë
  • Presion ose shtrëngim në kraharor

Tek disa individë me SPOK shfaqen infeksione të shpeshta të frymëmarrjes, si ftohja dhe gripi. Në raste të rënda, SPOK mund të shkaktojë humbje peshe, dobësi të muskujve, aktivitet të kufizuar të muskujve dhe ënjtje të kyçeve, këmbëve ose shputave.

Si diagnostikohet SPOK?

Për të vendosur diagnozën, mjeku juaj mund të përdorë:

  • Historinë tuaj mjekësore, duke përfshirë pyetjet në lidhje me simptomat tuaja
  • Historinë tuaj familjare
  • Teste të ndryshme laboratorike, teste për funksionin e mushkërive, radiografi (rreze X) ose CT të kraharorit, dhe analizë gjaku.

Si trajtohet SPOK?

Ekzistojnë trajtime që mund të lehtësojnë simptomat, të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes dhe të përmirësojnë aftësinë tuaj për të qëndruar aktiv. Ekzistojnë gjithashtu trajtime për të parandaluar ose trajtuar komplikimet e sëmundjes. Trajtimet përfshijnë:

Ndryshimet në stilin e jetesës

  • Nëse jeni duhanpirës, lënia e duhanit është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për të lehtësuar simtomat e SPOK
  • Shmangni duhanin pasiv dhe vendet ku mund të thithni irritues të tjerë të mushkërive
  • Pyetni mjekun tuaj për një plan adekuat te ushqimit që plotëson nevojat tuaja ushqyese. Gjithashtu pyesni për një plan të aktiviteteve fizike që mund të kryeni. Aktiviteti fizik mund të forcojë muskujt dhe tju ndihmojnë të merrni frymë dhe të përmirësoni mirëqenien tuaj të përgjithshme.

Barna

  • Bronkodilatorët: Këta përdoren për të relaksuar muskujt rreth rrugëve të frymëmarrjes. Kjo i ndihmon ata të hapen dhe lehtëson frymëmarrjen. Shumica e bronkodilatorëve merren me frymëmarrje. Në raste më të rënda, inhalatori mund të përmbajë edhe kortikosteroide për të reduktuar inflamacionin.
  • Vaksinat kundër gripit dhe pneumonisë pneumokokale (Streptococcus pneumoniae): Individët me SPOK janë në rrezik më të madh të problemeve serioze nga këto sëmundje
  • Antibiotikët nëse keni një infeksion bakterial ose viral të mushkërive.

Terapia me oksigjen

Përdoret në rast se keni SPOK të rëndë dhe nivele të ulëta të oksigjenit në gjak. Terapia me oksigjen mund t’ju ndihmojë në përmirësimin e frymëmarrjes tuaj. Mund të keni nevojë për oksigjen shtesë gjatë gjithë kohës ose vetëm në periudha të caktuara.

Trajtimi i pacientëve me SPOK është kompleks dhe në trajtimin e tyre duhet të përfshihen specialistë (pulmonolog, fizioterapist dhe nutricionist), të cilët duhet të bashkëpunojnë drejtpërdrejt në trajtimin individual të pacientit. Vetëm kombinimi i duhur i trajtimeve dhe këshillave nga specialistë të ndryshëm mund të ndikojë në suksesin e trajtimit të pacientëve me SPOK.