Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

09.01.2024

Cili është ndryshimi midis pneumonisë dhe bronkitit?

Pneumonia dhe bronkiti janë dy sëmundje të ndryshme të frymëmarrjes, megjithëse disa nga simptomat mund të jenë të njejta. Ky artikull do t’ju ndihmojë të identifikoni simptomat e secilës prej tyre.

Pneumonia është një infeksion akut i mushkërive që prek alveolat, domethënë pjesët më të vogla të tyre. Infeksioni mund të shkaktohet nga bakteret, viruset ose myku. Agjenti më i zakonshëm shkaktar është bakteria e quajtur Streptococcus pneumoniae.

Bronkiti është inflamacion i bronkeve – tubave që çojnë ajrin në mushkëri. Ato mund të inflamohen nga shkaqe të ndryshme, ndër të cilat më të shpeshtat janë infeksionet virale, por mund të shkaktohen edhe nga irritues kimikë apo fizikë.

Në vijim do të përmendim simptomat që lidhen me këto dy patologji, të cilat mund t’ju ndihmojnë të dalloni nëse gjendja e manifestuar korrespondon me pneumoni apo bronkit. Natyrisht, është e nevojshme të vizitoni mjekun specialist për të marrë një diagnozë të saktë.

Simptomat më të zakonshme të pneumonisë:

  • Kollë e rëndë që mund të prodhojë sputum (sekrecion)
  • Dhimbje gjoksi gjatë frymëmarrjes ose kollës
  • Temperaturë të lartë
  • Frymëmarrje e shpejtë dhe gulçim
  • Lodhje dhe dobësi
  • Ethe dhe djersë

Diagnoza vendoset me anë të rentgen/radiografisë në kraharor dhe me anë të analizave të gjakut.

Cilët persona janë më të prekur nga pneumonia?

Duhet të theksohet se rrezik më të madh për tu prekur nga pneumonia kanë:

  • Femijët
  • Të moshuarit
  • Personat që kanë sëmundje kronike të frymëmarrjes, të tilla si sëmundja kronike obstruktive pulmonare dhe astma
  • Personat me diabet
  • Personat me dështim të veshkave
  • Personat me patologji të zemrës
  • Personat me kancer
  • Personat që marrin trajtime që reduktojnë mekanizmin mbrojtës, siç janë imunosupresorët

Heqja dorë nga konsumi i duhanit, vaksinimi kundër gripit dhe pneumokokut janë masat më efektive për të parandaluar jo vetëm pneumoninë, por edhe bronkitin.

Vaksina e gripit duhet të merret çdo vit dhe rekomandohet veçanërisht për personat mbi 65 vjeç, pacientët me sëmundje kronike, pacientët me imunosupresion, personelin e kujdesit shëndetësor dhe ata  të cilët kujdesen për personat e sëmurë ose personat që bëjnë pjesë në grupin e rrezikut.

Simptomat më të zakonshme të bronkitit

  • Kollë e vazhdueshme me suptum
  • Lodhje
  • Vështirësi në frymëmarrje
  • Dhimbje gjoksi për shkak të kollës
  • Ethe të herëpashershme

Bronkiti mund të jetë akut ose kronik dhe zakonisht nuk shkakton temperaturë, por simptoma më karakteristike është kolla.

Diagnoza bazohet në vlerësimin e simptomave dhe historisë mjekësore. Në disa raste, mund të bëhen teste për të përjashtuar kushte të tjera.

Përmbledhje e dallimeve kryesore:

  • Pneumonia përfshin infeksion në alveolat e mushkërive, ndërsa bronkiti përfshin inflamacion në bronke.
  • Temperatura dhe gulçimi janë simptoma më të zakonshme dhe më të rënda të pneumonisë.
  • Bronkiti shpesh shkaktohet nga viruset, ndërsa pneumonia mund të shkaktohet nga bakteret, viruset ose myku.

Pneumonia dhe bronkiti mund të kenë pasoja të rënda, veçanërisht tek personat të cilët bëjnë pjesë në grupe të caktuara rreziku, sic janë të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe ata me sistem imunitar të komprometuar, ndaj është i detyrueshëm konsultimi me mjekun specialist për të marrë diagnozën e saktë dhe trajtimin e duhur.

Rezervoni terminin tuaj në 00389 2 3091 484