Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

17.01.2023

Çrregullimi obsesiv-kompulsiv – nuk duhet të neglizhohet

Jo rrallë na ndodh që të pyesim veten nëse e kemi mbyllur derën? A e kemi hequr shporetin nga priza, ngrohësin apo ndonjë pajisje tjetër? A na e lehtëson vazhdimin e aktiviteteve të mëtejshme kontrolli I tyre apo kthehemi disa herë dhe bëhet rituali ynë i domosdoshëm i cili përsëritet vazhdimisht?

Disa nga këto momente psikike ndodhin dhe harrohen pa lënë asnjë gjurmë të rëndësishme pas nesh. Megjithatë, këto momente dhe ngjarje mund të përsëriten, të marrin kohë dhe të na heqin një pjesë të madhe të vëmendjes, funksionalitetit, madje të na prishin rrjedhën tonë normale të jetës dhe të mos na japin qetësi derisa të kryhen këto rituale të caktuara.

Çrregullimi obsesiv-kompulsiv karakterizohet nga një model mendimesh dhe frikash të padëshiruara (obsesione) që çojnë në sjellje të përsëritura (kompulsione). Këto obsesione dhe detyrime ndërhyjnë në aktivitetet e përditshme dhe shkaktojnë shqetësime të konsiderueshme.

Shenjat dhe simptomat

Çrregullimi mund të shoqërohet me simptoma të obsesioneve, kompulsioneve ose të dyja. Simptomat mund të ndikojnë në shumë aspekte të jetës, për shembull në punë, në shkollë dhe në marrëdhëniet personale.
Obsesionet janë mendime, nxitje ose imazhe mendore të përsëritura që shkaktojnë shqetësim. Ato përfshijnë:

  • Frikën nga infektimi me baktere, viruse ose ndonjë formë kontaminimi;
  • Pasigurinë dhe vështirësië për të përballuar diçka të panjohur;
  • Mendimet të padëshiruara të ndaluara ose tabu për seksin, fenë ose lëndimet;
  • Mendimet agresive ose të frikshme për humbjen e kontrollit dhe lëndimin e vetes ose të të tjerëve;
  • Vendosjen e objekteve në një rend simetrik ose të përsosur.

Kompulsionet janë sjellje të përsëritura që ju ndiheni të detyruar t’i kryeni. Këto sjellje të përsëritura ose ndikime mendore synojnë të zvogëlojnë ankthin që lidhet me obsesionet ose të parandalojnë që të ndodhë diçka e keqe. Megjithatë, fakti që ju i kryeni këto mendime të detyruara (kompulsione) nuk ju jep kënaqësi, mund të çojë vetëm në lehtësim të përkohshëm të ankthit. Kompulsionet e zakonshme përfshijnë:

  • Pastrimin e tepërt dhe/ose larjen e tepruar të duarve;
  • Rregull/ përshtatshmëri e tepruar;
  • Renditja dhe vendosja e objekteve në mënyrë specifike dhe precize;
  • Kontrollimi i vazhdueshëm i gjërave, si p.sh. kontrolli i vazhdueshëm nëse dera është e kyçur ose nëse furra është e fikur.

Është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjitha ritualet ose zakonet janë detyrime. Të gjithë i kontrollojnë gjërat ndonjëherë nga dy herë. Por kur kemi të bëjmë me çrregullim, njerëzit në përgjithësi:

  • Nuk mund t’i kontrollojnë mendimet ose sjelljet e tyre, edhe pse ato mendime ose sjellje njihen si të tepruara;
  • Kalojnë të paktën 1 orë në ditë me këto mendime apo sjellje;
  • Nuk ndjejnë kënaqësi pas kryerjes së ritualeve apo sjelljeve, por mund të ndiejnë një lehtësim të shkurtër nga ankthi që i’u shkaktojnë mendimet;
  • Përjetojnë probleme të rëndësishme në jetën e tyre të përditshme për shkak të këtyre mendimeve ose sjelljeve.

Si pjesë e shfaqjes së çrregullimit, disa njerëz përjetojnë tike/mimika. Tiket mund të shfaqen si tike motorike, të cilat janë lëvizje të papritura, të shkurtra, të përsëritura, si pulsimi i syve, grimasat e fytyrës, ngritja e shpatullave, etj.
Simptomat mund të shfaqen dhe të zhduken, të përmirësohen me kalimin e kohës ose të përkeqësohen. Mund të ndodhin edhe tek fëmijët. Gjatë kësaj periudhe, çrregullimi mund të vërehet nga ana e prindërit ose mësuesit. Shumica e të rriturve e kuptojnë se ajo që po bëjnë nuk ka kuptim, kështu që ata kërkojnë ndihmë mjekësore vetë. Por shpesh ndodh që të përdorin edhe alkool për të qetësuar simptomat.

Faktoret e rrezikut

Çrregullimi obsesiv kompulsiv është një çrregullim i zakonshëm që prek të rriturit, adoleshentët dhe fëmijët në mbarë botën. Shumica e rasteve diagnostikohen rreth moshës 19 vjeç, zakonisht me një moshë më të hershme të fillimit tek djemtë sesa tek vajzat, ndërsa faza më e vonshme e fillimit të këtij çrregullimi ndodh pas moshës 35 vjeç.

Shkaqet e çrregullimit obsesiv kompulsiv janë të panjohura, por faktorët e rrezikut përfshijnë:

  • Faktorët gjenetikë që tregojnë se nëse të afërmit e shkallës së parë (si prindi, motra, vëllai) që kanë çrregullim obsesiv kompulsiv edhe ju keni gjasa të rritura për të zhvilluar këtë çrregullim;
  • Struktura dhe funksionimi i trurit – ndryshime të caktuara strukturore në korteksin frontal dhe strukturat subkortikale të trurit tek pacientët me çrregullim obsesiv kompulsiv;
  • Mjedisi i jetesës– Disa studime kanë treguar një lidhje ndërmjet traumës së fëmijërisë dhe simptomave obsesive-kompulsive. Në disa raste, fëmijët mund të zhvillojnë simptoma të çrregullimit obsesiv kompulsiv pas infeksionit të streptokokut – dhe kjo gjendje njihet si Çrregullim Neuropsikiatrik Autoimun Pediatrik i shoqëruar me Infeksione Streptokoksike (PANDAS);
  • Ngjarjet stresuese të jetës.

Komplikimet

Problemet që lindin nga çrregullimi obsesiv-kompulsiv ndër të tjera mund të përfshijnë:

  • Kohën e tepërt të kaluar në sjellje rituale;
  • Problemet shëndetësore, si dermatiti nga larja e shpeshtë e duarve;
  • Vështirësitë në kryerjen e aktiviteteve në punë, shkollë apo kontakte shoqërore;
  • Marrëdhëniet problematike;
  • Cilësinë e përgjithshme të dobët të jetës;
  • Sjellje dhe mendime për vetëvrasje.

Trajtimi dhe terapia

Çrregullimi obsesiv-kompulsiv zakonisht trajtohet me medikamente, psikoterapi ose një kombinim të të dyjave. Megjithëse shumica e pacientëve i përgjigjen trajtimit, tek disa pacientë disa nga simptomat vazhdojnë.
Ndonjëherë njerëzit me çrregullim obsesiv-kompulsiv kanë edhe çrregullime të tjera mendore, të tilla si ankthi, depresioni dhe çrregullimi dismorfik i trupit, skizofrenia. Këta elementë janë të rëndësishëm kur merret një vendim për llojin e trajtimit.

Ndër medikamentet e përdorura në trajtimin e çrregullimit janë barnat nga grupi i antidepresivëve SSRI. Trajtimi i çrregullimit obsesiv-kompulsiv përdor doza më të larta të barnave sesa ato të nevojshme për trajtimin e depresionit dhe mund të duhen 8 deri në 12 javë për të arritur një efekt, por disa pacientë përjetojnë përmirësim më të shpejtë.

Nëse simptomat nuk përmirësohen me këto lloj ilaçesh, hulumtimet tregojnë se disa pacientë mund t’i përgjigjen mirë medikamenteve antipsikotike.
Psikoterapia mund të jetë një trajtim efektiv për të rriturit dhe fëmijët me çrregullim obsesiv-kompulsiv. Hulumtimet tregojnë se disa lloje të psikoterapisë, duke përfshirë terapinë konjitive të sjelljes (CBT) dhe terapi të tjera të lidhura (p.sh. trajnimi për varësinë) mund të jenë po aq efektive në trajtimin e çrregullimit.

Nëse e gjeni veten në përshkrimin e simptomave për Çrregullimin Obsesiv Kompulsiv, është e nevojshme të kërkoni ndihmë profesionale, psikiatrike, sepse një çrregullim i patrajtuar mund të ndikojë negativisht në të gjitha aspektet e jetës suaj.

Për të rezervuar konsultën tuaj me mjeken tonë psikiatre, Dr. Marija Kostadinovska, telefononi në 02/3091-484. Çmimi i konsultës është 1500 denarë.

Dr. Marija Kostadinovska
Specialiste psikiatre