Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

09.12.2022

Depresioni i vjeshtës – si ta përballoni atë?

Ardhja e vjeshtës, moti i zymtë, errësira e hershme dhe rënia e temperaturave kontribuojnë në shfaqjen e luhatjeve të humorit te shumë njerëz. Ato shoqërohen më shpesh me një ndjenjë trishtimi të njohur si depresioni i vjeshtës.

Me ardhjen e vjeshtës, ditët e gjata me diell ua lënë vendin ditëve më të shkurtra e më gri. Me ndryshimin e stinëve, shumë njerëz përjetojnë ndryshime në gjendjen e tyre të humorit. Ata ndihen më të lodhur se zakonisht, më të trishtuar, duan të kalojnë më shumë kohë vetëm dhe kanë oreks më të madh. A është normal ky ndryshim dhe kur nevojitet ndihmë profesionale, psikiatrike? Dr. Marija Kostadinovska, psikiatre jep shpjegim më të detajuar.

Ndryshimet që vjeshta krijon në trupin tonë

Përveç faktit që kjo periudhë e vitit sjell peisazhe me nuanca të verdha dhe bakri, temperatura më të ftohta dhe ditë me shi, vjeshta sjell edhe ndryshime në bioritmin tonë. Kjo ndodh si rezultat i reduktimit të orëve të dritës natyrale gjatë gjithë ditës. Ky ndryshim, së bashku me të ftohtin, shkakton një ndjenjë trishtimi në trupin tonë, të njohur si depresioni i vjeshtës ose çrregullimi afektiv sezonal.

Me reduktimin e orëve të ekspozimit ndaj dritës së diellit, truri ynë prodhon më pak serotonin, i cili është një neurotransmetues përgjegjës për rregullimin e humorit, sjelljes, zakoneve të të ngrënit ose gjumit, ndër të tjera. Ardhja e vjeshtës nuk na prek të gjithëve me të njëjtin intensitet.

Simptomat më të zakonshme manifestohen me:

  • Mungesë energjie dhe motivimi për të kryer rutinat e përditshme
  • Ndjenjë shqetësimi
  • Ndjenjë mërzie, trishtimi ose mungesë humori për pjesën më të madhe të ditës, pothuajse çdo ditë
  • Humbje e interesit për aktivitetet që dikur ju pëlqenin
  • Gjumë i tepruar
  • Rritje e nevojës për marrje të karbohidrateve, konsum i tepërt i ushqimit dhe shtim në peshë
  • Vështirësi në përqendrim
  • Ndjenje e mungesës së shpresës, e pavlefshmërisë ose ndjenjë faji.

Normalisht, depresioni i vjeshtës fillon në vjeshtë dhe vazhdon gjatë periudhës së dimrit, dhe simptomat gradualisht zhduken me fillimin e pranverës dhe shfaqjen e ditëve me diell.
Megjithatë, nëse ky shqetësim vazhdon dhe simptomat intensifikohen (gjendja depresive vazhdon për ditë të tëra dhe nuk mund të rifilloni aktivitetet që normalisht ju pëlqejnë, regjimi i gjumit dhe oreksi kanë ndryshuar ndjeshëm, kërkoni ngushëllim dhe relaksim në alkool, ose ndiheni të pashpresë ose mendoni për vetëvrasje) është e nevojshme të kërkoni ndihmë profesionale në fushën e shëndetit mendor, tek mjeku psikiatër.

Aktivitete të cilat ndihmojnë në përballimin e depresionit të vjeshtës

Në përgjithësi, depresioni i vjeshtës është një çrregullim i përkohshëm që mund ta luftojmë nëse zbatojmë një sërë aktivitetesh që do të na ndihmojnë ta përballojmë këtë ndryshim sezonal në një mënyrë më pozitive.

Bëni mjedisin tuaj më të ndritshëm dhe me diell

Hapni grrilat/perdet, shkurtoni degët e pemëve që bllokojnë rrezet e diellit ose shtoni dritare në çatinë e shtëpisë tuaj. Uluni më pranë dritareve të ndritshme ndërsa jeni në shtëpi ose në zyrë.

Mos qëndroni të mbyllur në shtëpi

Merrni ekspozim shtesë ndaj dritës natyrale. Provoni të bëni shëtitje ose vrapime gjatë orëve të ditës me më shumë dritë dielli. Kryeni ushtrime në ambient të hapur, do të vëreni se ju përmirëson gjendjen tuaj të humorit dhe ju jep energji.

Flini mjaftueshëm

Mundohuni të flini mjaftueshëm, aq orë sa ju nevojiten për të pushuar mirë. Flini rregullisht gjatë javës. Gjumi i shqetësuar në këtë fazë të depresionit të vjeshtës mund të jetë negativ për gjendjen e humorit.

Bëni kujdes me ushqimin tuaj

Ushqimi bëhet një element bazë për të përballuar me sukses këtë ndryshim stinësh. Mundohuni të konsumoni ushqime të shëndetshme dhe të balancuara. Përfshini në dietën tuaj bishtajore, drithëra, mish dhe perime, të cilat sigurojnë hekur dhe forcojnë trupin.
Frutat arrore janë një tjetër aleat i mirë që do të ndihmojë në rritjen e rezervave të energjisë. Nga ana tjetër, qëndroni larg produkteve të sheqerit të rafinuar dhe karbohidrateve të thjeshta.
Është gjithashtu e rëndësishme të merrni vitamina dhe minerale të mjaftueshme për të rimbushur rezervat tuaja. Ju rekomandojmë mikronutrientët nga Orthomol Vital.

Intensifikoni jetën tuaj sociale, shoqërohuni dhe relaksohuni

Mundohuni të planifikoni takime me familjen dhe miqtë. Kjo do t’ju pengojë të shkëputeni nga jeta sociale dhe do të zvogëlojë tendencën tuaj për t’u izoluar. Praktikoni ato aktivitete që ju pëlqejnë më shumë, qoftë leximi i një libri, dëgjimi i muzikës apo piktura.

Nëse ndiqni këto këshilla, do të jeni në gjendje të sfidoni simptomat që lidhen me rënien e gjendjes shprirtërore/humorit dhe depresionit. Mundohuni ta përballoni në një mënyrë më ndryshe këtë stinë, shijojeni dhe kalojeni me sukses këtë periudhë të vitit.

Dr. Marija Kostadinovska
Specialiste psikiatre