Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

28.06.2023

Disa këshilla të dobishme para ekspozimit ndaj rrezeve të diellit

Ekspozimi në diell mund të ketë efekte pozitive dhe negative në trupin e njeriut. Rrezet UVB janë të nevojshme që lëkura të prodhojë vitaminë D, e cila është e nevojshme për shëndetin e kockave. Ndikon pozitivisht edhe në përmirësimin e humorit, pasi rrezet e diellit stimulojnë çlirimin e serotoninës, e njohur si “hormoni i lumturisë” që rrit ndjenjën e përgjithshme të mirëqenies.

Nga ana tjetër, ekspozimi i tepërt ose i pambrojtur ndaj rrezatimit të diellit mund të ketë pasoja negative për lëkurën dhe shëndetin në përgjithësi.
Efektet negative të ekspozimit të tepërt ndaj rrezeve të diellit përfshijnë: djegien nga dielli, plakjen e parakohshme të lëkurës, rrudhat, shfaqjen e njollave të njuhura si njollat e moshës, ndryshimet në strukturën e lëkurës dhe rritjen e rrezikut të zhvillimit të melanomës – kancerit të lëkurës.

Për tu mbrojtur në mënyrë të shëndetshme ndaj ekspozimit në diell, është e rëndësishme të praktikoni disa masa paraprake. Këtu do të gjeni disa rekomandime:

  • Kufizoni ekspozimin ndaj diellit: Shmangni ekspozimin në diell gjatë pikut të rrezatimit ultravjollcë, pra ndërmjet orës 11:00 dhe 16:00. Mundohuni të gjeni hije ose të qëndroni brenda në shtëpi apo në ambiente të mbyllura gjatë kësaj periudhe.
  • Përdorni krem kundër diellit: Aplikoni krem kundër rrezeve të diellit me spektër të gjerë me SPF prej të paktën 30 në të gjitha zonat e ekspozuara të lëkurës. Sigurohuni që të mbuloni fytyrën, dekoltenë, krahët dhe këmbët. Aplikoni kremin rregullisht çdo dy orë, pas notit ose në rast të djersitjes së tepërt. Kremrat kundër diellit mund të përmbajnë lloje të ndryshme filtrash për fotombrojtje, prandaj konsultohuni me një dermatolog se cili krem është i duhuri për llojin tuaj të lëkurës.
  • Mbroni sytë: Mbani syze dielli me mbrojtje 100% UVA dhe UVB. Gjithashtu, praktikoni të mbani kapele me strehë të gjerë për të mbrojtur fytyrën dhe kokën nga dielli.
  • Vishni veshje mbrojtëse: Vishni veshje me mëngë të gjata, pantallona të gjata dhe pëlhura të bëra nga fibra natyrale që lejojnë lëkurën të marrë ajër, ndërkohë që siguron mbrojtje më të madhe nga rrezet e diellit. Ju gjithashtu mund të përdorni veshje me mbrojtje të integruar nga dielli (UPF) për një mbrojtje më të madhe.
  • Kërkoni hije: Sa herë që është e mundur, kërkoni hije për të reduktuar ekspozimin e drejtpërdrejtë të diellit. Përdorni çadra, tenda ose mjete të tjera mbrojtëse nga dielli.
  • Hidratojeni veten në mënyrë adekuate: Qëndroni të hidratuar duke pirë mjaftueshëm ujë, veçanërisht kur ekspozoheni në diell për periudha të gjata kohore. Ekspozimi ndaj nxehtësisë dhe diellit mund të rrisë humbjen e lëngjeve në trup, kështu që është e rëndësishme që këto lëngje të zëvendësohen.
  • Mos përdorni solar: Rrezet e krijuara artificialisht rrisin rrezikun e shfaqjes së kancerit të lëkurës.
  • Bëni vetë-ekzaminim të lëkurës: Ekzaminoni rregullisht lëkurën për nishane të reja ose ekzistuese që kanë ndryshuar formën, madhësinë ose ngjyrën. Nëse vëreni ndonjë ndryshim, mos hezitoni që të konsultoheni me mjekun dermatolog.

Këto janë vetëm disa nga këshillat e përgjithshme, ndërkohë që është e rëndësishme të merret parasysh se çdo person mund të jetë i ndryshëm për sa i përket pigmentit të ngjyrës së lëkurës, zakoneve, sjelljes dhe nevojave. Rekomandohet gjithmonë të konsultoheni me mjekun dermatolog për rekomandime të personalizuara bazuar në llojin e lëkurës tuaj dhe rrethanat individuale.

Mos harroni se mbrojtja nga dielli është e rëndësishme edhe në ditët me re, pasi rrezet UV depërtojnë nëpër re dhe mund të dëmtojnë lëkurën. Ndaj është e nevojshme të tregoheni të kujdesshëm gjatë ekspozimit të lëkurës tuaj, si për ta mbajtur atë të shëndetshme, ashtu edhe për të parandaluar probleme afatgjata shëndetësore.