Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

03.02.2021

Ekipi i Spitalit klinik Zhan Mitrev është i vetmi që aplikon trajtimin kirurgjikal të arterieve vertebrale për zvogëlimin rrezikun e goditjes në tru

Goditjet në tru janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në vendin tonë

Çfarë është goditja në tru dhe si shfaqet?

Goditja në tru ndodh kur furnizimi i trurit me gjak ndërpritet ose zvogëlohet, duke penguar furnizimin normal të tij me oksigjen. Goditja në tru është një gjendje akute dhe shpesh e rrezikshme për jetën.

Pamja klinike zakonisht zhvillohet shumë shpejt dhe manifestohet në mënyra të ndryshme. Simptomat variojnë nga mpirja ose dobësia në ekstremitete, çrregullime më të folurit, probleme me shikimin, çrregullime të vetëdijes, konfuzion, desorientim, madje dhe gjendje kome.

Ekzistojnë dy lloje të goditjeve:

– goditje ishemike si pasojë e bllokimit të arteries

– goditje hemorragjike që ndodh si rezultat i këputjes (ruptimit) të enës së gjakut në tru.

Forma më e zakonshme e goditjes në tru është goditja ishemike, por është tepër e rëndësishme të dini se mund të parandalohet.

Ekzistojnë një numër faktorësh të ndryshëm rreziku që rrisin rrezikun e goditjes në tru:

  • pasiviteti fizik
  • mbipesha
  • pirja e duhanit
  • presioni i lartë i gjakut i parregulluar
  • diabeti, mosha, kolesteroli i lartë
  • ritmi jonormal i zemrës
  • historia pozitive familjare e goditjes në tru dhe sipas gjetjeve të reja, personat të cilët janë pozitivë për COVID-19 kanë një rrezik në rritje.

Deri më tani, një theks i veçantë i është dhënë sëmundjeve të arterieve karotide, të cilat janë enë të mëdha të gjakut që bartin gjak në tru dhe marrin pjesë në ndërtimin e qarkullimit anterior cerebral. Korrelacioni ndërmjet sëmundjes së arteries karotide dhe rrezikut të goditjes në tru është vendosur mjaftë qartë në literaturën mjekësore.

Nga ana tjetër, arteriet vertebrale janë zakonisht arterie më të vogla se arteriet karotide. Ato janë enë gjaku që dalin nga arteria subklaviane përkatësisht majtas dhe djathtas dhe si të tilla drejtohen në tru ku marrin pjesë në ndërtimin e qarkullimit të pasëm cerebral dhe rrethit të famshëm Willis. Sëmundja vaskulare vertebrale është treguar të jetë përgjegjëse tek më shumë se 30-40% të të gjitha rasteve të goditjeve në tru.

Në Republikën e Maqedonisë, goditjet në tru janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve. Prandaj, edhe ne kemi shfaqur interes për të gjetur mënyrën për të trajtuar arteriet vertebrale dhe kështu të kontribuojmë në uljen e rrezikut të goditjes në tru tek popullata e rrezikuar.
Spitali klinik Zhan Mitrev, është i vetmi spital në të cilin kryhet trajtimi kirurgjik i sëmundjeve të arterieve vertebrale, dhe ekipi që punon në lidhje me këtë çështje i udhëhequr nga Dr. Riste Zimoski tashmë ka botuar një studim të këtyre rasteve  në Science Direct.  Shiko tekstin origjinal https://bit.ly/3anUeSU

Goditja në tru e shkaktuar nga bllokimi i arteries mund të parandalohet!

Megjithëse goditja në tru është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në vend, popullata e përgjithshme nuk është në dijeni se duke trajtuar këtë patologji specifike 30 deri në 40% të goditjeve mund të parandalohen. Forma më e zakonshme e goditjes në tru është goditja ishemike e shkaktuar nga arteriet e bllokuara, por është mirë të dini se mund të parandalohet.


Në mungesë të një programi kombëtar të trajtimit për pacientët me goditje në tru, ekipi ynë i mjekëve ka mundësuar një qasje për parandalimin dhe trajtimin e goditjes në tru bazuar në revaskularizimin kirurgjikal që synon qarkullimin e pasëm të trurit ku ndodhen arteriet vertebrale. Kjo është shpjeguar në detaje në studimin e botuar në Journal of Neurosurgery bazuar në rastet që ne si klinikë kemi trajtuar.

Sëmundjet e arterieve vertebrale shfaqin simptoma të cilat ndryshojnë duke filluar nga marramendja ataksia, tringëllimë apo zhurmë në veshë, humbja e vetëdijes, diplopia, dhe problemet me shikimin. Prandaj, shumë shpesh pacientët që vuajnë nga sëmundjet e arterieve vertebrale humbasin në labirintet e spitaleve dhe specialiteteve të ndryshme mjekësore pa zbuluar problemin e vërtetë dhe duke humbur kohë të çmuar, shpjegon Dr. Riste Zimoski, një nga mjekët udhëheqës në këtë hulumtim.

Motivimi për krijimin e studimit, i bërë në klinikën tonë, është qasja ndaj kësaj patologjie dhe rëndësia e saj që përfshin të gjithë popullatën. Praktikisht është një lloj edukimi mjekësor në mënyrë që të zhvillohet vetëdija për ekzistencën dhe rrezikun e sëmundjeve të këtyre enëve të gjakut, si dhe mundësinë e parandalimit të tyre.

Në Republikën e Maqedonisë, zbulimi dhe trajtimi i sëmundjeve të arterieve vertebrale kryhet vetëm në Spitalin klinik Zhan Mitrev, në të cilin është i përfshirë një ekip i tërë mjekësh për diagnostikimin, njohjen dhe parandalimin e pasojave të sëmundjeve të arterieve vertebrale, i udhëhequr nga Akademiku Dr. Zhan Mitrev i cili ka vendosur një trajtim kirurgjikal shumë elegant, minimalisht invaziv. Ne kemi kryer një studim retrospektiv në të cilin janë përfshirë 20 pacientë të trajtuar duke filluar nga muaji janari 2017 deri në muajin dhjetor 2019. Tek këta pacientë kemi aplikuar 4 teknika të ndryshme të trajtimit operativ në varësi të rastit: trombendarterektomia, rezeksioni me anastomozë, transpozimi dhe përdorimi i graftit venoz për ndërveprim, tha Dr. Zimoski.

Të gjithë këta 20 pacientë kishin simptoma të qarta neurologjike në formën e marramendjes, sinkopës, paqëndrueshmërisë, ataksisë, skotomës, diplopisë.

Pas trajtimit kirurgjikal është treguar lehtësim ose zhdukje e simptomave neurologjike tek të gjithë pacientët. Në monitorimin postoperativ të pacientëve, nuk është vërejtur asnjë rikthim i simptomave, shton Dr. Zimoski.

Në klinikën tonë, prova e sëmundjeve të arterieve vertebrale bëhet me anë të tomografisë kompjuterike të arterieve të kokës dhe qafës, ku ekipi me përvojë i radiologëve kryen analizën (duke lexuar rezultatet), ndërsa ekipi i kirurgëve  bën vlerësimin e trajtimit operativ.

Në Republikën e Maqedonisë mbetemi e vetmja qendër ku kryhet trajtimi kirurgjik i sëmundjeve të arterieve vertebrale. Me rezultatet e metodave tona kirurgjikale, ne vendosemi krah për krah me të gjitha qendrat mjekësore botërore ku kryhen procedura të tilla korrigjuese. Kjo na bën veçanërisht krenarë dhe na jep inkurajim për të vazhduar në rrugën që kemi vendosur dhe të jemi pionierë kur bëhet fjalë për futjen e teknikave kirurgjikale në Maqedoni të cilat nënkuptojnë përmirësimin e shëndetit të pacientëve dhe parandalimin e pasojave të rënda.