Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

10.05.2021

Hipertensioni – shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme në të gjithë botën

Fakte të rëndësishme

Hipertensioni – ose presioni i lartë i gjakut – është një gjendje e rëndë mjekësore që rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të zemrës, trurit, veshkave dhe sëmundjeve të tjera.
Rreth 1.13 miliardë njerëz në mbarë botën kanë hipertension, shumica (dy të tretat) jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Vetëm një në pesë persona me hipertension arrijnë ta kontrollojnë këtë problem.
Hipertensioni është shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme në të gjithë botën.

Çfarë është hipertensioni?


Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku shkakton presion mbi muret e enëve të gjakut. Hipertensioni është një gjendje në të cilën presioni i gjakut është vazhdimisht i lartë. Presioni i gjakut shprehet zakonisht në dy numra. Numri i parë përfaqëson presionin në enët e gjakut kur zemra tkurret ose rreh (sistolik). Numri i dytë përfaqëson presionin në enët e gjakut kur zemra pushon, ndërmjet rrahjeve (diastolike).

Hipertensioni diagnostikohet me anë të matjes së presionit të gjakut në dy ditë të ndryshme, dhe vlerat e presionit të gjakut sistolik gjatë këtyre dy ditëve janë më të mëdha se 140 mmHg dhe / ose vlerat e presionit të gjakut diastolik gjatë dy ditëve janë më të mëdha se 90 mmHg.

Cilët janë faktorët e rrezikut për shfaqjen e hipertensionit?

Faktorët e rrezikut përfshijnë:

• Ushqimi jo i shëndetshënme (konsumi i tepërt e kripës, ushqimi i pasur me yndyrna të ngopura dhe yndyrna trans, mungesa ose konsumi i ulët i frutave dhe perimeve),
• Mungesa e aktivitet fizik,
• Pirja e duhanit dhe alkoolit
• Mbipesha
Faktorët e rrezikut kongjenital janë:
• Historia familjare e hipertensionit,
• Mosha mbi 65 vjeç
• Prania e sëmundjeve të tilla si diabeti ose sëmundja e veshkave.

Cilat janë simptomat e zakonshme të hipertensionit?

Hipertensioni njihet ndryshe si “vrasësi i heshtur”. Shumica e njerëzve me hipertension nuk janë në dijeni të problemit sepse mund të mos ketë shenja paralajmëruese ose simptoma. Për këtë arsye, është thelbësore që presioni i gjakut të matet rregullisht.
Në rast të shfaqjes së simptomave, ato mund të manifestohen me dhimbje koke herët në mëngjes, gjakderdhje nga hunda, rrahje të çrregullta të zemrës, ndryshime në shikim dhe zhurmë në veshë. Hipertensioni i rëndë mund të shkaktojë lodhje, të përziera, të vjella, konfuzion, ankth, dhimbje në kraharor dhe dridhje të muskujve.

Mënyra e vetme për të zbuluar hipertensionin është matja e presionit të gjakut nga ana e personave mjekësor të trajnuar. Matja e presionit të gjakut është e shpejtë dhe pa dhimbje. Matja e presionit të gjakut mund të bëhet edhe nga vetë personat duke përdorur pajisje të automatizuara, megjithatë, vlerësimi nga një profesionist i kujdesit shëndetësor është i rëndësishëm për vlerësimin e rrezikut dhe gjendjeve apo kushteve shoqëruese.

Cilat janë ndërlikimet në rast të moskontrollimit të hipertensionit?

Përveç shumë ndërlikimeve të tjera, hipertensioni mund të shkaktojë dëmtime të rënda të zemrës. Presioni i tepërt mund të forcojë arteriet, duke zvogëluar rrjedhën e gjakut dhe oksigjenit në zemër. Ky presion i lartë i gjakut dhe zvogëlimi i rrjedhës së gjakut mund të shkaktojë:

• Dhimbje në kraharor, e quajtur gjithashtu angina.
• Sulm në zemër, i cili ndodh kur furnizimi i zemrës me gjaku bllokohet dhe qelizat e muskujve të zemrës vdesin nga mungesa e oksigjenit. Sa më gjatë që bllokohet qarkullimi i gjakut, aq më i madh është dëmtimi i zemrës.
• Insuficienca e zemrës, e cila ndodh kur zemra nuk mund të pompojë mjaftueshëm gjak dhe oksigjen në organet e tjera jetësore në trup.
• Rrahje të çrregullta të zemrës të cilat mund të çojnë në vdekje të papritur.

Hipertensioni gjithashtu mund të shpërthejë ose bllokojë arteriet që furnizojnë trurin me gjak dhe oksigjen, duke shkaktuar goditje në tru.
Përveç kësaj, hipertensioni mund të shkaktojë dëmtime të veshkave, duke çuar në dështim të veshkave.

Pse hipertensioni është një çështje e rëndësishme në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme?

Analizat e trendeve aktuale tregojnë se numri i të rriturve me hipertension është rritur nga 594 milion në 1975 në 1.13 miliard në 2015, duke u rritur kryesisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Kjo rritje është kryesisht për shkak të rritjes së faktorëve të rrezikut për hipertension në ato popullata.

Si të zvogëloni rreziqet e hipertensionit?

Reduktimi i rrezikut të shfaqjes së hipertensionit parandalon sulmin në zemër, goditjen në tru dhe dëmtimin e veshkave, si dhe probleme të tjera shëndetësore.

Parandalimi

• Reduktoni konsumin e kripës (në më pak se 5g në ditë)
• Konsumoni më shumë fruta dhe perime
• Kryeni aktivitet të rregullt fizik
• Hiqni dorë nga pirja e duhanit
• Shmangni konsumin e tepërt të alkoolit
• Kufizoni marrjen e ushqimeve të pasura me yndyrna të ngopura
• Eliminoni / zvogëloni yndyrnat trans në ushqim
• Mundohuni të shmangni dhe të menaxhoni stresin mendor
• Kontrolloni rregullisht presionin e gjakut
• Trajtoni presionin e lartë të gjakut