Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

11.02.2022

Kur shfaqet dhe çfarë mund të shkaktojë trombozа?

Tromboza është një gjendje potencialisht kërcënuese për jetën që mund të shkaktojë mpiksje dhe të ndalojë furnizimin me gjak në organe, të cilat përveç të tjerash mund të manifestohen klinikisht si atak në zemër ose goditje në tru. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të njihen karakteristikat e trombozës, shkaqet e shfaqjes së saj dhe mënyrat për të reduktuar rrezikun e mpiksjes në mënyrë që të shmangen komplikimet e mundshme serioze.

Çfarë sëmundjesh mund të shkaktojë?

Tromboza ndodh kur formohet mpiksje në një venë ose arterie që pengon qarkullimin e duhur të gjakut në to. Nëse shfaqet mpiksje në venat e ekstremiteteve të poshtme, kemi të bëjmë me trombozë të venave të thella. Nga ana tjetër, nëse mpiksja e gjakut vendoset në mushkëri, mund të shkaktojë një gjendje mjekësore urgjente të njohur si emboli pulmonare. Nëse mpiksja migron në arteriet e trurit, mund të ndodhë goditje cerebrovaskulare (infarkt në tru). Nëse ka një ndërprerje të qarkullimit të gjakut në arteriet koronare të zemrës, bëhet fjalë për një infarkt miokardi ose atak në zemër.

Si mund të parandalohet?

Disa masa për të parandaluar formimin e mpiksjes së gjakut në trup janë:

  • Reduktimi i konsumit të kripës.
  • Ecjet apo shëtitjet e shpeshta.
  • Në rast të ndonjë sëmundjeje që mund të shkaktojë mpiksje gjaku (aritmi kardiake, venat me variçe, probleme me koagulimin…) terapia me antikoagulantët do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të trombozës.

Disa pyetje dhe përgjigje:

A duhet të kujdesen për trombozën të rinjtë që merren me sport dhe duken të shëndetshëm?

Edhe pse grupmosha në të cilën këto mpiksje janë më të zakonshme është sigurisht tek individët mbi 60 vjeç, tromboza mund të shfaqet në çdo moshë, veçanërisht tek gratë që marrin pilula kontraceptive ose nëse kanë predispozitë gjenetike për trombozë.

A ka ndonjë mënyrë për të parandaluar trombozën?

Edhe pse ekzistojnë antikoagulantë që reduktojnë rrezikun e trombozës, çelësi për të shmangur këtë lloj mpiksjeje është shmangia e periudhave të zgjatura të palëvizshmërisë. Ecja, stërvitja ose çdo aktivitet tjetër fizik është thelbësor për të reduktuar rrezikun e trombozës.

A lidhet gjithmonë dhimbja e këmbës dhe e muskujve me praninë e mpiksjes së gjakut?

Simptomat më të zakonshme për praninë e mpiksjes së gjakut janë ënjtja, ethet ose dhimbjet në pjesën e ekstremiteteve. Këto simptoma shpesh mund të ngatërrohen me dhimbje ose lëndim muskuloskeletor. Në këto raste është e nevojshme kryerja e një testi të quajtur “Eko-Doppler”, i cili mundëson vizualizimin e shpejtë dhe me efikasitet të ndalimit të qarkullimit të gjakut dhe identifikon vendndodhjen e mpiksjes.

Në rast se keni shfaqje të këtyre simptomave ose mendoni se mund të jeni të prirur ndaj mpiksjes së gjakut, mos hezitoni të konsultoheni me mjekun tuaj. Në klinikën tonë kemi specialistët më të mirë në transfuziologji, kardiologji, kirurgji vaskulare dhe radiologji të cilët do t’ju ofrojnë trajtimin e duhur dhe të personalizuar.