Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

26.11.2020

Meshkujt dhe sëmundjet kardiovaskulare

Termi sëmundje kardiovaskulare i referohet një grupi sëmundjesh të zemrës dhe enëve të gjakut, të cilat përfshijnë: hipertension arterial, sëmundje të arterieve koronare, dështim të zemrës dhe sulm në zemër.

Sëmundjet kardiovaskulare janë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në Europë. Rreth 3.9 milion njerëz vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare në Europë çdo vit.

Fatkeqësisht, përkundër të gjitha masave parandaluese të marra në vendet evropiane për të ulur vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare (fushata për një mënyrë jetese të shëndetshme, kufizim i shitjes së cigareve dhe alkoolit), statistikat ende nuk tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të personave që vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, as nuk ka një rënie të ndjeshme të vdekshmërisë.

Faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare

Një numër i madh artikujsh janë shkruar mbi këtë temë që tregojnë shkaqet kryesore të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare. Ne e dimë që popullata mashkullore është më e ndjeshme ndaj kësaj sëmundjeje dhe për këtë arsye në muajin e shëndetit të meshkujve dëshirojmë t’ju kujtojmë vetëm disa prej faktorëve, të cilët do të ndihmojnë në reduktimin e rreziqeve.

  1. Aktiviteti fizik

Aktiviteti i rregullt fizik i moderuar që do të thotë 30 minuta, 5 ditë në javë, jo trajnim intensiv, duhet të jetë qëllimi juaj.

Rekomandimet standarde nga një numër studimesh në lidhje me parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare tregojnë një ulje të konsiderueshme të rrezikut kardiovaskular tek meshkujt që praktikojnë rregullisht aktivitet të moderuar fizik 5 ditë në javë. Qëllimi është që të arrihet qëndrueshmëria në aktivitetin fizik dhe të shmanget zakoni i trajnimit sporadik intensiv, i cili mund të shkaktojë më shumë dëm sesa përfitime për shëndetin tuaj.

  1. Pesha e trupit

Mbajtja e një peshe trupore normale dhe të shëndetshme është një nga faktorët kryesorë në ruajtjen e një sistemi të shëndetshëm kardiovaskular. Termi peshë  trupore e shëndetshme nënkupton ruajtjen e BMI (indeksi i masës trupore) ndërmjet 18-25. Përkundër të gjitha indikacioneve parandaluese, statistikat tregojnë se mbipesha është akoma një nga faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare në Europë. Studimet tregojnë se kjo është për shkak të rritjes së konsumit të ushqimeve yndyrore dhe kalorike tek europianët, pavarësisht fushatave të përditshme për përmirësimin e jetesës. Këto tendenca janë veçanërisht të theksuara në vendet në tranzicion.

  1. Ushqimi i shëndetshëm

Marrja e moderuar e ushqimit të shëndetshëm është një nga qëllimet kryesore në përmirësimin e gjendjes së sistemit kardiovaskular. Termi ushqim i shëndetshëm i referohet marrjes së ushqimeve që janë të pasura me fibra dietike dhe kanë një përqindje të ulët të yndyrnave shtazore.Kjo përfshin frutat dhe perimet, drithërat, si dhe peshqit dhe mishin e bardhë. Qëllimi është të përqendrohemi në marrjen e rregullt të ushqimeve të shëndetshme, dhe jo në mënyrë obsesive të llogaritim kaloritë që marrim nga konsumi i ushqimeve jo të shëndetshme të pasura me yndyrna shtazore. Sigurisht, sasia e kripës në ushqim duhet të merret parasysh. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për personat që janë të diagnostikuar me hipertension arterial dhe dështim/dobësim të zemrës.

  1. Stresi

Stresi ndikon në gjendjen e sistemit kardiovaskular jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe në mënyrë indirekte. Shumë studime tregojnë se personat që janë nën ndikimin e një niveli të lartë stresi, shpesh përdorin zakone jo të shëndetshme (pirja e duhanit dhe konsumi i tepërt i alkoolit) me qëllim për të reduktuar stresin. Rekomandimi ynë është që t’i zëvendësoni ato me aktivitet fizik të rregullt të moderuar dhe me kalimin e një kohe cilësore me familjen tuaj.

 5. Niveli i kolesterolit në gjak

Nivelet e rritura të kolesterolit në gjak janë të lidhura fuqimisht me rritjen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare. Qëllimi është që nivelet e kolesterolit të mbahen brenda intervalit normal prej më pak se 5.2 mmol / l. Personat të cilët kanë rritje të nivelit të kolesterolit në gjak gjatë kryerjes së disa testeve laboratorike të njëpasnjëshme duhet menjëherë të këshillohen me mjekun e familjes ose kardiologun e tyre për aplikimin e një diete higjienike ose terapie hipolipemike nëse dieta higjienike nuk funksionon.

  1. Presion i lartë i gjakut

Hipertensioni arterial është gjithashtu një nga faktorët kryesorë të rrezikut që kontribuojnë në shfaqjen dhe zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Trajtimi i hershëm i hipertensionit arterial është një nga qëllimet më të rëndësishme. Kjo është veçanërisht ka të bëj me popullatën mashkullore, pasi statistikat tregojnë se meshkujt praktikojnë më pak ekzaminime parandaluese. Kjo është arsyeja pse në Spitalin klinik Zhan Mitrev në muajin e shëndetit të meshkujve kemi krijuar një fushatë që mundëson një ulje prej 10% të të gjitha ekzaminimeve parandaluese, të rezervuara on-line.