Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

03.12.2020

Përdorimi i vitaminës D

Vitamina D është e nevojshme për formimin dhe ruajtjen e kockave të shëndetshme për arsyen e thjeshtë se absorbimi i kalciumit (përbërësi kryesor i kockave) ndodh vetëm nëse vitamina D është e pranishme në trup. Vetë trupi prodhon vitaminë D duke thithur rrezet e diellit nëpërmjet lëkurës, të cilat më pas shndërrohen në formë aktive të vitaminës D – kalciferolit.

Sasia e vitaminës D që prodhon trupi juaj varet nga shumë faktorë, përfshirë periudhën e ditës, sezonin, sipërfaqen dhe pigmentimin e lëkurës suaj, në varësi të vendit ku jetoni dhe mënyrës tuaj të jetesës.

Prodhimi i vitaminës D mund të reduktohet ose zhduket plotësisht gjatë muajve të dimrit. Kremrat me faktor mbrojtës ndaj rrezeve të diellit, megjithëse janë të rëndësishëm dhe shpesh herë rekomandohet përdorimi i tyre, ato gjithashtu mund të ndikojnë në reduktimin e prodhimit të vitaminës D.

Vetëm rreth 10 deri në 20% e vitaminës D merret me anë të ushqimit. Vitamina D është e pranishme në qumësht, drithëra dhe peshq të yndyrshëm si salmoni, skumbri dhe sardelet.

Tek ata persona të cilët nuk ekspozohen mjaftueshëm ndaj rrezeve të diellit ose  nuk ekspozohen aspak (zakonisht të moshuarit) prodhimi i vitaminës D në trupin e tyre zvogëlohet. Tek këta persona rekomandohet marrja e suplementeve që përmbajnë vitaminë D në mënyrë që të përmirësojnë shëndetin e kockave të tyre. Doza e rekomanduar ditore e vitaminës D është 400 IU (njësi internacionale) për fëmijë deri në moshën 12 muajshe, 600 IU për fëmijët mbi një vjeç dhe të rritur deri në moshën 70 vjeçare dhe 800 IU për personat mbi 70 vjeç.

Në kushtet e pandemisë, kur imuniteti varet nga shumë faktorë, përdorimi i vitaminave, mineraleve dhe suplementeve të tjera për imunitet më të mirë është rritur. Përveç vitaminës C, zinku dhe vitamina D janë suplemente të cilat rekomandohen për rritjen e imunitetit. Ende nuk ka prova konkrete shkencore, megjithëse ka shumë studime që lidhin përdorimin e vitaminës D si rregullator të gjeneve të rëndësishme për imunitetin, domethënë për mbrojtjen e organizmit të njeriut.

Efektet e dobishme të vitaminës D

Efektet e dobishme të vitaminës D nuk i përfitojnë vetëm personat e shëndetshëm. Janë kryer studime të shumta që vërtetojnë rolin e vitaminës D në trajtimin e kushteve specifike:

  • Kanceri. Studimet tregojnë se vitamina D mund të ndihmojë në parandalimin e disa llojeve të caktuara të kancerit, veçanërisht kur merret i shoqëruar me kalcium.
  • Shëndeti konjitiv. Hulumtimet e hershme sugjerojnë që vitamina D mund të ndikojë në shëndetin konjitiv. Gjatë një studimi të kryer tek disa persona mbi 60 vjeç, të cilët trajtoheshin për demencë, studiuesit zbuluan se marrja e suplementeve të vitaminës D ndihmoi në përmirësimin e funksionit të tyre konjitiv.
  • Çrregullime të trashëguara. Suplementet e vitaminës D mund të përdoren për të trajtuar çrregullimet e trashëguara në lidhje me pamundësinë për të obsorbuar ose përpunuar vitaminën D, siç është hipofosfatemia familjare.
  • Skleroza multiple. Studimet tregojnë se plotësimi afatgjatë i vitaminës D zvogëlon rrezikun e sklerozës multiple (të shumëfishtë).
  • Osteomalacia. Suplementet e vitaminës D përdoren për të trajtuar të rriturit me mungesë të rëndë të vitaminës D, e cila shkakton humbje të përmbajtjes së mineraleve në kocka, dhimbje kockash, dobësi muskulore dhe zbutje të kockave (osteomalacia).
  • Osteoporoza. Besohet se personat që marrin mjaftueshëm vitaminë D dhe kalcium nga dieta e tyre mund të ngadalësojnë humbjen e mineraleve të kockave, të parandalojnë osteoporozën dhe të zvogëlojnë rrezikun e frakturave të kockave.
  • Psoriaza. Tek disa persona, marrja e vitaminës D mund të trajtojë sëmundjen e psoriazës (psoriasis).
  • Rakitizmi (sëmundje metabolike e kockave). Është një gjendje e rrallë që ndodh tek fëmijët me mungesë të vitaminës D. Marrja e suplementeve të vitaminës D mund të parandalojë dhe kurojë problemin.

Siguria dhe efektet anësore

Përdorimi i vitaminës D, nëse merret në doza të përshtatshme të përmendura më lart, konsiderohet të jetë e sigurt dhe pa efekte anësore.

Sigurisht, mbidozimet mund të jenë të dëmshme. Tek fëmijët mbi 9 vjeç, të rriturit, gratë shtatzëna dhe nënat që ushqejnë me gji të cilat marrin më shumë se 4,000 IU të vitaminës D çdo ditë mund të shfaqen gjendjet në vijim:

  • Të përziera
  • Të vjella
  • Humbje e oreksit
  • Kapsllëk
  • Ndjenjë dobësie
  • Humbje peshe
  • Konfuzion
  • Çorientimi
  • Probleme të ritmit të zemrës
  • Dëmtim i veshkave

 

Rekomandim

Për shkak të mungesës së vitaminës D, kockat mund të bëhen të dobëta, të hollë dhe të thyeshme. Mungesa e vitaminës D lidhet gjithashtu me osteoporozën dhe me disa lloje të kancerit. Nëse nuk merrni mjaftueshëm vitaminë D me anë të rrezeve të diellit ose me anë të konsumit të ushqimeve të pasura me këtë vitaminë, rekomandohet të përdorni suplemente të vitaminës D. Për personat që vuajnë nga sëmundje të caktuara kronike, doza e Vitaminës D përcaktohet nga mjeku që trajton pacientin.