Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

13.09.2022

Sëmundjet e gjendrës tiroide

Gjëndra tiroide prodhon hormonin e tiroidit, i cili kontrollon shumë aktivitete të trupit, duke përfshirë shpejtësinë e djegies së kalorive dhe shpejtësinë e rrahjeve të zemrës. Kushtet e ndryshme patologjike të gjëndrës tiroide shkaktojnë prodhim më të ulët ose më të lartë të hormoneve tiroide. Në varësi të sasisë së hormoneve që prodhon gjëndra tiroide, mund të ndiheni aktiv ose të lodhur, ose mund të shtoni ose humbni peshë. Gratë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundje tiroide në krahasim me burrat, veçanërisht pas shtatzënisë ose menopauzës.

Gjëndra tiroide është një gjëndër e vogël në formë fluture e vendosur në bazën e qafës, pak poshtë mollës së Adamit. Nga kjo gjëndër sekretohet hormoni i tiroides, i cili përmes qarkullimit të gjakut arrin në të gjitha pjesët e trupit dhe kontrollon metabolizmin e trupit.

Si ndikojnë problemet e tiroides tek gratë?

Gratë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundje të tiroides në krahasim me burrat gjatë jetës së tyre. Sëmundja e tiroides tek gratë mund të shkaktojë:

  • Probleme me ciklin menstrual. Gjëndra tiroide mundëson një cikël të duhur menstrual.
  • Probleme për të mbetur shtatzënë. Kur sëmundja e tiroides prek ciklin menstrual, ajo ndikon edhe në ovulim. Në këtë mënyrë mund ta bëjë më të vështirë procesin e shtatzënisë.
  • Probleme gjatë shtatzënisë. Problemet e tiroides gjatë shtatzënisë mund të shkaktojnë probleme shëndetësore si për nënën ashtu edhe për foshnjën.

Ndonjëherë simptomat e shkaktuara nga problemet e tiroides ngatërrohen me simptomat e menopauzës. Sëmundjet e tiroides (veçanërisht hipotiroidizmi) kanë më shumë gjasa të shfaqen pas menopauzës.

Këto janë sëmundjet e tiroides që prekin më shumë femrat:

  • Çrregullime që shkaktojnë hipotiroidizëm
  • Çrregullime që shkaktojnë hipertiroidizëm
  • Tiroiditi
  • Gusha
  • Nodujt/nyjet e tiroides
  • Karcinoma e gjëndrës tiroide

Hipotiroidizmi – kur gjëndra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone tiroide. Pastaj kemi një ngadalësim të funksioneve të ndryshme trupore dhe metabolizmit.

Shkaku më i zakonshëm i hipotiroidizmit në Shtetet e Bashkuara është sëmundja e Hashimotos. Tek ata persona me sëmundjen e Hashimotos, sistemi i tyre imunitar krijon autoantitrupa kundër gjëndrës tiroide. Ky proces dëmton gjëndrën tiroide dhe nuk prodhon mjaftueshëm hormone.

Hipertiroidizmi – një gjendje ku gjëndra tiroide prodhon më shumë hormone tiroide sesa i duhen trupit. Kështu kemi një përshpejtim të funksioneve trupore dhe metabolizmit.

Tiroiditi – inflamacion i gjëndrës tiroide.

Shkaqet e tiroiditit përfshijnë:

  • Sëmundjet autoimune, të tilla si diabeti i tipit 1 dhe artriti reumatoid
  • Faktorët gjenetikë
  • Infeksionet virale ose bakteriale
  • Disa lloje të ilaçeve

Dy lloje të zakonshme të tiroiditit janë tiroiditi Hashimoto dhe tiroiditi pas lindjes.

– Gusha – zmadhimi jonormal i gjëndrës tiroide. Mund të shfaqet vetëm për një kohë të shkurtër dhe të kalojë vetë pa trajtim. Ose mund të jetë një simptomë e një gjendjeje tjetër të tiroides që ka nevojë për trajtim.

Disa nga faktorët që shkaktojnë gushën përfshijnë:

  • Tiroiditin Hashimoto
  • Sëmundjen e Graves
  • Nyjet e tiroides
  • Tiroiditi
  • Karcinomën e gjëndrës tiroide

Simptoma e vetme e strumës/gushës është ënjtja e qafës. Mund të jetë mjaft e madhe për t’u parë ose ndjerë në prekje. Gusha e theksuar së tepërmi mund të shkaktojë ngurtësim të qafës, kollë, probleme me gëlltitjen ose frymëmarrjen dhe presion mbi enët e gjakut në qafë. Në këtë rast, mjeku juaj do të kryejë disa teste për të parë nëse kjo gjendje është shkaktuar nga prania e një sëmundjeje tjetër të tiroides.

Nyja në gjëndrën tiroide. Nyja mund të jetë e ngurtë ose e mbushur me lëng ose gjak. Mund të shfaqet vetëm një ose disa nyje. Nyjet e tiroides janë të zakonshme dhe shfaqen shumë më shpesh tek femrat sesa tek meshkujt. Nuk dihet ende pse krijohen nyje në një gjëndër tiroide normale.

Karcinoma e tiroides – shumica e njerëzve kanë një nyjë para-ekzistuese të tiroides që nuk shkakton simptoma. Nëse shfaqen simptoma, ato mund të jenë ënjtje, ndjenjë shtrëngimi në fyt, vështirësi në gëlltitje ose frymëmarrje, zë i ngjirur. Për të zbuluar natyrën e nyjës, është e nevojshme të bëhen teste shtesë. 95% e nyjeve të diagnostikuara janë beninje.

Ekipi i specialistëve endokrinologë dhe internistë në Spitalin klinik Zhan Mitrev është në dispozicionin tuaj për diagnostikimin dhe trajtimin e të gjitha ndryshimeve të gjëndrës tiroide.

Rezervoni terminin tuaj në 00389 2 3091 484