Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

03.04.2020

Sëmundjet kardiovaskulare gjatë periudhës së pandemisë me Korona virus (COVID-19)

Infeksionet virale të frymëmarrjes janë shkaku kryesor i pandemive për njëzet vitet e fundit. Viruset SARS (sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes) në vitin 2002, gripi i derrit (H1N1) në vitin 2009 dhe MERS (middle east respiratory syndrome) në vitin 2012 shkaktuan inflamacion të mushkërive (pneumoni) dhe rritje të numrit të vdekshmërisë në të gjithë botën.

Infeksionet virale shkaktojnë inflamacion sistemik, gjë e cila më pas mund të shkaktojë gjendje kardiovaskulare akute dhe kronike. Ashpërsia apo pesha e gjendjes së problemit parësor të frymëmarrjes dhe mundësia e komplikimeve serioze, janë gjithashtu më të larta tek pacientët me sëmundje ekzistuese të zemrës dhe enëve të gjakut (sëmundje kardiovaskulare).

Studimet e para të publikuara në lidhje me COVID-19, tregojnë se 50% e pacientëve të shtruar në spital vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike, nga të cilat 40% i përkasin grupit të sëmundjeve kardiovaskulare. Gjatë studimit klinik më të madh të bërë ndonjëherë për COVID-19, ndërlikimet më të zakonshme kardiovaskulare tek pacientët me kujdes intensiv janë dështimi akut i zemrës, tronditje (shok) kardiogjene, miokarditi dhe aritmia.

Sëmundja kronike kardiovaskulare mund të destabilizohet nga infeksioni viral si rezultat i çekuilibrimit ndërmjet nevojës së shtuar metabolike gjatë infeksionit dhe reduktimit të rezervës së zemrës.

Inflamacioni i shkaktuar nga virusi mund të shkaktojë rupturë te pllakës aterosklerotike tek enët e gjakut dhe si vijim trombozën, e cila më pas mund të shkaktojë zhvillimin e sulmit në zemër. Kjo mundësi është më e madhe tek pacientët me sëmundje të mëparshme koronare (bllokim i enëve arteriale të gjakut në zemër) dhe me dështim të zemrës. Kjo nënkupton një nevojë edhe më të madhe për përdorim të rregullt të terapisë së përshkruar nga mjeku (aspirinë, statina, bllokues beta dhe frenues të enzimës konvertuese angiotensin).

Pacientët me hipertension arterial, diabet mellitus, të cilët janë duhanpirës dhe kanë mbipeshë trupore, janë  më tepër të rrezikuar ndaj komplikimeve nga infeksionet.

Sidoqoftë, përvoja e deritanishme thotë që komplikimet kardiovaskulare janë më pak të zakonshme dhe zakonisht janë pasojë e komplikimeve parësore të frymëmarrjes. Pacientët me sëmundje kardiovaskulare të mëparshme kanë vdekshmëri më të lartë.

Mjekët në vendet evropiane, në të cilat ka një numër të madh të personave të infektuar me COVID-19, kanë zbuluar se pacientët me sindromë akute koronare paraqiten tek mjeku më vonë se zakonisht, në shumicën e rasteve paraqiten në fazën e tronditjes (shok) kardiogjene.

Të nderuar qytetarë, spitali ynë vazhdon të shpëtojë jetë njerëzish edhe gjatë kësaj periudhe në të cilën është shpallur pandemia për shkak të pranisë së Korona virusit. Të gjithë ata të cilët kanë dhimbje në kraharor nuk duhet të presin dhe të ketë frikë nga infeksioni sepse pavarësisht nga pandemia, një numër i madh personash humbasin jetën nga sëmundjet kardiovaskulare më shumë sesa nga infeksioni me COVID-19.

Ekipi ynë uron që të jeni të sigurt, të mbrojtur dhe sa më lehtë ta kalojmë sa më lehtë të jetë e mundur këtë periudhë lufte me armikun tonë të ri të padukshëm.

Të gjitha këshillat për parandalimin e gjendjeve akute vazhdojnë edhe gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme. Qëndroni aktiv fizikisht, tregoni kujdes ndaj ushqimit tuaj (çfarë dhe sa konsumoni), matni rregullisht tensionin e gjakut dhe gliceminë, merrni në mënyrë të rregullt terapinë tuaj.

Respektoni këshillat e mjekut tuaj kardiolog dhe përshtatni ato me situaten e re në të cilën ndodhemi.

 

Me respekt,

Dr. Millka Klinçeva

Kardiologe