Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

09.09.2021

Si mund ta ndihmojmë veten nga pikëllimi i humbjes së një personi të dashur?


Shumë familje kanë humbur të dashurit e tyre në të kaluarën. Përballja me vdekjen është një nga sfidat më të mëdha. Kur përballemi me humbjen e një personi të dashur, shfaqen një sërë simptomash dhe më të theksuarat janë trishtimi, zemërimi, frika dhe simptoma psikosomatike, të tilla si pagjumësia, shqetësimi, humbja ose shtimi i oreksit, rrahjet e shpejta të zemrës, presioni i lartë i gjakut, dhimbje koke. Psikologjikisht dhe fizikisht i gjithë trupi ynë reagon. Kjo gjendje prish ekuilibrin natyror të organizmit.

Në asnjë mënyrë nuk duhet ta shmangim pikëllimin. Eshtë një proces i natyrshëm dhe i dobishëm që ka një funksion shërues. Është e rëndësishme që emocionet të dalin prej nesh, sepse emocionet e shtypura nuk largohen, nuk zhduken, ata shpesh dinë të shfaqen në formën e sëmundjeve ose problemeve fizike. Procesi i pikëllimit zakonisht zgjat 2 deri në 3 vjet. Në atë proces ne kalojmë nëpër disa faza të ndryshme, gjendje të cilat është mirë të dimë në mënyrë që të jemi të vetëdijshëm se deri në çfarë mase është normale ajo që po kalojmë.

Faza e parë është tronditja dhe mosbesimi, është mekanizmi mbrojtës i trupit tonë. Kur marrim lajmin se kemi humbur dikë me të cilin kemi qenë të lidhur emocionalisht, ne thjesht e mohojmë atë dhe nuk duam ta pranojmë. Në mënyrë të pavetëdijshme krijojmë një barrierë që na mbron në atë moment të parë nga lajmi i tmerrshëm. Mohimi është normal dhe nuk duhet të luftoni kundër tij.

Pastaj vjen faza e zemërimit. Me kë jemi të zemëruar? Së pari, ne zakonisht zemërohemi me personin që na la dhe themi: “Pse duhej të më braktisje tani?” Ne zemërohemi me Perëndinë, botën, mjekët, zemërohemi me veten. Pyesim veten nëse kemi bërë gjithçka të nevojshme? A duhej dhe a mund të kishim bërë diçka më tepër?

Ne hyjmë në një proces faji sepse mendja kështu përpiqet të gjejë një zgjidhje, por kërkon një zgjidhje në një mënyrë për të gjetur fajtorin, cili është fajtori për atë që ndodhi, kush është përgjegjës. Është e rëndësishme të dini se askush nuk është fajtor. Ky është një zemërim normal dhe është pjesë normale e procesit të pikëllimit dhe kërkon kohë.

Mos luftoni kundër tij, është mëse normale të ndjeni zemërim. Kur të ndiheni të zemëruar mos e shtypni atë ndjenjë, lëreni të dale nga ju, thoni me zë të lartë: “Unë jam aq i/e zemëruar që kjo gjë ndodhi”. Pastaj dhimbja është përsëri e tmerrshme, por bëhet më e lehtë kur e pranojmë dhe respektojmë ndjenjën

Kur nxjerrim atë ngarkesë të fortë energjie përmes zemërimit që na sjell siklet dhe parehati, atëherë hyjmë në fazën tjetër dhe kjo është depresioni ose zhgënjimi.


Në këtë fazë ne jemi të vetëdijshëm se është një humbje e madhe fakti që i dashuri ynë është larguar dhe kjo shfaqet me simptoma që janë shumë të ngjashme me simptomat e depresionit, të cilat janë trishtimi, ngurrimi, apatia, disa persona madje mendojnë ta lëndojnë veten e tyre.

Atëherë është e rëndësishme të mbani mend se jeni akoma gjallë dhe për sa kohë që jeni gjallë keni përgjegjësinë të kujdeseni për jetën tuaj, që do të thotë ta jetoni atë dhe të përjetoni gjithçka që ju sjell jeta, qofshin ato momente të bukura apo të hidhura.


Pas zemërimit, valët e dhimbjes do t’ju godasin, por më pas ato do të tërhiqen, duke ardhur gjithnjë e më pak. Kur kjo ndodh ne kalojmë në fazën tjetër, pranimin. Në këtë fazë, është ende e vështirë, ende na mungon ai person, por tani po e pranojmë ngadalë. Shumica e njerëzve mësojnë të përballojnë dhimbjen dhe pikëllimin.

Duke kaluar nëpër të gjitha këto faza, ato fillojnë të mësojnë, gradualisht, me ritmin dhe kohën e tyre për të vazhduar me jetën dhe funksionet e tyre në shoqëri. Në fazën e pranimit ne besojmë se ai person do të jetojë gjithmonë tek ne dhe ne zgjedhim të përqëndrohemi në dashurinë që gjithmonë do të ndiejmë për të.

Këshilla dhe rekomandime

  • Kur jeni në pikëllim dhe dhimbje të madhe, kur ju duket se jeni të pashpresë, përpiquni të imagjinoni se çfarë këshille do t’ju jepte ai person në atë moment, çfarë do t’ju thoshte. Kjo është një teknikë tepër e fuqishme që mund t’ju ndihmojë.
  • Jini të vetëdijshëm se do të filloni ta ndjeni jetën tuaj sikur të jetë e pavërtetë dhe sikur nuk arrini t’i shpëtoni dhimbjes. Jini të durueshëm, të butë dhe të dhembshur ndaj vetes, trishtimi nuk do të zhduket për një ose dy muaj, mos vendosni afate dhe kufij, lejoni që procesi i pikëllimit të ndodhë dhe ndiqni rrugën tuaj.
  • Mbani një jetë sa më të thjeshtë, duhet kohë që një person të rimarrë ekuilibrin dhe të rikuperoj forcën.
  • Është e rëndësishme të mos jeni vetëm në ato momente, mbështetja e të dashurve është e rëndësishme.
  • Komunikoni me njerëzit që kanë pësuar një humbje të ngjashme, ata mund të jenë  një mbështetje e mirë për ju.
  • Përpiquni të gjeni kuptim në vuajtjet tuaja, transformoni pikëllimin tuaj dhe bëni diçka që ka kuptim për të dashurin tuaj. Mund të bëni gjëra shumë të vogla në nder të  personit tuaj të dashur.
  • Kujdesuni për veten, pasi kujdesi për veten duhet të jetë fokusi juaj më i madh kur brengoseni për personin tuaj të dashur.
  • Shprehja me shkrim e asaj që ndjeni mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme në procesin e pikëllimit. Mund të shkruani, ditar, dëgjoni muzikë ose vizatoni.
  • Këshillohet të mos merrni vendime të rëndësishme gjatë kësaj periudhe, mundohuni ta shtyni atë sepse nuk është koha për të marrë vendime, realisht nuk jeni në gjendje ta shihni situatën në mënyrë të qartë dhe të duhur.
  • Në një farë mase mund të merrni në dorë kontrollin e pikëllimit duke organizuar ndonjë drekë familjare në nder të personit të dashur, të shikoni fotografitë e tij, të flisni për të, të ripërjetoni momente të caktuara me anë të kujtimeve.
  • Kur është e vështirë të gjeni shpresë, edukimi në lidhje me pikëllimin mund të ndihmojë të besoni se pikërisht pikëllimi rezulton me shërim të dhimbjes.

Kur duhet të kërkoni ndihmën e psikologut, psikoterapistit? Pse është e rëndësishme dhe çfarë do të përfitoni prej tyre?

Eshtë veçanërisht e rëndësishme të kërkoni ndihmë profesionale nga psikolog, psikoterapist nëse:

  • Me kalimin e kohës dhimbja dhe pikëllimi për personin e humbur nuk është zvogëluar
  • Ju vijnë medime të ndryshme në kokë, mendoni në mënyrë vetëshkatërruese, e lëndoni veten ose i shkaktoni dëme vetes.
  • Ndjeni se nuk mund ta përballoni humbjen vetëm, ka kaluar shumë kohë dhe ju ende ndiheni të izoluar dhe të vetmuar.
  • Ndoshta takimi juaj i fundit ka përfunduar me një fjalë të keqe ose një keqkuptim, kështu që ju vazhdimisht pyesni veten se si keni vepruar, mund të ndiheni fajtorë për gjërat që keni bërë ose nuk i keni bërë derisa personi ishte gjallë, mbase keni dashur që diçka tjetër t’i thoni dhe ju mundon ajo që nuk keni arritur ti thoni apo të bëni për të.

E gjithë kjo mund të ndalojë procesin e pikëllimit. Ne duhet të dalim nga ai ngërç në mënyrë që energjia të rrjedhë dhe shërimi të fillojë.

Të gjithë në jetë më herët apo më vonë do ta kalojmë atë proces shumë herë. Qëllimi është të dalim me pasojat më të vogla për shëndetin tonë mendor dhe fizik. Ekzistojnë teknika të ndryshme psikoterapeutike që përdoren gjatë seancave për të lehtësuar fillimisht personin nga pesha që ai mbart, dhe pastaj për të qenë në gjendje të vazhdojë funksionalisht me jetën e tij dhe të bëhet më i fortë dhe më i ditur përmes përvojës së tij.