Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

15.09.2023

Sinusiti tek fëmijët


Kjo patologji është më e zakonshme gjatë muajve të dimrit dhe temperaturave të ulëta, por në raste përjashtuese mund të shfaqet edhe gjatë muajve të verës për shkak të përdorimit të kondicionerëve dhe ndryshimeve të temperaturës.

Sinuset janë zgavra kockore të mbushura me ajër në kockat e fytyrës dhe rreth hundës. Ato lidhen me zgavrat e hundës përmes hapjeve të vogla kockore. Sinusiti është inflamacion ose infeksion që shfaqet në zonën e zgavrave, sinuseve paranazale.

Zakonisht ndodh pas një ftohjeje virale. Konsiderohet si një gjendje e zakonshme që mund të haset shpesh por gjithashtu mund të trajtohet lehtësisht.

Si shfaqet sinusiti?

Gjatë çdo ftohjeje virale, membrana e sinuseve paranazale – mukoza – pezmatohet, ashtu si dhe mukoza e të gjitha rrugëve të sipërme të frymëmarrjes (fyti, hunda, sytë). Normalisht, ky inflamacion ndalon në momentin kur ndalon edhe ftohja virale, e cila mund të zgjasë për rreth një javë. Por ndonjëherë, kur ka pengim të theksuar të zgavrave që lidhin sinuset me zgavrat e hundës dhe sekreti i tyre nuk drenohet (kullon) mirë, ndodh superinfektimi i asaj mukoze të pezmatuar nga bakteret e orofaringut tek fëmijët.

Në rastin e shfaqjes së superinfeksionit, simptomat e ftohjes rishfaqen, përkeqësohen ose vazhdojnë.

Cilat janë simptomat?

Zakonisht, sinusiti dyshohet kur ftohja zgjat më shumë se zakonisht, por gjithashtu ka edhe simptoma të tjera demosturese:

  • Kollë që nuk përmirësohet pas shtatë ose dhjetë ditëve të para të simptomave të ftohjes
  • Ftohje që fillimisht përmirësohet por zhvillon temperaturë dhe rritje të sekrecioneve
  • Ethe të vazhdueshme
  • Përkeqësimi i kongjestionit të hundës
  • Erë e keqe e gojës pas zgjimit
  • Mbidjeshmëri apo dhimbje gjatë prekjes së fytyrës

Cilat janë ndërlikimet e mundshme?

Ndër komplikimet më të zakonshme, sidomos tek fëmijët e vegjël, është infeksioni i orbitës së syrit (celuliti periorbital dhe orbital), i cili manifestohet me ënjtje me ngjyrë të kuqërremtë të qepallave të njërit sy, pa rrjedhje.

Nëse fëmija diagnostikohet me sinusit, ka shenja paralajmëruese që tregojnë shfaqjen e ndërlikimit të gjendjes: ethe të vazhdueshme pas 2-3 ditësh trajtimi me antibiotikë, inflamacion i syve, temperaturë e lartë, dhimbje koke e fortë, ndryshime në shikim, konfuzion, ngurtësim i qafës. Në këto raste rekomandohet të konsultoheni patjetër me mjekun.

Si mund të parandalohet?

Është e rëndësishme që fëmijët të kenë një kalendat të plotë vaksinimi për të shmangur infeksionet e shkaktuara nga bakteret agresive ose rezistente ndaj antibiotikëve. Tymi i duhanit shkakton acarim/irritim të mukozës së frymëmarrjes, ndaj rekomandohet gjithmonë që fëmija të mos jetë në ambient të ndotur nga tymi i duhanit.
Trajtimi me antibiotik i ftohjes së zakonshme NUK parandalon zhvillimin e sinusitit, përkundrazi, mund të favorizojë infeksionin nga bakteret rezistente.

Si trajtohet?

Sinusiti viral, i cili shfaqet gjatë ftohjes, nuk kërkon më shumë trajtim sesa larja e hundës me lëndë fiziologjike. Vitamina C, zinku, ekinacea, dekongestantët, antihistaminet sistemike ose mukolitikët nuk janë treguar të dobishëm në trajtimin e këtij problemi.

Përsa i përket diagnozës klinike të sinusitit bakterial, mjeku juaj do t’ju përshkruajë terapi me antibiotik të përshtatshëm për moshën e fëmijës, të cilin ai do ta marrë për 7-10 ditë si dhe do t’ju informojë për faktorët e mundshëm të rrezikut.

Ekipi profesional i otorinolaringologëve në Spitalin klinik Zhan Mitrev është në dispozicionin tuaj për të gjitha problemet tuaja shëndetësore që lidhen me veshin, hundën dhe fytin (ORL).

Rezervoni takimin tuaj në 02 3091 484