Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

28.06.2022

Takikardia ventrikulare

Takikardia ventrikulare është ritëm i zemrës që ka origjinë nga barkushet e zemrës dhe nënkuton një ritëm të zemrës prej të paktën 120 rrahje në minutë (frekuenca normale e zemrës është zakonisht ndërmjet 60 dhe 100 rrahje në minutë).
Më së shpeshti manifestohet me palpitacione (ndjenjë të rrahjeve të shpejta të zemrës), gulçim, dhimbje gjoksi dhe/ose të fikët.
Për të vendosur diagnozën e saktë ndër metodat e tjera, duhet detyrimisht edhe elektrokardiografia.

Trajtimi mund të përfshijë terapi medikamentoze, por mund të përdoren edhe procedura të tilla si defibrilimi kardiak, e cila përfshinë elektroshok të sinkronizuar që synon kthimin e ritmit të zemrës në gjendje normale.
Takikardia ventrikulare zakonisht ndodh kur janë të pranishme sëmundje strukturore të zemrës, si infarkti i miokardit, dobësimi i zemrës ose kardiomiopatia. Takikardia ventrikulare është një gjendje më shpesh e pranishme tek personat e moshuar.

Edhe pse e rrallë, ajo shfaqet edhe tek të rinjtë që nuk vuajnë nga sëmundje strukturore të zemrës. Këta të rinj mund të kenë sëmundje të zemrës të quajtur sindroma e gjatë QT, e cila mund të trashëgohet ose shkaktohet nga medikamente të caktuara. Mund të jetë për shkak të çrregullimeve të tjera të rralla të trashëguara, siç është sindroma Brugada (kanalopatia e zemrës).

Simptomat e takikardisë ventrikulare

Në rastin e takikardisë ventrikulare, rrahjet e zemrës (palpitacionet) ndihen pothuajse gjithmonë dhe mund të shoqërohen me dobësi, marramendje dhe/ose shqetësim në gjoks.

Takikardia ventrikulare e zgjatur mund të jetë e rrezikshme sepse barkushet nuk mbushen siç duhet ose nuk pompojnë gjak normalisht. Presioni i gjakut tenton të bjerë, duke çuar në dobësim të zemrës. Për më tepër, takikardia ventrikulare është gjithashtu e rrezikshme sepse mund të përkeqësojë fibrilacionin ventrikular (arrest kardiak). Takikardia ventrikulare ndonjëherë nuk shkakton simptoma të ndjeshme. Madje ndonjëherë edhe me një shpejtësi prej 200 rrahje në minutë, mund të mos ndjeni asnjë shqetësim. Pikërisht ky fakt e bën atë një gjendje jashtëzakonisht të rrezikshme.

Diagnoza e takikardisë ventrikulare

Takikardia ventrikulare mund të diagnostikohet me anë të ekzaminimit elektrokardiografik (EKG). Me ndihmën e këtij ekzaminimi, kardiologu mund të përcaktojë nëse dhe çfarë trajtimi ka nevojë pacienti për të arritur një ritëm normal të zemrës dhe për të parandaluar shfaqjen e episodeve të mëvonshme.

Nevojitet trajtim urgjent nëse takikardia ventrikulare shkakton simptoma ose kur episodet zgjasin më shumë se 30 sekonda edhe nëse nuk ka simptoma të tjera shoqëruese.

Nëse simptomat janë të pranishme, veçanërisht nëse presioni i gjakut është shumë i ulët, është i nevojshëm kardioversioni i menjëhershëm (goditja elektrike që e kthen zemrën në ritmin e saj normal).
Nëse nuk ka simptoma, por takikardia ventrikulare zgjat më shumë se 30 sekonda, duhet gjithashtu të jepet kardioversion ose mjekim intravenoz.

Kardioversioni është i dhimbshëm, kërkon qetësues, por është pothuajse gjithmonë efektiv dhe ka pak efekte anësore.

Në ndalimin apo shmangien e ritmit jonormal të zemrës (aritmisë), marrja e terapisë me ilaçe është më pak e pakëndshme, por jo aq efektive sa kardioversioni, dhe ilaçet kanë më shumë gjasa të shkaktojnë efekte anësore.

Ajo që nevojitet në planin afatgjatë nuk është vetëm ndalimi i ritmit jonormal, por shmangia e vdekjes së papritur. Në rastin e takikardisë ventrikulare me sëmundje bazë të zemrës, veçanërisht nëse zemra nuk pompon në mënyrë adekuate, zakonisht implantohet një kardioverter-defibrilator (ICD, një pajisje e vogël e aftë për të zbuluar aritminë dhe për të dhënë apo dërguar goditje për korrigjimin e ritmit jonormal). Kjo procedurë është e ngjashme me implantimin e stimuluesi kardiak – pacemaker.

Mund të përdoren edhe procedura të tjera për të korrigjuar zonën jonormale në ventrikuj. Këto teknika përfshijnë ablacionin e kateterit (dhënien e energjisë me një temperaturë ose frekuencë të caktuar të ulët përmes një kateteri të futur në zemër) dhe operacionin në zemër të hapur.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, ekipi i kardiologëve është në dispozicionin tuaj për diagnostikimin dhe trajtimin e duhur për të gjitha sëmundjet e zemrës përmes një qasje të personalizuar. Të gjitha ndërhyrjet kardiake kryhen me konsultim konciliar paraprak ku përfshihen kardiologë, kardiologë intervenues, kardiokirurgë, anesteziologë dhe infermierë.

Bëni rezervimin e terminit tuaj në 00389 2 3091 484