Veshka të shëndetshme për këdo dhe kudo

Ngjarje

Mars 03,2024

Dita Botërore e Veshkave është një fushatë globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë dhe kujdesin ndaj shëndetit të veshkave. Ajo festohet çdo të enjte të dytë të muajit mars që nga viti 2006. Fushata 2024 fokusohet në rritjen e ndërgjegjësimit për të promovuar akses të barabartë në kujdes dhe trajtim optimal mjekësor për pacientët me sëmundje të veshkave.

Rëndësia e shëndetit të barabartë të veshkave për të gjithë 

Sëmundjet e veshkave vlerësohet se prekin mbi 850 milionë njerëz në mbarë botën. Statistikat tregojnë se sa e rëndë është sëmundja e veshkave, që një nga dhjetë banorë të rritur në vend ka një shkallë të dështimit të veshkave, ose një nga tre ose një nga pesë banorë ka gjasa për të zhvilluar sëmundje kronike të veshkave. Parashikohet se në vitin 2040 Sëmundja Kronike e Veshkave do të jetë shkaku i pestë kryesor i vdekjeve çdo vit. Dy milionë njerëz në botë kanë nevojë për trajtim me dializë.

Në vendin tonë çdo vit rreth 400 pacientë të rinj fillojnë trajtimin me dializë kronike, e cila përfaqëson trajtim të përjetshëm, nëse nuk bëjnë transplantim. Të dhënat tregojnë se në njëzet vitet e fundit, 67% e pacientëve nefrologjikë kanë nevojë për terapi të rregullt zëvendësuese. Në vendin tonë mbi 85% e atyre pacientëve përdorin hemodializën si trajtim dhe rreth 12% transplantohen.

E gjithë kjo flet shumë për ndikimin global të Sëmundjeve Kronike të Veshkave në cilësinë e jetës së personave të sëmurë, por edhe në koston e përgjithshme të trajtimit dhe ekonominë e vendeve.

Mendoni më shpesh për sëmundjen kronike të veshkave

Sëmundja kronike e veshkave mund të zhvillohet në çdo moshë, por është më e zakonshme tek persnat në moshë të rritur, ndaj një nga faktorët që ndikon në rritjen e numrit të sëmundjeve kronike të veshkave në vende të caktuara është plakja e popullsisë dhe obeziteti. Është vlerësuar se një në pesë burra dhe një në katër gra ndërmjet moshës 65 dhe 74 vjeç, si dhe gjysma e personave të moshës 75 vjeç e lart, kanë sëmundje kronike të veshkave.

Pas moshës 40 vjeçare, filtrimi i veshkave fillon të bjerë afërsisht 1% në vit, kështu që përveç plakjes natyrale të veshkave, shumë gjendje që dëmtojnë veshkat janë më të zakonshme tek personat e moshuar, duke përfshirë diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe sëmundjet e zemrës. Diabeti dhe presioni i lartë i gjakut janë shkaktarët më të zakonshëm të sëmundjeve të veshkave. Presioni i lartë i gjakut shkakton një të katërtën dhe diabeti një të tretën e rasteve të dështimit të veshkave.

Në fazat e hershme të sëmundjes kronike të veshkave nuk ka simptoma apo shenja. Më shumë se 90% e funksionit të veshkave mund të humbasë pa përjetuar asnjë simptomë. Por ka teste të thjeshta laboratorike që mund të konfirmojnë sëmundjen, si përcaktimi i nivelit të kreatininës në gjak, si dhe gjetja e proteinave në urinë.

Zbulimet më të fundit në qasjen terapeutike ofrojnë mundësi për parandalimin dhe vonimin e sëmundjes, zbutjen e komplikimeve, të cilat janë shumë të zakonshme tek sëmundjet kronike të veshkave – sëmundjet kardiovaskulare, të trurit dhe renale në fazën përfundimtare, duke mundësuar zgjatjen dhe cilësinë më të mirë të jetës për personat me sëmundje të veshkave.

Terapitë dhe qasjet e reja terapeutike duhet të kenë akses të njejtë për të gjithë pacientët, në të gjitha vendet e botës, por ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm për sëmundjen kronike të veshkave, si dhe mungesa e njohjes dhe besimi i pamjaftueshëm në mundësitë dhe strategjitë e reja terapeutike, mungesa e stafit të duhur profesional – nefrologë si dhe kostot e trajtimit, kontribuojnë në dallime të mëdha përsa i përket aksesit në trajtim, veçanërisht në vendet me standarde të ulëta, si dhe një pjese të popullsisë në vendet me  standarde të larta. Të gjitha këto pabarazi theksojnë nevojën për të zhvilluar ndërgjegjësim më të madh për Sëmundjen Kronike të Veshkave dhe për të ndërtuar kapacitete për kujdesin e duhur shëndetësor të veshkave.

Arritja e kujdesit optimal të veshkave përfshin mbi të gjitha tejkalimin e: mangësive në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes, mungesën e kujdesit shëndetësor universal dhe sigurimit, ndërgjegjësimin e ulët të punonjësve shëndetësorë, sfidat me kostot dhe disponueshmërinë e barnave.

Çfarë duhet ndëmarë për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të veshkave?

Ajo që duhet të bëni për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes së veshkave është sigurisht:

  • Të merreni me aktivitet fizik;
  • Të konsumoni ushqim të shëndetshëm, të kontrolloni peshën tuaj trupore;
  • Të kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak;
  • Të paktën një herë në vit duhet të kontrolloni nivelin e proteinave në urinë;
  • Të kontrolloni rregullisht presionin e gjakut;
  • Të merrni një sasi të mjaftueshme të lëngjeve;
  • Të hiqni dorë nga konsumi i duhanit;
  • Të mos përdorni ilaçe pa rekomandimin e mjekut tuaj;

Kontrolloni funksionin e veshkave nëse keni një ose më shumë faktorë rreziku si diabeti, hipertensioni, obeziteti ose nëse keni një histori familjare të sëmundjes së veshkave.

Me rastin e Ditës Botërore të Veshkave, kemi mundësuar çmim special për ekzaminimin nefrologjik prej 2 000 denarësh. Çmimi vlen deri më 31 Mars. Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484