20 vjet nga autotransplantimi i parë i zemrës në Klinikën Zhan Mitrev

Ngjarje

8 Prill, 2023

Në dy dekadat e fundit në Klinikën Zhan Mitrev janë kryer pesë autotransplantime. Kjo është një ndërhyrje operative revolucionare në trajtimin mjekësor modern të pacientëve me sëmundje të zemës. Gjatë këtij operacioni, zemra e pacientit rindërtohet jashtë kraharorit, dhe është një procedurë e cila konsiderohet jashtëzakonisht specifike dhe e komplikuar për t’u kryer.

“Kam qenë e sëmurë rëndë, më rekomanduan të drejtohesha te doktor Zhan Mitrev, i cili më ka operuar dhe vetëm pas disa ditësh jam ndjerë shumë më mirë. Kanë kaluar tashmë pesë vjet e gjysmë që kur më ka operuar doktor Mitrev dhe sot ndihem shkëlqyeshëm, punoj në kopsht me aq sa mundem dhe nuk kam asnjë problem. Jam mirënjohëse që ma ktheu jetën”, thotë Vera Baloska, një nga pacientet me autotransplant, e cila u operua në vitin 2017.

Autotransplantimi i zemrës, si procedurë, ka të njëjtat faza si transplantimi i zemrës nga një donator tjetër. Ndryshimi është se gjatë autotransplantimit organi i dëmtuar nuk zëvendësohet me një organ të huaj, por bëhet rikonstruktimi i vetë zemrës së pacientit të cilit i bëhet ndërhyrja.
Tek pacientët të cilët kanë nevojë për autotransplant zakonisht atriumi i majtë i zemrës është jashtëzakonisht i zgjeruar që e bën të pamundur kryerjen e operacionit brenda kraharorit, prandaj eshte e nevojshme qe zemra të nxirret nga kraharori, të bëhet sigurimi i qarkullimit ekstrakorporal i gjakut, dhe më pas vijon korrigjimi i nevojshëm kirurgjik për të reduktuar atriumin e majtë (valvulën mitrale) të zemrës së pacientit.

Nëse kjo nuk është e mundur, ajo zëvendësohet me një protezë artificiale.
Më pas zemra e rindërtuar kthehet në kraharor dhe lidhet me enët e gjakut si në rastin e transplantit.
Nga viti 2000 e deri më tani në klinikën tonë janë kryer gjithsej 5 operacione të tilla. Ato janë realizuar nga Dr. Zhan Mitrev dhe ekipi i tij.

Eksperienca e doktor Mitrevit në kryerjen e transplanteve/autotransplanteve të zemrës daton që para 26 vitesh kur ai kreu transplantin e parë të zemrës në Gjermani.