Zëri i mirë edhe nga larg dëgjohet

Në faqen mjekësore prestigjoze të internetit News Medical janë cituar rezultatet e studimit tonë mbi trajtimin e suksesshëm të COVID-19 me ndihmën e hemofiltrimit.

Sot mbërriti edhe një njohje tjetër në mbarë botën për ekipin tonë që zbaton hemofiltrimin si një metodë të suksesshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Përkatësisht, në News Medical – mediumi kryesor mjekësor në botë që ka mbi 53 milion vizitorë, studimi ynë mbi pastrimin ektrakorporal (jashtë trupit) të gjakut është cituar si një studim relevant i yni, me temë – Pastrimi ektrakorporal i gjakut i aplikuar tek pacientët në gjendje mesatarisht të rëndë të infektuar nga COVID-19.

Në artikullin e tyre, ata përdorin rezultatet e studimit tonë të botuar më parë i cili është kryer nga ekipi ynë i mjekëve të cilët që nga fillimi i pandemisë me ndihmën e hemofiltrimit trajtojnë me sukses pacientët pozitivë ndaj COVID-19.

Artikullin e plotë mund ta shihni në linkun në vijim:

https://bit.ly/2CUg7wB 

16 Tetori – Dita Botërore e Ushqimit

Ushqimi është baza themelore e jetës dhe kulturës njerëzore

Domethënia e kësaj dite është ende aktuale, edhe pse për herë të parë është shënuar në vitin  1979 – 41 vjet më parë. Kjo ditë, si atëherë por edhe tani ka për qëllim theksimin e rëndësisë së ushqimit për jetën dhe mbijetesën e njeriut.

Në fakt, kjo datë shënon ditën e themelimit të FAO (food and agriculture organization /organizata e ushqimit dhe bujqësisë) nga Kombet e Bashkuara 20 vjet më parë.

Shkalla e shpejtësisë me të cilën po shterojnë burimet e planetit Tokë po rritet çdo ditë, gjë që e bën edhe më të rëndësishme temën e sigurimit të ushqimit të mjaftueshëm për mbijetesën e njerëzimit.

Edhe pse aktualisht prodhohet ushqim i mjaftueshëm për të ushqyer të gjithë njerëzimin, ekziston një çekuilibër në sistemet ushqimore. Kështu, problemet si ekzistenca e urisë, mbipesha, hedhja e ushqimit të papërdorur, humbja e larmisë agrobiologjike janë edhe më të theksuara.

Sipas statistikave të fundit, çdo person i shtatë në botë nuk e di nëse do të jetë në gjendje të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar të nesërmen. Më shumë se 900 milion njerëz në të gjithë botën vdesin nga uria ndërsa 2 miliardë janë të kequshqyer.

Kriza globale e shëndetit e shkaktuar nga pandemia COVID-19 na ka bërë që të gjithë të kthehemi pas tek gjërat themelore që më parë konsideroheshin të mirëqena. I tillë është rasti me ushqimin, ne papritmas e kuptuam përsëri se ushqimi është baza e jetës dhe një gur themeli i kulturës njerëzore. Ruajtja e burimeve të pastra të ushqimit me vlera të larta ushqyese është dhe do të jetë një nga mënyrat themelore për t’u përballur me COVID-19.

Në momente të tilla, është e rëndësishme të theksohet dhe të respektohet rëndësia e heronjve të ushqimit – fermerëve dhe prodhuesve të ushqimit të cilët mundësojnë që ushqimi nga fushat të arrijë në pjatat e çdo shtëpie.

Këtë vit, Dita Botërore e Ushqimit synon të theksojë rëndësinë thelbësore të ushqimit, sepse ai mund të jetë një ilaç, por edhe i dëmshëm nëse i përket një cilësie të dobët ose konsumohet në mënyrë të papërshtatshme dhe në sasi të tepërta.

Balanconi marrjen e ushqimit tuaj, përdorni produkte të freskëta. Bleni aq ushqim sa ju nevojitet për të shmangur konsumimin e kalorive shtesë por edhe për të shmangur hedhjen e ushqimit. Në fakt, kështu do të kontribuojmë në parandalimin e zbrazjes së përshpejtuar të burimeve të planetit Tokë.

Të gjithë ne marrim pjesë në këtë proces.

Në mënyrë që të ndikojmë në rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin e matur të ushqimit në klinikën tonë kemi nutricionist profesionist që kujdesen për menutë, vlerat kalorike, përbërjen e ushqimit. Menutë bëhen në baza javore ose mujore që u përshtaten nevojave të pacientëve sepse ka pacientë të ndryshëm me sëmundje të ndryshme, të cilët kanë nevojë për ushqim të personalizuar përputhje me nevojat e tyre. Ushqimi që ne prodhojmë dhe ofrojmë për pacientët është me vakte të matura por cilësore që ndikojnë në rikuperimin e shpejtë dhe përdorimin ekonomik të burimeve ushqimore.

Mbajtja e higjenës së duarve shpëton jetë

15 Tetori – Dita globale e higjenës së duarve, është një ditë kushtuar ndërgjegjësimit dhe theksimit të rëndësisë së larjes së duarve me ujë dhe sapun si një mënyrë e thjeshtë, efektive dhe e pranueshme për parandalimin e shumë sëmundjeve duke shpëtuar në këtë mënyrë shumë jetë.

Mënyra më e zakonshme e transmetimit të mikroorganizmave janë duart e njerëzve. Ky hap i thjeshtë – larja e duarve – është një metodë efektive për të parandaluar transmetimin e sëmundjeve diarreale, të frymëmarrjes, infeksioneve të lëkurës, infeksioneve të syve, si dhe parazitëve në zorrë.

Këtë vit larja e duarve po merr vlerën reale për të gjithë ne. Pandemia e koronavirusit ka konfirmuar se masa e parë në parandalimin e transmetimit të sëmundjeve infektive është higjiena e duarve.

Statistikat tregojnë se:

• Çdo vit 4 milion fëmijë nën moshën 5 vdesin nga sëmundjet e zorrëve ose pneumonia në vendet në zhvillim, që do të thotë që çdo 15 sekonda një fëmijë vdes nga këto sëmundje
• Pneumonia është shkaku kryesor i vdekjes në atë moshë, dhe me larjen e duhur të duarve incidenca mund të ulet me 25%
• Sëmundjet diarreale janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në atë moshë. Zbatimi i larjes adekuate dhe në kohë të duarve me sapun dhe ujë zvogëlon 50% të sëmundjeve diarreale

Problemi i praktikës së pamjaftueshme të larjes së duarve me ujë dhe sapun nuk është vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në vendet shumë të zhvilluara. Kjo është arsyeja pse në të gjithë botën çdo vit më 15 Tetor, shënohet Global Hand Washing Day (Dita Globale e Larjes së Duarve) me një moto të re dhe në një mënyrë krijuese theksohet rëndësia e larjes së duarve me sapun dhe ujë. Qëllimi i këtyre fushatave është të promovojnë kulturën e larjes së duarve në nivel global dhe lokal dhe të paraqesin përfitimet e saj.

Të gjithë në mënyrë të barabartë jemi të rrezikuar nga infektimi me koronavirus dhe kjo është arsyeja pse motoja e fushatës së larjes së duarve të këtij viti është – “Higjiena e duarve për të gjithë”.
Larja e duarve është një rutinë e përditshme, një praktikë e vazhdueshme dhe duhet të bëhet siç duhet, në momentin e duhur dhe kohën e nevojshme. Kur është kjo veçanërisht e rëndësishme?

  • Para, gjatë dhe pas përgatitjes së ushqimit
  • Para ngrënies
  • Pas përdorimit të tualetit
  • Pas teshtitjes, kollitjes ose prekjes së hundës
  • Pas kontaktit me kafshët ose jashtëqitjet e tyre
  • Pas kontaktit me mbeturinat
  • Pas ndërrimit të pelenave higjienike
  • Para dhe pas kontaktit me një person të sëmurë ose të lënduar
  • Para dhe pas vizitës në ndonjë ordinancë spitalore

Në kushte spitalore, megjithëse higjiena e duarve përfshin larjen e duarve me ujë dhe sapun dhe dezinfektimin e duarve, këto dy procedura nuk duhet të konsiderohen si të njejta. Infeksionet janë një problem serioz në objektet shëndetësore:

• çdo vit 2 milion pacientë marrin infeksion spitalor
• 90,000 prej tyre vdesin nga infeksioni spitalor

Ne e dimë saktësisht se kur duhet të përdorim ujë dhe sapun dhe kur të përdorim dezinfektuesme përmbajtje alkoolike. Higjiena e duarve me dezinfektues alkoolik praktikohet në mënyrë rutinore, por larja me sapun dhe ujë është e domosdoshme kur duart janë dukshëm të ndotura ose të kontaminuara. Larja e duarve është gjithashtu e domosdoshme kur merreni me pacientë që kanë baktere sporogjene si Clostridium difficile. Në situata të tjera, higjiena e duarve me dezinfektues alkoolik justifikohet nga efikasiteti, koha e kërkuar dhe disponueshmëria.

 

 

Inflamacioni i muskulit të zemrës pas  infeksionit me virusin COVID-19

Infeksioni i virusit Covid-19 përbën një problem të madh shëndetësor sepse prek jo vetëm mushkëritë, por edhe organe të tjera, siç është edhe muskuli i zemrës. Tashmë është dëshmuar se virusi shkakton inflamacion të muskujve të zemrës, të ashtuquajturin miokardit.
Ende nuk është e qartë nëse miokarditi është gjendja që shkaktohet mëshpesh si pasojë e virusit COVID-19 dhe nëse ka një pamje klinike më të rëndë në krahasim me gjendjet miokarditit të shkaktuar si pasojë e viruseve të tjera.

Virusi shkakton përgjigje imune në trup në mënyrë jo konvencionale. Personat të cilët e kanë përjetuar këtë virus mund të jenë në rrezik të lartë ndaj shfaqjes së inflamacionit të muskujve të zemrës. Zemra është e prirur ndaj inflamacionit me COVID-19 sepse në sipërfaqen e qelizave të muskujve të zemrës ndodhet receptori 2 i enzimës konvertuese të angiotenzinës, me të cilin lidhet virusi. Për këtë arsye, janë bërë disa studime mbi pacientët të cilët i janë nënshtruar virusit COVID – 19 disa muaj më parë dhe kanë pasur një pamje klinike të butë ose të moderuar (mesatare).

Është kryer rezonanca magnetike e zemrës, e cila është metoda më e saktë dhe jo invazive për diagnostikimin e inflamacionit të muskulit të zemrës. Nga ky ekzaminim është dëshmuar se 78 nga 100 pacientë kanë probleme me zemrën. Interesant është fakti që 60 nga 78 pacientë kanë dhënë shenja të inflamacionit akut pas 71 ditësh nga infektimi me COVID – 19. Studimi ka arritur në përfundimin se edhe infektimi i lehtë me COVID – 19 tek personat relativisht të shëndetshëm mund të lërë shenja në zemër.

Një studim tjetër ka bërë ekzaminimin e sportistëve profesionistë. 4 nga 26 atletë nga Universiteti Shtetëror i Ohajos, SHBA, të cilët i janë nënshtruar infeksionit me COVID – 19 kanë pasur miokardit.

Miokarditi mund të shkaktojë aritmi kardiake, vdekje të papritur (gjatë trajnimit intensiv) dhe dobësim apo dështim të zemrës. Prandaj, ekzaminimi kardiak, ekokardiografia dhe rezonanca magnetike e zemrës rekomandohen 3 muaj pas infektimit me COVID – 19.
Shoqata Europiane e Kardiologjisë rekomandon për pacientët me miokardit të shmangin aktivitetet e rënda fizike për 3-6 muaj.

Në të ardhmen, një nga pyetjet e shpeshta për kardiologët do të jetë nëse keni qenë të infektuar nga virusi COVID-19?

Gjatë 8 muajve të fundi, pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, ka ndikuar në shumë mënyra, ka vendosur rregulla të reja në jetën tonë duke e bërë atë të funksionojë krejtësisht ndryshe nga mëparë.

Për kontroll më të mirë të pandemisë dhe shëndetit tuaj, duke treguar se çfarë mund të shkaktojë koronavirusi, ju rekomandojmë që të mbani maska ​​mbrojtëse kudo dhe të lani duart shpesh.

Pas infektimit me COVID-19, ne rekomandojmë të paktën një ekzaminim kardiak, pavarësisht nga mosha juaj ose ashpërsia e pamjes tuaj klinike. Diagnostikimi i hershëm i miokarditit mund të parandalojë zhvillimin e komplikimeve serioze.

Dr. Millka Klinçeva
Kardiologe

VENAT VARIKOZE DHE TRAJTIMI I TYRE

Venat varikoze (variçet) janë vena të përdredhura, të zgjeruara, të fryra. Venat e ekstremiteteve të poshtme preken më shpesh nga ky problem. Kjo është për shkak të presionit të rritur gjatë qëndrimit dhe ecjes së zgjatur, gjatë së cilës valvulat venoze nuk funksionojnë siç duhet dhe gjaku nuk lëviz si zakonisht.

Gjaku përmes arterieve kalon nga zemra tek të gjitha organet, ndërsa venat kthejnë gjakun në zemër. Gjatë kthimit të gjakut në zemër, duhet të zotërohet forca e gravitetit dhe kjo ndihmohet nga kontraktimet (ngërçet) muskulore dhe valvulat e venave, të cilat funksionojnë si pompë. Valvulat hapen kur gjaku lëviz në zemër dhe mbyllen për të parandaluar kthimin e tij. Nëse këto valvula dëmtohen, gjaku kthehet prapa, akumulohet në vena duke shkaktuar shtrëngimin  dhe përdredhjen e tyre. Zakonisht, është një problem estetik, por nëse procesi vazhdon të përparojë dhe ata fillojnë të krijojnë shqetësime, ënjtje, dhimbje, ulçerë, atëherë nevojitet trajtim mjekësor.

Simptomat dhe shenjat

Venat me ngjyrë blu të errët / vjollcë

Venat e rrudhura ose përdredhura, të fryra

Rëndesë dhe dhimbje të këmbëve

Djegie, pulsim, kruajtje, ngërçe muskulore dhe ënjtje

Intensifikim i dhimbjes pasqëndrimit ulur për një kohë të gjatë ose qëndrimit të zgjatur në këmbë

Ndryshim i ngjyrës së lëkurës rreth venës së prekur (hiperpigmentim)

FAKTORËT E RREZIKUT

Mosha e thyer: plakja shkakton lëshimin dhe dështimin e funksionit të valvulave venoze të cilat rregullojnë rrjedhën e gjakut. Kjo çon në kthim të gjakut pas në vena, fillon të akumulohet në vend që të lëvizë në drejtim të zemrës;

Gjinia: gratë janë më të prirura ndaj venave varikoze (për shkak të ndryshimeve hormonale gjatë shtatzënisë, menopauzës, marrjes së kontraceptivëve)

Shtatzënia: vëllimi i qarkullimit të gjakut rritet pavarësisht ndryshimeve ekzistuese hormonale.

Historia familjare: nëse ndonjë nga anëtarët e familjes ka vuajtur nga venat varikoze

Obeziteti: Shtimi i peshës rrit presionin në venat

Qëndrimi në këmbë ose ulur për disa orë në ditë: gjaku nuk qarkullon siç duhet nëse pacienti është në të njëjtin pozicion për disa orë

Komplikimet e shkaktuar nga mostrajtimi i venave varikoze

Ulcerat: rreth kyçeve, ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, dhimbje dhe plasaritje e lëkurës;

Tromboflebiti: përfshirja e venave të thella mund të çojë në një gjendje të rëndë të formimit të trombit dhe është e nevojshme të paraqiteni menjëherë tek mjeku;

Gjakderdhje: në rast të shpërthimit të venave sipërfaqësore  gjithashtu mund të kërkohet ndihmë apo këshilla mjekësore;

PARANDALIMI

Aktiviteti fizik

Rregullimi i peshës

Konsumi i ushqimeve të pasura me fibra dhe me pak kripë

Shmangni takat e larta

Shmangni pantallonat e ngushta

Ngritja e këmbëve mbi nivelin e zemrës

Ndryshimi i shpeshtë i pozicionit

Veshja e çorapeve të kompresimit si hapi i parë në trajtim

Diagnostikimi

Diagnostikimi bëhet në bazë të ekzaminimit fizik, kontrollit të ekstremiteteve të poshtme pas disa minutash qëndrimi për të vërejtur ënjtje dhe njolla në sipërfaqen e lëkurës.

Hapi i dytë është ekzaminimi me ultratinguj, i cili nuk është invaziv dhe kryhet në mënyrë të thjeshtë, për të vlerësuar funksionin e valvulave venoze, si dhe për të vlerësuar praninë e mundshme të trombeve.

Flebografia: Ekzaminimi me rreze X me ndihmën e një kontrasti që lejon shfaqjen e gjendjes aktuale të venave, valvulave venoze, praninë e trombeve, defekteve venoze dhe shfaqjen e venave të thella.

Ka 100% ndjeshmëri në diagnozën e trombozës së venave të thella. Nevojiten 30-45 minuta për tu kryer. Injektohet kontrasti intravenoz dhe me anë të aparatit agiograf bëhet vizualizimi i sistemit venoz. Rëndësia e kësaj metode është që sistemi i thellë venoz mund të vizualizohet në mënyrë fluoroskopike – rrjedha e kontrastit nga sistemi sipërfaqësor në sistemin e thellë venoz.
Përgatitja për procedurën: katër orë para ekzaminimit pacienti duhet të jetë i uritur dhe i etur. Përdoret një agjent kontrasti me bazë jodi, ndaj të cilit disa pacientë mund të jenë alergjikë.

Pas procedurës: është e nevojshme të konsumoni një sasi të madhe të ujit dhe lëngjeve në mënyrë që të jeni në gjendje të pastroni agjentin e kontrastit nga trupi më shpejt pa dëmtuar veshkat. Vendi i shpimit / prerjes do të shkaktojë dhimbje për disa ditë, por nuk duhet të kufizojë aktivitetet normale ditore. Pacienti mund të kthehet menjëherë në aktivitetet e përditshme normale. Rezultat pozitiv / çrregullim i mbushjes së venës është një shenjë e cila tregon se është i nevojshëm trajtimi mjekësor dhe përfshin shfaqjen e: trombeve, defekteve të mbushjes, ndërprerjeve gjatë kontrastit, venave të thella që nuk mbushen.

STRINING I VENAVE

Procedurë kirurgjikale që mund të kryhet nën anestezi të përgjithshme ose lokale, dhe është trajtimi përfundimtar për pamjaftueshmërinë kronike të venave dhe venave varikoze. Termi strining nënkupton tërheqjen e venës nëpërmjet kanalit të saj nënlëkuror përmes një prerjeje të vogël në zonën e bikinit, zakonisht bëhet fjalë për venën e madhe safene.

Prerjet mbyllen me qepje dhe e gjithë këmba është e mbështjellë me një fashë elastike që duhet të mbahet deri në kontrollin e parë. Ky operacion mund të kryhet si një operacion një ditor pa pasur nevojë të qëndroni në spital ose nëse ndërhyrja bëhet me anestezi spinale, duhet kohë për tu rikuperuar dhe është i nevojshëm qëndrimi një ditor në spital. Pacientët këshillohen të shmangin aktivitetin fizik për tre javë pas ndërhyrjes dhe të mbajnë një çorape elastike për një muaj.

Në klinikën tonë trajtimi i venave varikoze mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Për më shumë informacion mund të na kërkoni në numrin tonë të telefonit 02/30 91 484 ku mund të bëni rezervimin e kontrollit apo të konsultimit me një nga mjekët tanë.

Komplikime të rralla

Reagim alergjik ndaj anestezisë

Gjakderdhje postoperative

Trombozë të venave të thella

Tromboemboli pulmonare

Lëndim nervor (dobësi dhe mpirje në zonën e prekur)

Infeksion

 

Astma tek fëmijët

Astma është një inflamacion kronik obstruktiv i rrugëve të frymëmarrjes që shkakton probleme me frymëmarrjen. Karakterizohet nga një përgjigje imune jo të përshtatshme dhe pneumoni kronike. Sëmundja shfaqet me episode, dmth. momentet akute të sëmundjes alternohen me periudhat në të cilat nuk ka simptoma të astmës.

Sulmet e astmës ndodhin gjithashtu gjatë përkeqësimit të inflamacionit, zakonisht për shkak të pranisë së ndonjë faktori irritues në mjedisin përreth.

Gjatë fëmijërisë së hershme, shpesh hasen sëmundje të cilat në pamjen klinike manifestohen me sindromë respiratore obstruktive (ARS), pra kollë, fishkëllimë, mungesë ajri në rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe vështirësi në frymëmarrje. Shkaqet e kësaj sëmundjeje janë të brendshme (endogjene) dhe të jashtme (ekzogjene).

Faktorët e brendshëm kanë të bëjnë me gjendje atopike, si dhe predispozitën e trashëguar ndaj reaksionit alergjik. Nëse fëmija nuk ka kontakt me faktorët e jashtëm (alergjenet) edhe pse ka atopi, nuk do të ketë zhvillim të sëmundjes.

Astma është shkaku kryesor për paraqitjen e fëmijëve në qendrat urgjentë mjekësore, shtrimeve në spital dhe mungesave në shkollë. Fatkeqësisht, astma tek fëmijët nuk mund të shërohet përgjithmonë dhe simptomat mund të vazhdojnë edhe në moshë të rritur. Me trajtimin e duhur, prindi mund të reduktoj dhe ti mbaj nën kontroll simptomat tek fëmija, duke parandaluar kështu zhvillimin e dëmtimit të mushkërive.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e zakonshme të astmës tek fëmijët janë:

  • Kollitja e shpeshtë, e cila përkeqësohet kur tek fëmija është i pranishëm infeksioni viral, shfaqet atëherë kur fëmija është në gjumë, gjatë sforcimeve ose nga ajri i ftohtë
  • Fërshëllima në gjoks ose gulçim kur fëmija është jashtë
  • Frymëmarrje të shkurtra
  • Dhimbje ose shtrëngim në gjoks

Astma tek fëmijët gjithashtu mund të shkaktojë:

  • Probleme me gjumin për shkak të mungesës së ajrit dhe kollës
  • Episode të kollës ose mungesë ajri që përkeqësohen nga prania e ftohjes ose gripit
  • Zgjatje e periudhës së shërimit nga bronkiti pas një infeksionit të frymëmarrjes
  • Probleme me frymëmarrjen të cilat e pengojnë fëmijën për të luajtur ose të merret me sport
  • Lodhja, e cila mund të jetë rezultat i gjumit të dobët.

Shenjat dhe simptomat e astmës ndryshojnë nga një fëmijë tek tjetri dhe mund të përkeqësohen ose përmirësohen me kalimin e kohës. Fëmija mund të ketë vetëm një tregues, siç është kolla irrituese ose shtrëngimi në gjoks. Mund të jetë e vështirë të thuash nëse simptomat janë shkaktuar nga astma ose ndonjë gjendje tjetër. Gulçimi periodik ose i zgjatur dhe simptoma të tjera të ngjashme me astmën mund të shkaktohen nga bronkiti si pjesë e një infeksioni ose problemi tjetër me frymëmarrjen.

Faktorët e rrezikut dhe shkaqet e astmës

Shkaqet e astmës tek fëmijët nuk njihen plotësisht. Disa nga faktorët qëmendohet të jenë të përfshirë janë:

  • Reaksionet alergjike të mëparshme, përfshirë reagimet e lëkurës, alergjitë ushqimore ose ethet e polenit (rinitit alergjik)
  • Histori familjare e astmës ose alergjive
  • Disa lloje të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes në moshë të hershme
  • Ekspozimi ndaj tymit të duhanit, madje edhe para lindjes (në barkun e nënës)
  • Të jetuarit në zone me ajër të ndotur
  • Mbipesha
  • Gjendjet e frymëmarrjes, të tilla si riniti, sinuset e irrituara (sinusiti) ose pneumonia
  • Acid (sëmundja e refluksit gastroezofageal ose GERD)

Rritja e ndjeshmërisë së sistemit imunitar bën që mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes të përgjigjen me edemë (ënjtje) dhe rritje të sekretimit kur ekspozohen ndaj disa stimujve. Reagimi nxitës mund të vonohet, duke e bërë të vështirë identifikimin e shkakut.

Shkaktarët ndryshojnë nga fëmija në fëmijë dhe mund të përfshijnë:

  • Infeksione virale siç është ftohja e zakonshme
  • Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit, siç është tymi i duhanit
  • Alergjitë ndaj pluhurit, flokëve (qimeve) të kafshëve shtëpiake, polenit ose mykut
  • Aktiviteti fizik
  • Ndryshimet e motit ose ajri i ftohtë

Herë pas here, simptomat e astmës shfaqen pa shkaktarë të dukshëm.

Trajtimi

Trajtimi fillestar varet nga lloji i astmës tek fëmija. Qëllimi i trajtimit të astmës është të mbajë nën kontroll simptomat, në varësi të faktit nëse fëmija ka:

  • Shfaqje të simptomave apo shenjave të astmës
  • Nuk ka kufizime në aktivitetin fizik ose sportet
  • Përdorim minimal të bronkodilatatorëve me veprim të shkurtër, të tilla si albuteroli (ProAir HFA, Ventolin HFA, të tjerë)
  • Pak ose aspak efekte anësore nga ilaçet.

Trajtimi i astmës përfshin parandalimin e simptomave dhe trajtimin e sulmit të astmës. Ilaçi i duhur për fëmijën varet nga shumë faktorë, duke përfshirë moshën, simptomat, shkaktarët e astmës, ilaçi I cili jep rezultate më të mira për ta mbajtur astmën nën kontroll.

Prim. Dr. Sonja Petrovska
Specialiste pediatre

 

Menopauza tek gratë

 

Menopauza është një gjendje që ka të bëj me mungesën e menstruacioneve tek gruaja për 12 muaj rresht. Me kalimin e viteve tek gratë shfaqet rënie e nivelit të estrogjenit, duke rritur kështu rrezikun e shfaqjes së osteoporozës, sëmundjeve kardiovaskulare dhe rënien konjiktive.

Fillimi i menopauzës është individual. Zakonisht ndodh ndërmjet moshës 45 dhe 55, por ka edhe gra që hyjnë në menopauzë në moshën 30 ose 60 vjeçare. Mosha mesatare në të cilën gratë hyjnë në menopauzë vlerësohet të jetë 51 vjeç.

Edhe pse 70 deri në 80% e grave në menopauzë përjetojnë valë të nxehta dhe djersitje gjatë natës (simptoma vazomotorike), shqetësime dhe ndjejnë të ftohti të cilat zgjasin 1 deri në 5 minuta (ose kombinim i tyre), vetëm 25% kërkoni ndihmë mjekësore.

Gjatë menopauzës, vezoret sekretojnë estrogjen, por ka një mungesë të progesteronit – hormoni që rregullon ciklin normal menstrual dhe fertilitetin. Gjatë kësaj periudhe, përveç rritjes së rrezikut për shfaqjen e osteoporozës, rritet edhe rreziku i shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare, prandaj grate gjatë periudhës së menopauzës duhet t’i kushtojnë vëmendje shëndetit të sistemit kardiovaskular dhe të fillojnë me kryerjen e ekzaminimeve të rregullta kardiologjike për të parandaluar shfaqjen e komplikimeve më serioze.

Simptomat që tregojnë fillimin e menopauzës:

  • Çrregullim i ciklit menstrual

Çrregullimi i ciklit menstrual është simptoma e parë dhe më e zakonshme e menopauzës. Është rezultat i paqëndrueshmërisë së hormoneve në trupin tuaj të cilat funksionojnë deri në fund të fertilitetit tuaj.

  • Valë të ngrohta

Plagët e nxehta dhe ndonjëherë të ftohta ndodhin papritmas dhe shkaktojnë skuqje në fytyrë. Kjo ndodh për shkak të rënies së estrogjenit.

  • Pagjumësi

Gratë në menopauzë mund të vuajnë nga pagjumësia sepse nuk mund të flenë për shkak të valëve të nxehtësisë. Gjatë menopauzës, përveç rënies së estrogjenit, shfaqet edhe rënie e progesteronit.

  • Thatësi në vaginë

Për shkak të prodhimit të reduktuar të estrogjenit, i cili është përgjegjës për ruajtjen e lagështisë së vaginës, indet fillojnë të thahen dhe bëhen më pak elastike.

  • Nervozizëm dhe depresion

Ndjenjat e nervozizmit dhe depresionit mund të mbingarkojnë gruan e cila hyn në periudhën e menopauzës. Ankthi dhe humbja e stabilitetit emocional janë simptomat më të zakonshme, sikurse sulmet e panikut, rrahjet e shpejta të zemrës dhe gulçimi (vështirësia në frymëmarrje).

  • Dhimbje në ekstremitete

Për shkak të çekuilibrit apo çrregullimit hormonal, gjymtyrët ngadalë fillojnë të ënjten dhe të dhembin. Por, nëse dhimbja është më e shpeshtë dhe e padurueshme, duhet të paraqiteni tek mjeku për ndihmë mjekësore.

  • Çekuilibrim hormonal

Një simptomë e zakonshme e fillimit të menopauzës është ekzistenca e çekuilibrit hormonal që e cila mund të dallohet nga ndryshimet në rritjen e flokëve. Për shkak të reduktimit të prodhimit të estrogjenit gjithashtu mund të çojë në rradhimin apo humbjen e flokëve.

Simptomat vazomotorike, të zakonshme tek gratë në perimenopauzë dhe ato në menopauzë, shoqërohen me uljen e cilësisë së gjumit, vështirësi në përqendrim, nervozizëm, ulje të cilësisë së jetës, gjendje më të dobët shëndetësore dhe humbje të dendësisë së kockave.

Sindroma gjenitourinare e menopauzës, me ndryshime në fshikëz, vulvë dhe vaginë, ndodh pothuajse tek gjysma e grave në postmenopauzë. Simptomat përfshijnë thatësi të vaginës, djegie, acarim, thatësi, dyspareunia (dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale), urinim  të shpejtë dhe të shpeshtë, infeksione të përsëritura të traktit urinar. Kjo ndikon ndjeshëm në marrëdhëniet intime dhe cilësinë e jetës në përgjithësi.

Terapia me hormone në menopauzë siguron lehtësimin e simptomave vazomotorike (valët e nxehtësisë, djersitjet gjatë natës, gjumin e dobët, etj.), zvogëlon osteoporozën dhe rrezikun e frakturave, dhe shëron sindromën gjenitourinare të menopauzës.

Është tepër e rëndësishme dhe e dobishme për gratë që të informohen për atë që i pret saktësisht gjatë periudhës së menopauzës, si dhe opsionet e ndryshme në dispozicion të tyre në rast se kanë nevojë për ndihmë me qëllim për të përballuar më lehtë simptomat dhe pasojat e mundshme.

Fëmijët nuk janë imunë ndaj COVID-19

Cilat janë simptomat e para të COVID-19?

Infeksioni i ri i koronavirusit mund të shkaktojë, ndër të tjera, ethe, kollë dhe dhimbje të muskujve. Këto simptoma mund të shfaqen edhe nga infeksione të tjera virale që janë karakteristike për këtë periudhë vjeshte.

Ndaj çfarë duhet të tregoni kujdes

Një nga detyrat e prindërve, duke pasur parasysh fillimin e aktiviteteve në shkollë, është të matin temperaturën e fëmijëve të tyre në mëngjes para se t’i çojnë në shkollë / kopsht.

Kjo është shumë e rëndësishme sepse nëse ata kanë temperaturë mbi 37.5 ° C – fëmijët nuk duhet të hyjnë në klasë / kopsht por duhet të qëndrojnë në shtëpi. Në fakt, një nga shenjat e para alarmante është rritja e temperaturës, dhe nëse fëmija ka temperaturë mund të ketë edhe COVID-19.

Simptomat mund të shfaqen 2 deri në 14 ditë pas kontaktit me personin e infektuar. Ato mund të manifestohen me temperaturë më të lartë se 37.5 ° C ose të paktën me një nga simptomat e mëposhtme: kollë, temperaturë, dhimbje të muskujve, dhimbje koke, dhimbje fyti. Simptoma të tjera më pak të zakonshme janë simptomat gastrointestinale të tilla si: të përziera, të vjella ose diarre. Disa pacientë kanë humbje të shijes ose nuhatjes (fëmijët mund të mos jenë në gjendje ta komunikojnë këtë ndjenjë). Gjithësesi, temperatura mbi 37.5 ° C, e cila nuk bie pavarësisht përdorimit të antipiretikëve, është shenja e parë alarmante, e shoqëruar me kollë që zakonisht është e qëndrueshme dhe e thatë.

Simptomat më të hershme të koronavirusit të ri janë shumë të ngjashme me ato të gripit sezonal. Kolla, temperature dhe dhimbja e trupit janë të pranishme në të gjitha sëmundjet e shkaktuara nga viruse të ndryshme të frymëmarrjes. Ndër të tjera, gjatë sezonit të gripit, përhapja e infeksionit është shumë e zakonshme në shkollë / kopshët, veçanërisht tek ata më të vegjlit, pasi fëmijët ndajnë së bashku të njëjtin ambient për një kohë të gjatë.

Në përgjithësi, gripi shfaqet me rritje të papritur të temperaturës mbi 38° shoqëruar nga të paktën një simptomë (rraskapitje dhe lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve) dhe të paktën një simptomë respirative (kollë, dhimbje fyti dhe vështirësi në frymëmarrje). Në fakt, është e pamundur të dallosh simptomat e COVID-19 nga simptomat e gripit.

Mënyra e vetme për të marrë një diagnozë të caktuar të COVID-19 është kryerja e testit me anë të brisit.

Si të sillemi në rast të kontakteve të dyshimta

Nëse ekziston dyshimi se fëmija ka pasur kontakt të ngushtë me ndonjë rast të konfirmuar ose të mundshëm të COVID-19 në 14 ditët e mëparshme pas shfaqjes së simptomave të para, është e rëndësishme të qëndroni në shtëpi dhe sigurohuni që të kontaktoni me mjekun pediatër, i cili do të identifikojë simptomat dhe nëse është e nevojshme do të rekomandojë kryerjen e testit (bris nazofaringeal). Është tepër e rëndësishme të ndiqni rrjetin e kontakteve: shokët e klasës, mësuesit, cilindo me të cilin fëmija ka pasur kontakt.

Me rast të mundshëm nënkuptojmë:

  • person që jeton në të njëjtën shtëpi me një person tjetër të infektuar me COVID-19;
  • person i cili ka pasur kontakte të drejtpërdrejta fizike me person tjetër të infektuar me COVID-19
  • person i cili ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë të pambrojtur me sekrecione nga personi i infektuar me COVID-19
  • person i cili ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë (ballë për ballë) me person të infektuar me COVID-19, në një distancë prej më pak se 1-2 metra dhe zgjat më shumë se 15 minuta, pa maskë;
  • person i cili ka qenë në një ambient të mbyllur (për shembull, klasë, dhomë takimesh, dhomë pritje spitali) me person të infektuar me COVID-19 për të paktën 15 minuta, në një distancë prej më pak se 1-2 metra pa maskë

Çfarë duhet të bëjnë prindërit nëse fëmija është pozitiv?

Me fillimin e vitit shkollor dhe qëndrimin në shkollë / kopsht, fëmija mund të ketë një ketë rezultat pozitiv të testit ndaj koronavirusit të ri. Nëse kjo ndodh mos u frikësoni, e rëndësishme është të dini kohëzgjatjen dhe karakteristikat e sëmundjes COVID-19.

Kjo sëmundje tek fëmijët zakonisht zgjat për një kohë të shkurtër. Kjo buron nga përvojat e mëparshme me këtë infeksion si dhe nga fakti se tek shumë fëmijë infeksioni nuk ka shkaktuar asnjë simptomë (është asimptomatike), por edhe kur shkakton sëmundje, simptomat zakonisht janë të lehta ose të moderuara si ftohje, kollë dhe temperaturë. Nëse janë të pranishme, simptomat kanë tendencë të zhduken brenda një ose dy javësh: mesatarisht, kohëzgjatja e sëmundjes është katër ose pesë ditë.

Sidoqoftë, shumë shpesh simptomat nënvlerësohen dhe kjo çon në vonesë të diagnozës. Me siguri, me fillimin e shkollës, fëmijët do të kenë episode të temperaturës dhe kollës: do të jetë e vështirë të thuhet menjëherë nëse bëhet fjalë për COVID-19 apo ndonjë infeksion tjetër sezonal.

Është tepër e rëndësishme që prindërit të kontaktojnë me mjekun pediatër, i cili do të identifikojë simptomat dhe në varësi të ashpërsisë së tyre, do të kryejë shqyrtimet e nevojshme, veçanërisht bris nazofaringeal. Në spitalin tonë kemi teste për të zbuluar infeksionet më të zakonshme virale në këtë sezon, përfshirë koronavirusin. Nëse fëmija diagnostikohet me COVID-19, duhet të ndiqen konaktet kontaktet e mëparshme për të ndërprerë transmetimin. Pasi fëmija të ekzaminohet dhe të bëhet testi me anë të brisit, mjeku do të vlerësojë nëse është i nevojshëm shtrimi në spital apo fëmija mund të monitorohet në shtëpi përmes një platforme të veçantë për monitorimin e pacientit me infeksion COVID-19 që disponon spitali ynë. Nëse fëmija mund të qëndrojë në shtëpi, duhen të qëndrojë në izolim për 14 ditë me qëllim që të mund të kthehet i sigurt në shkollë pa simptoma dhe me rezultate negative të marra nga kryerja e testit.

Sa kohë duhet që gjendja e fëmijës të përmirësohet?

Shërimi klinik tek fëmijët është shumë i shpejtë, me përjashtim të rasteve të rralla. Sidoqoftë, duhet më shumë kohë që trupi i fëmijës të çlirohet nga virusin. Në disa raste, virusi shkakton përgjigje imune të shpejtë që i lejon fëmijët të çlirohen shpejtë nga virusi. Në disa raste të tjera, sistemi imunitar nuk është në gjendje ta njohë shpejt virusin dhe përgjigja imune nuk është aq efikase dhe e shpejtë, për këtë arsye virusi tenton të qëndrojë në trup për një kohë të gjatë.

Çfarë nëse fëmijët janë positive ndaj koronavirusit të ri por janë asimptomatik?

Ekziston mundësia që fëmijët (por edhe të rriturit) të jenë asimptomatikë, pra të infektuar me virus, por pa ndonjë simptomë, dhe kështu mund të transmetojnë sëmundjen tek të tjerët. Situata bëhet e komplikuar për shkollat ​​/ kopshtet, vendi ku fëmijët dhe të rinjtë duhet të qëndrojnë ulur për disa orë në ambiente të mbyllura. Të pasurit një burim potencial të infeksionit në klasë dhe pamundësia për ta identifikuar, rrezikon që të gjithë nxënësit të infektohen, megjithatë, këto janë raste të rralla, por nuk duhet të neglizhohen.

Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur veten?

Aktualisht është e pamundur që të diagnostikohen si fëmijët ashtu edhe të rriturit të cilët janë asimptomatikë, diagnostikimi i tyre mund të bëhet vetëm me anë të përsëritjes së brisit nazofaringeal.

Prandaj është e nevojshme të përpiqemi të kufizojmë infeksionin tek fëmijët dhe në të njëjtën kohë t’i lejojmë ata të kthehen në shkollë dhe ti rikthehen mënyrës së zakonshme të jetës dhe lojërave të fëmijëve duke i mbrojtur ata sa më shumë të jetë e mundur dhe duke respektuar masat e rekomanduara të mbrojtjes – mbajtjen e distancës, mbajtjen e higjienës së duarve, dhe mbajtjen e maskave ​në vendet e rekomanduara.

Prim. Dr. Blagica Mançeva
Specialiste pediatre