Të Mërkurën, 26 maj, në ambientet e Spitalit klinik Zhan Mitrev u mbajt një prezantim edukativ i produkteve nga firmat Ortomol dhe Institut të destinuara për të gjithë farmacistët për produktet me shumicë. Përkatësisht, u prezantuan preparatet e vitaminave ortomolekulare me diapazon të gjerë të produkteve Orthomol: Imun – i destinuar për përmirësimin e imunitetit, Junior Plus C për fëmijë, Osteo, Cardio dhe Beauty, e cila është një formulë e veçantë për shëndetin e lëkurës, flokëve dhe thonjve. Gjithashtu u prezantua linja e kozmetikës mjekësore nga firma Institut, dmth pomada mbrojtëse Filagrin Protect, e cila me formulën e saj inovative siguron hidratim efektiv dhe mbrojtje të lëkurës së thatë dhe të dëmtuar, rekomandohet për ratet e dermatitit atopik.
Në kuadër të këtij eventi, u prezantuan disa vajra farash të virgjër 100%. Vaj liri, I përgatitur nga farat e kungullit, vaj bajamesh të ëmbla, si dhe vajra kozmetikë chia dhe trëndafil i egër. Falë preyantimit nga Nikolina Misheva, Bojana Filipovska dhe Marina Relushkoska, të gjithë të pranishmit u njohën me përfitimet e mundshme për përmirësimin e shëndetit nga përdorimi i këtyre produkteve. Këto produkte janë në dispozicion në të gjitha farmacitë e furnizuara më mirë, si dhe në farmacinë tonë spitalore Fila 02/31094926 ose në https://aptekafila.mk/
Pothuajse gjysmë shekulli më parë është vërtetuar se pirja e duhanit është e dëmshme, por vetëm 25 vjet më parë filluan paralajmërimet për rrezikun e pirjes pasive të duhanit, pra rrezikun ndaj të cilit ekspozohen jo-duhanpirësit që ndodhen në të njëjtin ambient apo hapësirë me duhanpirësit.
Tymi i cigares përmban më shumë se 4,000 kimikate të njohura (kadmium, plutonium, DDT, arsenik dhe shumë të tjerë), nga të cilat të paktën 250 janë të dëmshme dhe rreth 50 janë kancerogjene. Në ambiente të mbyllura, të gjithë jemi të ekspozuar ndaj tymit të duhanit dhe pasojave të tij të dëmshme mbi shëndetin, veçanërisht për shëndetin e fëmijëve.
Kur konsumohet duhan në ambiente të mbyllura, substancat e tymit të duhanit mbahen për orë të tëra apo edhe ditë ose javë. Ventilimi me dyer dhe dritare të hapura nuk është i mjaftueshëm. Për ta eliminuar atë është e nevojshme fuqia e uraganit, kjo do të thotë se as pajisjet e a ajrit nuk funksionojnë mjaftueshëm. Gjatë ajrimit, tymi dhe aroma zhduken, por substancat mbeten të ngjitura në perde, mobilje, qilima, rroba dhe flokë.
Shumë persona konsumojnë duhan gjatë momentit kur fëmijët e tyre nuk janë në shtëpi, duke menduar se në këtë mënyrë janë duke i mbrojtuar ata, por është e rëndësishme të dini se rreziku është i pranishëm. Alternativa e vetme është pirja e duhanit jashtë ose në ambiente të hapura, jo brenda. Pasi të keni vendosur të konsumoni duhan, dilni në oborr, në tarracë ose ballkon, sepse dihet që për shembull pirja e duhanit në kuzhinë me kapuç ose në tualet nuk i mbron fëmijët dhe të tjerët nga ndikimet e dëmshme.
Pirja pasive e duhanit shkakton sëmundje serioze kardiovaskulare dhe respiratore, duke përfshirë sëmundjen koronare të zemrës, kancerin e mushkërive dhe sindromën e vdekjes së papritur të foshnjave. Efektet e menjëhershme përfshijnë irritim të syve, hundës, fytit dhe mushkërive. Gjithashtu dhimbje koke, nauze dhe marramendje.
Prandaj, mendohuni mirë nëse akoma dëshironi të vendosni veten dhe të dashurit tuaj në rrezik.
Maji është muaji në të cilin në të gjithë botën organizohen aktivitete në lidhje me parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të melanomës, pra kancerit të lëkurës. Këtë vit, Fushata Evropiane për Zbulimin e Hershëm të Kancerit të Lëkurës po zhvillohet nën moton “E kaluara juaj përcakton të ardhmen tuaj”. Çdokush mund të preket nga kjo sëmundje, por lajmi i mirë është se nëse zbulohet në kohë është plotësisht i shërueshëm.
Për të mbështetur dhe rritur ndërgjegjësimin në lidhje me zbulimin e hershëm të melanomës, Spitali klinik Zhan Mitrev së bashku me departamentin e dermatologjisë në klinikën tonë do të marrin pjesë aktive në këtë fushatë duke ofruar 50 ekzaminime dermoskopike falas të nishaneve. Ky aktivitet një ditor do të zhvillohet me datë 27.05. 2021 nga ora 09:00 deri në orën 17:00 në ambientet e spitalit. Ekzaminimet do të kryhen nga Dr. Aleksandra Llazarevska dhe Dr. Anxhellka Ilieva. Ftojmë të gjithë të interesuarit të bëjnë rezervimin e tyre në numrin e telefonit 02 / 3091-484.
Kolesteroli është një nga llojet e yndyrnave lipide që janë të nevojshme për funksionimin normal të trupit, më konkretisht marrin pjesë në proceset e prodhimit të hormoneve dhe membranave qelizore.
Kur kolesteroli përbën problem?
Kolesteroli përbën problem nga momenti kur aktivizimi i informacionit gjenetik, ndryshon kontrollin e prodhimit të tij, duke shkaktuar apo mundësuar akumulimin e tij në trup. Gjithashtu, niveli i kolesterolit në gjak mund të rritet për shkak të kushteve të ndryshme të tilla si:
marrja e vazhdueshme dhe e tepërt e ushqimeve që përmbajnë yndyrë,
mbipesha,
jeta sedentare (duke kaluar ulur pjesën më të madhe të kohës),
diabeti, por edhe si rezultat i veprimit të barnave të caktuara.
Cilat janë pasojat e kolesterolit?
Kolesteroli dëmton kryesisht qarkullimin e gjakut. Kur kemi nivele shumë të larta të kolesterolit, ai akumulohet në muret e arterieve (enëve të gjakut) duke formuar pllaka ateroskleroze. Ato mund të rriten dhe të bllokojnë qarkullimin, duke dëmtuar organe të tilla si truri, zemra, veshkat ose këmbët.
Kolesteroli i keq (LDL)
Kolesteroli i keq (i quajtur LDL) është ai që grumbullohet në muret e arterieve. Pra, rëndësia e vlerës së LDL është thelbësore në krahasim me kolesterolin total dhe kolesterolin e mirë si rezultat i këtij mekanizmi të drejtpërdrejtë të dëmtimit. Masat e trajtimit të kolesterolit kryhen sipas vlerave të matura të kolesterolit LDL.
Cilët janë personat që bëjnë pjesë në grupin e rrezikut
Grupi i rrezikut përfshin personat me histori të vdekjes së papritur në familje (për burrat deri në 55 vjet dhe gratë deri në 60 vjet). Vdekja në moshë të hershme paralajmëron mundësinë e pranisë së kolesterolit të lartë LDL, pasi vdekja e papritur vjen nga predispozicioni që ka burri ose gruaja të pësojë sulm në zemër për shkak të niveleve të larta të kolesterolit të cilat nuk zbulohen me kohë. Një grup tjetër rreziku me predispozicion për ekzistencën e mundshme të kolesterolit të lartë (LDL) janë personat mbipeshë, diabetikë, duhanpirës dhe ata që kalojnë vazhdimisht kohë të gjatë ulur.
Si zbulohet hiperkolesterolemia familjare?
Në rast të hiperkolesterolemisë familjare të dyshuar, kolesteroli LDL duhet të kontrollohet / përcaktohet edhe tek personat më të rinj. Në moshë të hershme, kolesteroli manifestohet me njolla në lëkurë (ndryshime në pigmentim), ndryshime në shikim ose depozita yndyrore në lëkurë.
Simptomat
Nivelet e larta të kolesterolit LDL nuk shfaqin simptoma për një kohë të gjatë. Shumë persona mendojnë se kolesteroli është vetëm një pjesë e parametrave laboratorikë por nuk mendojnë se kolesteroli është i rrezikshëm. Fatkeqësisht, përjetimi i simptomave apo problemeve të kolesterolit, mund të ndodhë kur të jetë tepër vonë: pllaka aterosklerotike bllokon arterien në tru duke shkaktuar goditje në tru ose ngushtimin e arteries së zemrës, duke shkaktuar infarkt të miokardit. Ka nga ata apacientë të cilët edhe pse janë të vetëdijshëm për praninë e kolesterolit, përsëri vendosin të ndërpresin marrjen e ilaçeve Mungesa e marrjes së terapisë (statinave), dmth mos-përdorimi i tyre është një problem i madh. Nëse gjendja nuk përmirësohet pas terapisë, duhet të konsultoheni me mjekun për të ndryshuar dozën ose për të ndryshuar ilaçin.
Infarkti në zemër
Është e rëndësishme të theksohet se ndërmjet 40% dhe 60% e sulmeve në zemër shkaktojnë vdekje jashtë ambienteve të spitalit, por edhe personat të cilët i mbijetojnë atakut, mbeten me pasoja të pakthyeshme sepse problemet me zemrën vazhdojnë. Dhimbja në gjoks, paralizimi i krahëve ose këmbëve janë simptoma të kolesterolit të lartë, megjithatë, ato shfaqen kur është tepër vonë. Pasojat e sulmit /atakut në zemër mund të ndikojnë në jetën e pacientëve, pozicionin e tyre të punës, familjen dhe jetën shoqërore. Për këtë arsye, është e rëndësishme të theksohet rëndësia e normalizimit të nivelit të kolesterolit në mënyrë që ky armik i heshtur të mos çojë në pasoja fatale.
Trajtimi
Trajtimi konsiston në ushqimin e shëndetshëm me pak yndyrë, stërvitje dhe përdorimin e barnave të quajtura statina (të cilat merren si ilaçe me recetë). Zbatimi i të gjitha këtyre hapave ndihmon në trajtimin edhe të rasteve më të rënda të shkaktuara nga kolesteroli. Mos të harrojmë faktin se trajtimi duhet të jetë në kohë, sepse këto barna korrigjojnë vlerat e kolesterolit, por nuk mund ta kurojnë atë.
Sipas të dhënave nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) vlerësohet se rreth 100 milion njerëz në të gjithë botën vuajnë nga psoriaza.
Përse është kaq e përhapur kjo sëmundje e lëkurës?
Është e thjeshtë, kjo ndodh për shkak të faktorëve të shumtë që e shkaktojnë atë, e kombinuar me përqindjen e ulët të personave që këshillohen rregullisht me specialist dermatolog, duke e lënë sëmundjen e tyre pa diagnozë dhe pa trajtim. Psoriaza është në një sëmundje kronike e lëkurës, origjina e së cilës mund të ketë lidhje me faktorë gjenetikë ose autoimunë. Faktorë të tjerë që mund të shkaktojnë sëmundjen e psoriazës janë: stresi, trauma, infeksionet bakteriale, ilaçet, kushtet klimatike ekstreme, alkoolizmi, pirja e duhanit dhe mbipesha.
Psoriaza karakterizohet nga rritje e pakontrolluar e qelizave në shtresat e fundit të lëkurës, duke i rritur ato shumë shpejt në 3-4 ditë kundrejt rritjes normale në 28 ditë. Kështu, grumbullohen shtresa me luspa në lëkurë. Gjithashtu gjeneron njolla të kuqe, kruajtje dhe në disa raste edhe dhimbje.
Meqenëse psoriaza është një sëmundje e lëkurës që mund të zbulohet dhe trajtohet shpejt, konsultimi i hershëm me mjekun specialist dermatolog është thelbësor për të kontrolluar praninë e kësaj sëmundje dhe për ta parandaluar atë të shndërrohet në një sëmundje kronike.
Mund të zhvillohet në çdo moshë dhe prek burrat dhe gratë njësoj, veçanërisht ata që vuajnë nga sindroma të caktuara metabolike si diabeti, hipertensioni dhe kolesteroli i lartë. Dermatologët shpjegojnë se stresi është një nga faktorët në jetën moderne që ka ndikimin më të madh në rritjen e rasteve të psoriazës, prandaj ata rekomandojnë për ata që vuajnë nga kjo sëmundje “të jenë të qetë”. Për shkak se stresi dekompenson shumicën e pacientëve, trajtimi duhet të shoqërohet me teknika relaksimi të tilla si meditimi, joga dhe mbajtja e duhur e hidratimit të lëkurës.
9 llojet më të zakonshme të psoriazës
Është e rëndësishme të dini se ekzistojnë disa lloje të psoriazës, të cilat klasifikohen sipas simptomave dhe zonave në të cilat zhvillohet.
Psoriaza vulgare (pllaka): është më e zakonshmja, karakterizohet nga shfaqja e pllakave të mëdha të përcaktuara mirë në lëkurë, në zonën e gjunjëve, bërrylave dhe zona të tjera të trupit.
Psoriaza e kokës: është e pranishme tek 70% e pacientëve që vuajnë nga psoriaza, njihet nga shfaqja e pllakave në lëkurën e kokës, një simptomë që shpesh ngatërrohet me zbokthin. Zakonisht shfaqet në skajet e flokëve dhe afër veshëve.
Psoriaza gutata: karakterizohet nga shfaqja e pikave, përgjithësisht në zonën e duarve dhe këmbëve. Në disa raste, pamja e saj ngjan me infeksionin streptokoksik të bajameve.
Psoriaza e thonjve: prek kryesisht duart dhe thonjtë, mund të dallohet nga shfaqja e njollave të kuqe me luspa të vogla në lëkurë. Ky lloj i psoriazës mund të çojë në qërimin/rrjepjen e thonjve.
Psoriaza inverse (e anasjelltë): zakonisht ndodh në zona të palosjeve të lëkurës të tilla si qafa, pjesa e pasme e gjunjëve dhe pjesa e brendshme e krahut.
Psoriaza palmoplantare: ky lloj i psoriazës zakonisht zhvillohet në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve, duke gjeneruar njolla të verdha qelbi që shpërthejnë vazhdimisht, duke formuar çarje dhe duke shkaktuar dhimbje.
Psoriaza pustulare: ky lloj i psoriazës është i rrallë, karakterizohet nga shfaqja e njollave të kuqe në këmbë dhe majat e gishtave, duke formuar flluska.
Psoriaza eritrodermike: është lloji më pak i zakonshëm i psoriazës sepse prek të gjithë trupin, duke shkaktuar skuqje, ethe dhe ndarje / çarje të lëkurës, duke shkaktuar kruajtje dhe djegie të forta. Në disa raste më të rënda, pacienti duhet të shtrohet në spital.
Artropatia psoriatike: artriti psoriatik shkakton ënjtje të lëkurës dhe dhimbje të kyçeve.
Në disa raste, ky lloj i psoriazës shkakton vetëm qërimin/rrjepjen e thonjve, një simptomë që duhet të ndiqet nga mjeku specialist, sepse shoqërimi i artritit për një kohë të gjatë mund të shkaktojë mpirje, dëmtim ose deformim të nyjeve.
Si trajtohet psoriaza?
Që trajtimi i psoriazës të jetë efektiv dhe të zgjasë më tepër, mjekët dermatologë rekomandojnë: të zvogëlohet stresi, sepse është faktori kryesor i shkakut të kësaj sëmundje. Kohëzgjatja e trajtimit është shumë e ndryshueshme, dhe ndonjëherë bëhet kronike, në varësi të pacientit.
Ndër opsionet e trajtimit të psoriazës janë: Trajtimi lokal, me kortikosteroide lokale për 10 ditë, aplikimi i shumë kremrave hidratues dhe kremrave të tjerë imunomodulues, me vitaminën D. aplikimi i rrezeve artificiale UV. Medikamente orale imunomoduluese. Medikamentet biologjike për injeksione, është trajtimi më aktual, shumë efektiv, por gjithashtu ka kosto të lartë.
Melanoma është një tumor malinj me origjinë nga melanocitet, qelizat përgjegjëse për prodhimin e pigmentit melaninë, e cila luan rolin e mbrojtjes së lëkurës me anë të thithjes së rrezeve UV të diellit. Në dekadat e fundit, melanoma malinje është rritur me incidencë në të gjithë botën dhe është një nga kanceret më të zakonshëm. Zakonisht ndodh për shkak të ekspozimit të pakontrolluar ose të pasigurt ndaj rrezatimit UV që depërton dhe shkakton ndryshime në lëkurë me kalimin e kohës.
Ekzistojnë disa lloje të melanomës malinje, ndër të cilat përhapja sipërfaqësore është një nga më të zakonshmet që tashmë dihet se ka evoluar gjatë 1-2 viteve. Kjo sigurisht nuk duhet lënë pas dore sepse kontrolli mjekësor mundëson zbulimin e melanomës në fazat e hershme të sëmundjes për të cilën mbijetesa konsiderohet të jetë deri në 98%, dmth pacienti konsiderohet i kuruar.
Cilët janë faktorët e rrezikut për zhvillimin e melanomës?
Melanoma ndodh si pasojë e një grup faktorësh të brendshëm (gjenetikë) dhe të jashtëm të mjedisit. Faktorët më të rëndësishëm të rrezikut janë historia familjare e melanomës, nësë ndonjë anëtar i ngushtë i familjes ka pasur melanomë, nishane të shumta melanocitare (më shumë se 50), nishan gjigand kongjenital (i lindur), lloji i lëkurës (lëkurë e bardhë që digjet lehtë në diell dhe asnjëherë nuk errësohet), sy me ngjyrë të çelët, flokë të kuq si dhe rrezet UV si një faktor i jashtëm. Në fakt, faktori më i madh i rrezikut për shfaqjen e melanomës është djegia e lëkurës nga rrezet e diellit gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës.
Ne nuk mund të ndikojmë në faktorët gjenetikë që janë një tipar i çdo personi, përveç faktit që mund ti përcaktojmë ata si persona me një rrezik më të lartë të zhvillimit të melanomës. Ndryshe nga këta persona, në rastet e faktorëve të rrezikshëm nga mjedisi i jashtëm mund të ndikohet shumë dhe të reagohet në kohë!
Çfarë mund të bëjmë për parandalimin e melanomës?
Rekomandohet përdorimi i preparateve madje faktor të lartë mbrojtës nga rrezet UVA dhe UVB, dhe për rastet kur kemi të bëjmë me lëkurë më të ndjeshme nevojitet mbrojtje të tjera shtesi siç është veshja e përshtatshme me mëngë të gjata, kapele, çadër dhe syze. Duhet të jeni të kujdesshëm ndaj çdo ekspozimi të rrezeve të diellit nga fillimi i pranverës deri në vjeshtë, jo vetëm gjatë pushimeve.
E rëndësishme është edhe metoda e aplikimit të preparateve të kremrave me faktor mbrojtës ndaj rrezeve të diellit që aplikohen 20-30 minuta para ekspozimit në diell dhe kjo procedurë përsëritet çdo 2-3 orë. Gjëja më e rëndësishme është të shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell në periudhën ndërmjet orës 11-16.
Përveç mbrojtjes nga dielli, si dhe shmangies së shtretërve në plazh për marrjen e rrezeve të diellit, është e rëndësishme të veproni në edukimin shëndetësor për vetëkontroll dhe zbulimin e shenjave të caktuara kur duhet të paraqiteni për kontroll tek mjeku dermatolog.
Si ta dallojmë melanomën
Melanoma është një lloj tumori që mund të parandalohet shumë lehtë për faktin se lëkura është një organ lehtësisht i arritshëm për tu kontrolluar. Maji është muaji për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e vetë-ekzaminimeve dhe për të zbuluar çdo ndryshim të nishaneve ekzistuese ose ndryshime të reja të pigmentit që kanë të bëjnë me ndryshimin e ngjyrës, madhësisë, formës, ndryshimin e zonës përreth nishaneve dhe çdo ndjesi subjektive si kruarje, dhimbje, gjakderdhje, etj.
Të gjithë duhet të jenë të njohur me sistemin e vlerësimit të ndryshimit të lëkurës ABCDE:
Vetëkontrolli duhet të kryhet një herë në muaj, ju mund ta kryeni atë vetë ose me ndihmën e një anëtari të familjes tuaj. Qëndroni para një pasqyre dhe shikoni me kujdes çdo ndryshim të shfaqur në lëkurë në të gjithë trupin tuaj, duke përfshirë edhe lëkurën e këmbëve poshtë dhe thonjve. Për pjesën e pasme të trupit, është më mirë që t’ju ndihmjë një anëtar të familjes, gjithmonë duke pasur parasysh rregullin ABCDE.
Nëse vëreni ndonjë nga këto shenja, duhet të kërkoni nga dermatologu juaj kryerjen e kontrollit të hollësishëm me ndihmën e instrumentit dermoskopik, që është një mjet me të cilin mund të bëhet diagnoza e shpejtë pa ndonjë shqetësim për pacientin.
Dr. Aleksandra Lazarevska Specialiste dermatovenerologe
Infermierët janë kontakti i parë me pacientin, ndihma dhe ngushëllimi i parë, janë ata të cilët të parët i zgjasin dorën pacientit dhe kujdesen për shëndetin e tyre.
Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve, çdo vit me datë 12 maj, feston Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve për t’u dhënë atyre njohjen e duhur dhe për të theksuar përfshirjen e tyre në procesin e trajtimit të pacientëve.
Kjo datë është zgjedhur në mënyrë simbolike sepse shënon ditëlindjen e pionieres së këtij profesioni, infermieres së njohur Florence Nightingale e cila ka hapur shkollën e parë të infermierisë duke e vendosur këtë profesion si një nga hallkat kryesore në mjekësi. Ajo ka lindur në Angli në vitin 1820 dhe është themeluese e këtij profesioni.
I UROJMË TË GJITHË INFERMIEREVE GËZUAR DITËN NDËRKOMBËTARE TË INFERMIEREVE!
Pneumonia është një infeksion që ndez mushkëritë dhe mund të prekë njërën ose të dy anët. Ato mund të mbushen me lëng ose material purulent, duke shkaktuar kollitje të mukusit, ethe, temperaturë dhe probleme me frymëmarrjen. Mikroorganizma të ndryshme, të tilla si bakteret, viruset dhe kërpudhat, mund të shkaktojnë pneumoni.
Pneumonia mund të jetë e lehtë ose e rëndë dhe madje e rrezikshme për jetën. Foshnjat, fëmijët e vegjël, personat mbi 65 vjeç dhe ata me probleme të tjera shoqëruese shëndetësore ose me sistem imunitar të dobësuar janë më të prekur dhe e kanë më të vështirë përballjen me këtë sëmundje.
Simptomat
Simptomat e pneumonisë varen nga një numër faktorësh, duke përfshirë llojin e mikrobeve që kanë shkaktuar infeksionin, moshën dhe shëndetin e përgjithshëm. Shenjat dhe simptomat fillestare janë zakonisht të ngjashme me ftohjen ose gripin e zakonshëm, por zgjasin më shumë.
Pneumonia mund të manifestohet nga:
• Dhimbje gjoksi kur merrni frymë ose kolliteni • Çorientimi ose ndryshimet në perceptimin mendor (tek të rriturit mbi 65 vjeç) • Kollë që mund të prodhojë gëlbazë / sekrecion • Lodhje • Temperaturë, ethe dhe djersitje • Ulje të temperaturës normale të trupit (tek të rriturit mbi 65 vjeç dhe tek personat me sistem të dobët imunitar) • Të përziera, të vjella ose diarre • Vështirësi në frymëmarrje
Bebet dhe foshnjat e porsalindura ndonjëherë mund të mos tregojnë shenja të infeksionit, megjithatë ndonjëherë mund të manifestohen me të vjella, ethe dhe kollë, shqetësim ose lodhje, mungesë energjie ose vështirësi në ushqim dhe frymëmarrje.
Kur duhet të paraqiteni tek mjeku
Paraqituni tek mjeku juaj nëse keni gulçim, dhimbje gjoksi, temperaturë të vazhdueshme 39ºC (ose më të lartë) dhe kollë të vazhdueshme, veçanërisht nëse është e shoqëruar me sekrecion. Është shumë e rëndësishme që personat të cilët i përkasin grupeve të mëposhtme të rrezikut të konsultohen me mjekun e tyre:
• Të rriturit mbi 65 vjeç • Fëmijët nën moshën 2 vjeç me shenja dhe simptoma • Personat me probleme shëndetësore të padiagnostikuara ose me sistem imunitar të dobësuar • Personat që marrin kimioterapi ose marrin ilaçe imunosupresive
Tek disa persona të moshuar dhe tek personat me dështim të zemrës ose probleme kronike të mushkërive, pneumonia mund të përparojë shpejt duke u shndërruar në një gjendje të rrezikshme për jetën.
Faktorët e rrezikut
Pneumonia mund të prekë këdo. Por dy grupmoshat që janë më të rrezikuara janë:
Fëmijët 2 vjeç ose më të vegjël
Personat 65 vjeç ose më të vjetër
Faktorë të tjerë rreziku janë:
• Sëmundjet kronike – Ju keni më shumë të ngjarë të prekeni nga pneumonia nëse keni astmë, sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD) ose sëmundje të zemrës. • Pirja e duhanit – Pirja e duhanit dëmton mbrojtjen natyrale të trupit tuaj kundër baktereve dhe viruseve që shkaktojnë pneumoni. • Sistemi i dobët imunitar – Personat me HIV / AIDS, personat që kanë bërë transplantim të organeve, ose që marrin kimioterapi afatgjatë ose steroide janë në rrezik.
Komplikimet
Pavarësisht nga trajtimi, tek disa persona, veçanërisht tek ata të cilët bëjnë pjesë në grupin e personave me rrezik të lartë, mund të shfaqen komplikimet e mëposhtme:
• Baktere në qarkullimin e gjakut • Vështirësi në frymëmarrje • Grumbullim i lëngjeve rreth mushkërive • Absces i mushkërive
Disa këshilla për të ndihmuar në parandalimin e pneumonisë:
• Vaksinimi – ekzistojnë vaksina për të parandaluar disa lloje të pneumonisë dhe gripit. Flisni me mjekun tuaj në lidhje me këto vaksina. • Mbajtja e higjenës së duhur – për të mbrojtur veten nga infeksionet e frymëmarrjes që shpesh çojnë në pneumoni, lani duart rregullisht ose përdorni lëndë pastruese të duarve me bazë alkooli. • Heqja dorë nga pirja e duhanit – pirja e duhanit dëmton mbrojtjen natyrale që mbron mushkëritë nga infeksionet e frymëmarrjes. • Mbajtja e fortë e sistemit imunitar – flini mjaftueshëm, merruni me ushtrime ose aktivitet të rregullt fizik dhe konsumoni ushqim të shëndetshëm.