Ka sëmundje që priren të shfaqen pothuajse pa simptoma dhe për këtë arsye rrallë diagnostikohen në kohë. Por pavarësisht kësaj, përsëri është e mundur që të parandalohen.
Ja se si të kujdeseni për pesë sëmundjet më të zakonshme që zhvillohen pa simptomatologji:
1. Diabeti tip II
Diabeti i tipit II është një sëmundje kronike në të cilën trupi zhvillon rezistencë ndaj insulinës dhe, si pasojë, rrit nivelin e sheqerit në gjak. Me kalimin e kohës, ky nivel i ngritur i sheqerit në gjak mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore që më pas mund të prekin organet vitale siç janë veshkat.
Ka shumë njerëz që nuk e dinë se kanë diabet të tipit II, sepse mungesa e simptomave mund të zgjasë për shumë vite.
Për ata persona me faktorë rreziku si historia familjare e diabetit, mbipesha dhe/ose presioni i lartë i gjakut, është e rëndësishme të bëjnë një mënyrë jetese të shëndetshme dhe të bëjnë analiza të rregullta për të zbuluar sëmundjen në kohë.
2. Presioni i lartë i gjakut
Presioni i gjakut ka të bëj me presionin që ushtron gjaku mbi arteriet që pompon zemra, dhe arteriet e bartin gjakun në organe të ndryshme të trupit. Presioni i lartë i gjakut ose hipertensioni është një çrregullim i zakonshëm në të cilin nivelet e presionit të gjakut janë vazhdimisht në rritje.
Për të parandaluar hipertensionin, është e rëndësishme t’i përmbaheni një stili jetese të shëndetshme e cila përfshin: mos pirjen e duhanit, kontrollin e peshës normale të trupit, reduktimin e konsumit të alkoolit, ushtrimet fizike dhe një dietë e shëndetshme për zemrën, siç është zvogëlimi ose mungesa e konsumit të kripës.
3. Apnea e gjumit
Është një çrregullim që ndërpret frymëmarrjen gjatë gjumit. Personat që janë më të rrezikuar nga apnea e gjumit janë zakonisht burrat, të gjithë personat me mbipeshë trupore, personat me histori familjare të apnesë ose pacientë me rrugë të ngushta të frymëmarrjes.
Kur gjumi ndërpritet gjatë natës, ekziston rreziku për të qenë të përgjumur gjatë ditës. Prandaj, ka më shumë gjasa që tek këta persona të pësojnë aksident automobilistik, aksident në punë ose ndonjë problem tjetër shëndetësor.
Diagnoza bazohet në rishikimin e historisë suaj mjekësore dhe familjare, në ekzaminimin fizik dhe në rezultatet e ekzaminimit me anë të aparatit polisomnografik ti cili mbahet në trup para gjumit dhe bën matjen e mungesës apo ndërprerjes së frymëmarrjes.
4. Kanceri i mushkërive
Kanceri i mushkërive në përgjithësi nuk shfaq asnjë shenjë apo simptomë derisa sëmundja të avancohet. Vetëm herë pas here në fazat e hershme mund të shfaqen simptoma të zakonshme si kolla, dhimbje gjoksi dhe kockash, ose lodhje dhe dobësi.
Pirja e duhanit është e pranishme si faktor në shumicën e rasteve, por në shumë raste shfaqet edhe tek personat joduhanpirës.
Nuk ka një formulë të saktë për parandalimin e kësaj sëmundjeje, megjithëse është e mundur të zvogëlohet rreziku duke shmangur konsumimin e duhanit, duke ushtruar dhe duke pasur një dietë të shëndetshme. Kontrollet periodike shëndetësore mund të zbulojnë fillimin e hershëm të kancerit të mushkërive.
5. Glaukoma
Glaukoma është shkaku numër një i verbërisë në botë. Është një sëmundje degjenerative që vjen si pasojë e rritjes së presionit intraokular, e cila ngadalë dhe në mënyrë progresive prek fijet e nervit optik.
Nëse nuk zbulohet në kohë, glaukoma shkakton humbje të pakthyeshme të shikimit.
Duke qenë se nuk ka simptoma në fazat e hershme, është e nevojshme që të bëhen kontrolle të rregullta të syve që do të kontribuojnë në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje.
Mënyra më e mirë për të parandaluar këtë çrregullim është praktikimi i zakoneve të shëndetshme të jetesës që përfshijnë ushtrime të rregullta dhe një dietë të ekuilibruar.
Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se është e nevojshme të bëhen kontrolle të rregullta dhe të kujdesemi për mënyrën e jetesës.