Klinika Zhan Mitrev me investime të reja në një sistem shëndetësor të lartë me të gjitha shërbimet në një vend

Me investime të reja në pajisje moderne, hapje të departamenteve të reja dhe bashkëpunime të reja me mbi 30 mjekë, Klinika Zhan Mitrev është shembull i një sistemi unik shëndetësor i këtij lloji në rajon. Gjatë vitit të fundit janë investuar 5 milionë euro shtesë në pajisje moderne për departamentet ekzistuese dhe ato të reja në Klinikë, janë punësuar mjekë specialistë nga sektori publik dhe privat dhe mjekë të cilët janë kthyer nga jashtë vendit, të cilët tashmë janë pjesë e ekipit të Klinikës.

“Jam krenar që sot kemi një klinikë të rrallë në rajon, me dixhitalizim të plotë, pajisje të reja teknologjikisht të avancuara dhe një ekip mjekësh të përkushtuar në punën e tyre dhe ekspertë në fushën e tyre të punës. Gjatë muajve të fundit kemi lidhur marrëveshje bashkëpunimi me mbi 30 mjekë, specialistë më të mirë nga të fushat dhe kemi arritur që Klinikën ta vendosim në hartën e rajonit si një spital i nivelit të lartë ku të gjitha shërbimet ofrohen në një vend”, u shpreh Dr. Zhan Mitrev, duke prezantuar sot bashkëpunëtorët e tij dhe departamentet e reja që janë të hapura brenda spitalit.
Ai theksoi se dyert e Klinikës janë të hapura për të gjithë mjekët që dëshirojnë të jenë pjesë e saj dhe se “i gjithë procesi është në interes të pacientëve, të cilët do të kenë shërbime më të mira, me rritje të standardeve ashtu siç duhet të duket një Klinikë në Maqedoni, duke shfrytëzuar në të njëjtën kohë kapacitetin e plotë të spitalit. Në vendin tonë po mbeten gjithnjë dhe me pak mjekë të lartë, e vetmja mënyrë është që të bashkohemi dhe bashkërisht të ofrojmë një shërbim të lartë mjekësor”, shprehet Mitrev.
Klinika ka investuar në një sistem monitorimi tërësisht të avancuar teknologjikisht, aparat të ri koronarografik si dhe një mikroskop të lartë për kryerjen e operacioneve në fushën e neurokirurgjisë. Është hapur qendra e re STROKE për infarkt në tru dhe gjendje të tjera, qendra oftalmologjike/okulistike në bashkëpunim me “Promedika Oftalmologija” dhe është siguruar aparati i ri torakoskopik me video 3D për për kancerin e mushkërive.
Qendra Stomatologjike e sapohapur është moderne, me një ambient të përkryer dhe me disponueshmëri 24 orëshe ku puna kryhet pa dhimbje, pra me anestezi të plotë për fëmijë dhe të rritur. Në Qendrën e Dermatologjisë Estetike ka një zgjerim dhe avancim, me pajisje të reja (Photofinder – skanim i lëkurës së plotë me inteligjencë artificiale të nishaneve), Dhomë Hiperbarike, platformë lazer Nordlis 5 në 1. Në kirurgjinë abdominale, disponohet pajisje e re endoskopike 4K për shikueshmërinë më precize, ndërsa në kirurgjinë vaskulare prezantohet ablacioni me radiofrekuencë, metoda më moderne për trajtimin e venave. Në klinikë, gjithashtu disponohen pajisje për kryerjen e procedurave minimale invazive për zgjidhjen e hernieve diskale pa operacion nën kontrollin e aparatit angiograf.

Për drejtorin mjekësor të Klinikës, Dr. Emil Stoicovski, është e rëndësishme rritja e ekipit mjekësor dhe zgjerimi i shërbimeve. “Kemi bashkëpunim me mbi 30 mjekë nga shëndetësia publike dhe pjesë e ekipit bëhen edhe personeli mjekësor – mjekë dhe infermierë që kthehen nga jashtë vendit për të qëndruar në Maqedoni.”

Intervistë me Dr. Xhuliana Mihajlovska: Nodulet e tiroides – problem afatgjatë apo një mënyrë jetese

Zakonisht, nyjet janë asimptomatike dhe nuk shkaktojnë asnjë shenjë ose simptomë tek pacienti, përveç rastit kur nyja është e madhe, e dukshme me sy të lirë në zonën e përparme të qafës (në gushë), ose nëse ushtron presion mbi enët e gjakut ose trake që rezulton me gulçim, zhurmë në vesh ose marramendje. Ndonjëherë, në raste të rralla, shfaqet edhe ndryshim në ngjyrën e zërit.

Çfarë janë nyjet e tiroides, cilat janë shkaqet e shfaqjes së tyre dhe si diagnostikohen?

Dr. Mihajlovska: Gjëndra tiroide është një organ endokrin, i vendosur në pjesën e përparme të qafës, me formën e një fluture. Ai përbëhet nga lobi i majtë, lobi i djathtë dhe istmusi. Ka një rol shumë domethënës në ruajtjen e ekuilibrit normal funksional të trupit. Anomalitë fizike të gjëndrës mund të jenë të izoluara ose në lidhje me ndonjë nga çrregullimet funksionale të gjëndrës tiroide. Pra, tek hipotiroidizmi zakonisht kemi përmasa të zvogëluara të gjëndrës, tek hipertiroidizmi kemi përmasa të shtuara. Këtu, ekziston edhe tiroiditi i Hashimotos.

Gjëndra tiroide është një gjëndër endokrine e vogël por jashtëzakonisht e rëndësishme, gjendet në pjesën e përparme të qafës dhe luan një rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit të përgjithshëm në trup. Nyjet, të njohura edhe si nyjet e gjëndrës tiroide, paraqesin ndryshime fokale, të kufizuara, ndryshime fizike në indin e tiroides, me dimensione të ndryshme që mund të diagnostikohen me ekzaminim ultrasonografik të gjëndrës dhe përshkruhen karakteristikat e tyre ekografike. Ekzistojnë ndarje të shumta të nyjeve. Sipas numrit të tyre, ato mund të jenë të vetme ose të shumëfishta, ndërsa sipas funksionit – funksionale ose jofunksionale, sipas strukturës së nyjës dhe se cili komponent dominon, ato ndahen në nyje solide dhe cistike. Sipas natyrës së tyre, ato ndahen në beninje dhe malinje. Arsyeja e shfaqjes së nyjeve nuk është konkrete dhe e qartë, por besohet se gjenetika, autoimuniteti dhe ndikimet e jashtme luajnë një rol në patogjenezën e tyre.

A ekzistojnë simptoma dhe shenja të caktuara që tregojnë ekzistencën e nyjeve të tiroides dhe si t’i diagnostikoni ato në kohë?

Dr. Mihajlovska: Kryesisht nyjet janë asimptomatike dhe nuk shkaktojnë ndonjë shenjë apo simptomë te pacienti, vetëm nëse bëhet fjalë për nyje të madhe që shihet me sy të lirë në pjesën e përparme të qafës (fyt/grykë), ose nëse ushtron presion në enët e mëdha të gjakut ose në trake që rezulton në gulçim, zhurmë në veshë ose marramendje. Ndonjëherë, në raste të rralla, shfaqet edhe ndryshim në ngjyrën e zërit.
Trajtimi i nyjeve zakonisht bëhet me heqjen kirurgjikale të një pjese të lobit, të gjithë lobit ose të gjithë gjëndrës tiroide, në varësi të numrit, madhësisë dhe rezultateve të gjetjeve citopatologjike gjatë punksionit me gjilpërë të imët.

Nyjet rriten ngadalë – sa gjatë monitorohen, në çfarë intervalesh duhet të kontrollohen dhe kur merren masa konkrete për trajtimin e tyre?

Dr. Mihajlovska: Ndryshimet nodulare të gjëndrës tiroide zakonisht janë me rritje të ngadaltë dhe kërkojnë monitorim të rregullt dhe afatgjatë të ndryshimeve, përkatësisht dimensionit të tyre, pamjes, karakteristikave ekografike, si dhe faktorëve indirekt që ndikojnë në planin e trajtimit të këtyre ndryshimeve. Këtu nuk përfshihen ndryshimet me rritje të shpejtë, të cilat janë kryesisht të natyrës së keqe. Kjo do të thotë se kanë nevojë për diagnozë dhe trajtim të shpejtë dhe në kohë.

Kryesisht, çdo ndryshim i shpejt i dimensioneve ose karakteristikave kerkon diagnostikim shtesë, më të thellë. Kjo nënkupton kryerjen e punktimit (shpimit) me gjilpërë të imët, që do të na japë një pamje të përgjithshme qelizore të natyrës së nyjës. Dimensioni në të cilin të gjitha nyjet në parim duhet t’i nënshtrohen punktimit është 10 mm. Por ndonjëherë mbetet e drejta ekskluzive e mjekut, në varësi të karakteristikave të nyjës, të vendosë nëse do të rekomandojë punktim të nyjes me dimension 5 mm apo të presë një rritje të tyre deri në 10-15 mm.

Edhe pse nyjet e tiroides janë kryesisht të natyrës beninje, afërsisht 5% e nyjeve janë në fakt malinje, dmth. bëhet fjalë për kancer të tiroides. Cilat janë ndryshimet ndërmjet nyjeve beninje dhe malinje?

Dr. Mihajlovska: Është e rëndësishme të përmendet se çrregullimi në strukturën fizike të gjëndrës zakonisht nuk është i ndërlidhur me funksionin, kështu që shumica e pacientëve me nyje tiroide kanë status normal të tiroides dhe janë në gjendje eutiroide. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se statusi normal i tiroides nuk nënkupton automatikisht natyrën beninje të nyjeve. Tiroglobulina nuk është një shënues i tumorit (tumor marker) para operacionit. I vetmi shënues i tumorit është kalcitonini, niveli i të cilit është i ngritur vetëm tek një lloj i caktuar i malinjitetit të tiroides, përkatësisht kanceri medular. Tiroglobulina është një shënues i tumorit postoperativ për monitorimin e pacientëve të cilët më parë i janë nënshtruar një operacioni për kancerin papilar ose folikular të tiroides.

Si trajtohen nyjet e tiroides?

Dr. Mihajlovska: Trajtimi i nyjeve zakonisht bëhet me heqjen kirurgjikale të një pjese të lobit, të gjithë lobit ose të gjithë gjëndrës tiroide, varësisht nga numri, madhësia dhe rezultatet e gjetjeve citopatologjike gjatë punksionit me gjilpërë të imët. Në spitalin tonë numri i ndërhyrjeve të tilla kirurgjikale rritet nga viti në vit, kryesisht për shkak se ne punojmë në mënyrë aktive në shqyrtimin e pacientëve, por edhe në një analizë të detajuar dhe të saktë të ndryshimeve të gjëndrës tiroide nga ana e mjekut endokrinolog, i cili jep udhëzime për trajtim të mëtejshëm, sipas protokollit dhe algoritmit për trajtimin e kësaj lloj sëmundjeje.

Burimi: Panacea.mk

A keni dëgjuar për tendinitin e kalcifikuar?

Tendiniti është një inflamacion që mund të përfundojë me formimin e kalcifikimeve në zonën e inflamuar. Kalcifikimet janë pikërisht shkaku i dhimbjeve të forta në shpatull. Zakonisht shfaqet tek femrat rreth moshës 40 deri në 50 vjeç dhe zakonisht në dorën dominuese (dorën të cilën e ushtroni më tepër), edhe pse, jo gjithmonë ndodh domosdoshmërisht kështu.

Çfarë janë kalcifikimet e shpatullave dhe si t’i kurojmë ato?

Kalcifikimet e shpatullave, të njohura gjithashtu si tendiniti i kalcifikuar, ndodhin kur depozitat e kalciumit grumbullohen në tendinat e shpatullës. Kalciumi shkakton acarim të tendinave të manshetës rrotulluese, gjë që mund të çojë në dhimbje akute. Zakonisht ndodhin në supraspinatus, megjithëse mund të ndodhin edhe në tendinën infraspinatus ose subscapularis.

Si shfaqet tendoniti i kalcifikuar?

Shkaqet e sakta të kalcifikimeve të shpatullave nuk janë konfirmuar ende. Ekzistojnë hipoteza të cilat i konsiderojnë ato si ndryshime në metabolizëm, degjenerim qelizor, gjenetikë, mikrotrauma të përsëritura ose çrregullime endokrine.
Si dukuri është konfirmuar se është më e zakonshme tek diabetikët me simptoma që zakonisht shfaqen në shpatullën e krahut dominues, megjithëse nuk është e pazakontë që kalcifikimi të ndodhë tek të dy krahët.
Një nga faktorët e rrezikut për tendinitin e kalcifikuar është mosha, sepse me kalimin e moshës, nyja e shpatullës dobësohet. Është më e zakonshme tek gratë mbi 40 vjeç.

Simptomat e kalcifikimeve në shpatull

Simptoma më e zakonshme për të cilën paraqiteni tek mjeku specialist është dhimbja akute në shpatull pa ndonjë arsye të dukshme. Kjo do të thotë, nuk ka ndodhur asnjë traumë ose mbingarkesë. Kjo dhimbje gjithashtu mund të shkaktojë palëvizshmëri dhe probleme me gjumin.
Është i mundur edhe tendiniti asimptomatik kalcifikues, i cili zbulohet rastësisht gjatë ekzaminimit radiografik edhe përgjatë diagnostikimit të ndonjë patologjie tjetër.

Fazat e tendinitit kalcifik

Tendiniti i kalcifikuar është një gjendje që shfaqet në faza të ndryshme:

  • Faza e formimit, e cila mund të zgjasë disa vite. Këtu formohen depozitat e kalciumit. Është asimptomatike ose dhimbja është e moderuar.
  • Faza e pushimit, kalciumi mbetet i qëndrueshëm. Nuk shfaq simptoma, por mund të ndodhë që dhimbja të mos largohet plotësisht.
  • Faza resorptive: këtu shfaqet dhimbja akute në shpatull, pasi çlirohet kalciumi, i cili inflamon indet. Mund të zgjasë nga një deri në gjashtë muaj.

Si trajtohen kalcifikimet e shpatullave?

Trajtimi bazë është konservativ: me anti-inflamatorë, fizioterapi për ushtrime lëvizshmërie dhe aplikim të ftohtë për kalcifikimin në shpatull për rreth dhjetë minuta, dy ose tre herë në ditë.
Nëse dhimbja është shumë e fortë ose vazhdon, aplikohen injeksione të bazuara në kortikosteroide dhe anestezi lokale. Kjo, së bashku me trajtimin e fizioterapeutik, mund të ndihmojë në reduktimin e ndjeshme të dhimbjes.

Trajtime të tjera për tendinitin e kalcifikuar që mjeku specialist mund të marrë në konsideratë janë terapia me valë shoku (ShockWave Therapy) ose teknikat e aspirimit.

A operohen kalcifikimet e shpatullave?

Në shumicën e rasteve, operacioni nuk është i nevojshëm. Kirurgjia kryhet vetëm nëse opsionet e tjera terapeutike nuk funksionojnë.
Ideale në këtë rast është artroskopia në shpatull, një operacion minimal invaziv që kryhet duke aplikuar një pajisje të quajtur artroskop të lidhur me një ekran me rezolutë të lartë.

Artroskopia për tendinitin e kalcifikuar

Artroskopia është alternativa e fundit për trajtimin e kalcifikimeve të shpatullave. Depozitat e kalciumit nxirren jashtë, duke minimizuar dëmtimin e indeve sa më shumë që të jetë e mundur. Artroskopia e shpatullës është një procedurë e kryer nga specialistë të traumës, në të cilën nyja e shpatullës mund të shihet përmes një ekrani me rezolutë të lartë.

Rikuperimi pas artroskopisë së shpatullës

Për shkak se është një operacion minimal invaziv, shërimi/rikuperimi zakonisht është i shkurtër dhe pa komplikime. Ilaçet anti-inflamatore përdoren shpesh për të lehtësuar dhimbjen dhe krahu i prekur mund të imobilizohet për disa ditë. Gjithashtu, procesi i rikuperimit do të ndiqet nga fizioterapist i specializuar.

A mund të parandalohet shfaqja e kalcifikimeve në shpatullave?

Arsyet për shfaqjen e kalcifikimeve ende nuk janë konfirmuar saktësisht.
Është gjithmonë e rëndësishme të ushqeheni shëndetshëm për funksionimin optimal të trupit dhe të konsultoheni me një specialist që në simptomat e para, nëse është e mundur përpara se dhimbja të bëhet akute.
Tendiniti kalcifik është i zakonshëm dhe mund të shkaktojë ndërhyrje në funksionimin e përditshëm për shkak të shfaqjes së dhimbjes. Është e rëndësishme të mos prisni dhe të konsultoheni me një traumatolog specialist për diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm.

Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484

Kur është e nevojshme të paraqiteni tek mjeku neuropediatër?

Neurologjia pediatrike është një specialitet mjekësor që studion dhe trajton problemet e sistemit nervor gjatë zhvillimit të tij, pra strukturën, funksionet dhe zhvillimin e sistemit nervor qendror dhe neuromuskular, si në kushte normale ashtu edhe në ato patologjike.

Faza e zhvillimit të fëmijëve fillon gjatë jetës intrauterine dhe përfundon në adoleshencë.

Problemet me sistemin nervor mund të jenë në: tru, shtyllë kurrizore, nerva ose në muskuj, duke shkaktuar ndryshime të ndryshme.

Gjithashtu, mjekët neuropediatër janë përgjegjës për monitorimin, kontrollin dhe diagnostikimin e vështirësive zhvillimore që mund të shfaqin fëmijët, duke përfshirë problemet motorike, njohëse/kognitive, shqisore apo komunikative.

Kur duhet të konsultoheni tek mjeku neuropediatër?

Neuropediatria trajton shumë sëmundje me shkallë të ndryshme kompleksiteti. Mjeku pediatër është ai që duhet të bëjë vlerësimin fillestar dhe nëse e gjykon të nevojshme do të rekomandojë që fëmija të kontrollohet nga neuropediatër specialist. Arsyet më të zakonshme për konsultim me neuropediatër janë:

  • Epilepsia
  • Problemet e të nxënit/të mësuarit (mungesa e vëmendjes, disleksia, etj.)
  • Probleme me sjelljen (hiperaktivitet, çrregullime të sjelljes)
  • Dhimbje koke
  • Dyshim për autizëm

Këto patologji zakonisht shkaktojnë frikë dhe shqetësim tek prindërit, kështu që vendosja e diagnozës është vendimtare për udhëzimet, trajtimin dhe prognozën e duhur të mëtejshme.

Si realizohet vizita e parë te mjeku neuropediatër?

Si në çdo specialitet tjetër mjekësor, vizita e parë është shumë e rëndësishme. Mjeku neuropediatër do të përpiqet të njohë fëmijën dhe të mbledhë sa më shumë informacion të jetë e mundur, prandaj prindërve të fëmijës do t’u bëhen një sërë pyetjesh qe kane te bejne me:

  • Arsyen e shqetesimit? Kur është vënë re dhe si ka evoluar problemi?
  • Pyetje për shtatzëninë, lindjen dhe ditët e para të jetës së fëmijës.
  • Historinë familjare.

Me qëllim për të arritur një analizë të detajuar, pra për të lehtësuar vizitën e parë, rekomandohet të siguroni dokumente përkatëse nëse i keni, si p.sh.

  • Librezë/kartelë për monitorimin pediatrik
  • Raportet mjekësore, rezultatet e testimit, opinionet e specialistëve të tjerë etj.
  • Foto, video që lidhen me çështjen
  • Një përshkrim ose shënime për atë që ju shqetëson

Nëse keni dyshime për ndonjë sjellje që keni vërejtur tek fëmija juaj, e cila mund të jetë e lidhur me një nga këto patologji, rezervoni konsultën për fëmijën tuaj me neuropediatren tonë Dr. Katerina Vasileva Dimovska në 02 3091 484

A keni dëgjuar për stomatologjinë estetike?

Stomatologjia estetike është një degë e stomatologjisë që merret me përmirësimin e pamjes estetike zbukurimin e buzëqeshjes. Kjo degë fokusohet në korrigjimin e papërsosmërive dentare si ngjyra, forma, madhësia dhe drejtimi i dhëmbëve. Me trajtime të tilla si fasetat prej porcelani, zbardhja dhe rindërtimi i dhëmbëve, arrihen transformime estetike që rrisin vetëbesimin dhe personalizojnë bukurinë e buzëqeshjes në mënyrë cilësore dhe të përshtatshme. Nëse jeni të interesuar të përmirësoni pamjen e buzëqeshjes suaj, ju rekomandojmë që të rezervoni konsultën tuaj me stomatologët tanë në 072 267 064 ose 02 3091 484.

Çfarë trajtimesh mbulon stomatologjia estetike?

Stomatologjia estetike përfshin një sërë trajtimesh që synojnë të përmirësojnë estetikën e buzëqeshjes.

  • Zbardhja e dhëmbëve – ndikon në ngjyrën dhe eliminon njollat në dhëmbë, duke përmirësuar bardhësinë dhe shkëlqimin e dhëmbëve.
  • Rindërtimi i dhëmbëve – riparon dhe rikthen dhëmbët e dëmtuar apo të konsumuar, duke përmirësuar funksionalitetin dhe estetikën e tyre.
  • Laminatet dentare – këto janë shtresa të holla që ngjiten në sipërfaqen e përparme të dhëmbëve për të korrigjuar formën, ngjyrën dhe pozicionin e tyre.

Si kryhet?

Trajtimi estetik dentar fillon me një konsultë, ku vlerësohet gjendja e çdo individi/pacienti. Gjatë këtij konsultimi diskutohen problemet dhe qëllimet estetike të pacientit. Më pas, do të kryhet një ekzaminim i plotë dentar, i cili mund të përfshijë radiografi dhe skanime dixhitale, për të vlerësuar shëndetin oral dhe për të përcaktuar planin e duhur të trajtimit.

Pasi të përcaktohet plani i trajtimit, kryhen procedura specifike dentare kozmetike. Këto mund të përfshijnë zbardhjen e dhëmbëve, fasetat prej porcelani, implantet dentare ose trajtime të tjera të përshtatura për nevojat e pacientit.

Nëse jeni të interesuar të përmirësoni pamjen e buzëqeshjes suaj, ju rekomandojmë që të rezervoni konsultën tuaj stomatologjike në 072 267 064 ose 02 3091 484 dhe merrni zgjidhjen për të cilën keni pritur!

Vendosja e implanteve dentare

Implantologjia është pjesa e kirurgjisë orale që përfshin vendosjen e një implanti dentar. Është një procedurë që zëvendëson rrënjët e dhëmbëve tuaj, me metal titani që duken si vida, për të zëvendësuar dhëmbin e humbur ose të dëmtuar me një dhëmb artificial që duket dhe kryen të njëjtin funksion si dhëmbët e vërtetë.
Procedura operative që do të përdoret për kryerjen e implantit varet nga lloji i implantit dhe gjendja e nofullës. Vendosja e implantit dentar është operacion që mund të përfshijë disa procedura.
Përfitimi kryesor i implanteve është mbështetja e fortë për të gjithë dhëmbët e rinj. Ky proces kërkon integrimin e implantit në kockë. Meqënëse për shërimin e kockës kërkohet kohë, vetë procesi mund të zgjasë disa muaj (3-4 muaj).

Përse dhe kur bëhet implanti dentar?

Implantet dentare vendosen në mënyrë kirurgjikale në nofull, ku shërbejnë si rrënjë për dhëmbët e humbur/të hequr më parë.
Implantet dentare mund të jenë të përshtatshme për ju nëse:

  • Ju mungojnë një ose më shumë dhëmbë
  • Nofulla është e shëndetshme dhe ka rritje të plotë
  • Keni kockë të mjaftueshme për të mbështetur implantet ose mund të bëni transplant të kockës
  • Keni inde të shëndetshme orale
  • Nuk keni sëmundje që do të ndikojnë në shërimin e kockave
  • Ju nuk mund ose nuk dëshironi të mbani protezë
  • Dëshironi të përmirësoni të folurit tuaj
  • Jeni gati t’i përkushtoheni procesit për disa muaj
  • Nuk jeni duhanpirës

Rreziqet e mundshme

Si çdo operacion, implanti dentar mbart disa rreziqe shëndetësore. Megjithatë, problemet ndodhin rrallë, dhe nëse ndodhin, ato zakonisht janë të vogla dhe trajtohen lehtësisht. Rreziqet përfshijnë:

  • Infeksion në vendin e implantit
  • Lëndim ose dëmtim të strukturave përreth, si dhëmbët e tjerë ose enët e gjakut
  • Lëndim nervor, i cili mund të shkaktojë dhimbje, mpirje ose ndjesi shpimi si me gjilpër të dhëmbëve tuaj natyralë, mishrave, buzëve ose mjekrës
  • Probleme me sinuset, kur nuk ka vëllim kockor të mjaftueshëm gjatë implantimit, mund të arrihet tek membrana e sinusit, gjë që mund të krijojë komunikim mes kavitetit oral dhe sinusit dhe kjo hap mundësinë e infektimit në këto hapësira. Në rast të përdorimit të forces së tepërt, implanti mund të shtyhet në zgavrën e sinusit.

Parandalimi i komplikimeve gjatë vendosjes së implantit

Nëse ndërhyrja implantologjike është e planifikuar mirë dhe ka përgatitje adekuate të pacientit, rreziku i komplikimeve reduktohet në minimum. Me masat e reja diagnostike moderne, të gjitha masat e rëndësishme anatomike të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje gjatë punës meren para kohe. Gjithashtu, imazhet CBCT të nofullës së sipërme dhe të poshtme na ofrojnë një plan të hershëm për pozicionin e saktë të implantit. Me ndihmën e stomatologjisë digjitale tashmë përcaktohet se ku do të vendoset implanti, gjatë së cilës krijohet një udhëzues implantologjik i individualizuar. Ky udhëzues synohet të fiksohet në nofullën e sipërme ose të poshtme, në varësi të vendit ku do të jetë vetë ndërhyrja dhe të ndihmojë në implantimin.

Për më shumë informacion rreth procedurës, rezervoni konsultën me një specialist të kirurgjisë orale në 02 3091 484, i cili do t’ju këshillojë për zgjidhjet e mundshme të problemit tuaj.


Çfarë është kolonoskopia dhe kur duhet bërë?

Kolonoskopia është një procedurë që përdoret për të ekzaminuar gjendjen e zorrës së trashë dhe fundin e zorrës së hollë. Arsyeja e indikimit të kësaj procedure është diagnostikimi i sëmundjeve të mundshme ose trajtimi i disa patologjive që mund të përcaktohen përmes të njëjtit ekzaminim, si hemorroide, polipe apo lloje të tjera anomalish.

Si kryhet?

Për të kryer kolonoskopinë përdoret një pajisje e quajtur kolonoskop, që përbëhet nga një tub fleksibël që futet në rektum përmes sfinkterit anal. Nëse qëllimi i procedurës është diagnostikues, gjatë procedurës do të përdoret një kamerë dhe dritë që do të lehtësojë shfaqjen/pamjen e zorrës së trashë në monitor. Nga ana tjetër, nëse kolonoskopia bëhet për trajtimin e një patologjie (për shembull, heqja e polipeve), shtohen edhe instrumente të tjera për të kryer ndërhyrjen.

Kur duhet bërë?

Kjo procedure bëhet për të përjashtuar mundësinë e kancerit të zorrës së trashë tek pacientët që shfaqin simptoma digjestive ose kanë një histori familjare (predispozita gjenetike). Nga ana tjetër, tek popullata e përgjithshme pa faktorë rreziku, rekomandohet që të bëhet kolonoskopia mbi moshën 50 vjeç dhe të përsëritet çdo pesë ose dhjetë vjet.

Kolonoskopia kryhet gjithashtu në rast se janë të pranishme simptomat e mëposhtme:

  • Diarre kronike
  • Dhimbje kronike të barkut
  • Gjakderdhje rektale kur shkoni në tualet ose në vetë përmbajtjen fekale.
  • Semundja Crohn
  • Koliti ulceroz
  • Anemi kronike me mungesë hekuri, e cila mund të shkaktohet nga gjakderdhja në zorrën e trashë.
  • Prania e polipeve ose historia familjare e polipozës
  • Gjatë humbjes së peshës në një kohë të shkurtër dhe pa arsye të dukshme si dieta, ushtrimet/aktiviteti fizik etj.

Në cilat raste nuk rekomandohet kolonoskopia?

Kushtet bazë në të cilat kolonoskopia është kundërindikuar janë: dështimi i rëndë i dekompensuar i frymëmarrjes ose i zemrës, infarkti i shpejt i miokardit, perforimi i zorrëve dhe çrregullimet serioze të koagulimit të gjakut.

Përgatitja e pacientit para kryerjes së procedurës

Para kësaj procedure, pacienti duhet të ndjekë një sërë udhëzimesh në mënyrë që të eliminojë mbetjet e mundshme të ushqimit nga sistemi tretës.
Ditët para kryerjes së kolonoskopisë duhet të zbatohet një dietë e caktuar, rekomandohet konsumi i ushqimeve të lëngshme. Gjithashtu, pacienti duhet ta plotësojë këtë dietë me produkte laksative për të nxitur zbrazjen e zorrëve.

A ekziston ndonjë rrezik nga kryerja e procedurës?

Megjithëse kolonoskopia është një procedurë e sigurt, si çdo teknikë mjekësore invazive, ajo mund të ketë rreziqe të caktuara. Komplikimet serioze zakonisht ndodhin në 0.5% të rasteve dhe zakonisht zgjidhen gjatë së njëjtës procedurë.

A është kolonoskopia një procedurë e dhimbshme?

Në ditën e ndërhyrjes pacientit i jepet një dozë e caktuar sedativi, kështu që ai ose ajo nuk do të ndjej dhimbje apo shqetësim dhe mund të qëndrojë i qetë gjatë procedurës. Kohëzgjatja e procedurës mund të variojë nga 30 minuta në një orë në varësi të problemit dhe zonës së zorrës që do të ekzaminohet.
Pas përfundimit të procedurës, pacienti duhet të qëndrojë në një pozicion të shtrirë derisa anestezia të kalojë. Rekomandohet që pacienti të jetë i shoqëruar sepse edhe disa orë pas vetë procedurës mund të vërehen efekte të lehta sedativit dhe nuk rekomandohet të ngasë automjet.

Edhe pse mund të duket si një procedure paksa e pakëndshme, kolonoskopia nuk përbën problem për shumicën e pacientëve, të cilët kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme brenda 24 orëve. Ajo që mund të vini re është fryerja për shkak të presionit në zonën e barkut të shkaktuar nga vetë pajisja dhe gazi i përdorur për të zgjeruar muret e traktit digjestiv.

Nëse keni ndonjë nga simptomat e lartpërmendura, ju rekomandojmë që të mos e vononi vizitën tek mjeku specialist. Nëse ai e sheh të nevojshme, do të organizojë këtë lloj ekzaminimi për ju. Parandalimi është ilaçi më i mirë.

Rezervoni konsultën tuaj në numrin e telefonit 02 3091 484