Këtë vit, për të shtatëmbëdhjetën herë radhazi, tradicionalisht, nën organizimin e Departamentit të psikologjisë dhe psikoterapisë në klinikën tonë, u mbajt Kampi Veror për fëmijët me defekte të lindura të zemrës, të cilët shoqëroheshin gjithashtu nga prindërit e tyre.
Në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Qytetit të Shkupit, u zbatuan aktivitete psikologjike krijuese dhe ushtrime fizioterapie, qëllimi i të cilave ishte të inkurajohej zhvillimi i përgjithshëm i fëmijëve pas operacionit ose ndërhyrjes kirurgjikale në zemër. Të gjitha aktivitetet, përfshirë lojërat, argëtimin dhe socializimin, u zhvilluan nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen profesionale të ekipit të psikologëve, Doc. Dr. Kristina Egumenovska, Aleksandra Petroski dhe fizioterapistit Blazhe Arsov. Këtë vit, na vizitoi edhe specialistja jonë kardiologe Dr. Tanja Angjusheva, e cila mbajti aktivitete interaktive me fëmijët dhe përmes një prezantimi të përshtatshëm, u dha përgjigje numrit të madh të pyetjeve nga prindërit.
Kampi veror për fëmijë me defekte të lindura të zemrës ZEMRA IME ME TË GJITHA NGJYRAT na mbush zemrat çdo vit!
Gjatë temperaturave të larta, goditja nga nxehtësia bëhet një rrezik i vërtetë, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe ata që merren me aktivitete fizike në natyrë. Njohja/dallimi i shpejtë i shenjave të goditjes nga nxehtësia mund të bëjë një ndryshim të madh.
Çfarë është goditja nga nxehtësia?
Goditja nga nxehtësia ndodh kur trupi nxehet shumë dhe nuk mund të ftohet siç duhet, zakonisht për shkak të ekspozimit të zgjatur në diell ose sforcimit intensiv fizik në mjedise të nxehta. Mund të jetë kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohet në kohë.
5 Shenja të goditjes nga nxehtësia
Temperaturë e lartë e trupit (mbi 39-40°C) Kjo është shenja më e dukshme. Trupi humbet aftësinë për të rregulluar temperaturën e tij dhe ajo fillon të rritet në mënyrë të rrezikshme.
Lëkurë e nxehtë, e kuqe dhe e thatë Lëkura e nxehtë, e kuqe dhe e thatë e shkaktuar nga nxehtësia është një urgjencë serioze mjekësore, veçanërisht nëse shoqërohet me shenja të tjera si konfuzion, të përziera ose dhimbje koke. Është e rëndësishme të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Ndërsa prisni ndihmë, është thelbësore ta zhvendosni personin në një vend të freskët dhe të aplikoni një leckë të lagur ose një banjë të ftohtë.
Dhimbje koke e fortë dhe marramendje Truri preket gjithashtu nga mbinxehja. Dhimbjet e kokës janë shpesh të forta dhe mund të shoqërohen me konfuzion, çorientim ose edhe të fikët.
Të përziera dhe të vjella Kur sistemi tretës preket/irritohet nga nxehtësia ekstreme, zakonisht shfaqet ndjenjë përzierje ose të vjellura.
Pulsi i shpejtë dhe gulçim Trupi përpiqet të kompensojë nxehtësinë duke pompuar gjak më shpejt. Kjo manifestohet si takikardi dhe një ndjenjë lodhjeje ekstreme.
Si të parandaloni goditjen nga nxehtësia
Mbani trupin të hidratuar: Pini ujë edhe nëse nuk keni etje. Shmangni alkoolin e tepërt dhe pijet me sheqer, pasi ato mund t’ju dehidratojnë.
Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut: ndërmjet orës 11:00 dhe 16:00, kur rrezet e diellit janë më të forta. Në raste te pashmangshme, kërkoni hije ose zona të freskëta gjatë kësaj periudhe.
Vishni rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta: Zgjidhni veshje të gjera, të ajrosura dhe me ngjyra të çelëta për të reflektuar nxehtësinë.
Mos lini askënd në automjet të mbyllur: Mos lini fëmijë ose kafshë shtëpiake në makinë, as për një kohë të shkurtër. Temperatura në një makinë të mbyllur mund të kalojë 50°C brenda pak minutash.
Bëni pushim nëse jeni duke ushtruar ose duke punuar jashtë: Bëni pushime të shpeshta dhe qëndroni në zona të fresketa dhe me hije.
Çfarë duhet të bëni në rast të goditjes nga nxehtësia?
Telefononi menjëherë shërbimet për ndihmë urgjente.
Zhvendoseni personin në një vend të freskët.
Vendosni peshqirë të ftohtë ose ujë në trup, por jo akull, për të shmangur ndryshimet ekstreme të temperaturës.
Mos i jepni lëngje nëse personi është pa ndjenja ose i çorientuar. Goditja nga nxehtësia është një urgjencë mjekësore, por është plotësisht e parandalueshme. Dëgjimi i trupit tuaj, mbajtja e trupit të hidratuar dhe mbrojtja nga dielli mund t’ju ndihmojë ta shmangni atë.
Melis, Mira dhe Malahat, tre foshnjat e parakohshme të lindura në Klinikën Zhan Mitrev, do të shkojnë sot në shtëpi pas disa javësh qëndrimi në Qendrën për nënën dhe foshnjën.
Trinjaket lindën më 4 qershor 2025, nga një shtatzëni e konceptuar natyrshëm, që është vërtet ndër rastet e rralla në mjekësinë moderne. Të lindura me prerje cezariane 9 javë para datës së pritur të lindjes, në javën e 31-të të shtatzënisë, të porsalindurat janë në gjendje të qëndrueshme dhe gati për të shkuar në shtëpi.
Kjo lindje nuk ishte vetëm një sukses mjekësor, por edhe një simbol i shpresës, jetës dhe njerëzimit. Lindja e Melisit, Mirës dhe Malahatit ishte një gëzim i madh për Klinikën Zhan Mitrev, por edhe një konfirmim se edhe sfidat më të mëdha mund të kapërcehen kur kombinohen njohuritë, përvoja dhe teknologjia moderne.
Me këtë lindje, filloi zyrtarisht funksionimin Njësia e Kujdesit Intenziv Neonatal (NICU) në Klinikën Zhan Mitrev.
Në tre dekadat e fundit, shkalla e shtatzënive të shumëfishta është rritur me 70%, dhe shtatzënitë natyrale me trinjakë, si kjo, janë një gjë e rrallë, duke ndodhur në 1 në 8,000 raste në të gjithë botën.
Qendra për Nënën dhe Foshnjën në Klinikën Zhan Mitrev i uron mamit Mubexhel Bekteshova nga Shkupi, rikuperim të shpejtë, ndërsa Melisit, Mirës dhe Malahatit një jetë të mbushur me dashuri, shëndet dhe gëzim pafund.
Foshnja e 100-të lindi në Qendrën për nënën dhe foshnjën në Klinikën Zhan Mitrev, një moment që dëshmon rritjen e besimit që qindra familje kanë ndaj ekipit tonë mjekësor. Kjo ngjarje e rëndësishme nuk është thjesht një numër, por një simbol i dashurisë, përkushtimit dhe kujdesit modern mjekësor, i cili lejon që çdo lindje të jetë përvoja më e bukur dhe më e sigurt për nënat dhe familjet e tyre.
Qendra për nënën dhe foshnjën është krijuar si një vend ku jeta fillon me kujdesin dhe vëmendjen më të lartë të mundshme. Që nga momenti kur lindi foshnja e parë, pak më shumë se gjysmë viti më parë, e deri më sot, misioni ynë mbetet i njëjtë: të ofrojmë kushte dhe siguri të nivelit të lartë për çdo nënë dhe çdo të porsalindur. Me dhoma lindjeje plotësisht të pajisura, kujdes intenziv modern neonatal, dhoma private dhe të rehatshme, dhe një ekip gjinekologësh, neonatologësh, anesteziologësh dhe infermierësh me përvojë, Qendra përfaqëson një shtëpi për lindje të sigurta dhe një fillim të ngrohtë për çdo jetë të re.
“Ardhja e çdo foshnje në jetë është një gëzim i veçantë dhe një përgjegjësi e madhe. Me çdo foshnjë të lindur në Qendrën e Klinikës Zhan Mitrev, ne dërgojmë një mesazh se çdo jetë ka vlerë të paçmuar dhe meriton kujdesin më të mirë të mundshëm që frymën e parë. Jemi mirënjohës për besimin që prindërit e ardhshëm na japin çdo ditë”, shprehet ekipi i Qendrës për nënën dhe foshnjën në Klinikën Zhan Mitrev.
Siguria dhe qasja individuale janë themeli i punës së Qendrës për nënën dhe foshnjën. Aplikohen standardet më të larta të higjienës dhe sterilitetit, dhe çdo lindje zhvillohet me mbështetje mjekësore 24-orëshe dhe monitorim të kujdesshëm të shëndetit të nënës dhe foshnjës. Me këtë, Klinika Zhan Mitrev vazhdon angazhimin e saj për të krijuar breza të shëndetshëm dhe për të ofruar kujdesin mjekësor më modern në vend.
Njëqind të porsalindurit janë vetëm një konfirmim tjetër se Qendra për nënën dhe foshnjën është një vend ku çdo jetë fillon e sigurt, me dashuri dhe kujdes.
Ekipi i Klinikës Zhan Mitrev arriti një sukses të jashtëzakonshëm në turneun ndërkombëtar të walking football, i cili u zhvillua nga 11 deri më 13 korrik në fushat e Klubit Ferencváros në Budapest, Hungari. Në turne morën pjesë gjithsej 16 ekipe nga Hungaria, Italia, Austria, Izraeli, Anglia dhe Maqedonia, në kategoritë mbi 50 dhe mbi 60 vjeç, dhe ndeshjet u organizuan nën kujdesin e Federatës Hungareze.
Në një konkurrencë të fortë me ekipe të njohura, përfshirë AS Roma nga Roma, ekipi i Klinikes Zhan Mitrev fitoi vendin e 8-të, duke shënuar një numër të konsiderueshëm golash dhe duke lënë një përshtypje të lartë si përfaqësues të denjë të Republikës së Maqedonisë. Ky sukses është veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh se walking football, është një sport që po përjeton zgjerim në Europë dhe në botë, dhe në disa nga vendet pjesëmarrëse është tashmë në një nivel dukshëm më të lartë zhvillimi.
Përveç rezultateve sportive, ekipi në Klinikën Zhan Mitrev po udhëheq në mënyrë aktive iniciativën për zhvillimin dhe zyrtarizimin e këtij sporti në Maqedoni. Pritjet janë që deri në fund të këtij viti, vendi ynë, i udhëhequr nga ky ekip, të bëhet anëtar i plotë i Federatës Ndërkombëtare të Walking Football. Me këtë, Maqedonia do të përfshihet edhe më seriozisht në zhvillimin e sportit që sjell përfitime shëndetësore dhe sociale për personat në moshë më të vjetër, por që vazhdojnë të ndihen aktivë dhe plot energji.
Sipas planit të ekipit, në shtator pritet të nisë formimi i “Ligës Maqedonase” kombëtare me disa ekipe vendase, gjë që përfaqëson një faqe të re në skenën sportive të vendit. Përveç kësaj, vitin e ardhshëm, Klinika Zhan Mitrev planifikon të organizojë një turne të madh ndërkombëtar të quajtur „Walking Football Tournament – Macedonia Open 2026“, me pjesëmarrjen e ekipeve nga disa vende europiane. Ky aktivitet do ta pozicionojë Maqedoninë jo vetëm si një qendër sportive, por edhe si një destinacion mikpritës për sport, socializim dhe energji pozitive.
Ekipi në Klinikën Zhan Mitrev mbetet i përkushtuar ndaj misionit të promovimit të kulturës së një stili jetese të shëndetshëm dhe aktiv, duke sjellë njëkohësisht një sport të ri në skenën maqedonase dhe duke e përfaqësuar vendin me dinjitet në garat europiane dhe botërore.
Ekipi në Klinikën Zhan Mitrev vazhdon të promovojë në mënyrë aktive dhe të denjë Maqedoninë dhe një stil jetese të shëndetshëm përmes pjesëmarrjes në turne ndërkombëtarë të Walking Football, një sport që po përjeton zgjerim gjithnjë e më të madh në të gjithë botën.
Pas një performance të suksesshme në turneun ndërkombëtar në ishullin Vis në Kroaci, ku ekipi garoi me ekipe nga Kroacia, Austria dhe Hungaria, ekipi nga Klinika Zhan Mitrev do të marrë pjesë në një tjetër turne të madh. Këtë herë, ekipi do të garojë në turneun ndërkombëtar të Walking Football që do të mbahet në Budapest më 11, 12 dhe 13 korrik 2025. Tetë ekipe nga gjashtë vende do të marrin pjesë në turneun në Budapest: Hungaria, Austria, Anglia, Izraeli, Italia dhe Maqedonia. Garat do të zhvillohen në dy kategori moshe – ekipe mbi 50 vjeç dhe ekipe mbi 60 vjeç. Ekipi nga Klinika Zhan Mitrev do të garojë në kategorinë mbi 50 vjeç, ku do të luajë në një grup me ekipe nga Hungaria, Anglia dhe Italia. Janë planifikuar tre ndeshje me secilin kundërshtar në grup, si dhe ndeshje shtesë eliminatore.
Walking Football është më shumë se një sport – është një mundësi e re për personat e të gjitha moshave që të qëndrojnë fizikisht aktivë, të socializohen dhe të kujdesen për shëndetin e tyre. Sipas rregullave të këtij sporti, vrapimi është i ndaluar, luhet duke ecur dhe theksi vihet në rekreacion, lojë ekipore dhe socializim. Kjo e bën atë një zgjedhje ideale për të moshuarit, pacientët me rehabilitim, pacientët me sëmundje kronike, pacientët me diabet, personat me aftësi të kufizuara dhe këdo që dëshiron të bëj një mënyrë jetese aktive dhe të shëndetshme.
Klinika Zhan Mitrev, si themeluese e Walking Football në Maqedoni, vazhdon misionin e saj për përhapjen e këtij sporti dhe njofton organizimin e një turneu të madh ndërkombëtar në vendin tonë në të ardhmen e afërt. Me këtë, Klinika ka një vizion të qartë për të krijuar një lëvizje që do të nxisë sportin, shëndetin dhe një stil aktiv jetese, pavarësisht moshës, në mënyrë që ta bëjë Walking Football të arritshëm për publikun e gjerë dhe të inkurajojë ndërtimin e një komuniteti aktiv dhe që jeton shëndetshëm.