Bashkëpunim i mundshëm ndërmjet Klinikës Zhan Mitrev me Izraelin
Ambasadorja e Izraelit Znj. Simona Frankel vizitoi Spitalin klinik Zhan Mitrev. Qëllimi i vizitës ishte shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit ndërmjet Klinikës Zhan Mitrev dhe sektorit shëndetësor të Izraelit.Gjatë vizitës, ambasadorja Frankel u prit nga themeluesi i spitalit Dr. Zhan Mitrev dhe u njoh me rezultatet e arritura të këtij institucioni mjekësor të specializaur në kardiokirurgji, si dhe me shërbimet e tjera shëndetësore për kujdesin e pacientëve brenda dhe jashtë vendit. Gjatë vizitës së departamenteve dhe infrastrukturës së spitalit, ambasadores i’u prezantuan hollësisht kapacitetet dhe proceset e plota hapësinore të spitalit. U prezantua teknologjia dhe pajisjet e disponueshme që e renditin këtë institucion të rrallë mjekësor ndër ofruesit më të mirë të kujdesit shëndetësor në botë.
Ambasadorja Frankel u impresionua veçanërisht nga mënyra e aplikimit të konceptit të spitalit “të gjelbër” sipas të gjitha parametrave infrastrukturore dhe mjedisore, duke e bërë klinikën Zhan Mitrev lider në rajon dhe një nga spitalet e pakta plotësisht të dixhitalizuara me një sistem kontrollues të pavarur ambiental. Theks i veçantë u vendos në mundësinë e ofrimit të shërbimeve të kualifikuara dhe cilësore në trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare për pacientët e huaj, për të cilët Spitali klinik Zhan Mitrev ka lidhur marrëveshje me fonde shëndetësore nga vende të tjera, përfshirë edhe SHBA-në.
Duke i bërë një rezyme kësaj vizite, ambasadorja Frankel përgëzoi themeluesin e klinikës Dr. Zhan Mitrev dhe të gjithë punonjësit e spitalit. Ajo mori përsipër të shqyrtojë mundësitë e bashkëpunimit me sektorin shëndetësor të Izraelit në këtë fushë, mbi të gjitha, në fushën e zhvillimit profesional për të shkëmbyer përvoja praktike në aplikimin e diagnostikimit më të përsosur dhe metodat terapeutike në fushën e kardiokirurgjisë.
Ambasadorja u njoh edhe me rezultatet e jashtëzakonshme të punës gjatë 23 viteve, si dhe për posedimin e certifikatës nga Joint Commission International (JCI) që nga viti 2017 dhe në vazhdim – që është njohja më e lartë ndërkombëtare në fushën e shërbimeve shëndetësore.
Si pjesë e programit Erasmus Plus EU, spitali ynë, së bashku me Klinikat Universitare të Roterdamit, Vjenës dhe Barcelonës, morën një grant shumëvjeçar për të testuar simulimin e realitet virtual. Ky simulim ka për qëllim edukimin në fushën e kardiokirurgjisë, konkretisht: përfshirjen dhe përjashtimin e pacientëve nga qarkullimi ekstrakorporal, si dhe reanimimin kardiopulmonar pas ndërhyrjes kardiokirurgjike. Ky projekt nënkupton pjesëmarrjen aktive të specializantëve tanë të kardiokirurgjisë Dr. Simona Patçeva dhe Dr. Gorazd Konjanovski, nën mbikëqyrjen e prof. Dr. Milka Klinçeva dhe ka për qëllim edukimin dhe zbatimin praktik të asaj që është mësuar.
Si funksionon?
Simuluesi përbëhet nga syze me anë të të cilave shihet realiteti virtual, këto syze janë të lidhura me dy mjete të tjera që mbahen në duar dhe softueri i veçantë monitorues transmeton lëvizjet e specializantit në trupin e pacientit virtual.
Ky projekt ndërkombëtar për aplikimin e simuluesit të realitetit virtual për edukimin dhe trajnimin e kardiokirurgëve të rinj ka disa përparësi. Një prej tyre është fakti që bëhen prova të shumta, të përsëritura ku mund të mësohet nga gabime të mundshme pa rrezikuar realisht jetën e pacientit.
Aplikimi konkret dhe përhapja e gjerë e kësaj mënyre edukimi dhe trajnimi me simulues të RV kudo në botë pritet të ndodhë në vitet e ardhshme. Ekipi ynë është shumë i lumtur që mund të kontribuojë dhe gjithashtu është ndër përdoruesit e parë të metodave më të fundit të trajnimit.
Dëmtimi i kërcit të kyçeve (gjurit, shpatullës, bërrylit, kyçit të këmbës, etj.) tek njerëzit është një dukuri e zakonshme. Ato mund të shkaktohen nga sëmundja degjenerative progresive – osteoartriti ose të jenë të një natyre traumatike – lëndim. Trajtimet më moderne bazohen në mjekësinë rigjeneruese ose përdorimin e potencialit biologjik të vet organizmit për riparimin e dëmtimit të kërcit të kyçeve.
Metodat më të përdorura janë: PRP, qelizat staminale dhe së fundmi përdoret riparimi i kërcit të dëmtuar me kërc autolog (të vet pacientit). Ky trajtim modern kryhet në mënyrë artroskopike ose me teknikë minimale invazive (prerje të vogla) dhe qëndrimi në spital është njëditor.
Përfitimi i pacientit nga ky trajtim është fakti se do të ketë riparim/rigjenerim të kërcit artikular i cili varion ndërmjet 80 dhe 90%. Riintegrimi i kërcit të dëmtuar ndodh brenda 4 – 6 javësh pas implantimit. Dhimbja postoperative është ndjeshmërisht e ulët, nuk ka ënjtje, nuk ka reaksion alergjik, sepse është pjesë e implantuar e indit të vetë pacientit, pa suplemente/shtesa artificiale apo trupa të huaj. Më pas, vijon periudha e rehabilitimit, e cila kryhet nga fizioterapistë të trajnuar.
Në klinikën tonë Prof. Dr. Konstantin Mitev – kirurg traumatolog, së bashku me ekipin e tij kryen në mënyrë rutinore të gjitha këto teknika me rezultate të shkëlqyera. Kjo procedurë është e synuar për të gjithë ata që kanë defekt të kërcit në ndonjë nga nyjet artikulare (shpatull, gju, bërryl apo kyçin e këmbës).
Për të rezervuar terminin tuaj, kontaktoni në 02/3091-484
Kolesteroli është një substancë që gjendet natyrshëm në trup dhe është thelbësor për funksionimin e duhur të murit qelizor. Megjithatë, kur ka një tepricë të kolesterolit në gjak, ai mund të grumbullohet në muret e arterieve dhe të shkaktojë probleme kardiovaskulare.
Çfarë e shkakton kolesterolin?
Pjesa më e madhe e kolesterolit prodhohet në mëlçi, por gjithashtu mund të depozitohet me anë të disa ushqimeve të caktuara. Prandaj, shkaku më i zakonshëm i rritjes së nivelit të kolesterolit në gjak është marrja e yndyrave të ngopura siç janë ato që gjenden tek gjalpi, produktet qumështit të pa skremuar, veza, brumërat dhe produktet e përpunuara të mishit.
Shkaqe të tjera që mund të kontribuojnë në rritjen e nivelit të kolesterolin janë:
Mënyra sedentare
Mbipesha
Hipotiroidizmi
Diabeti
Probleme me veshkat
Histori familjare me nivel të lartë të kolesterolit.
Sa lloje të kolesterolit ekzistojnë dhe cilat janë ato?
Ekzistojnë dy lloje të kolesterolit:
Kolesteroli HDL ose kolesteroli i mirë: tërheq kolesterolin nga gjaku në mëlçi për ta eliminuar atë, prandaj konsiderohet i mirë për shëndetin tonë kardiovaskular.
LDL ose kolesteroli i keq: bart kolesterolin nga mëlçia në indet e trupit.
Nëse nivelet e kolesterolit në gjak janë më të larta se normalja, ato mund të grumbullohen në muret e arterieve në formën e pllakave, duke i bërë ato më të ngushta dhe duke rritur kështu rrezikun e sëmundjeve koronare të zemrës.
Si bëhet matja e kolesterolit?
Kolesteroli testohet me anë të analizës së gjakut (është shumë e rëndësishme të jeni esëll para analizës që të dhënat të jenë të sakta).
Nivelet e kolesterolit maten në miligramë për decilitër (mg/dL), dhe vlerat normale (të shëndetshme) për të rriturit janë si më poshtë:
Kolesteroli total: 125 deri në 200 mg/dL
LDL: Më pak se 100 mg/dL
HDL: 40 mg / dL ose më e lartë (për burrat) dhe 50 mg / dL ose më e lartë (për gratë).
Sa shpesh duhet bërë testi i kolesterolit?
Me këtë kontroll për here të parë duhet të filloni para moshës 35 vjeçare për burrat, dhe para moshës 45 vjeçare për gratë. Por ekzistojnë edhe disa studime të cilat rekomandojnë fillimin e këtij ekzaminimi në moshën 20 vjeçare. Nivelet e kolesterolit në gjak duhet të monitorohen dhe për këtë arsye duhet të kryhen teste të njëpasnjëshme.
Nëse rezultati është normal, testi bëhet çdo 5 vjet.
Tek personat me diabet, tension të lartë, sëmundje të zemrës, goditje në tru ose probleme me qarkullimin e gjakut në ekstremitetet e poshtme, frekuenca duhet të jetë më e lartë.
Të paktën një herë në vit nëse jeni duke marrë ilaçe për të kontrolluar nivelin e lartë të kolesterolit.
Si mund të parandalohet kolesteroli?
Për të parandaluar kolesterolin e lartë, rekomandohet:
Të mbani një dietë të ekuilibruar pa yndyrna të ngopura, siç janë ushqimet mesdhetare të pasura me perime, bishtajore, drithëra dhe fruta.
Kryeni rregullisht ushtrime fizike.
Shmangni duhanin sepse ndikon në reduktimin e nivelit të kolesterolit të mirë (HDL).
Në Spitalin klinik Zhan Mitrev diagnostikojmë dhe trajtojmë çdo lloj patologjie mjekësore në koordinim me mjekët kardiologë, gastroenterologë dhe specialistë të fushave të tjera të mjekësisë dhe kirurgjisë. Mund t’ju këshillojmë dhe të zgjidhim të gjitha dyshimet tuaja me qasje të personalizuar.
Vlerësohet se katër nga pesë gra ndërmjet moshës 30 dhe 50 vjeç mund të kenë fibroide/mioma në mitër. Në shumicën e rasteve, këto janë tumore beninje që nuk shkaktojnë simptoma. Megjithatë, një e treta e pacientëve mund të përjetojnë: gjakderdhje të madha gjatë ciklit, dhimbje barku, parehati gjatë marrëdhënieve seksuale, etj. Përveç dhimbjes, fibroidet mund të shkaktojnë anemi dhe të ndikojnë seriozisht në cilësinë e jetës së gruas. Ato gjithashtu mund të kontribuojnë në infertilitet, sepse ekzistenca e tyre e bën të vështirë implantimin e embrionit, duke rezultuar me aborte të përsëritura.
Çfarë janë miomat në mitër?
Të njohura edhe si fibroide, ato janë masa jonormale, tumore beninje që rriten në mitër, por ndonjëherë shfaqen edhe në qafën e mitrës. Fibroidet mund të rriten në murin muskulor të mitrës brenda dhe jashtë. Këto rritje zakonisht nuk janë kancerogjene dhe nuk kanë prirje për tu shndërruar në kancerogjene.
Kjo patologji beninje është shumë e përhapur. Kështu, madje 80% e grave do të përballen me shfaqjen e tyre në një moment të jetës. Trajtimi i tyre rekomandohet vetëm kur ato shkaktojnë simptoma ose e vështirësojnë shtatzëninë.
Sipas vendndodhjes së tyre, fibroidet zakonisht ndahen në tre kategori: subserozale, intramurale dhe submukozale. Përafërsisht 55% e fibroideve janë subserozale, 40% janë intramurale dhe 5% janë submukozale.
Cilat janë shkaqet e shfaqjes së miomave?
Shkaqet e miomave janë të panjohura, por mendohet se janë të lidhura ngushtë me hormonet femërore: estrogjenin dhe progesteronin. Gjatë periudhës së menopauzës, kur këto hormone zhduken, rritja e miomave zakonisht ndalet, madje edhe madhësia e tyre mund të zvogëlohet. Por nuk zhduken plotësisht.
Llojet e miomave
Miomat mund të klasifikohen sipas vendndodhjes së tyre: • Në pjesën e brendshme të murit muskulor të mitrës – fibroide submukozale. • Në pjesën e mesme të muskulaturës së mitrës, pa dalje të tyre jashtë apo brenda: intramurale. • Në pjesën sipërfaqësore të murit që shtyhen drejt pjesës së jashtme: fibroma subseroze.
Cilat janë simptomat?
Simptomat e shkaktuara nga fibroidet varen nga vendndodhja dhe madhësia e tyre. Madhësia e tyre mund të ndryshojë nga dimensione mikroskopike deri në madhësinë e një portokalli ose edhe më të madha. Zakonisht fibroidet e mëdha janë ato që shkaktojnë simptoma më serioze.
Shumica e këtyre tumoreve beninje janë të vogla dhe nuk shkaktojnë simptoma, por menstruacionet e gjata, dhimbja dhe presioni në pjesën e legenit (pelvisit) mund të jenë disa nga shenjat.
Simptomat më të zakonshme janë:
Gjakderdhje jonormale, perioda të rënda ose gjakderdhje ndërmjet cikleve.
Dhimbje të pelvisit dhe/ose mesit.
Inkontinencë urinare.
Sterilitet, në përqindje të ulët.
Siklet gjatë marrëdhënieve seksuale.
Kapsllëk për shkak të presionit në rektum.
Si diagnostikohen miomat?
Diagnoza vendoset me anë të ekzaminimit gjinekologjik, ekzaminim vaginal ose palpacion abdominal. Ekografia gjinekologjike identifikon fibroidet e mitrës duke përcaktuar vendndodhjen dhe madhësinë e tyre.
Si trajtohen miomat?
Trajtimi rekomandohet vetëm nëse ato shkaktojnë simptoma dhe më pas në varësi të moshës së gruas, preferencave të saj etj. bëhet përzgjedhja e trajtimit të duhur.
Ekzistojnë disa lloje të trajtimit:
Kontraceptivët hormonalë të kombinuar shpesh reduktojnë gjakderdhjen.
Analogë të gonadotropinës – hormon çlirues. Zakonisht ato përdoren vetëm para operacionit për të zvogëluar madhësinë e miomit.
Moduluesit e progesteronit. Shumë efektiv në zvogëlimin e madhësisë së miomit dhe në reduktimin e gjakderdhjes, por mund të shkaktojë efekte anësore serioze.
Embolizimi i arterieve që mbërrijnë deri tek këtë trupa të rritur. Qëllimi është të ndërpritet furnizimi me gjak i miomit duke injektuar substanca okluzive vaskulare përmes një kateteri.
HIFU. Shkatërron fibroidet duke përdorur ultratinguj. Ndërhyrje e shpejtë që nuk kërkon prerje. Është efektive për ato fibroide intramurale që nuk i kalojnë përmasat 7-8 cm.
Radiofrekuenca. Kryhet në mënyrë vaginale me anë të një gjilpëre të hollë e cila depërton nxehtësi brenda fibromës dhe nekrotizon indin.
Operacion me ruajtje të mitrës. Operacioni konsiston në heqjen e fibroideve duke përdorur teknika të tilla si laparoskopia, histeroskopia ose laparotomia.
Kirurgjia e plotë. Histerektomia ose heqja e plotë e mitrës, mund të bëhet në mënyrë laparoskopike. Ky operacion indikohet vetëm për gratë që nuk dëshirojnë më të kenë fëmijë dhe duan të zgjidhin simptomat e fibroideve.
Në Spitalin klinik Zhan Mitrev disponojmë me ekip specialistësh që do të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjes së duhur për trajtimin e fibromave dhe të gjitha problemeve të tjera gjinekologjike dhe uro-gjinekologjike. Rezervoni terminin tuaj në 02 3091 484
Fëmijët janë në vend të parë, ata janë dekorimi i botës!
Çdo fëmijë meriton mbrojtjen dhe kujdesin më të mirë mjekësor. Në këtë kontekst është vendimtare qasja gjithëpërfshirëse për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të fëmijëve nga ana e mjekut pediatër specialist. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për periudhën e ndjeshme e rritjes dhe zhvillimit të shpejtë ose për moshën më të hershme që nga lindja deri në vitet e tyre të adoleshencës. Në klinikën tonë ofrohen ekzaminime pediatrike të specializuara për fëmijë të shëndetshëm dhe të sëmurë me patologji dhe probleme të ndryshme. Tani jemi në sezonin e infeksioneve të shpeshta të rrugëve të frymëmarrjes, ku më të prekurit janë fëmijët, prandaj nevojitet diagnostikimi dhe trajtimi në kohë i infeksioneve të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes (bronkioliti, bronkiti, pneumonia). Me anë të testit të ri të antigjenit mundësohet zbulimi i shpejt dhe i saktë i 5 shkaqeve më të shpeshta të infeksioneve të frymëmarrjes, dhe në këtë mënyrë edhe trajtimi i shpejtë dhe efektiv i tyre (Influenza A+B, RSV-Respiratory Syncytial virus, Adenovirus, Mycoplasma Pneumonia dhe SARS-COV-2). Testi bëhet me anë të tamponit (bris) nazofaringeal (nga hunda dhe fyti), rezultatet e të cilit merren për gjysmë ore.
Për rezervimin e kontrollit pediatrik të specializuar për fëmijën tuaj me pediatren specialiste Dr. Stanislava Angjeleska, telefononi në 02/3091-484
Dr. Zhan Mitrev dhe Spitali klinik Zhan Mitrev i janë drejtuar ambasadës amerikane, franceze, gjermane, angleze dhe Delegacionit të BE-së në vendin tonë me anë të një letre e cila ka për qëllim ti informojë ata për rrjedhën e hetimeve kundër doktorit dhe Klinikës Zhan Mitrev. Përveç kësaj, me anë të kësaj letre, bëhet thirrje për ta ndjekur dhe për ti kushtuar vëmendje më të madhe të gjithë procedurës hetimore dhe vlefshmërisë së akuzës, për shkak të hetimeve sipërfaqësore të deritanishme.
“Ju drejtohem me qëllimin për t’ju informuar dhe njohur me këtë rast që besoj se mund të lërë gjurmë të thella në jetën shoqërore, në perceptimin e profesionit në fushën e shëndetësisë dhe një rast që pretendon të prezantojë një praktikë të keqe në sistemin e drejtësisë në vend. Raste të tilla ndoshta janë të rralla, por edhe si të tilla, mund të shkaktojnë dëme me pasoja të mëdha”, thuhet në letrën drejtuar ambasadave dhe përfaqësuesve evropianë.
Në këtë letër, dr. Mitrev, i referohet punës së klinikës, duke i vënë theks të veçantë punës gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, të cilës i referohet edhe akuza e ngritur ndaj tij dhe Spitalit klinik Zhan Mitrev. Gjatë kësaj periudhe Spitali klinik Zhan Mitrev ka përqindjen më të lartë të suksesit në trajtimin e pacientëve me Covid-19, me 74, 6% të pacientëve të shëruar nga të gjitha rastet, ndërsa vdekshmëria është 25% kundrejt 51.5% në spitalet e tjera. Në këtë letër theksohet rëndësia sociale e klinikës e cila ofron kujdes të lartë mjekësor, angazhim profesional dhe përkushtim maksimal për mirëqenien e pacientit dhe shpresë për shërim dhe për jetë, madje edhe atëherë kur kjo nuk është mundësuar nga klinikat e tjera. “Pavarësisht këtyre rezultateve dhe punës së sakrifikuar të gjithë ekipit, sot Spitali klinik Zhan Mitrev, emri dhe puna ime janë objekt i një hetimi për të cilin kemi dyshime të bazuara që po bëhet në mënyrë sipërfaqësore pa i hyrë në thelb çështjes. Me këtë qasje jo vetëm që nuk merren parasyshë shumë elementë që janë fakte në vetvete, por gjithashtu pengohet vërtetimi i fakteve të vërteta që pacientët tanë i njohin dhe i kanë përjetuar, fakte që personeli i klinikës tonë i kemi përjetuar. Një qasje e tillë sipërfaqësore, e cila prek vetëm sipërfaqen e ngjarjeve në luftën për jetën dhe zhvlerëson sakrificën e të gjithë stafit të Spitalit klinik Zhan Mitrev, që në ato momente kujdesin ndaj pacientëve me Covid-19 dhe pasojat e koronavirusiti vendosi para vetes dhe familjeve të tyre”, thekson dr. Mitrev në letër.
Në fund të letrës bëhet sërish thirrje për rritje të monitorimit të procesit për shkak të qasjes joserioze dhe sipërfaqësore: “Dëshmitë për mungesën e seriozitetit dhe për hetim të paplotë vijnë nga të gjithë ata që thirren si dëshmitarë dhe që mund të dëshmojnë në mënyrë autentike, se si kemi luftuar për jetë dhe sa jetë kemi shpëtuar. Prandaj po ju drejtohem me shpresën dhe dëshirën që të nxisë interesin tuaj dhe të nxisë fokusin tuaj në ndjekjen e këtij rasti. Unë besoj në një të vërtetë, atë që mbështetet me fakte, dhe atë që dikush e ka përjetuar, duhet vetëm të krijohen kushte që të shihet e vërteta dhe të interpretohet ashtu siç është, e plotë dhe pa kuptime të dyfishta”, përfundon shkrimin e kësaj letre Dr. Zhan Mitrev.
Jo rrallë na ndodh që të pyesim veten nëse e kemi mbyllur derën? A e kemi hequr shporetin nga priza, ngrohësin apo ndonjë pajisje tjetër? A na e lehtëson vazhdimin e aktiviteteve të mëtejshme kontrolli I tyre apo kthehemi disa herë dhe bëhet rituali ynë i domosdoshëm i cili përsëritet vazhdimisht?
Disa nga këto momente psikike ndodhin dhe harrohen pa lënë asnjë gjurmë të rëndësishme pas nesh. Megjithatë, këto momente dhe ngjarje mund të përsëriten, të marrin kohë dhe të na heqin një pjesë të madhe të vëmendjes, funksionalitetit, madje të na prishin rrjedhën tonë normale të jetës dhe të mos na japin qetësi derisa të kryhen këto rituale të caktuara.
Çrregullimi obsesiv-kompulsiv karakterizohet nga një model mendimesh dhe frikash të padëshiruara (obsesione) që çojnë në sjellje të përsëritura (kompulsione). Këto obsesione dhe detyrime ndërhyjnë në aktivitetet e përditshme dhe shkaktojnë shqetësime të konsiderueshme.
Shenjat dhe simptomat
Çrregullimi mund të shoqërohet me simptoma të obsesioneve, kompulsioneve ose të dyja. Simptomat mund të ndikojnë në shumë aspekte të jetës, për shembull në punë, në shkollë dhe në marrëdhëniet personale. Obsesionet janë mendime, nxitje ose imazhe mendore të përsëritura që shkaktojnë shqetësim. Ato përfshijnë:
Frikën nga infektimi me baktere, viruse ose ndonjë formë kontaminimi;
Pasigurinë dhe vështirësië për të përballuar diçka të panjohur;
Mendimet të padëshiruara të ndaluara ose tabu për seksin, fenë ose lëndimet;
Mendimet agresive ose të frikshme për humbjen e kontrollit dhe lëndimin e vetes ose të të tjerëve;
Vendosjen e objekteve në një rend simetrik ose të përsosur.
Kompulsionet janë sjellje të përsëritura që ju ndiheni të detyruar t’i kryeni. Këto sjellje të përsëritura ose ndikime mendore synojnë të zvogëlojnë ankthin që lidhet me obsesionet ose të parandalojnë që të ndodhë diçka e keqe. Megjithatë, fakti që ju i kryeni këto mendime të detyruara (kompulsione) nuk ju jep kënaqësi, mund të çojë vetëm në lehtësim të përkohshëm të ankthit. Kompulsionet e zakonshme përfshijnë:
Pastrimin e tepërt dhe/ose larjen e tepruar të duarve;
Rregull/ përshtatshmëri e tepruar;
Renditja dhe vendosja e objekteve në mënyrë specifike dhe precize;
Kontrollimi i vazhdueshëm i gjërave, si p.sh. kontrolli i vazhdueshëm nëse dera është e kyçur ose nëse furra është e fikur.
Është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjitha ritualet ose zakonet janë detyrime. Të gjithë i kontrollojnë gjërat ndonjëherë nga dy herë. Por kur kemi të bëjmë me çrregullim, njerëzit në përgjithësi:
Nuk mund t’i kontrollojnë mendimet ose sjelljet e tyre, edhe pse ato mendime ose sjellje njihen si të tepruara;
Kalojnë të paktën 1 orë në ditë me këto mendime apo sjellje;
Nuk ndjejnë kënaqësi pas kryerjes së ritualeve apo sjelljeve, por mund të ndiejnë një lehtësim të shkurtër nga ankthi që i’u shkaktojnë mendimet;
Përjetojnë probleme të rëndësishme në jetën e tyre të përditshme për shkak të këtyre mendimeve ose sjelljeve.
Si pjesë e shfaqjes së çrregullimit, disa njerëz përjetojnë tike/mimika. Tiket mund të shfaqen si tike motorike, të cilat janë lëvizje të papritura, të shkurtra, të përsëritura, si pulsimi i syve, grimasat e fytyrës, ngritja e shpatullave, etj. Simptomat mund të shfaqen dhe të zhduken, të përmirësohen me kalimin e kohës ose të përkeqësohen. Mund të ndodhin edhe tek fëmijët. Gjatë kësaj periudhe, çrregullimi mund të vërehet nga ana e prindërit ose mësuesit. Shumica e të rriturve e kuptojnë se ajo që po bëjnë nuk ka kuptim, kështu që ata kërkojnë ndihmë mjekësore vetë. Por shpesh ndodh që të përdorin edhe alkool për të qetësuar simptomat.
Faktoret e rrezikut
Çrregullimi obsesiv kompulsiv është një çrregullim i zakonshëm që prek të rriturit, adoleshentët dhe fëmijët në mbarë botën. Shumica e rasteve diagnostikohen rreth moshës 19 vjeç, zakonisht me një moshë më të hershme të fillimit tek djemtë sesa tek vajzat, ndërsa faza më e vonshme e fillimit të këtij çrregullimi ndodh pas moshës 35 vjeç.
Shkaqet e çrregullimit obsesiv kompulsiv janë të panjohura, por faktorët e rrezikut përfshijnë:
Faktorët gjenetikë që tregojnë se nëse të afërmit e shkallës së parë (si prindi, motra, vëllai) që kanë çrregullim obsesiv kompulsiv edhe ju keni gjasa të rritura për të zhvilluar këtë çrregullim;
Struktura dhe funksionimi i trurit – ndryshime të caktuara strukturore në korteksin frontal dhe strukturat subkortikale të trurit tek pacientët me çrregullim obsesiv kompulsiv;
Mjedisi i jetesës– Disa studime kanë treguar një lidhje ndërmjet traumës së fëmijërisë dhe simptomave obsesive-kompulsive. Në disa raste, fëmijët mund të zhvillojnë simptoma të çrregullimit obsesiv kompulsiv pas infeksionit të streptokokut – dhe kjo gjendje njihet si Çrregullim Neuropsikiatrik Autoimun Pediatrik i shoqëruar me Infeksione Streptokoksike (PANDAS);
Ngjarjet stresuese të jetës.
Komplikimet
Problemet që lindin nga çrregullimi obsesiv-kompulsiv ndër të tjera mund të përfshijnë:
Kohën e tepërt të kaluar në sjellje rituale;
Problemet shëndetësore, si dermatiti nga larja e shpeshtë e duarve;
Vështirësitë në kryerjen e aktiviteteve në punë, shkollë apo kontakte shoqërore;
Marrëdhëniet problematike;
Cilësinë e përgjithshme të dobët të jetës;
Sjellje dhe mendime për vetëvrasje.
Trajtimi dhe terapia
Çrregullimi obsesiv-kompulsiv zakonisht trajtohet me medikamente, psikoterapi ose një kombinim të të dyjave. Megjithëse shumica e pacientëve i përgjigjen trajtimit, tek disa pacientë disa nga simptomat vazhdojnë. Ndonjëherë njerëzit me çrregullim obsesiv-kompulsiv kanë edhe çrregullime të tjera mendore, të tilla si ankthi, depresioni dhe çrregullimi dismorfik i trupit, skizofrenia. Këta elementë janë të rëndësishëm kur merret një vendim për llojin e trajtimit.
Ndër medikamentet e përdorura në trajtimin e çrregullimit janë barnat nga grupi i antidepresivëve SSRI. Trajtimi i çrregullimit obsesiv-kompulsiv përdor doza më të larta të barnave sesa ato të nevojshme për trajtimin e depresionit dhe mund të duhen 8 deri në 12 javë për të arritur një efekt, por disa pacientë përjetojnë përmirësim më të shpejtë.
Nëse simptomat nuk përmirësohen me këto lloj ilaçesh, hulumtimet tregojnë se disa pacientë mund t’i përgjigjen mirë medikamenteve antipsikotike. Psikoterapia mund të jetë një trajtim efektiv për të rriturit dhe fëmijët me çrregullim obsesiv-kompulsiv. Hulumtimet tregojnë se disa lloje të psikoterapisë, duke përfshirë terapinë konjitive të sjelljes (CBT) dhe terapi të tjera të lidhura (p.sh. trajnimi për varësinë) mund të jenë po aq efektive në trajtimin e çrregullimit.
Nëse e gjeni veten në përshkrimin e simptomave për Çrregullimin Obsesiv Kompulsiv, është e nevojshme të kërkoni ndihmë profesionale, psikiatrike, sepse një çrregullim i patrajtuar mund të ndikojë negativisht në të gjitha aspektet e jetës suaj.
Për të rezervuar konsultën tuaj me mjeken tonë psikiatre, Dr. Marija Kostadinovska, telefononi në 02/3091-484. Çmimi i konsultës është 1500 denarë.