4 Marsi – Dita botërore e obezitetit

Shënimi i kësaj dite synon të promovojë zgjidhje praktike për të ndihmuar njerëzit të arrijnë dhe të mbajnë një peshë të shëndetshme. Obeziteti është një problem global që prek të gjithë. Në mbarë botën aktualisht jetojnë rreth 800 milionë njerëz me këtë sëmundje dhe parashikimet thonë se obeziteti do të arrijë përmasa pandemike deri në vitin 2035, pra një në katër persona do të jetë obez. Për të parandaluar këtë trend global, pikërisht në këtë ditë, theks i veçantë i kushtohet promovimit të një stili jetese dhe ushqimi të shëndetshëm.

Ne në Klinikën Zhan Mirev i bashkohemi shënimit të 4 Marsit dhe duam të theksojmë se nëse dikush ka nevojë për këshilla apo plan të veçantë për trajtimin e kësaj sëmundjeje, jemi në dispozicionin tuaj.

“Vetëm ai që punon me këtë disiplinë e di se çfarë ndryshimesh pozitive pas shumë vitesh ndodhin tek pacientët pas trajtimit, ndryshime që shumica e njerëzve nga jashtë as nuk i mendojnë se janë problem në jetën e përditshme (pamundësia e lëvizjes, gjetja e rrobave në një numër të përshtatshëm etj.). Por për këta pacientë, është si të kthehen në kohën kur nuk kishin fare probleme me peshën dhe u jep atyre motivim, shtytje dhe energji pozitive se janë në rrugën e duhur dhe bëjnë diçka të dobishme për veten e tyre dhe për më tepër në mënyrën më natyrale të mundshme!” – thotë Dr. Xhuliana Mihajlovska, specialiste endokrinologe.

Klinika Zhan Mitrev 24 vjet – 1 milion ekzaminime dhe 400,000 histori suksesi

Standardet e larta në mjekësi, certifikata nga Joint Commission International, operacioni i parë i zemrës së hapur në Maqedoni janë vetëm disa nga arritjet e Klinikës Zhan Mitrev gjatë 24 viteve të ekzistencës.
Historia e Klinikës nis më 1 mars të vitit 2000, kur zyrtarisht filloi punën me kryerjen e operacionit të parë bajpas në Maqedoni, udhëhequr nga doktor Zhan Mitrev. Me këtë operacion u vendosën themelet e shërbimeve moderne mjekësore në Maqedoni dhe filloi ngritja e vazhdueshme e standardeve të shërbimit dhe kujdesit shëndetësor.
“Kam ndjesinë sikur ka qenë dje kur kemi filluar punën dhe në fakt kur kthej kokën pas kanë kaluar plot 24 vite me shumë punë dhe mund. Me shaka shpesh them se do të filloj të shkruaj memoare se si kemi filluar dhe deri ku kemi arritur, realisht nga një hapësirë e vogël tani kemi një Klinikë me standardet më të larta në rajon. Për të mbijetuar, për ta rritur dhe zhvilluar Klinikën ka qenë një sfidë e vërtetë sepse kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një rrugë të mbushur me shumë pengesa. Pavarësisht gjithçkaje, ne vazhdojmë të ecim përpara dhe tashmë dihet se këtu pacienti merr shërbim të lartë mjekësor. Suksesi ynë matet nga historitë e suksesit të pacientëve tanë, nga numri i operacioneve, aplikimi i metodave moderne dhe vendosja e standardeve më të larta në kujdesin shëndetësor të njohura në nivel botëror nga autoritetet më të njohura shëndetësore”, shprehet Dr. Mitrev, duke iu referuar 24 viteve nga ekzistenca e Klinikës.
Sot, Klinika Zhan Mitrev është një qendër mjekësore moderne rajonale me procedura të plota diagnostikuese në shumë degë mjekësore, e mbështetur nga shërbimet e kirurgjisë moderne, anestezisë dhe kujdesit intensiv. Klinika disponon certifikatën e Vulës së Artë si një qendër shëndetësore me standardet më të larta në aspektin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe kujdesit për sigurinë e pacientit, e dhënë nga Joint Commission International, duke e krahasuar Klinikën maqedonase me Klinikën Mayo. Certifikata eshtë marrë për herë të tretë në vazhdimësi për shtatë vjet.
Puna e deritanishme e Klinikës Zhan Mitrev deri më sot është shënuar me mbi 40,000 operacione, duke përfshirë metoda revolucionare në mjekësinë moderne si operacioni i parë me zemër të hapur tek pacient i zgjuar, operacion i kryer në vitin 2002, TAVI– Transcatheter Aortic Valve Implantation, një zëvendësim revolucionar i valvulës së zemrës dhe TEVAR – një qasje komplekse hibride ndaj aneurizmës së aortës torakoabdominale si dhe trajtime të sëmundjeve kongjenitale të zemrës. Më shumë se 1 milion ekzaminime janë kryer dhe mbi 400 mijë pacientë janë trajtuar në klinikë.

Çrregullimet disociative

Çrregullimet disociative janë gjendje të shëndetit mendor që përfshijnë një ndjenjë shkëputjeje nga realiteti, domethënë një humbje e lidhjes midis mendimeve, kujtimeve, ndjenjave, mjedisit, sjelljes dhe identitetit. Këto kushte na ndajnë nga ngjarjet aktuale reale në mënyrë të padëshirueshme dhe jo të shëndetshme, duke shkaktuar probleme në funksionimin tonë të përditshëm.

Fjala “disociacia” do të thotë shkëputje nga të tjerët, nga bota përreth ose nga vetvetja. Nëpërmjet kësaj shkëputje mendja zgjedh një mënyrë për t’u përballur me stresin e tepërt.

Periudhat e shkëputjes mund të zgjasin një kohë relativisht të shkurtër (orë ose ditë) ose shumë më gjatë (javë ose muaj). Shumë individë me çrregullim disociativ kanë pasur një ngjarje traumatike në fëmijëri. Disociimi mund të ndodhë si një mënyrë për të përballuar stresin/traumën.

Simptomat

Simptomat e çrregullimit disociativ mund varjojnë, dhe mund të përfshijnë:

  • Ndjenjë shkëputje nga vetja dhe bota përreth jush
  • Humbje të kujtesës për periudha të caktuara kohore, ngjarje, njerëz dhe informacione personale
  • Ndjenjë pasigurie për identitetin e dikujt ose përjetim i identiteteve të shumta të ndryshme
  • Ndjenjë të lehtë dhimbje fizike
  • Disa individë me çrregullime disociative kanë kriza. Ato mund të variojnë nga gjendje të fikëti deri në kriza që ngjajnë me kriza epileptike
  • Përballje në mënyrë joadekuate e stresit, etj.

Shoqata Amerikane e Psikiatrisë përcakton tre çrregullime kryesore disociuese: depersonalizim-derealizim, amnezi dissociative dhe çrregullim të identitetit disociues.

Depersonalizim-derealizim

  • Depersonalizimi përfshin ndjenjën e ndarjes nga vetvetja ose ndjenjën e ekzistencës jashtë vetes, sikur jemi në gjendje të shikojmë veprimet, ndjenjat, mendimet dhe veten tonë nga një distancë, domethënë si të shikojmë një film.
  • Derealizimi përfshin ndjenjën se ne i perceptojmë njerëzit dhe gjërat e tjera sikur të ishin në ëndërr. Simptomat, të cilat mund të jenë shumë shqetësuese, mund të zgjasin me orë, ditë, javë ose muaj. Ato mund të shfaqen dhe zhduken për disa vite, ose mund të bëhen të vazhdueshme.
  • Amnezia disociative mund të jetë specifike për ngjarjet që kanë ndodhur në një kohë të caktuar. Rrallë, megjithatë e mund të përfshijë humbje të plotë të kujtesës për veten. Ndonjëherë kjo përfshin një udhëtim të ndjekur pa kujtesë, dhe njihet si fuga disociative.
  • Çrregullimi i identitetit disociativ – I njohur më parë si çrregullim i shumëfishtë i personalitetit, ky çrregullim përfshin “kalimin” ndërmjet dy ose më shumë identiteteve. Çdo identitet mund të ketë një emër unik, karakteristika dhe histori personale. Këto identitete ndonjëherë përfshijnë dallime në zë, gjini, sjellje dhe madje edhe cilësi fizike siç nevoja për syze. Ekzistojnë gjithashtu dallime që kanë të bëjnë me njohjen e secilit identit tek të tjerët. Çrregullimi disociativ i identitetit zakonisht përfshin gjithashtu periudha amnezie dhe shpesh përfshin periudha të ecjes pa qëllim konkret.

Diagnoza

Diagnoza zakonisht përfshin bisedën me individin ku komunikohen simptomat dhe një ekzaminim për të përjashtuar ndonjë gjendje specifike mjekësore që mund të shkaktojë simptomat. Ekzaminimi dhe vlerësimi shëndetësor shpesh përfshijnë referimin tek mjeku i shëndetit mendor me qëllim për të vendosur diagnozën.

Diagnoza mund të përfshijë:

  • Ekzaminim fizik. Gjatë ekzaminimit është e nevojshme të shprehen ankesat/simptomat. Ndonjëherë nevojiten teste për të përjashtuar kushtet fizike që mund të shkaktojnë simptoma të tilla si humbja e kujtesës dhe ndjenjën e shkëputjes nga realiteti. Kjo ndodh gjatë: lëndimit në kokë, sëmundje të caktuara të trurit, mungesë të rëndë të gjumit dhe përdorim të drogës ose alkoolit.
  • Ekzaminimi i shëndetit mendor – diskutimi i mënyrës se si një person mendon, ndihet apo sillet. Në ekzaminim mund të jetë i pranishëm edhe një person i afërt, një anëtar i familjes ose një mik që do të mund të shpjegojë një problem specifik shëndetësor të personit që ka nevojë për ekzaminim.

Psikoterapia

Psikoterapia quhet edhe terapi bisede ku mjeku profesionist i shëndetit mendor shpjegon për vetë çrregullimin dhe problemet që lidhen me të. Nëpërmjet psikoterapisë, kuptohet shkaku i gjendjes, por gjithashtu mund të ndihmojë në zhvillimin e mënyrave të reja të trajtimit të situatave stresuese. Me kalimin e kohës, mjeku i shëndetit mendor mund të ndihmojë pacientin/individin të çlirohet dhe spontanisht të flasë për ngjarje tronditëse, shqetësuese ose të dhimbshme nga e kaluara. Kjo zakonisht ndodh pas vendosjes së një marrëdhënie besimi me mjekun.

Trajtimi

Trajtimi për çrregullimet disociative mund të ndryshojë në varësi të llojit të çrregullimit. Trajtimi në përgjithësi përfshin psikoterapi dhe mjekim me barna.

Barna

Megjithëse nuk ka medikamente që trajtojnë në mënyrë specifike çrregullimet disociative, barnat/ilaçet kundër depresionit, ilaçet kundër ankthit ose antipsikotikët janë të përshkruara për të lehtësuar simptomat dhe për tu perballur me lehtë me sfidat e përditshme.

Dr. Marija Kostadinovska
Specialiste psikiatre

Mos lejoni që prolapsi dhe mosmbajtja e urinës të ndikojnë në cilësinë e jetës suaj

Informohuni për zgjidhjet e mundshme që janë në dispozicion

Prolapsi gjenital ose rënia e mitrës dhe mosmbajtja e urinës janë kushte të zakonshme – më shumë se 67% e grave preken nga ky problem gjatë jetës së tyre.

Prolapsi ndodh si rezultat i dobësimit të indeve dhe muskujve në legen, gjatë së cilës mitra lëviz ose zbret nga pozicioni i saj normal, zakonisht së bashku me vaginën, fshikëzën dhe kanalet. Në këtë rast bëhet fjalë për prolapsin uro-gjenital, në të cilin shfaqet çrregullim jo vetëm në pozicionin anatomik, por edhe në funksionin e organeve të prekura.
Pozicioni anatomik i dëmtuar është në fakt shfaqja e hernies tek një ose disa pjesëve të organeve gjenitale të brendshme dhe e vetë fshikëzës dhe/ose uretrës (dalja e urinës) tek gruaja.

Funksioni i dëmtuar manifestohet me probleme me urinimin dhe mund të variojë nga urinimi i shpeshtë me ose pa ndjenjën e dëshirës për të urinuar, mund të manifestohet përmes mosmbajtjes së urinës e njohur ndyshe si inkontinenca urinare (urinimi gjatë ndonjë veprimi, kollitjes, teshtitjes, të qeshurit, marrëdhënieve seksuale, etj.), zbrazjes jo të plotë të fshikëzës, uroinfeksionet, marrëdhëniet seksuale të dëmtuara ose të pamundura.

Arsyet janë të shumta, por dominojnë mosha, lindja (veçanërisht vaginale), obeziteti, puna fizike, faktorët trashëgues, dobësimi i strukturave mbështetëse të muskujve etj.

Është e rëndësishme që çdo grua të jetë e vetëdijshme se ka një zgjidhje efektive dhe të përhershme për këto probleme.
Bëhet fjalë për operacione vaginale minimale invazive, me qëndrim të shkurtër në spital dhe shërim të shpejtë që mundëson rikthimin në aktivitetet e përditshme pa pasoja.

Prof. Dr. Vasil Iliev ka një praktikë shumëvjeçare në zbatimin e ndërhyrjeve moderne rikonstruktive për lloje të ndryshme të prolapsit të mitrës dhe/ose vaginës, si dhe zgjidhjen e përhershme të inkontinencës urinare.

Për rezervimin e terminit telefononi në 02 3091 484

Gjithçka që duhet të dini për sindromën Asperger

Jemi të sigurt se termi Asperger sindrom është i njohur për ju. Por në këtë tekst Dr. Katerina V. Dimovska – mjeke specialiste pediatre, i shpjegon aspektet shëndetësore të këtij sindromi si pjesë e spektrit të çrregullimeve autike, si dhe flet edhe për mënyrat e mundshme për t’u përballur me të në jetën e përditshme.

Çfarë është kjo sindromë?

Sindroma Asperger është një gjendje neurologjike në të cilën personi i prekur përjeton vështirësi në një nivel funksional në jetën shoqërore.
Sipas klasifikimit DSM 5, sindroma Asperger i përket grupit më të gjerë të çrregullimeve të spektrit autik Аutistic Spectrum Disorder group (ASD), ku kushtet përcaktohen dhe përshkruhen në mënyra të ndryshme. Çdo person me Asperger ka karakteristikat e veta specifike dhe kalon nëpër përvoja krejtësisht të ndryshme, simtoma dhe manifestime të ndryshme, të cilat janë karakteristike vetëm për vetë personin e prekur.

Megjithatë, disa karakteristika tek këta persona mund të jenë të përbashkëta si aftësitë motorike dhe problemet me inteligjencën sociale.
Shumicën e kohës, individët me Asperger nuk kanë IQ të ulët. Përkundrazi, IQ e tyre mund të jetë normale ose e lartë, gjë që i bën ata studentë të suksesshëm dhe për këtë arsye vetëm një numër i vogël i rasteve të Aspergerit zbulohen në fëmijëri.
Shumica mbeten të padiagnostikuar deri në momentin e përfshirjes së tyre në mjedisin social, shoqëri.

Është e rëndësishme të përmendet se rruga e tyre për të arritur qëllimet e tyre të jetës nuk është aspak e lehtë. Ata kanë vështirësi në socializimin e përditshëm, në mjedisin e tyre të punës, në detyrat rutinë të përditshme dhe në ndërveprime sociale të paplanifikuara, të papritura.
Personat me Asperger përdorin një mënyrë të veçantë për të përqendruar dhe kryer detyra të caktuara, të përshkruar si metoda “tuneli”. Ata nuk kanë aftësinë për të kryer disa detyra njëherësh, multitasking, ndaj bien lehtësisht në një gjendje zhgënjimi, të tejmbushur me emocione negative, shpërthime inati dhe zemërimi.

Një problem i tillë në jetën e përditshme të një personi me Asperger do të ndryshojë stabilitetin e tij psikosocial dhe do ta bëjë atë të përballet me një detyrë të re. Në situata të caktuara do të vihen re nga ambienti përreth dhe do të stigmatizohen.
Një mjedis stigmatizues është një pengesë e fortë për persona të tillë dhe si rrjedhojë ata zhvillojnë stres, ankth dhe depresion. Shumica prej tyre do të kenë nevojë për këshillim psikologjik kur të rriten.

Një studim që u krye tek fëmijët dhe adoleshentët tregoi se terapia njohëse-sjellëse (cognitive-behavioral) kishte një ndikim pozitiv kur ajo bëhej në grup.
Personat me Asperger sindrom në moshë madhore përballen me papunësi, pagesë të ulët, humbje pune, mospranimin nga mjedisi. Për rrjedhojë, këta persona kanë nevojë të vazhdueshme për mbështetje këshilluese, e cila i drejton drejt zgjedhjes së duhur të profesionit dhe i mëson se si të forcojnë anët e tyre të mira dhe të minimizojnë dobësitë e tyre.
Ideale është përfshirja e një trajneri pune për të drejtuar personat me Asperger në formimin e tyre profesional dhe për t’i ndihmuar ata në ruajtjen dhe vazhdimësinë e qëllimeve të tyre.

Neuroshkenca dhe neuropsikologjia dhe metoda të tjera diagnostikuese

Zhvillimi i psikologjisë si shkencë bazohet në funksionin e trurit dhe zhvillimin neurologjik që në moshë të hershme. Në epokën moderne, psikologjia nuk bie në sy, por është e lidhur fort me neuroshkencën. Kombinimi i tyre krijon një shkencë të tretë, neuropsikologjinë, e cila sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është shumë e interesuar për variacionet e çrregullimeve neurologjike që prekin mendjen e njeriut, procesin e të menduarit, ndjenjat, emocionet, njohjen dhe sjelljen. Këto çrregullime neurologjike prekin sistemin nervor periferik dhe qendror dhe nga këtu është evidente nevoja për shumë shqyrtime të tjera në nivel kimik, strukturor, qelizor.

Kur këshillimi psikologjik dhe psikoterapia nuk mjaftojnë, atëherë përfshihen metoda të tjera të testeve diagnostikuese.

Elektroencefalografia ose e njohur më mirë si EEG dhe është një metodë neurofiziologjike që na jep informacion të rëndësishëm për reaksionet kimike dhe transferimin e impulseve neuronale në tru. Nëpërmjet regjistrimit të EEG, terapisti merr informacion për natyrën e valëve elektrike, nga vijnë, nëse ato tregojnë gjendje të tjera patologjike apo thjesht shpjegojnë simptomat ekzistuese psikologjike. Nëse trajtimi psikologjik ka filluar tashmë, regjistrimi i EEG-së do të na lejojë të monitorojmë ndryshimet dhe të vlerësojmë efektet e arritura të trajtimit. Teknika EEG e ka vërtetuar tashmë vlerën e saj tek gjendjet si ASD, ADHD, çrregullime të gjumit por edhe gjendje të tjera psikopatologjike dhe neurologjike.

Teknikat e neuroimazherimit si tomografia e kompjuterizuar (CT), rezonanca magnetike (MRI), rezonanca magnetike funksionale (fMRI), skanimi PET, ofrojnë të dhëna të detajuara për zhvillimin e trurit dhe strukturën e tij. Nëpërmjet tyre ne zbulojmë anomalitë strukturore, pamjaftueshmërinë funksionale të trurit, komorbiditetet dhe/ose sëmundjet degjenerative. Shumë gjendje si autizmi, varësitë, krizat jo epileptike, krizat psikogjenike, depresioni, demenca dhe madje edhe skizofrenia shoqërohen me ndryshime strukturore në tru.

Duke njohur faktin se truri i njeriut zotëron jo vetëm potencial gjenetik, por edhe epigjenetik që rezulton në neuroplasticitet, aplikimi i modaliteteve në psikoterapi në afat të gjatë do të lejojë trurin jofunksional të përshtatet, modifikojë strukturën e tij dhe të zhvillojë sinapse të reja dhe lidhje neuronale që për rrjedhojë, ata do të krijojnë shtigje të reja sjelljeje për individin, shoqërisht të pranueshme për mjedisin.
Integrimi i neurofiziologjisë dhe neuropsikologjisë është një nga sfidat e neuroshkencës, e cila duhet të zhvillojë modalitete të reja për diagnostikimin dhe terapinë.

Në spitalin tonë kemi të gjitha metodat diagnostikuese të sipërpërmendura dhe sigurisht mjekë të kualifikuar në këtë fushë që mund të ndihmojnë në lehtësimin dhe mbështetjen e funksionimit të përditshëm të individëve me sindromën Asperger.

Rezervoni terminin në 00389 2 3091 484

Klinika Zhan Mitrev organizon seminar për luftën kundër sëmundjeve kardiovaskulare

Nisi Java e luftës kundër sëmundjeve kardiovaskulare! Klinika Zhan Mitrev tradicionalisht këtë vit bashkëpunon me Kryqin e Kuq të qytetit të Shkupit. Për vullnetarët e tyre që na vizituan sot, psikologët tanë dhe psikoterapistet Doc. Dr. Kristina Egumenovska dhe Aleksandra Petroski realizuan seminar psikologjik me një temë mjaft aktuale. Të rinjtë menduan se si ta njohin zonën komforte të tyre dhe mënyrat për të kapërcyer çdo pengesë për rritjen dhe zhvillimin personal!

Përdorimi jo i duhur i vitaminave/suplementeve tek fëmijët

Ne kemi folur tashmë për përdorimin e duhur ose të papërshtatshëm të disa suplementeve të vitaminave tek fëmijët, që mbulojnë grupin e vitaminave liposolubile, të cilat përfshijnë vitaminat A, E dhe D. Në këtë tekst, ne do të trajtojmë vitaminat hidrosolubile (hidrotretshme) si B12, B9 dhe C.

Le të kujtojmë kur fëmijëve duhet t’u jepen suplemente vitaminash:

  • Kur ka mungesë të vitaminave, për shkak të marrjes së reduktuar ose pranisë së reduktuar të vitaminave në ushqim,
  • Gjatë aplikimit të dietave restriktive me sasi të reduktuar të vitaminave,
  • Në rast të sëmundjeve dhe gjendjeve në të cilat kemi reduktim ose ri-absorbim joadekuat të vitaminave.

Vitamina C

Kjo vitaminë gjendet në trupin e njeriut në formën e acidit askorbik. Burimi kryesor i vitaminës C janë frutat dhe perimet. Merr pjesë në sintezën e kolagjenit dhe në ndërtimin e indeve lidhëse. Vitamina C është e përfshirë në reaksionet enzimatike në funksionin e sistemit nervor, si dhe ka një rol antioksidant përmes të cilit neutralizon radikalet e lira.

Doza e rekomanduar për vitaminën C është ndërmjet 35 dhe 75 mg/ditë në varësi të moshës. Sëmundja e mungesës së vitaminës C e quajtur skorbuti është jashtëzakonisht e rrallë, por ende e pranishme në vendet në zhvillim. Shenjat klinike të skorbutit manifestohen me rritjen e ndjeshmërisë së enëve të gjakut dhe shfaqjen e gjakderdhjes nga lëkura dhe mukozat, si dhe me shfaqjen e dhimbjeve muskulo-skeletore. Mungesa e vitaminës C shfaqet edhe në vendet perëndimore për shkak të aplikimit të dietave kufizuese në kushte si autizmi dhe gjendjet neurologjike, si dhe në sëmundjet malabsorbuese të sistemit gastrointestinal dhe renal.

Në rastin e infeksioneve në rrugër e sipërme të frymëmarrjes, vitamina C nuk luan një rol në kohëzgjatjen e infeksionit ose në ashpërsinë e pamjes klinike. Sipas studimit të Garaiova, administrimi i vitaminës C në kombinim me probiotik për një periudhë 6-mujore rezultoi në reduktim të infeksioneve të shpeshta të frymëmarrjes dhe në ashpërsinë e pamjes klinike. Megjithatë, studimi nuk mund të vërtetojë ekskluzivisht efektin e vitaminës C. Edhe pse sipas disa studimeve të bëra tek të rriturit, aplikimi i vitaminës C redukton kohëzgjatjen e pneumonisë.

Vitamina C luan një rol në metabolizmin e histaminës dhe prostaglandinës me një efekt të dukshëm bronkodilator. Megjithatë, deri më tani asnjë studim nuk e ka konfirmuar këtë efekt te astma tek fëmijët. Konsiderohet se ka një efekt pozitiv në depresionin tek fëmijët. Ndikimi i tij në reduktimin e dhimbjeve në nevralgji post-herpetike, dhimbje onkologjike dhe sindroma e dhimbjes rajonale është vërtetuar përmes disa studimeve. Në fushën e hematologjisë është e rëndësishme të theksohet aftësia e vitaminës C për të rritur përthithjen/absorbimin e hekurit, duke mundësuar shndërrimin e tij në një formë të reduktuar. Studimet e fundit raportojnë aftësinë e tij për të përmirësuar parametrat e gjakut kur merret nga goja në 250 mg/ditë për 10 javë, tek pacientët me anemi refraktare dhe anemi të mungesës së hekurit.

Tek pacientët me dializë, plotësimi i vitaminës C lejon reduktimin e acidit urik dhe përmirëson profilin e lipideve në gjak. Përveç kësaj, vitamina C ka një efekt edhe në rastin e obezitetit, duke reduktuar pro-inflamatorët që janë tipike për këto gjendje. Nëpërmjet meta-analizave, është treguar se vitamina C kur merret/administrohet nga goja ka aftësinë të reduktojë ndjeshëm glukozën në gjak te pacientët me diabet të tipit 2.

Vitamina B12

Kjo vitaminë bën në grupin e vitaminave B, dhe burimi natyror i saj është ushqimi me origjinë shtazore.
Vitamina B12 është e përfshirë në sintezën e ADN-së. Merr pjesë në sintezën e hemoglobinës dhe luan një rol kyç në funksionet neurologjike. Është gjithashtu një kofaktor në reaksione të shumta metabolike.
Doza e rekomanduar për fëmijët nga 1 deri në 3 vjeç është ndërmjet 0 dhe 7 mikrogramë/ditë. Ndërsa për adoleshentët doza është 2 mikrogramë/ditë. Absorbimi i kësaj vitamin në zorrën e hollë bëhet përmes një faktori të brendshëm të prodhuar në mukozën e stomakut. Mungesa e vitaminës B12 shfaqet në rastet e dietave të kufizuara si dieta vegane ose në rastin e absorbimit/përthithjes jo të duhur. Klinikisht shfaqet me simptoma neurologjike dhe anemi megaloblastike. Përdorimi i barnave të caktuara si frenuesit e pompës protonike, antagonistët e receptorëve të histaminës dhe metformina, ulin nivelin e vitaminës B12.

Dieta vegane është jashtëzakonisht e popullarizuar dhe praktikuar në ditët e sotme. Pavarësisht rekomandimeve të dhëna nga Shoqata Ndërkombëtare për Shëndetin Ushqyes, gjithnjë e më shumë nëna dhe gra shtatzëna po bëhen vegane. Mungesa e vitaminës B12 gjatë shtatzënisë shoqërohet me pre-eklampsi, raste të shumta të humbjes së fetusit, vonesë intrauterine të rritjes së fetusit, lindje të parakohshme, peshë të ulët të lindjes dhe defekte kongjenitale të tubit nervor tek të porsalindurit.

Foshnjat e nënave që kanë pasur mungesë të B12 gjatë shtatzënisë shfaqin një rrezik të lartë të zhvillimit të problemeve të rritjes, anoreksisë, lëvizjeve të pavullnetshme/pakontrolluara, hiperpigmentimit, gjetjeve jonormale të EEG (elektroencefalogramit) dhe vonesës në zhvillimin e të folurit. Për më tepër, është treguar se përqendrimi i vitaminës B12 në qumësht varet rreptësisht nga përqendrimi i vitaminës në serumin e nënës. Prandaj, doza e rekomanduar e plotësimit të B12 te gratë shtatzëna dhe në laktacion/qumësht është 250 mikrogramë/javë. Ndërsa për fëmijët e moshës nga 7 muaj deri në 6 vjeç, doza duhet të jetë rreth 1-4 mikrogramë/ditë.

Ka disa lloje matjesh që lidhen me vitaminën B12

-Matja e përqendrimit të B12 në serum shprehet në pikomole/litër dhe niveli konsiderohet i reduktuar nëse është më pak se 120 pikomole/litër tek një i porsalindur nga lindja deri në moshën 6 muajshe; nën 165 pikomole/litër për moshat 6-12 muajsh dhe nën 183 pikomole/litër për moshat nga 12 muaj deri në 24 muaj.

-Statusi funksional i B12 ekzaminohet duke matur homocisteinën dhe acidin metilmalonik, nivelet e të cilave zakonisht rriten në mungesë të vitaminës B12. Nëpërmjet rregullimit të homocisteinës, vitamina B12 luan një rol të rëndësishëm në shëndetin kardiovaskular.

Nivelet e ulëta të B12 lidhen me obezitetin dhe rezistencën ndaj insulinës

Lidhur me sistemin neurologjik dhe funksionimin e tij, disa studime kanë treguar një lidhje midis mungesës së B12 dhe rritjes së shfaqjes së demencës dhe rënies së kognitivitetit/njohjes. Questad dhe kolegët e tij treguan se në vitin e parë të jetës tek fëmijët ekziston një lidhje e fortë midis zhvillimit neurokognitiv dhe vitaminës B12. Për shkak të prevalencës së lartë të mungesës së B12 tek fëmijët, e cila shoqërohet me një rrezik të lartë të zhvillimit negativ neurokognitiv, ekziston nevoja për studime të mëtejshme për të analizuar efektet e plotësimit të vitaminës B12. Terapia në kohë e B12 është e rëndësishme në disa raste për të parandaluar neuropatinë e pakthyeshme.

Acidi folik B9

Acidi folik i përket grupit të vitaminave B, e njohur më mirë si vitamina B9, zakonisht gjendet në perime. Konsiderohet thelbësor në parandalimin e keqformimeve kongjenitale, veçanërisht keqformimeve të tubit nervor që shfaqen në fazën e hershme embrionale të zhvillimit të fetusit tek gratë. Acidi folik është thelbësor për sintezën e acidit nukleik, metabolizmin e aminoacideve dhe vendimtar për ndarjen e duhur të qelizave. Doza e rekomanduar ditore është 110 deri në 320 mikrogramë/ditë për foshnjat dhe adoleshentët. Ushqimi joadekuat është shkaku më i zakonshëm i mungesës së acidit folik.

Por mund të ketë mungesë edhe gjatë përdorimit të barnave të caktuara (barbituratet, estroprogestinat), konsumimit të shpeshtë të alkoolit, sëmundjet me malabsorbim ose mutacione gjenetike për metabolizmin e acidit folik. Për shkak të efektit të tij në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut, rekomandohet në terapinë e hemoglobinopatisë së anemisë drapërocitare (SCD). Acidi folik është thelbësor për hematopoiezën dhe rritjen dhe zhvillimin e fetusit. Shoqata Evropiane dhe Komiteti për Gastroenterologjinë Pediatrike, Hepatologjinë dhe Ushqyerjen (ESPGHAN) rekomandojnë një dozë ditore prej 35-100 mg/kg tek foshnjat e lindura para kohe. Foshnjat e lindura para kohe që ushqehen me gji mbrohen nga mungesa e acidit folik në 2 muajt e parë të jetës.

Ndërsa foshnjat që ushqehen me qumësht me formulë mund të jenë në rrezik të mungesës së folatit. Qasja moderne e plotësimit të acidit folik tek nënat në laktacion dhe formulat moderne të qumështit ndryshojnë ndjeshëm rrezikun e mungesës së folatit, por zëvendësimi i acidit folik mbetet rekomandimi për të parandaluar aneminë tek foshnjat e lindura para kohe.
Hulumtimet e fundit shqyrtojnë efektin e acidit folik në inflamacionin alergjik dhe korrelacionin e tij me shfaqjen dhe përsëritjen e simptomave.

Rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për parandalimin e defekteve të tubit nervor tek gratë shtatzëna është marrja e rregullt ditore prej 400 mikrogramësh acid folik, që nga përpjekja e parë për të mbetur shtatzënë deri në javën e 12-të të shtatzënisë.

Së fundi, mungesa e udhëzimeve për përdorimin e vitaminave në pediatri vjen si pasojë e mungesës së studimeve, por edhe për faktin se vitaminat përdoren edhe për parandalimin e sëmundjeve dhe gjendjeve, si dhe për qëllime terapeutike. Për këtë arsye rritet nevoja për konsultim shtesë me mjekun pediatër për dozimin dhe aplikimin e saktë të vitaminave në mënyrë që të përmirësohet shëndeti i fëmijëve.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, në dispozicionin tuaj është pediatria jonë Dr. Katerina Vasileva-Dimovska. Për të rezervuar terminin për fëmijën tuaj, telefononi qendrën tonë të kontakteve në 02/3091-484.

Kupona për ekzaminime pediatrike falas nga Klinika Zhan Mitrev për foshnjat e porsalindura në Komunën Qendër

Vazhdon aktiviteti tradicional me të cilin klinika Zhan Mitrev ndau edhe 80 kupona për ekzaminime pediatrike falas për foshnjat e porsalindura në Komunën e Qendrës.
Ekzaminimi falas përfshin ekzaminimin e plotë të të porsalindurit nga pediatri specialist në klinikën Zhan Mitrev dhe këshillimin e prindërve për kujdes të mëtejshëm. Kuponi mund të përdoret në 3 muajt e ardhshëm nga data e dhënies, është e nevojshme vetëm që prindërit të rezervojnë terminin që u përshtatet më shumë për kryerjen e ekzaminimit falas për fëmijën e tyre. Numri për rezervimin e terminit është 02/3091- 484.
Ekzaminimet falas kanë për qëllim kontributin e Klinikës Zhan Mitrev në zhvillimin dhe kujdesin e shëndetshëm të të porsalindurve dhe t’i këshillojë prindërit për zhvillimin e duhur të tyre më tej në jetë.