A keni dëgjuar për herpes zoster?

Herpes zoster është një infeksion viral i lëkurës i shkaktuar nga i njëjti virus si variçela (lija e dhenve). Shkakton skuqje të dhimbshme dhe flluska në lëkurë. Mund të shfaqet në çdo pjesë të trupit, por në të shumtën e rasteve shfaqet në zonën ndërbrinjore, majtas ose djathtas.

Kushdo që ka pasur variçela (linë e dhenve) mund të zhvillojë herpes zoster, sepse pasi të ketë kaluar variçela, virusi qëndron në trup dhe është joaktiv, por mund të riaktivizohet me kalimin e kohës, duke shkaktuar herpes zoster. Është vlerësuar se 15% e popullsisë mund të preket nga ky virus i lëkurës në një moment të jetës së tyre dhe kjo zakonisht prek individët mbi 60 vjeç.

Shkaqet e herpes zoster nuk dihen saktësisht, por mendohet se individët që janë në depresion ose ata që kanë përjetuar stres shumë të rëndë, që kanë sistem imunitar të dobët, kanë më shumë gjasa të preken prej tij.

Simptomat më të zakonshme të herpes zoster janë:

  • Dhimbje, djegie, kruajtje dhe/ose ndjesi shpimi në zonën e lezionit përpara se të shfaqet
  • Skuqje e lëkurës dhe flluska
  • Kruajtje kur lezioni thahet
  • Parehati në stomak
  • Ethe
  • Ndjeshmëri ndaj dritës
  • Dhimbje koke
  • Dhimbje muskulore
  • Lodhje

Komplikimet e herpes zoster

Megjithëse herpes zoster është zakonisht një gjendje vetëkufizuese që nuk rrezikon jetën e personit të prekur dhe zhduket brenda një ose dy javësh, ai mund të jetë shumë i dhimbshëm dhe në disa raste mund të çojë në komplikime.

Komplikimet më të zakonshme të shkaktuara nga herpes zoster janë:

Neuralgjia post-herpetike: ndodh kur dhimbja vazhdon shumë kohë pas zhdukjes së ndryshimeve të lëkurës.
Probleme neurologjike: Herpes zoster mund të shkaktojë encefalit, paralizë të fytyrës ose probleme me dëgjimin ose ekuilibrin.

  • Infeksione të lëkurës: ndodhin kur komplikimet e lëkurës nuk trajtohen siç duhet.
  • Humbje e shikimit: shkaktohet nga herpes zoster okulist, që shfaqet brenda ose rreth syrit.

Duke pasur parasysh ndërlikimet e mundshme, është thelbësore të identifikohen simptomat e para dhe të drejtoheni tek mjeku specialist për të filluar trajtimin sa më shpejt të jetë e mundur.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev në dispozicionin tuaj është departamenti i Dermatologjisë i përbërë nga një ekip profesionistësh të kualifikuar të cilët mund të plotësojnë të gjitha nevojat tuaja dhe t’ju udhëheqin gjatë procesit të diagnostikimit dhe trajtimit, duke ofruar një qasje të personalizuar për çdo pacient.

Sot shënohet Dita Botërore e Kancerit

Sëmundjet jo të transmetueshme, ndër të cilat është edhe kanceri, janë ndër 10 kërcënimet kryesore për shëndetin global të njeriut. Vetëm në vitin 2021, rreth 10 milionë njerëz në mbarë botën kanë humbur jetën nga kanceri. Por nuk është vetëm vdekja e parakohshme ajo që shkakton shqetësim, gjithashtu një shqetësim i madh është humbja e produktivitet, kostot shëndetësore, humbja e të ardhurave, pengesat dhe reduktimi i cilësisë së jetës.

Prandaj, le të kontribuojmë të gjithë në rritjen e një përqindje më të madhe të ndërgjegjësimit, 30 deri në 50% e të gjithë kancereve mund të parandalohen nëse merren në kohë masat e nevojshme.

Përmirësimi është i mundur!

Nëpërmjet investimeve, aksesit më të madh për marrjen e informacionit, diagnostikimi dhe trajtimi në kohë rrisin shanset për të mbijetuar nga kanceri.

Spitali klinik Zhan Mitrev i bashkohet nismës për informim dhe diagnostikim në kohë me çmime të reduktuara. Duke nisur nga sot deri më 31 mars ekzaminimet si: ekoja e gjirit, ekzaminimi mamografik 2D, 3D, tomografia e kompjuterizuar e mushkërive dhe video dermoskopia e lëkurës (mapimi i lëkurës) do të janë me çmim përgjysmues.

Mos prisni, rezervoni terminin tuaj në 02/3091-484.

A keni dëgjuar për simbolikën e veshjes së rrobave të kuqe dhe sëmundjeve të zemrës?

Trendi i festimit të një dite, jave apo muaji të veçantë për sensibilizimin e sëmundjeve të ndryshme dhe parandalimin e tyre, po intensifikohet vazhdimisht. Pothuajse çdo javë apo muaj i kushtohet në mënyrë fisnike një shkaku të ndryshëm.
Amerikanët janë veçanërisht aktivë në këtë temë. Kështu, duke filluar nga viti 2002, ata krijuan “Ditën e rrobave të kuqe”. Çdo të premte të parë të muajit shkurt, veshja e rrobave të kuqe në fakt shpreh mbështetje për rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjet e zemrës.

Festimi i kësaj dite në këtë mënyrë synon të paralajmërojë veçanërisht gratë për kërcënimin shëndetësor të tyre numër një – sëmundjet e zemrës.

Sëmundja e zemrës është një sëmundje që prek zemrën, enët e gjakut ose të dyja. Shkaqet e sëmundjeve të zemrës janë të ndryshme, por ateroskleroza ose presioni i lartë i gjakut (hipertensioni) janë më të zakonshmet. Përveç kësaj, me kalimin e moshës ka një sërë ndryshimesh fiziologjike dhe morfologjike që ndryshojnë funksionin kardiovaskular dhe çojnë në një rritje të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, madje edhe tek individët e shëndetshëm asimptomatikë.

Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Nga viti 1970 e deri më sot, shkalla e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare ka rënë në vendet me të ardhura të larta, por në të njëjtën kohë është rritur ndjeshëm në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Megjithëse sëmundjet e zemrës zakonisht prekin të moshuarit, shenjat e para të sëmundjes kardiovaskulare fillojnë më herët në jetë. Prandaj, ka një theks në rritje për parandalimin e aterosklerozës duke modifikuar ose menaxhuar faktorët e rrezikut si ushqimi i shëndetshëm, ushtrimet fizike dhe heqja dorë nga konsumi i duhanit.

Vishni rroba të kuqe sot dhe përpiquni të jetoni dhe të ushqeheni më shëndetshëm, të mbroni shëndetin e zemrës suaj.

Përse përdoret osteodensitometria (DEXA, DXA)?

Ekzaminimi i dendësisë së kockave, i njour ndryshe osteodensitometria, është një teknologji e avancuar me rreze X që përdoret për të matur dendësinë dhe humbjen e masës kockore. DXA është standardi aktual i vendosur për matjen e dendësisë minerale kockore (BMD).

Ky kontroll i ndihmon mjekët të diagnostikojnë dhe trajtojnë gjendjet mjekësore që lidhen me dendësinë e kockave. Pacientët që i nënshtrohen këtij ekzaminimi janë të ekspozuar ndaj një doze të vogël rrezatimi jonizues, me ndihmën e të cilit krijohen imazhe nga brenda trupit. Rrezet X janë metoda më e vjetër dhe më e përdorur e imazhit mjekësor.
DXA zakonisht bëhet në zonën e këllkut dhe në pjesën e poshtme të shpinës. Tek disa persona të rritur dhe tek fëmijët, zakonisht ekzaminohet i gjithë trupi.

Cilat janë përfitimet dhe rreziqet?

Përfitimet:

– Osteodensitometria (DXA) është një procedurë e thjeshtë, e shpejtë dhe jo invazive.
– Nuk kërkohet anestezi dhe përgatitje e veçantë.
– Sasia e rrezatimit të përdorur është jashtëzakonisht e vogël. Ky rrezatim është më pak se një e dhjeta e dozës standarde të rrezeve X në kraharor dhe më pak se ekspozimi ditor ndaj rrezatimit natyral.
– Ekzaminimi për matjen e dendësisë së kockave DXA është aktualisht metoda më e mirë e standardizuar e disponueshme për diagnostikimin e osteoporozës dhe konsiderohet gjithashtu një vlerësues i saktë për rrezikun e frakturave.
– DXA përdoret për marrjen e vendimiit mbi trajtimin e nevojshëm. Mund të përdoret gjithashtu për të monitoruar efektet e trajtimit.
– Pas ekzaminimit, nuk ka rrezatim në trupin tuaj.

Rreziqet:

– Ekziston gjithmonë një shans i vogël për t’u prekur nga kanceri nga ekspozimi ndaj rrezatimit. Megjithatë, duke pasur parasysh sasinë e vogël të përdorur në imazherinë mjekësore, përfitimet e marra nga diagnoza e saktë tejkalojnë rrezikun që lidhet me të.
– Gratë shtatzëna duhet të informojnë mjekun ose radiologun e tyre për gjendjen e tyre.
– Ndonjëherë doza e rrezatimit për këtë proces mund të ndryshojë.
– Nuk priten komplikime nga procedura DXA.

Kush i interpreton rezultatet dhe si mund t’i marr ato?

Mjeku radiolog, ortoped ose profesionist mjekësor i trajnuar posaçërisht për të monitoruar dhe interpretuar radiografitë. Radiologu ose ortopedi do të përgatisë një raport i cili më pas mund të diskutohet me mjekun që ju ka rekomanduar kryerjen e këtij skanimi. Në varësi të rezultateve, do të merrni rekomandim për hapat vijuese.

Rezultatet e këtij shqyrtimi përmbajnë dy vlerësime kryesore:

Rezultati T: tregon dendësinë e kockave tuaja në krahasim me një person tjetër të rritur të ri që i përket të njejtës gjini dhe me masë maksimale kockore. Rezultati më i madh se -1 konsiderohet normal. Rezultati ndërmjet -1.1 dhe -2.4 klasifikohet si osteopeni (masa e ulët kockore). Një shkallë më e vogël se -2.5 përkufizohet si osteoporozë. Rezultati T përdoret për të llogaritur rrezikun e zhvillimit të një frakture dhe gjithashtu për të përcaktuar nëse nevojitet trajtim.

Rezultati Z: tregon densitetin e kockave në krahasim me personat e tjerë në grupmoshën tuaj me të njëjtën gjatësi, peshë dhe gjini. Nëse ky rezultat është jashtëzakonisht i ulët ose i lartë, mund të tregojë nevojën për ekzaminime shtesë mjekësore.
Zakonisht mund të vërehen ndryshime të vogla ndërmjet shqyrtimeve të tjera për shkak të ndryshimeve të pozicionimit, por zakonisht nuk janë të rëndësishme.

Osteodensitometria (DXA) si ekzaminim është i disponueshëm në klinikën tonë dhe në dispozicionin tuaj janë mjekët tanë radiologë dhe ortopedë të cilët janë të trajnuar posaçërisht për të regjistruar dhe interpretuar këto rezultate, dhe me profesionalizmin dhe përvojën e tyre shumëvjeçare do t’ju ofrojnë trajtimin e duhur dhe të personalizuar.

Procedura TAVI – Zgjatja e jetës së 8 pacientëve me stenozë të aortës

Procedura TAVI (Trans catheter Aortic Valve Implantation) është një procedurë komplekse e vendosjes së valvulës aortale pa pasur nevojë për operacion me zemër të hapur.
Që nga fillimi i vitit, gjatë muajit janar, brenda 2 ditëve, janë kryer gjithsej 8 procedura të tilla, gjatë të cilave është bërë implantimi me shumë mjeshtëri i valvulave biologjike në një protezë rrjetë metalike (e ngjashme me procedurën e stentit koronar, por një procedurë dukshëm më e madhe), të cilat kryejnë plotësisht funksionin e valvulës aortale trikuspidale.

Procedurat TAVI u kryen nga ekipi i kardiologëve intervenues i drejtuar nga Dr. Vilma A. Sokolov dhe Dr. Shpend Idrizi, kardiokirurgu Dr. Nikola Hristov, Dr. Tanja Angjusheva, ekipi i anesteziologëve dhe diagnostikimit radiologjik dhe përgatitjes së valvulave aortale nga infermierja Sonja Rusevska.

Procedura të tilla rekomandohen për pacientët me stenozë të aortës e cila në fakt është sëmundje e fituar e zemrës. Zakonisht, pacientët sëmuren që në fëmijëri, dhe shkak për këtë janë ethet reumatizmale. Sëmundja zhvillohet më pas gjatë kalimit të viteve, përparimi i sëmundjes është individual dhe mund të zgjasë nga 15-20 vjet. Zakonisht, identifikohet si fillim me një zhurmë në zemër që është e pranishme gjatë gjithë rrjedhës së sëmundjes. Më pas, me anë të vlerësimit ekokardiografik, përcaktohet shkalla e sëmundjes dhe jepen rekomandime për ndjekje të mëtejshme. Në rast të zhvillimit të stenozës së aortës, pacientët përjetojnë simptoma si lodhje, probleme me frymëmarrjen, dhimbje gjoksi, marramendje dhe në disa raste, humbje të vetëdijes.

Në raste të tilla, pra në shkallë të rëndë të sëmundjes dhe pranisë së simptomave të lartpërmendura, rekomandohet trajtimi i valvulës aortale. Kirurgjia TAVI është alternativa më e mirë për pacientët me rrezik të lartë, për personat e rritur me shumë sëmundje shoqëruese ose operacione të mëparshme me zemër të hapur.

E gjithë procedura është e shkurtër, por e planifikuar mirë paraprakisht. Nuk ekzistojnë procedura TAVI urgjente, vetëm të planifikuara. Procedura kryhet gjithmonë pas MSCT të aortës sipas protokollit me matje dhe vlerësim të madhësisë së valvulës dhe strategjisë për vetë ndërhyrjen. Valvula është individuale dhe porositet posaçërisht për çdo pacient.
Gjatë vitit 2021 janë realizuar 19 procedura TAVI dhe 8 procedura vetëm gjatë muajit janar të këtij viti.

Çfarë është hepatiti alkoolik dhe si mund të parandalohet?

Hepatiti është një term i përgjithshëm që përshkruan inflamacionin e indit të mëlçisë. Megjithëse inflamacioni mund të ndodhë për një sërë arsyesh, më i zakonshmi është hepatiti viral.
Hepatiti alkoolik është një sindromë e rëndë në të cilën inflamacioni i mëlçisë shkaktohet nga konsumimi i alkoolit.

Sëmundjet e mëlçisë të shkaktuara nga alkooli

Sëmundja e mëlçisë nga alkooli (ALD – alcohol liver disease) është një term i përgjithshëm që i referohet dëmtimit të shkaktuar në indin e mëlçisë nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Këtu përfshihen një sërë sëmundjesh, duke përfshirë steatozën (mëlçinë e dhjamosur), cirrozën dhe hepatitin alkoolik. Hepatiti alkoolik është një formë e rëndë e sëmundjes alkoolike të mëlçisë dhe zakonisht përparon në cirrozë të mëlçisë nëse konsumimi i alkoolit vazhdon.

Hepatiti alkoolik mund të tërhiqet nëse ndalohet pirja e alkoolit. Por nëse shfaqet cirroza, dëmtimi i mëlçisë është i pakthyeshëm.

Alkoolizmi është shkaku më i zakonshëm i transplantimit të mëlçisë në Shtetet e Bashkuara. Sipas Institutit Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin (NIAAA), hepatiti alkoolik përcaktohet nga:

  • Shfaqja e verdhëzës brenda 60 ditëve nga një periudhë minimum 6-mujore e konsumimit të rëndë të alkoolit.
  • Niveli i bilirubinës në serum, që i referohet përqendrimit të bilirubinës në gjak, prej më shumë se 3 miligramë për decilitër (mg/dL) krahasuar me rezultatin normal prej 1.2 mg/dL.
  • Nivelet e ngritura të aspartat aminotransferazës (AST) zakonisht variojnë nga 5 deri në 40 njësi për litër serum deri në 50 deri në 400 njësi për litër. AST është enzima më e bollshme në mëlçi dhe kalon në gjak nëse mëlçia dëmtohet.
  • Raporti AST/ALT (raporti ndërmjet përqendrimit të AST dhe aminotransferazës së alaninës, një tjetër enzimë që tregon dëmtim të mëlçisë) 1,5 ose më i madh.
  • Mungesa e shkakut viral të hepatitit.

Klinikisht, simptoma më e zakonshme e hepatitis alkoolik është prania e verdhëzës, por simptoma të tjera përfshijnë: anoreksi, ethe, nauze/të përzjera, të vjella dhe lodhje. Humbja e oreksit për shkak të alkoolizmit, kequshqyerja është gjithashtu e zakonshme tek njerëzit me hepatit alkoolik.

Shkaqet e hepatitit alkoolik

Hepatiti alkoolik është një sëmundje e parandalueshme, e cila shkaktohet nga konsumimi i vazhdueshëm dhe më i tepërt i alkoolit në krahasim me atë që mund të përpunojë mëlçia. Mëlçia është vendi kryesor në trup ku alkooli metabolizohet nga tre sisteme enzimash përgjegjëse për oksidimin e alkoolit. (Këta përfshijnë sistemin citozolik të alkoolit dehidrogjenazës (ADH), sistemin mikrozomal të oksidimit të etanolit (MEOS) dhe sistemin e katalazës peroksizomale). Produkti i tre sistemeve është një metabolit reaktiv i quajtur acetaldehid, i cili dëmton indet e mëlçisë në mënyra të ndryshme.

Mekanizma është gjenerimi i radikaleve të lira dhe frenimi i mbrojtjes antioksiduese. Radikalet e lira janë molekula që përmbajnë oksigjen dhe janë një nënprodukt normal i prodhimit të energjisë nga qelizat. Në përqendrime të larta, ato mund të dëmtojnë membranat qelizore dhe proteinat duke shkaktuar dëmtim të indeve.

Antioksidantët, nga ana tjetër, janë molekula që neutralizojnë radikalet e lira dhe stresi oksidativ ndodh kur ka një çekuilibër midis radikaleve të lira dhe antioksidantëve, duke çuar në inflamacion dhe dëmtim të qelizave.
Kështu, alkooli në mënyrë indirekte dëmton mëlçinë gjatë metabolizmit. Megjithatë, mund të dëmtojë drejtpërdrejt qelizat e mëlçisë duke ndryshuar lëvizjen e enzimave të tjera dhe proteinave të transportuara.

Cila është sasia e alkoolit që shkakton hepatitin alkoolik?

Sasia e alkoolit që kërkohet për të shkaktuar hepatit alkoolik ndryshon në varësi të individit. Edhe pse zakonisht vërehet tek individët e moshës 40-60 vjeç, gjithashtu shfaqet tek personat më të rinjë dhe më të moshuar që i përkasin moshës 20 vjecare dhe 80 vjecare. Ndërsa marrja minimale e vlerësuar ditore e alkoolit e nevojshme për zhvillimin e hepatitis alkoolik është ndërmjet 20 dhe 40 gram në ditë, pacientët zakonisht raportojnë mbi 80 gram në ditë për një periudhë pesë vjecare.

Cilët janë personat më të rrezikuar?

Megjithëse ka prova të forta që sugjerojnë predispozicion gjenetik për zhvillimin e çrregullimit të abuzimit me alkoolin, roli i gjenetikës në përparimin e hepatitit alkoolik është i paqartë. Vetëm një përqindje e vogël e personave me alkoolizëm të rëndë zhvillojnë hepatit alkoolik. Megjithatë, hulumtimet kanë treguar se faktorët e mëposhtëm ndikojnë në rrezikun e zhvillimit të sëmundjes:

Gjinia

Gratë janë më të ndjeshme ndaj hepatitis alkoolik sepse ato thithin dhe metabolizojnë alkoolin ndryshe nga burrat. Gratë kanë më pak ujë në trup dhe më shumë yndyrë trupore, gjë që rezulton në përqendrime më të larta të alkoolit në gjak sesa burrat pas konsumimit të një niveli ekuivalent alkooli. Ata gjithashtu metabolizojnë alkoolin në gjak me një ritëm më të shpejtë se meshkujt.

Obeziteti

Prania e mbipeshës rrit ndjeshëm gjasat për hepatit alkoolik, për shkak të lidhjes ndërmjet alkoolit dhe yndyrës në trup. Për shembull, acidet yndyrore nga indi dhjamor (qelizat yndyrore) kontribuojnë në inflamacionin e mëlçisë dhe inflamacioni i citokineve në indin dhjamor është i lidhur ngushtë me inflamacionin në indin e mëlçisë.

Përkatësia etnike

Në Shtetet e Bashkuara, një studim që krahasoi ashpërsinë e hepatitis alkoolik dhe cirrozës tek pacientët me lëkurë të bardhë kundrejt pacientëve me lëkurë të errët zbuloi se pacientët afrikano-amerikanë dhe hispanikë me cirrozë kishin të ngjarë të kishin një rritje të dyfishtë të AST krahasuar me pacientët me lëkurë të bardhë. Hispanikët me hepatit alkoolik kanë gjithashtu më shumë gjasa të zhvillojnë tipare të cirrozës sesa afrikano-amerikanët dhe idndividët me lëkurë të bardhë.

A mund të parandalohet hepatiti alkoolik?

Edhe pse shmangia e konsumit total të alkoolit është mënyra e vetme për të eliminuar rrezikun e hepatitis alkoolik, reduktimi i pirjes në një sasi të moderuar mund të zvogëlojë rrezikun. Moskonsumimi i alkoolit me barna të tjera potencialisht toksike për mëlçinë dhe ndërrmarrja e hapave për të parandaluar infeksionin e hepatitit C, gjithashtu do të zvogëlojë gjasat e zhvillimit të hepatiti alkoolik.

Rënia e flokëve si pasojë e infektimit me Covid-19

Çdo ditë humbasim mesatarisht 100 fije flokësh. Por probleme të ndryshme shëndetësore mund ta përshpejtojnë ose nxisin këtë rënie të flokëve. Covid-19 është një ndër problemet shëndetësor që shkakton probleme me humbjen e flokëve. Pasojat që shkakton SARS-CoV-2 është rënia e papritur e flokëve, veçanërisht tek gratë.

Në shumicën e rasteve, rënia e flokëve për shkak të koronavirusit nuk ndodh menjëherë, por dy ose tre muaj pas infektimit me virusin. Zakonisht është tepër e theksuar, pasi karakterizohet me rënie masive të flokëve. Gjatë kësaj periudhe mund të gjejmë një tufë flokësh në dush, në furçë/krehër gjatë krehjes, ose aty ku uleni – në vetë divan.

Mund të vërejmë gjithashtu se flokët e humbasin volumin e tyre, vija e ballit ngrihet lart dhe vija vertikale bëhet më e dukshme.

Në këtë rast është e nevojshme që trupi të ushqehet, pra të marrë vitamina që do të forcojnë flokët, thonjtë dhe do të përmirësojnë pamjen e lëkurës.

Pse koronavirusi shkakton rënie të flokëve?

Efluviumi akut telogjen ndodh kur trupi përjeton stres që prek fijet e flokëve të cilat janë në fazën e rritjes. Si rezultat, ato flokë shkojnë drejt e në fazën telogjene, e cila është faza e fundit e jetës së tyre. Nga të dhënat e analizuara nga një studim i kryer në Nju Jork, u arrit në përfundimin se ky është shkaku i rënies së flokëve tek personat që kanë pasur Covid-19.

Në fakt, në ato raste, folikuli pushon së funksionuari, kështu që flokët nuk mund të vazhdojnë të rriten. Megjithatë, folikuli mbetet i ngjitur në lëkurën e kokës për rreth tre muaj, pas së cilës bie. Prandaj, infeksioni me koronavirus nuk shkakton rënie të flokëve menjëherë, por ndodh disa muaj më vonë.

Ka disa arsye që lidhen me shfaqjen e efluviumit akut telogjen. Ato variojnë nga mungesa e vitaminave, nivelet e ulëta të hekurit e deri te stresi nga vetë sëmundja.

Flokët janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndryshimeve që përjetojmë. Ato pësojnë ndryshime jo vetëm nga infeksioni, por edhe nga variacionet dietike, mungesa e diellit dhe e ajrit të pastër si pasojë e qëndrimit në shtëpi dhe sigurisht edhe ankthit që krijon kjo situatë në lidhje me pasigurinë sociale dhe ekonomike. E gjithë kjo ndikon mbi shëndetin e flokëve dhe humbjen e tyre.

Biotina kundër rënies së flokëve

Biotina ose vitamina H, vitamina B7 ose vitamina B8 njihet si një vitaminë efektive për lëkurën, flokët dhe thonjtë. Biotina mund të jetë një aleat i madh pas një situate stresuese për flokët tanë. Biotina stimulon rritjen e flokëve, gjeneron më shumë elasticitet dhe më pak thyerje, që do të thotë mbrojtje më e madhe kundër rënies së flokëve.

Përveç biotinës, e cila mund të ndihmojë shumë në këtë situatë, aminoacidet me origjinë bimore kanë një efekt të dobishëm, duke vepruar në tre nivele të gjëndrës së flokëve në rrënjë, flokë dhe skalp, duke kontribuar në rritjen dhe rezistencën e flokëve. Përveç kësaj, është mirë të kemi një kombinim të vitaminës B6 e cila ndihmon në rregullimin e aktivitetit hormonal dhe vitaminës B8 e cila së bashku me zinkun kontribuon në mirëmbajtjen normale të flokëve në kushte normale.

Çfarë është sindroma e tunelit karpal?


Sindroma e tunelit karpal shkaktohet nga presioni në nervin e mesëm të dorës. Tuneli karpal është në fakt një kanal i ngushtë në pëllëmbën e dorës i rrethuar nga kocka dhe ligamente. Kur nervi medial (i mesëm) është i ngjeshur, shfaqen simptoma që mund të përfshijnë: mpirje, ndjesi shpimi dhe dobësi në dorë dhe krah.
Vetë anatomia e kyçit, disa probleme shëndetësore dhe lëvizje të përsëritura që bëjmë me duar mund të kontribuojnë në shfaqjen e kësaj sindrome.

Trajtimi i duhur i kësaj gjendje zakonisht është i mjaftueshëm për të lehtësuar ndjesinë e shpimit dhe mpirjen, dhe më pas për të rivendosur funksionin e kyçit dhe krahut.

Simptomat

Simptomat e sindromës së tunelit karpal zakonisht fillojnë në mënyrë progresive dhe përfshijnë:

Mpirje ose ndjenjë shpimi. Mund të ndjeni ndjesi shpimi gjilpërash dhe mpirje në gishta ose në dorë. Gishtat e prekur janë zakonisht gishti i madh, gishti tregues, gishti i mesëm dhe gishti i unazës. Zakonisht gishti i vogël nuk preket. Ju mund të ndjeni një ndjesi të ngjashme me goditjen elektrike në këta gishta.
Ndjesia mund të variojë nga kyçi i dorës në dorë. Këto simptoma zakonisht shfaqen kur mbani timonin, telefonin ose gazetën. Por kjo ndjesi gjithashtu mund t’ju zgjoj ndërsa flini.
Shumë njerëz i shkundin ose i godasin duart në përpjekje për të lehtësuar simptomat. Ndjenja e mpirjes mund të bëhet konstante.

Dobësi. Mund të ndjeni dobësi në duar dhe t’ju bien sende nga duart. Kjo mund të jetë për shkak të mpirjes së duarve ose dobësisë së muskujve të gishtit të madh të cilët bëjnë lëvizjen e shtrëngimit, e cila gjithashtu kontrollohet nga nervi medial.

Shkaqet

Sindroma e tunelit karpal shkaktohet nga presioni në nervin median.
Nervi median (i mesëm) kalon nga parakrahu, përmes kanalit në nyje (tuneli karpal) në dorë. Mundëson shqisën e ndjesisë në pëllëmbën e dorës, gishtin e madh dhe gishtat e tjerë, përveç gishtit të vogël. Ky nerv gjithashtu lëshon sinjale nervore për të lëvizur muskujt rreth gishtit të madh.

Çdo gjë që shtyp ose irriton nervin e mesëm në hapësirën e tunelit karpal mund të çojë në sindromën e tunelit karpal. Pësimi i frakturës në kyçin e dorës mund të shkaktojë ngushtim të tunelit karpal dhe të irritojë nervin. E njëjta gjë ndodh me ënjtjen dhe inflamacionin e shkaktuar nga artriti reumatoid.

Zakonisht, sindroma e tunelit të kyçit të dorës ndodh nga faktorë rreziku të shumtë dhe të kombinuar që kontribuojnë në zhvillimin e kësaj gjendje.

Faktoret e rrezikut

Ekzistojnë shumë faktorë që lidhen me sindromën e tunelit karpal. Edhe pse nuk e shkaktojnë drejtpërdrejtë këtë sindromë, ato mund të rrisin rrezikun e acarimit ose dëmtimit të nervit të mesëm dhe janë:

Faktorët anatomikë. Fraktura ose spostimi i kyçit, ose artriti që deformon kockat e vogla të kyçit, mund të prishë hapësirën në tunelin e kyçit të dorës dhe të ushtrojë presion mbi nervin mesatar.

Personat që kanë tunel karapal më të vogël kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sindroma e tunelit karpal.

Gjinia. Sindroma e tunelit karpal zakonisht është më e zakonshme tek gratë. Kjo mund të jetë për shkak se zona e tunelit të kyçit të dorës është relativisht më e vogël te femrat sesa te meshkujt.

Gjendjet që shkaktojnë dëmtim nervor

Disa sëmundje kronike, si diabeti, rrisin rrezikun e dëmtimit të nervit, duke përfshirë edhe dëmtimin e nervit medial.

  • Gjendjet inflamatore. Artriti reumatoid dhe gjendjet e tjera që kanë komponent inflamator mund të ndikojnë në mukozën rreth tendinave në nyje dhe të shkaktojnë presion mbi nervin e mesëm.
  • Medikamentet. Ekziston një lidhje ndërmjet sindromës së tunelit karpal dhe përdorimit të anastrozolit (Arimidex), një ilaç që përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit.
  • Mbipesha. Mbipesha është një faktor rreziku për zhvillimin e sindromës së tunelit karpal.
  • Ndryshimet në lëngjet e trupit. Mbajtja e lëngjeve mund të rrisë presionin në tunelin karpal dhe të irritojë nervin median. Kjo ndodh zakonisht gjatë shtatzënisë dhe menopauzës. Sindroma e tunelit karpal e lidhur me shtatzëninë zakonisht përmirësohet vetë pas shtatzënisë.
  • Gjendje të tjera mjekësore. Disa kushte të tilla si menopauza ose kushte të tilla si çrregullimet e tiroides, dështimi i veshkave dhe limfedema mund të rrisin shanset për të zhvilluar sindromën e tunelit karpal.
  • Faktorët në vendin e punës. Puna me mjete vibruese ose që kërkon përkulje të zgjatur ose të përsëritur të kyçit mund të krijojë presion të dëmshëm në nervin median ose të përkeqësojë dëmtimin ekzistues të nervit, veçanërisht nëse puna kryhet në një mjedis të ftohtë.

Trajtoni sindromën e tunelit karpal sa më shpejt të jetë e mundur, menjëherë pas shfaqjes së simptomave. Në fazat e hershme, gjërat e thjeshta të cilat varen nga vetë ju mund ta zvogëlojnë problemin. Për shembull:

  • Bëni pushime të shpeshta për të çlodhur duart.
  • Shmangni aktivitetet që përkeqësojnë simptomat.
  • Aplikoni kompresa të ftohta për të reduktuar ënjtjen.

Opsione të tjera trajtimi përfshijnë gips, medikamente dhe kirurgji. Gipsi dhe trajtime të tjera konservative kanë më shumë gjasa të ndihmojnë nëse keni pasur vetëm simptoma të lehta ose të moderuara që shfaqen dhe zhduken në më pak se 10 muaj. Nëse keni mpirje në duar, duhet të paraqiteni tek mjeku. Mos harroni, ekipi ynë I ortopedëve të një niveli të lartë me përvojë shumëvjeçare në trajtimin e të gjitha sëmundjeve ortopedike është në dispozicionin tuaj.