Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

22.11.2021

9 këshilla për kujdesin e duhur të veshkave tuaja

Veshkat janë një nga organet kyçe në trupin tuaj. Ato bëjnë shumë për ju çdo ditë, nga filtrimi i toksinave, ruajtja e ekuilibrit kimik të gjakut, deri tek prodhimi i hormoneve.
Kujdesi për ta nuk është aspak i vështirë apo i komplikuar. Ajo që duhet të bëni është të ndiqni këshillat e mëposhtme. Kjo do t’ju ndihmojë të mbani veshkat tuaja të shëndetshme.

Cilët janë faktorët e rrezikut për sëmundjen e veshkave?

  • Hipertensioni
  • Diabeti
  • Historia familjare e sëmundjes së veshkave
  • Obeziteti
  • Pirja e duhanit
  • Mosha mbi 50 vjeç

Nëse keni një ose më shumë nga faktorët e rrezikut të lartpërmendura, keni më shumë gjasa të vuani nga sëmundja e veshkave. Për të reduktuar këtë mundësi, ju rekomandojmë që të aplikoni një mënyrë jetese të shëndetshme
Këtu janë disa këshilla për t’u kujdesur për veshkat tuaja për të shmangur sëmundjet e mundshme të veshkave:

Mos pini duhan

Pirja e duhanit zvogëlon qarkullimin e gjakut dhe kjo mund të rezultojë në furnizim të pamjaftueshëm të gjakut në veshka. Nëse këto organe nuk marrin mjaftueshëm gjak, ato nuk mund të funksionojnë siç duhet. Pirja e duhanit gjithashtu rrit mundësinë e zhvillimit të kancerit të veshkave.

Ushtroni, praktikoni aktivitet fizik të rregullt

Mbajtja e trupit në formë dhe aktiviteti fizik janë të rëndësishme për shëndetin tuaj të përgjithshëm. Ushtrimet mund të ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit të gjakut në trup dhe uljen e presionit të gjakut, i cili është një faktor kryesor rreziku për problemet e veshkave.

Mbani një peshë trupore normale

Veshkat punojnë më shumë tek personat mbipeshë me qëllim për të kompensuar peshën e tepërt. Në raste të tilla, veshkat kanë nevojë për më shumë përpjekje për të filtruar mbetjet dhe për të menaxhuar funksionet e tjera trupore.

Shmangni kripën

Reduktimi i marrjes së kripës ndikon ndjeshëm tek një sërë faktorësh rreziku që lidhen me problemet e veshkave. Shmangni ushqimet e përpunuara dhe të konservuara sa herë që është e mundur, pasi ato përmbajnë sasi të mëdha kripe dhe natriumi.

Kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak

Sheqeri i lartë në gjak mund të dëmtojë enët e gjakut në veshka, duke shkaktuar keqfunksionim të tyre. Për të mbrojtur këto organe, është e rëndësishme të mbani sheqerin në gjak brenda kufijve normalë.

Pini ujë

Të qenit i hidratuar, pra marrja e sasisë së duhur të ujit në trup, ndihmon veshkat tuaja të funksionojnë normalisht, duke larguar kripën dhe toksinat nga trupi juaj. Nuk rekomandohet pirja e sasisë së tepërt të ujit menjëherë, është më mirë të pini vazhdimisht na pak gjatë gjithë ditës.

Zbuloni historinë tuaj familjare

Disa sëmundje të veshkave janë të trashëguara. Diabeti dhe presioni i lartë i gjakut gjithashtu priren të kenë një komponent gjenetik. Bisedoni me anëtarët e familjes tuaj për të gjitha këto kushte për të përcaktuar nëse jeni në rrezik të lartë për shfaqjen e problemeve me veshkat siç janë infeksionet dhe sëmundjet e veshkave.

Kontrolloni veshkat

Ekzistojnë dy lloje testesh me anë të të cilave mund të mësojmë nëse veshkat janë të shëndetshme apo jo. Këto janë analizat e urinës dhe të gjakut. Теsti i urinës përcakton se cilat lloje të proteinave dhe albumineve janë të pranishme në urinën tuaj. Testi i gjakut zbulon se sa mbetje ka në gjakun tuaj dhe gjithashtu do të përcaktojë nëse veshkat tuaja funksionojnë siç duhet.

Kushtojini vëmendje ilaçeve tuaja

Veshkat janë përgjegjëse për largimin/filtrimin e barnave nga trupi. Marrja e tepërt e ilaçeve kundër dhimbjeve për një periudhë të gjatë kohore mund të shkaktojë dëmtim të veshkave. Llojet më të dëmshme të barnave janë anti-inflamatore jo-steroide. Ata që marrin ilaçe kundër dhimbjeve kronike duhet të konsultohen me mjekun e tyre për aplikimin e mundshëm të metodave të tjera për lehtësimin e dhimbjes që nuk janë të dëmshme për veshkat.