Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

08.02.2021

Anemia është e shërueshme, por duhet ta zbuloni në kohë!

Shpesh dëgjojmë se dikush është anemik ose ka anemi. Por çfarë do të thotë kjo saktësisht nga pikëpamja shëndetësore për një person?

Mjekësia e përkufizon aneminë si një ulje absolute të numrit të eritrociteve (qelizave të kuqe në gjak), pra përqendrimit të vlerave të hemoglobinës ose hematokritit.

Përkufizim më i saktë është atëherë kur si matje themelore merret përqendrimi i hemoglobinës në gjak, i cili është më i ulët se vlerat normale të pranuara përgjithësisht. Është e rëndësishme të theksohet këtu se përqendrimi i reduktuar i hemoglobinës zvogëlon aftësinë e gjakut për të transportuar sasinë e kërkuar të oksigjenit nga mushkëritë në gjakun periferik në një kohë të caktuar, duke zvogëluar kështu sasinë e oksigjenit tek indet.

Si manifestohet anemia?

Anemia manifestohet nga një lloj dobësie në trup, lodhje, ulje të përqendrimit, ndryshime të shpeshta të humorit, marramendje, dhimbje koke, tringëllimë / zhurmë në veshë, gulçim, humbje e oreksit, lëkurë të zbehtë, qarkullim të dobët (duar dhe këmbë të ftohta). Mund të vërehen edhe rrahje të shpejta dhe të çrregullta të zemrës, dhimbje gjoksi, thonj të brishtë, etj.

Si ta dallojmë aneminë tek fëmijët?

Tek fëmijët më të vegjël, anemia zakonisht zbulohet rastësisht, pas marrjes së testeve, pasi fëmijët e vegjël nuk dinë ti dallojnë dhe ti shpjegojnë shqetësimet që ndiejnë në organizmin e tyre. Megjithatë, duhet përmendur se jo gjithmonë  lëkura e zbehtë në fytyrën e fëmijës ka të bëjë me praninë e anemisë. Ngjyra e lëkurës varet nga trashësia, pigmentimi dhe gjaku i saj.

Nëse, përveç fytyrës së fëmijës, buzët dhe lëkura nën thonj janë të zbehtë, atëherë mund të bëhet fjalë për anemi.

Ka edhe simptoma të tjera: puna e trurit dhe muskujve është më e ngadaltë dhe kjo sepse ata marrin më pak oksigjen, kështu që ka lodhje, nervozizëm, oreks të dobët dhe mungesë interesi për të luajtur.

Nga ana tjetër, fëmijët më të rritur, me anemi të rëndë, ankohen për marrje mendsh, tringëllimë në veshë, dhimbje koke, rrahje të shpeshta të zemrës dhe shpesh kanë vonesë të rritjes dhe janë të prirur ndaj infeksioneve. Tek disa fëmijë ndodh që të ndjejnë nevojën për të vendosur në gojë substanca të pangrënshme, të tilla si dheu, rëra ose letra.

Tek fëmijët, anemia më së shpeshti ndodh për shkak të mungesës së hekurit, dhe për të terapia është efektive, dhe rezultatet e trajtimit janë të mira.

Si diagnostikohet?

Zakonisht, anemia diagnostikohet nga analiza laboratorike e gjakut, me vëmendje të veçantë duke iu kushtuar numrave të eritrociteve, niveleve të hemoglobinës, niveleve të hekurit në gjak dhe madhësisë së eritrociteve. Në laboratorin e klinikës tonë mund të testoni nivelet tuaja të Hekurit në serum dhe Ferritinës të cilat kanë ndikim të madh në zbulimin e anemisë.

Hekuri në serum, së bashku me eritrocitet dhe hemoglobinën, japin një pamje të gjendjes së palcës së kockave, dmth nëse ka anemi dhe për çfarë lloj anemie bëhet fjalë. Është e rëndësishme të dini se përcaktimi vetëm i hekurit pa parametrat e tjerë nuk ofron ndonjë bazë për diagnostikimin e anemisë.

Ferritina është një kompleks i proteinave të lidhura me hekurin, ose e njohur ndryshe si formë depozituese e hekurit trevalent, ku hekuri mbetet në formë të tretshme, jo-toksike dhe lehtësisht i disponueshëm për organizmin. Është i pranishëm në të gjitha indet në trup, por është më së shumti i pranishëm në palcën e kockave, mëlçinë dhe shpretkën. Përcaktimi i përqendrimit të hekurit në serum është një tregues i dobët i hekurit të depozituar në trup. Prandaj, është më mirë të përcaktohet hemoglobina, numri i eritrociteve, transferina, ferritina dhe TIBC (kapaciteti total i transferinës për lidhjen e hekurit), për të cilat do të këshilloheni nga mjeku.

Ushqimi si parandalim i shfaqjes së anemisë

Ushqimi luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e anemisë. Ai duhet të jetë e pasur me hekur (thjerrëzat, fasulet dhe bishtajoret e tjera, panxhari, specat, perimet me gjethe jeshile, drithërat, arrat, kumbullat e thata dhe kajsitë, çokollata e zezë, etj.). Vitamina C gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në absorbimin e hekurit. Në rast të anemisë, rekomandohet shmangia e marrjes së lartë e kalciumit, i cili zvogëlon obsorbimin e hekurit në gjak. Gjithashtu, efekt negativ kanë edhe produktet që përmbajnë tanin (çaj, kafe, pije të gazuara, etj.).