Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

12.04.2022

Çfarë duhet të bëni kur dikush përjeton infarkt në zemër?

Në të gjithë botën, gjithsej 17.9 milionë njerëz vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare dhe tek 85% prej tyre shkaku i vdekjes është infarkti në zemër ose goditja në tru.
Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për Maqedoninë për vitin 2018, numri i vdekjeve nga infarkti në zemër është 3697 persona, që është 19,89% e numrit të përgjithshëm të vdekjeve në atë vit.

Mbi 60% e tyre pësojnë infarkt në zemër për herë të parë. 1 në 5 sulme në zemër janë asimptomatike, që do të thotë se personi nuk është as i vetëdijshëm se po ndodh. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të dini se çfarë mund të bëni nëse dikush përjeton infarkt në zemër.

Simptomat e infarktit (atakut) në zemër

Simptomat e infarktit kardiak mund të variojnë nga gulçimi deri në ndjenjë pafuqie të plotë.
Simptoma të tjera të zakonshme të infarktit në zemër përfshijnë:

  • Ankth
  • Dhimbje ose presion në gjoks (anginë)
  • Siklet në krahë, qafë, shpinë ose nofull
  • Palpitacione të zemrës
  • Ndjenjë dobësie, marramendje ose të fikët
  • Nauze ose parehati në bark
  • Mungesë të frymëmarrjes ose probleme me frymëmarrjen
  • Djersitje.

Përveç faktit që gratë kanë dhimbje/presion në gjoks po aq sa burrat, ato kanë më shumë gjasa të përjetojnë gulçim, nauze/të vjella dhe dhimbje në shpinë ose nofulla.

Hapat që duhen ndërmarrë gjatë infarktit kardiak

Në raste urgjente, është e lehtë të bësh panik. Por qëndrimi i qetë ndihmon të siguroheni që anëtari i familjes ose miku juaj (ose edhe ju) të merrni ndihmë – shpejt.

Hapi 1: Telefononi 194
Infarkti në zemër është një urgjencë serioze mjekësore dhe kontakti në numrin 194 është mënyra më e shpejtë për të marrë trajtim për shpëtim. Kjo për shkak se mjekët e urgjencës mund të fillojnë ndërhyrjet sapo të mbërrijnë në vendndodhje dhe ndërkohë që ju jeni rrugës për në spital.

Hapi 2: Merrni ilaçe për dhimbjen e gjoksit
Nëse ju ose personit që ka atak në zemër ju janë përshkruar ilaçe për dhimbje gjoksi, si nitroglicerina, përdoreni atë. Për ata që nuk kanë ilaçe për dhimbjen e gjoksit, ofruesit e kujdesit shëndetësor rekomandojnë përtypjen e ngadaltë të 325 mg aspirinë për të ndihmuar në minimizimin e dëmtimit të zemrës ose parandalimin e zhvillimit të mpiksjes së rrezikshme të gjakut. Por bëjeni këtë vetëm nëse ju ose personi që ka përjetuar infarkt në zemër nuk ka histori të mëparshme të alergjisë ndaj aspirinës ose ndonjë gjendje mjekësore që mund të përkeqësohet me marrjen e këtij ilaçi.

Hapi 3: Qëndroni të qetë
Ndërsa prisni mbërritjen e ambulancës, përpiquni të qëndroni të qetë, lironi rrobat dhe pushoni. Nëse dyshoni se keni atak në zemër, mos hani ose pini asgjë tjetër përveç ilaçeve. E njëjta gjë vlen edhe nëse dikush tjetër përjeton infarkt në zemër. Personi nuk duhet të konsumojë ushqim dhe lëngje.
Nëse është e nevojshme, filloni me dhënien e ndihmës së parë.
Në rast se personi për të cilin po kujdeseni nuk përgjigjet, nuk reagon (i bie të fikët), telefononi 194 dhe kontrolloni pulsin. Nëse nuk ka puls, filloni me ndihmën e parë (reanimim me frymëmarrje artificiale dhe masazh në zemër).

Përse është thelbësore të merrni menjëherë ndihmë

Përsëri, në rast se keni edhe dyshimin më të vogël se dikush (apo edhe ju) po përjeton infarkt në zemër, gjëja e parë dhe më e rëndësishme që duhet të bëni është të telefononi 194. Mos telefononi mjekun tuaj të përgjithshëm, mos shkoni me makinë në spital. Këto aktivitete mund të humbasin kohë të vlefshme. Dhe sigurisht mos prisni me shpresën se simptomat do të largohen vetë. Nuk ka pasoja nëse rezulton se është një alarm i rremë, por nëse bëhet vërtet fjalë për infarkt në zemër në këtë rast mund të shpëtohet jeta e pacientit.