Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

24.07.2020

Cilat janë pickimet më të shpeshta nga insektet dhe si të mbroheni prej tyre?

Në vendin tonë të bukur, vështirë se dikush mbetet indiferent ndaj shëtitjeve në pranverë dhe verë. Shumica prej nesh i njohin rekomandimet për mbrojtjen nga temperaturat e larta dhe efektet e dëmshme të rrezeve UV, por shumë pak i kushtojnë vëmendje mbrojtjes dhe njohjes  apo dallimit të pickimeve nga insekte të ndryshme. Shumica e insekteve shkaktojnë reaksione lokale pa probleme serioze shëndetësore, por ndonjëherë shkaktojnë reaksione të cilat duhet ti dalloni pasi shpesh kanë nevojë për kujdes mjekësor, prandaj, është shumë e rëndësishme që t’i dalloni ato në kohë dhe të kërkoni ndihmë mjekësore!

Pickimi i grerëzave dhe bletëve

Në rastin e pickimit nga bleta është e nevojshme të shmangni përhapjen e helmit! Duke pasur parasysh këtë, është e nevojshme që të hiqet thumbi sa më shpejt të jetë e mundur dhe me shumë kujdes, me qëllim që të mos lini asnjë pjesë të thumbit gjatë mënjanimit. Grerëzat dhe rriqrat nuk lënë thumb gjatë pickimit, por ato mund të bëjnë shumë pickime në të njejtën kohë. Për shkak se toksinat e tyre përmbajnë substanca kimike aktive, reaksioni është më i rëndë.

Helmi i Hymenoptera (bletëve dhe grerëzave) mund të ketë potencial toksik dhe alergjik, kështu që të dyja llojet e reagimit janë të mundshme

  • Reaksionet toksike lokale – të shkaktuara nga substanca farmakologjike aktive, shkaktojnë dhimbje të forta, skuqje dhe ënjtje. Këto ndryshime ndërpriten pas disa orësh. Është e nevojshme që të bëhen kompreso lokale të ftohta, dhe në disa raste të caktuara rekomandohet përdorimi lokal i  kortikosteroideve.
  • Reagimet alergjike – personat me mbindjeshmëri ndaj këtyre pickimeve zhvillojnë reaksione të rënda alergjike. gjatë pickimit të parë ndodh senzibilizimi, ndërsa në rastin e pickimit tjetër mund të ndodhë  reagim i ashpër, në formën e urtikarisë në trup, shoqëruar me kruajtje, ënjtje të lëkurës dhe mukozës, si dhe manifestime sistemike të shoqëruara me vështirësi në frymëmarrje. Forma më serioze e reaksionit alergjik është shoku anafilaktik, në rast të mungesës së ndihmës mjekësore situata të tilla mund të kenë pasoja të rënda /vdekjeprurëse.

Pickimi i rriqrave

Rriqrat, të cilët zakonisht jetojnë në zona me bar të gjatë, shkurre dhe pemë, janë parazitë të vegjël që ushqehen me gjakun e kafshëve dhe njerëzve. Llojet e gjinisë Ixodes mund të jenë bartës të spirohetës Borelia burgdorferi, e cila shkakton sëmundjen Lyme. Sëmundja Lyme është e pranishme në periudhën nga fillimi i pranverës deri në fund të vjeshtës, dhe vendi ynë bën pjesë në vendet me rrezik ndaj këtij infeksioni. Mbrojtja më e mirë është parandalimi! Kjo do të thotë të shmangni qëndrimet e zgjatura në livadhe të lagështa me bar të gjatë, të vishni rroba me mëngë të gjata (të mbuloni krahët dhe këmbët) dhe gjithmonë të bëni kontroll të plotë të trupit pas një qëndrimit në natyrë. Nëse vëreni  rriqër në trup, rekomandohet të kërkoni  menjëherë ndihmë mjekësore, në mënyrë që rriqra të hiqet siç duhet jo më vonë se 24 orë pas pickimit!

 Pickimi i mushkonjave

Mushkonjat, përveç faktit që janë një shqetësim i madh gjatë muajve të verës, mund të transmetojnë sëmundje të rrezikshme të tilla si malarja, virusi i dengës ose ethet e verdha. Ajo që na shkakton dhimbje koke janë kafshimet që shkaktojnë një reagim lokal në formën e skuqjes, ënjtjes dhe shumë kruajtje. Gjëja më e rëndësishme pas pickimit është që të mos e kruani vendin e pickimit në mënyrë që kruajtja të neutralizohet. Kompresat e ftohta dhe preparatet natyrale për qetësimin e kruajtjes mund t’ju ndihmojnë në këtë drejtim. Gjatë përdorimit të këtyre preparateve  është e rëndësishme që të aplikohen butësisht në vendin e pickimit, pa fërkim të tepërt të lëkurës. Përdorimi i borzilokut gjithashtu mund të jetë i dobishëm në reduktimin e kruajtjes.

Pickimi i merimangës

Ekzistojnë mbi 38,000 lloje të merimangave, dhe shumica e tyre shkaktojnë reaksione të vogla lokale në vendin e pickimit, të cilat ndërpriten brenda disa ditësh. Por, merimangat femër të njohura si “Vejusha e zezë”, e cila është gjithashtu e pranishme në vendin tonë, shkakton reagime më serioze. Ajo lë dy shenja (shpime) në vendin e pickimit dhe pas vetëm rreth 30 minutash shfaqen dhimbje të forta, ënjtje dhe skuqje. Pas 8 orësh mund të shfaqen simpttoma si dhimbje dhe ngurtësim i muskujve, dhimbje barku, dhimbje shpine, të vjella si dhe vështirësi në frymëmarrje, për të cilat gjithmonë kërkohet kujdes i menjëhershëm mjekësor.

Këto janë format më të zakonshme të pickimeve nga insektet, në natyrë ekzistojnë mijëra insekte të tjera. Gjëja më e rëndësishme për t’u mbajtur mend është – Mbrojtja më e mirë është parandalimi i pickimeve nga insektet!!!

Disa këshilla të dobishme për parandalimin e këtyre pickimeve

  • Mbulim i lëkurës së ekspozuar me veshje me mëngë të gjata (si për duart edhe për këmbët)
  • Veshja e këpucëve të mbyllura
  • Aplikoni preparateve natyrale në lëkurë përpara se të dilni jashtë
  • Shmangni përdorimin e produkteve që përmbajnë parfume si sapunët, shampot, deodorantët, detergjentët dhe zbutësit e rrobave.
  • Të tregoni kujdes pranë luleve që çelin, plehrave, ujit të ndenjur
  • Asnjëherë të mos i afroheni foleve të insekteve pa pajisje mbrojtëse
  • Mbani ushqimin dhe ujin të mbuluar gjatë qëndrimit në natyrë
  • Mbyllni dyert dhe dritaret me rrjetë ose përdorni rrjeta mbi shtrat gjatë natës
  • Tiamina (vitamina B1) mund të përdoret si një brojtës sistemik (lëkura merr aromë specifike)

 

Dr. Aleksandra Lazarevska
Specialiste dermatovenerologe