Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

23.11.2021

Dr. Katerina Ignevska – Shumë shpejt do të përballemi me një pandemi të infeksioneve ndaj të cilave antibiotikët nuk do të funksionojnë

Përdorimi joracional i antibiotikëve nuk është një fenomen i ri, por gjatë pandemisë me Covid -19 filloi abuzimi masiv i këtyre barnave, të cilat me shpejtësi të madhe na çojnë në të ashtuquajturën epokë post-antibiotike, shprehet në një bisedë për “Lokalno”. Dr. Katerina Ignevska mikrobiologe nga Spitali klinik Zhan Mitrev.

Dr. Katerina Ignevska sqaron se shumë shpejt do të përballemi me infeksione të shkaktuara nga mikroorganizmat ndaj të cilave antibiotikët e disponueshëm nuk do të funksionojnë aspak.

“Ngadalë por me siguri po shkojmë drejt një pandemie në të cilën infeksionet bakteriale që nuk ishin kërcënim serioz për shkak se ne kishim antibiotikët si armë të fuqishme, tani po i humbasim, dhe kështu po e humbasim edhe betejën me infeksionet bakteriale”, shpjegon Dr. Ignevska.

Mjekja thekson se marrja preventive e antibiotikëve krijon një situatë katastrofike që sjell me vete rezistencë të madhe dhe mosreagim nga ana e tyre.

-Ekzistojnë protokolle kur dhe tek cilët pacientë duhet të jepet antibiotik në mënyrë preventive. Këto janë procedura specifike që kryhen në spital. Në këtë rast, ne e dimë saktësisht se cili antibiotik, kur, në çfarë doze dhe për sa kohë duhet të merret për ta konsideruar si parandalim. Fatkeqësisht, me atë që po ndodh sot, disponueshmëria dhe pirja preventive e antibiotikëve në shtëpi, dhe veçanërisht e antibiotikëve me spektër të gjerë që zakonisht jepen vetëm në spitale, krijon një situatë katastrofike të pakthyeshme që sjell me vete rezistencë të madhe dhe mosreagim të arsenalit të antibiotikëve ekzistues – shprehet mikrobiologia, duke shtuar se antibiotiku jepet atëherë kur kemi një infeksion bakterial të konfirmuar.

Veçanërisht, e përsëris veçanërisht, infeksionet bakteriale trajtohen me antibiotikë. Por kjo duket se është harruar, edhe pse sipas etiologjisë së pneumonisë KOVID – ku shkaktari është virus, ilaçi i parë që shkruhet si trajtim është pikërisht antibiotik. Përsa i përket probiotikëve, nëse kemi marrje të shkurtër të terapisë me antibiotikë dhe nuk është e nevojshme të marrim probiotik, e njëjta gjë mund të arrihet me probiotikët natyralë që janë të pranishëm në dietën e përditshme, siç është për shembull jogurti. Por, nëse bëhet fjalë për terapi afatgjatë me antibiotikë me spektër të gjerë, atëherë marrja e probiotikut është e justifikuar, thekson Dr. Ignevska.

Ajo thotë se në rastet kur jepen shpesh antibiotikë duhet të peshohet dobia kundrejt dëmit, pasi siç shpjegon ajo, “çdo medikament është edhe helm në të njëjtën kohë”.

Përveç përfitimeve, në rastet kur jepen siç duhet (në rastet kur është e nevojshme të jepen), antibiotikët kanë një sërë efektesh anësore. Ato mund të shkaktojnë reaksione toksike, reaksione të mbindjeshmërisë, një nga më të rëndësishmet për momentin ka të bëj me mekanizmat e rezistencës dhe krijimin e llojeve multibakteriale, dhe sigurisht kolit të theksuar post-antibiotik – që mund të çojë në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore – thotë Dr. Ignevska.

Në lidhje me atë nëse qytetarët duhet të kërkojnë nga mjekët e tyre që të përshkruajnë antibiotikë “për çdo rast” apo t’i blejnë vetë ato, Dr. Ignevska me vendosmëri thotë se pacientët të cilët kujdesin për shëndetin e tyre ia kanë besuar mjekut tek i cili kryen ekzaminimin, duhet të respektojnë njohuritë e tij.

Për pacientët, një mjek i mirë është ai që do t’i japë antibiotik. Por, në fakt, zotësia e mjekut është t’i shpjegojë pacientit kur ka nevojë për antibiotik dhe të paralajmërojë pacientin se cilat janë anët pozitive dhe negative, pra dëmi nga marrja e antibiotikëve të panevojshëm. Rolet mjek-pacient janë të ndara qartë. Nuk janë pacientët ata që duhet të “kërkojnë” terapi, por përkundrazi, ata vijnë tek mjeku për këshilla dhe shpjegime. Nëse pacienti ia ka besuar kujdesin për shëndetin mjekut të tij, ai duhet të respektojë njohuritë, përvojën dhe këshillat e tij, natyrisht në dobi të tij, shpjegon ajo.

Doktoresha shpjegon se kur fëmijët marrin antibiotikë në kombinim me kortikosteroide, është e nevojshme përfshirja e ushqimit me vitamina.

Si gjithmonë, ushqimi është shumë i rëndësishëm për fëmijët. Natyrisht, duhet të merret parasysh edhe marrja e kalorive edhe e vitaminave. Rekomandohet që marrja e vitaminave të bëhet përmes ushqimit – kur është e mundur dhe e disponueshme, në mënyrë të shëndetshme pa shtim të panevojshëm shurupesh – vitaminash dhe suplementesh. Që fëmijët të rriten të shëndetshëm, është shumë i rëndësishëm kujdesi i vazhdueshëm ndaj tyre, vëmendja, përkushtimi dhe dashuria me të cilën kujdesemi për ta – shpjegon Dr. Ignevska.

Lidhur me atë se si mund të dallojmë ftohjet dhe gripin sezonal nga virusi i kovidit, Dr. Ignevska tregon se sa herë që shfaqen simptomat e sëmundjes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes duhet të kemi kujdes.

Duke pasur parasysh se të gjitha fillojnë në mënyrë jo specifike dhe jemi dëshmitarë të modifikimeve të pasqyrimit klinik, sa herë që shfaqen simptoma të sëmundjes së rrugëve të sipërme respiratore duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse të gjithë jemi bindur që tashmë nuk ekziston një rregull. Shkaktari i infeksionit të kovidit është një virus shumë ngjitës (infektiv) dhe përgjegjësia jonë në rast të dyshimit të pranisë së infeksionit është të qëndrojmë në shtëpi dhe ta konfirmojmë ose ta përjashtojmë atë me anë të testit për të parandaluar transmetimin e mëtejshëm tek personat përreth. Por i gjithë fokusi nuk duhet të jetë vetëm tek ky infeksioni sepse gjithmonë ka pasur dhe do të ketë infeksione të tjera virale dhe bakteriale që nuk duhen nënvlerësuar, thotë Dr. Katerina Ignevska, mikrobiologe në Spitalin klinik Zhan Mitrev.

Burim: Lokalno.mk