Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

06.10.2020

Fëmijët nuk janë imunë ndaj COVID-19

Cilat janë simptomat e para të COVID-19?

Infeksioni i ri i koronavirusit mund të shkaktojë, ndër të tjera, ethe, kollë dhe dhimbje të muskujve. Këto simptoma mund të shfaqen edhe nga infeksione të tjera virale që janë karakteristike për këtë periudhë vjeshte.

Ndaj çfarë duhet të tregoni kujdes

Një nga detyrat e prindërve, duke pasur parasysh fillimin e aktiviteteve në shkollë, është të matin temperaturën e fëmijëve të tyre në mëngjes para se t’i çojnë në shkollë / kopsht.

Kjo është shumë e rëndësishme sepse nëse ata kanë temperaturë mbi 37.5 ° C – fëmijët nuk duhet të hyjnë në klasë / kopsht por duhet të qëndrojnë në shtëpi. Në fakt, një nga shenjat e para alarmante është rritja e temperaturës, dhe nëse fëmija ka temperaturë mund të ketë edhe COVID-19.

Simptomat mund të shfaqen 2 deri në 14 ditë pas kontaktit me personin e infektuar. Ato mund të manifestohen me temperaturë më të lartë se 37.5 ° C ose të paktën me një nga simptomat e mëposhtme: kollë, temperaturë, dhimbje të muskujve, dhimbje koke, dhimbje fyti. Simptoma të tjera më pak të zakonshme janë simptomat gastrointestinale të tilla si: të përziera, të vjella ose diarre. Disa pacientë kanë humbje të shijes ose nuhatjes (fëmijët mund të mos jenë në gjendje ta komunikojnë këtë ndjenjë). Gjithësesi, temperatura mbi 37.5 ° C, e cila nuk bie pavarësisht përdorimit të antipiretikëve, është shenja e parë alarmante, e shoqëruar me kollë që zakonisht është e qëndrueshme dhe e thatë.

Simptomat më të hershme të koronavirusit të ri janë shumë të ngjashme me ato të gripit sezonal. Kolla, temperature dhe dhimbja e trupit janë të pranishme në të gjitha sëmundjet e shkaktuara nga viruse të ndryshme të frymëmarrjes. Ndër të tjera, gjatë sezonit të gripit, përhapja e infeksionit është shumë e zakonshme në shkollë / kopshët, veçanërisht tek ata më të vegjlit, pasi fëmijët ndajnë së bashku të njëjtin ambient për një kohë të gjatë.

Në përgjithësi, gripi shfaqet me rritje të papritur të temperaturës mbi 38° shoqëruar nga të paktën një simptomë (rraskapitje dhe lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje të muskujve) dhe të paktën një simptomë respirative (kollë, dhimbje fyti dhe vështirësi në frymëmarrje). Në fakt, është e pamundur të dallosh simptomat e COVID-19 nga simptomat e gripit.

Mënyra e vetme për të marrë një diagnozë të caktuar të COVID-19 është kryerja e testit me anë të brisit.

Si të sillemi në rast të kontakteve të dyshimta

Nëse ekziston dyshimi se fëmija ka pasur kontakt të ngushtë me ndonjë rast të konfirmuar ose të mundshëm të COVID-19 në 14 ditët e mëparshme pas shfaqjes së simptomave të para, është e rëndësishme të qëndroni në shtëpi dhe sigurohuni që të kontaktoni me mjekun pediatër, i cili do të identifikojë simptomat dhe nëse është e nevojshme do të rekomandojë kryerjen e testit (bris nazofaringeal). Është tepër e rëndësishme të ndiqni rrjetin e kontakteve: shokët e klasës, mësuesit, cilindo me të cilin fëmija ka pasur kontakt.

Me rast të mundshëm nënkuptojmë:

  • person që jeton në të njëjtën shtëpi me një person tjetër të infektuar me COVID-19;
  • person i cili ka pasur kontakte të drejtpërdrejta fizike me person tjetër të infektuar me COVID-19
  • person i cili ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë të pambrojtur me sekrecione nga personi i infektuar me COVID-19
  • person i cili ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë (ballë për ballë) me person të infektuar me COVID-19, në një distancë prej më pak se 1-2 metra dhe zgjat më shumë se 15 minuta, pa maskë;
  • person i cili ka qenë në një ambient të mbyllur (për shembull, klasë, dhomë takimesh, dhomë pritje spitali) me person të infektuar me COVID-19 për të paktën 15 minuta, në një distancë prej më pak se 1-2 metra pa maskë

Çfarë duhet të bëjnë prindërit nëse fëmija është pozitiv?

Me fillimin e vitit shkollor dhe qëndrimin në shkollë / kopsht, fëmija mund të ketë një ketë rezultat pozitiv të testit ndaj koronavirusit të ri. Nëse kjo ndodh mos u frikësoni, e rëndësishme është të dini kohëzgjatjen dhe karakteristikat e sëmundjes COVID-19.

Kjo sëmundje tek fëmijët zakonisht zgjat për një kohë të shkurtër. Kjo buron nga përvojat e mëparshme me këtë infeksion si dhe nga fakti se tek shumë fëmijë infeksioni nuk ka shkaktuar asnjë simptomë (është asimptomatike), por edhe kur shkakton sëmundje, simptomat zakonisht janë të lehta ose të moderuara si ftohje, kollë dhe temperaturë. Nëse janë të pranishme, simptomat kanë tendencë të zhduken brenda një ose dy javësh: mesatarisht, kohëzgjatja e sëmundjes është katër ose pesë ditë.

Sidoqoftë, shumë shpesh simptomat nënvlerësohen dhe kjo çon në vonesë të diagnozës. Me siguri, me fillimin e shkollës, fëmijët do të kenë episode të temperaturës dhe kollës: do të jetë e vështirë të thuhet menjëherë nëse bëhet fjalë për COVID-19 apo ndonjë infeksion tjetër sezonal.

Është tepër e rëndësishme që prindërit të kontaktojnë me mjekun pediatër, i cili do të identifikojë simptomat dhe në varësi të ashpërsisë së tyre, do të kryejë shqyrtimet e nevojshme, veçanërisht bris nazofaringeal. Në spitalin tonë kemi teste për të zbuluar infeksionet më të zakonshme virale në këtë sezon, përfshirë koronavirusin. Nëse fëmija diagnostikohet me COVID-19, duhet të ndiqen konaktet kontaktet e mëparshme për të ndërprerë transmetimin. Pasi fëmija të ekzaminohet dhe të bëhet testi me anë të brisit, mjeku do të vlerësojë nëse është i nevojshëm shtrimi në spital apo fëmija mund të monitorohet në shtëpi përmes një platforme të veçantë për monitorimin e pacientit me infeksion COVID-19 që disponon spitali ynë. Nëse fëmija mund të qëndrojë në shtëpi, duhen të qëndrojë në izolim për 14 ditë me qëllim që të mund të kthehet i sigurt në shkollë pa simptoma dhe me rezultate negative të marra nga kryerja e testit.

Sa kohë duhet që gjendja e fëmijës të përmirësohet?

Shërimi klinik tek fëmijët është shumë i shpejtë, me përjashtim të rasteve të rralla. Sidoqoftë, duhet më shumë kohë që trupi i fëmijës të çlirohet nga virusin. Në disa raste, virusi shkakton përgjigje imune të shpejtë që i lejon fëmijët të çlirohen shpejtë nga virusi. Në disa raste të tjera, sistemi imunitar nuk është në gjendje ta njohë shpejt virusin dhe përgjigja imune nuk është aq efikase dhe e shpejtë, për këtë arsye virusi tenton të qëndrojë në trup për një kohë të gjatë.

Çfarë nëse fëmijët janë positive ndaj koronavirusit të ri por janë asimptomatik?

Ekziston mundësia që fëmijët (por edhe të rriturit) të jenë asimptomatikë, pra të infektuar me virus, por pa ndonjë simptomë, dhe kështu mund të transmetojnë sëmundjen tek të tjerët. Situata bëhet e komplikuar për shkollat ​​/ kopshtet, vendi ku fëmijët dhe të rinjtë duhet të qëndrojnë ulur për disa orë në ambiente të mbyllura. Të pasurit një burim potencial të infeksionit në klasë dhe pamundësia për ta identifikuar, rrezikon që të gjithë nxënësit të infektohen, megjithatë, këto janë raste të rralla, por nuk duhet të neglizhohen.

Çfarë mund të bëjmë për të mbrojtur veten?

Aktualisht është e pamundur që të diagnostikohen si fëmijët ashtu edhe të rriturit të cilët janë asimptomatikë, diagnostikimi i tyre mund të bëhet vetëm me anë të përsëritjes së brisit nazofaringeal.

Prandaj është e nevojshme të përpiqemi të kufizojmë infeksionin tek fëmijët dhe në të njëjtën kohë t’i lejojmë ata të kthehen në shkollë dhe ti rikthehen mënyrës së zakonshme të jetës dhe lojërave të fëmijëve duke i mbrojtur ata sa më shumë të jetë e mundur dhe duke respektuar masat e rekomanduara të mbrojtjes – mbajtjen e distancës, mbajtjen e higjienës së duarve, dhe mbajtjen e maskave ​në vendet e rekomanduara.

Prim. Dr. Blagica Mançeva
Specialiste pediatre