Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Back to Daily dose of health

14.01.2022

Fibromialgjia – cilat janë shkaqet dhe si shfaqet kjo sëmundje?

Fibromialgjia është një çrregullim i karakterizuar nga dhimbje kronike muskuloskeletore e shoqëruar me lodhje të rëndë dhe probleme me gjumin, kujtesën dhe humorin, si dhe ulje të lëvizshmërisë së kyçeve. Shkaku i saktë i kësaj është i panjohur, por besohet se përfshin faktorë psikologjikë, gjenetikë, neurobiologjikë dhe mjedisorë. Shkencëtarët besojnë se fibromialgjia intensifikon ndjenjat e dhimbjes sepse në fakt ndikon në mënyrën se si truri dhe palca kurrizore përpunojnë sinjalet e dhimbjes.

Simptomat shpesh fillojnë pas traumave fizike, operacionit, infeksionit ose stresit të rëndë psikologjik. Në raste të tjera, simptomat zhvillohen gradualisht me kalimin e kohës, pa asnjë ngjarje apo arsye nxitëse.
Gratë zhvillojnë fibromialgji më shpesh në krahasim me burrat. Shumë njerëz me fibromialgji kanë gjithashtu dhimbje koke, janë të tensionuar, kanë çrregullime të nyjeve temporomandibulare, sindromën e zorrës së irrituar, ankth dhe depresion.

Edhe pse fibromialgjia nuk është e shërueshme, ekzistojnë medikamente që mund të ndihmojnë në kontrollin e simptomave, por të qenurit aktivë (kryerja e ushtrimeve), relaksimi dhe masat për lehtësimin e stresit mund të ndihmojnë së tepërmi.

Simptomat

Simptomat kryesore të fibromialgjisë përfshijnë:

  • Dhimbje të përgjithshme. Dhimbja e lidhur me fibromialgjinë shpesh përshkruhet si dhimbje e lehtë, e bezdisshme dhe e vazhdueshme që zgjat të paktën tre muaj. Për t’u kategorizuar si dhimbje e përgjithshme, ajo duhet të jetë e pranishme në të gjithë trupin.
  • Lodhje. Personat me fibromialgji shpesh zgjohen nga gjumi të lodhur edhe pse kanë kaluar mjaftueshëm orë duke fjetur. Gjumi i tyre ndërpritet shpesh nga dhimbja dhe shumë pacientë me fibromialgji vuajnë nga çrregullime të tjera të gjumit, si sindroma e këmbëve të shqetësuara dhe apnea e gjumit.
  • Probleme konjitive (njohëse). Simptoma, e njohur zakonisht si “mjegull fibro ose mjegull truri”, dëmton aftësinë për t’u fokusuar, për të kushtuar vëmendje dhe për t’u përqendruar.

Fibromialgjia shoqërohet shpesh me kushte të tjera, të tilla si:

  • Sindroma e zorrës së irrituar
  • Sindroma e lodhjes kronike
  • Migrena dhe lloje të tjera të dhimbjes së kokës
  • Cistiti intersticial ose sindroma e dhimbshme e fshikëzës
  • Çrregullime të artikulacionit temporomandibular (nyjes së nofullës).
  • Ankthi
  • Depresioni
  • Sindroma e takikardisë posturale (pjesa më e madhe e gjakut qëndron në pjesën e poshtme të trupit kur ngriheni).

Arsyet që e shkaktojnë këtë gjendje

Shumë studiues besojnë se stimulimi i përsëritur nervor shkakton ndryshime në tru dhe palcë kurrizore tek personat me fibromialgji. Ky ndryshim shoqërohet me një rritje jonormale të nivelit të disa kimikateve në tru që transmetojnë sinjale dhimbjeje.
Për më tepër, receptorët e dhimbjes në tru duket se zhvillojnë një lloj kujtese të dhimbjes duke u bërë më të ndjeshëm, që do të thotë se ata mund të përgjigjen në mënyrë disproporcionale ndaj sinjaleve të dhimbjes.

Ekzistojnë shumë faktorë të mundshëm që çojnë në këto ndryshime, këtu përfshihen:

  • Gjenetika. Për shkak se fibromialgjia zakonisht është e trashëguar, mund të ketë disa mutacione gjenetike që ka të ngjarë t’ju bëjnë më të prekshëm ndaj zhvillimit të çrregullimit.
  • Gjinia. Fibromialgjia diagnostikohet më shpesh tek femrat sesa tek meshkujt.
  • Infeksionet. Disa sëmundje mendohet se shkaktojnë ose përkeqësojnë fibromialgjinë.
  • Stresi/ngjarje të caktuara fizike ose emocionale. Fibromialgjia mund të shkaktohet nga stresi/ngjarja fizike, siç është aksidenti automobilistik. Stresi psikologjik i zgjatur gjithashtu mund të ndikojë në shfaqjen e kësaj sëmundje.
  • Çrregullime të tjera. Nëse keni osteoartrit, artrit reumatoid ose lupus, ka më shumë gjasa të keni fibromialgji.

Komplikimet

Dhimbja, lodhja dhe cilësia e dobët e gjumit të lidhura me fibromialgjinë mund të ndikojnë në aftësinë tuaj për të funksionuar në shtëpi ose në punë. Frustrimi i përballjes me një sëmundje që shpesh keqkuptohet mund të shkaktojë gjithashtu depresion dhe ankth të lidhur me shëndetin.