Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

18.03.2022

Gjithçka që duhet të dini për kolonoskopinë

Çfarë është kolonoskopia?

Kolonoskopia është një procedurë që përdoret për të kontrolluar gjendjen e zorrës së trashë dhe rektumit për të gjetur polipe ose shenja të kancerit. Kolonoskopia përdoret gjithashtu për të diagnostikuar sëmundje të tjera të mundshme dhe për të trajtuar disa patologji që mund të shihen përmes të njëjtit kontroll siç janë hemorroidet, polipet dhe gjendje të tjera të ngjashme.

Si kryhet kolonoskopia?

Kolonoskopia kryhet duke përdorur një pajisje të quajtur kolonoskop, e cila përbëhet nga një tub fleksibël me trashësinë e gishtit. Ai futet në rektum përmes sfinkterit anal. Në rast se qëllimi i procedurës është diagnostikues, tubi fleksibël është i pajisur me dritë dhe kamer të cilat do të lehtësojë shfaqjen e imazheve në monitor. Nga ana tjetër, nëse është e nevojshme të zgjidhet ndonjë patologji (heqja e një polipi të vogël ose marrja e mostrës së indit), do të shtohen instrumente nëpërmjet kolonoskopit për të kryer ndërhyrjen.

Kur duhet bërë kolonoskopia?

Ky test bëhet kryesisht për të përjashtuar mundësinë e kancerit të zorrës së trashë tek pacientët që shfaqin simptoma të tretjes ose kanë një histori familjare të kancerit të zorrës së trashë.
Nga ana tjetër, si masë paraprake, një ekzaminim i tillë rekomandohet të bëhet pas moshës 50 vjeç, nëse nuk ekzistojnë faktorë rreziku, duke e përsëritur atë çdo pesë apo dhjetë vjet. Për ata pacientë me me faktorë rreziku, ky ekzaminim mund të rekomandohet më herët.

Këtu përfshihen personat me faktorët e rrezikut si mëposhtë:

  • Diarre kronike
  • Dhimbje abdominale kronike
  • Gjakderdhje rektale kur shkoni në tualet ose në vetë jashtëqitjen.
  • Prania e sëmundjes Crohn
  • Koliti ulceroz
  • Anemia kronike e hekurit, e cila mund të shkaktohet nga gjakderdhja nga zorra e trashë
  • Prania e polipeve ose historia familjare e polipozës
  • Nëse pacienti ka humbur shumë kilogramë në një kohë të shkurtër pa ndonjë arsye të dukshme.

Kur nuk mund të kryhet kolonoskopia?

Arsyet kryesore përse një pacient nuk mund t’i nënshtrohet kolonoskopisë janë: nëse pacienti ka dobësim të rëndë të dekompensuar të frymëmarrjes ose të zemrës, nëse kohët e fundit pacienti ka pësuar infarkt të miokardit, perforimin intestinal (të zorrëve) dhe çrregullime të rënda të koagulimit të gjakut.

Përgatitja e pacientit para procedurës

Për të lehtësuar vetë procedurën, pacienti duhet të ndjekë një sërë udhëzimesh për të eliminuar mbetjet që mund të jenë në zonën e sistemit të tretjes.
Së pari, 2-3 ditë para kolonoskopisë, do t’ju duhet të ndiqni një dietë të lehtë të rekomanduar nga mjeku juaj, duke konsumuar ushqime të lehta dhe të lëngshme. Gjithashtu, pacienti duhet ta plotësojë këtë dietë edhe me produkte laksative për pastrimin e zorrëve.

A ka ndonjë rrezik?

Edhe pse kolonoskopia është një procedurë e sigurt, si çdo teknikë mjekësore invazive, ajo mund të mbartë njëfarë rreziku.
Komplikimet serioze zakonisht ndodhin në 0.5% të rasteve dhe zakonisht zgjidhen gjatë të njëjtit ekzaminim.

Dita e kryerjes së procedurës

Në ditën e kolonoskopisë, pacienti merr qetësues/anestezi, duke mos ndjerë asnjë lloj shqetësimi dhe mund të jetë i qetë gjatë realizimit të procedurës. Kohëzgjatja e kryerjes së kolonoskopisë mund të variojë nga 30 minuta deri në një orë në varësi të llojit të zonës që do të ekzaminohet.

Pas procedurës, pacienti duhet të presë disa minuta i shtrirë derisa të humbasë efekti i anestezisë. Rekomandohet që pacienti të shoqërohet pasi efektet e lehta qetësuese mund të vazhdojnë për disa orë pas procedurës.
Edhe pse procedura mund të duket paksa e pakëndshme, kolonoskopia nuk përbën problem për shumicën e pacientëve, të cilët kthehen në jetën normale brenda 24 orëve. Ajo që vihet re është një presion apo fryerje në bark që shkaktohet nga vetë pajisja dhe gazi që përdoret për zgjerimin e mureve të aparatit tretës.

Tani që dini pak më shumë rreth kolonoskopisë, nëse përjetoni ndonjë nga simptomat e përmendura më lart ju rekomandojmë të mos vononi kryerjen e vizitës tek mjeku specialist i cili do të përcaktojë dhe rekomandojë kryerjen e kolonoskopisë. Mos harroni se parandalimi është ilaçi më i mirë.

Në Spitalin klinik Zhan Mitrev si institucion më modern dhe i avancuar disponojmë ekipin më të mirë mjekësor që do ta zbatojnë këtë procedurë me qasjen profesionale dhe të personalizuar.