Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

18.08.2021

Goditja në tru – si ta dalloni dhe parandaloni

Goditja në tru është një gjendje që ndodh kur furnizimi me gjak i trurit zvogëlohet si rezultat i bllokimit (goditje ishemike e trurit) ose këputjes apo shpërthimit të enës së gjakut (goditje hemorragjike e trurit). Pa gjak, truri nuk mund të marrë oksigjen dhe lëndë ushqyese, kështu që qelizat në zonën e prekur të trurit së shpejti mund të vdesin.

Goditja në tru është një gjendje serioze, kërcënuese për jetën që kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore, sepse qelizat e trurit mund të vdesin në vetëm pak minuta. Vdekja e qelizave të trurit bën që pjesët e trupit të kontrolluara nga zona e dëmtuar e trurit të mos funksionojnë. Trajtimi i shpejtë mund të minimizojë nivelin e dëmtimit të trurit dhe mundësinë e komplikimeve.

Për sa i përket shkallës së vdekshmërisë, goditja në tru është në vendin e tretë menjëherë pas sëmundjeve të zemrës dhe kancerit. Në fillim të shekullit 21, pothuajse 1.1 milion njerëz në Evropë përjetojnë goditje çdo vit dhe 80% e tyre janë goditje ishemike.

Goditja në tru mund të ndodhë në të gjitha grupmoshat, por është më e zakonshme tek pacientët mbi moshën 65 vjeç, megjithëse përqindja tek të rinjtë është rritur kohët e fundit, duke treguarse nevojitet një strategji më e mirë parandaluese.

Pasojat e goditjes në tru çojnë në invaliditet të rendë

Edhe pse goditja shfaqet papritur dhe zhvillohet shumë shpejt, kjo ndodh si pasojë e një mosfunksionimi që ka zgjatur me dekada. Goditja ishemike (p.sh. goditja e shkaktuar nga bllokim i enës së gjakut në tru) shoqërohet me një numër faktorësh rreziku, veçanërisht hipertensionin, kolesterolin e ngritur, diabetin, obezitetin, aritminë dhe pirjen e duhanit. Sa më shumë faktorë rreziku të jenë të pranishëm, aq më të mëdha janë shanset për të pësuar goditje në tru.

Simptomat e goditjes në tru mund të jenë të ndryshme për çdo pacient, ndër të cilat simptomat më të zakonshme janë:

  • Dobësi ose paralizë e fytyrës, krahut ose këmbës
  • Koordinim ose ekuilibër i dobët
  • Vështirësi në të folur ose vështirësi për të kuptuar të folurit
  • Vështirësi në gëlltitje
  • Probleme me shikimin (shikim i paqartë, shikim i dyfishtë ose humbje e shikimit)
  • Ngurtësi ose humbje e ndjesisë në njërën anë të trupit

Diagnoza bëhet në bazë të pamjes klinike, gjendjes neurologjike, metodave neuro-imazherike si tomografia e kompjuterizuar, me karotidografi dhe rezonancë magnetike, sonografi Doppler të karotideve dhe artereve vertebro-bazilare.

Trajtimi mund të jetë konservativ ose kirurgjik, i plotësuar me terapi fizike për rehabilitim më të shpejtë.

Kujdesi pas goditjes në tru mund të përfshijë:

  • Ekzaminim për të gjetur llojin e goditjes, vendin e dëmtimit dhe sa e rëndë është goditja (vendosja e diagnozës).
  • Skanim i trurit sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndihmuar në përcaktimin e diagnozës.
  • Marrja e ilaçeve për të holluar mpiksjen e gjakut (tromboliza). Tromboliza nuk ofrohet gjithmonë, vetëm një numër i vogël pacientësh mund ta marrin atë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore pas goditjes në tru me qëllim për të vepruar/ndikuar.

Testi i gjakut për të kontrolluar nivelin e sheqerit dhe kolesterolit në gjak


Rekomandimi i ilaçeve për uljen e presionit të gjakut dhe kolesterolit, si dhe tableta për të zvogëluar rrezikun e mpiksjes së gjakut si Aspirina dhe Clopidogrel dhe antikoagulantët oralë dhe parenteralë si warfarin

Pas goditjes në tru mund të shfaqen problemet e mëposhtme:

  • Vështirësi në lëvizje dhe ecje
  • Vështirësi në gëlltitje dhe ngrënie
  • Vështirësi në të folur, të shkruar dhe kuptuar
  • Vështirësi në kontrollin e fshikëzës ose zorrës së trashë
  • Humbje të ndjesisë (plotësisht ose vetëm në njërën anë të trupit)
  • Humbje të dëgjimit, shijes ose aromës,
  • Efekte emocionale dhe psikologjike

Rehabilitimi mund të kërkojë një kohë të gjatë në varësi të ashpërsisë së goditjes.

Dr. Emilja Gorgieva
Neurologe