Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

14.04.2022

Hipertrofia e barkushes së majtë të zemrës

Me anë të diagnozës së hershme dhe trajtimit të duhur të problemeve të zemrës mundësohet reduktimi i rrezikut të vdekjes së papritur.

Hipertrofia e barkushes së majtë të zemrës është trashja e murit të kësaj barkushe. Me trashjen e murit, barkushja (ventrikuli) humbet elasticitetin dhe kështu zemra nuk mund të shtrihet mjaftueshëm për të pranuar gjakun që hyn në të, dmth ndodh i ashtuquajturi mosfunksionim diastolik.
Zhvillimi i hipertrofisë së ventrikulit të majtë mund të çojë në dështim të zemrës dhe shfaqjen e aritmive të cilat mund të jenë më pak ose më shumë kërcënuese për jetën.

Kush mund të preket nga kjo gjendje?

Kjo gjendje është më e zakonshme tek:

  • individët me presion të lartë të gjakut (hipertension arterial),
  • individët me stenozë të rëndë të aortës, koarktim të aortës,
  • individët me predispozitë gjenetike, por mund të shfaqet edhe në lidhje me sëmundje të tjera.

Simptomat kryesore

Hipertrofia e ventrikulit të majtë zakonisht zhvillohet gradualisht. Sëmundja është asimptomatike, veçanërisht në fazat e para.
Pas zhvillimit të përparuar të hipertrofisë së ventrikulit të majtë, shfaqen simptomat e mëposhtme:

  • Vështirësi në frymëmarrje
  • Lodhje
  • Dhimbje gjoksi, veçanërisht gjatë aktivitetit fizik
  • Ndjenja e rrahjeve të shpejta të zemrës (palpitacione)
  • Marramendje
  • Humbje të vetëdijes

Shkaqet:

Shkaku i hipertrofisë së ventrikulit të majtë është rritja e madhësisë së qelizave të muskujve të zemrës (hipertrofia), ose krijimi i indit jonormal rreth qelizave të muskujve të zemrës.
Qelizat e muskujve të zemrës mund të zmadhohen si përgjigje ndaj diçkaje që e bën barkushen (ventrikulin) e majtë të punojë më shumë, siç është presioni i lartë i gjakut. Me rritjen e punës së ventrikulit të majtë, indi muskulor në murin e ventrikulit trashet. Ndonjëherë edhe vetë masa e ventrikulit rritet.

Hipertrofia e ventrikulit të majtë mund të ndodhë edhe për shkak të problemeve në strukturën e qelizave të muskujve të zemrës. Këto ndryshime mund të lidhen me çrregullime gjenetike. Në fakt, indi jonormal që shfaqet rreth qelizave të muskujve të zemrës është rezultat i disa kushteve të rralla.

Faktorët që ndikojnë që zemra të punojë më shumë janë:

Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni arterial): Hipertrofia e ventrikulit të majtë zbulohet/vizualizohet në mënyrë ekokardiografike. Prania e hipertrofisë është një tregues kryesor i mundshëm i rritjes së vdekshmërisë tek pacientët me hipertension. Më shumë se një e treta e pacientëve me hipertension, gjatë diagnostikimit të hipertensionit rezultojnë me zhvillim të hipertrofisë. Me trajtimin e hipertensionit arrihet reduktimi i hipertrofisë, dhe prognoza e pacientit përmirësohet.

Shkalla e reduktimit të hipertrofisë së ventrikulit të majtë varet nga disa faktorë: masa fillestare e ventrikulit të majtë, kohëzgjatja e terapisë, ulja e presionit sistolik (të sipërm) të gjakut dhe zgjedhja e barnave antihipertensive.

Stenoza e valvulës së aortës: Kjo sëmundje nënkupton ngushtimin e valvulës së aortës, e cila ndan ventrikulin e majtë nga ena më e madhe e gjakut – aorta. Ngushtimi i valvulës së aortës shkakton vështirësi në pompimin e gjakut nga ventrikuli i majtë në aortë.
Për të kontrolluar presionin përmes valvulës së aortës, presioni në ventrikulin e majtë rritet, gjë që stimulon hipertrofinë / trashjen e murit të ventrikulit të majtë. Ky zmadhim i murit të ventrikulit të majtë shkakton fibrozë të miokardit, gjë e cila çon në dekompensim kardiak (dështim të zemrës) dhe shkakton rrezik të shfaqjes së aritmive ventrikulare.

Aktiviteti sportiv: Ushtrimet e rregullta për rritjen e qëndrueshmërisë gjithashtu rrisin kërkesën e muskujve të zemrës për oksigjen, gjë që shkakton rritjen e nxjerrjes dhe transportit të oksigjenit në të gjithë trupin. Rezistenca periferike zvogëlohet, por vëllimi minutor i zemrës rritet, gjë që rrit presionin sistolik të gjakut. Pas 3-6 apo më shumë orësh ushtrime intensive, funksioni i zemrës ulet me 4-6% në 48 orët e ardhshme të stërvitjes, dmth. shfaqet lodhje kardiake. Kjo ngarkesë vëllimore në ventrikulin e majtë dhe të djathtë të zemrës çon në trashje të lehtë të murit të ventrikulit të majtë. Megjithatë, zakonisht masa e zemrës rritet si rezultat i hipertrofisë ekscentrike. Kjo përshtatje, dmth. hipertrofia e miokardit ndodh me qëllim që të normalizohet stresi i presionit të shtuar në murin e ventrikulit, i cili normalisht ndodh me rritjen e vëllimit të ventrikulit. Forca e pompimit të të dy barkusheve është nga normale deri paksa e reduktuar.

Faktoret e rrezikut

Përveç shkaqeve të lartpërmendura, është shumë e rëndësishme të përmenden edhe çrregullimet në strukturën e qelizave të muskujve të zemrës që çojnë në trashje të murit të zemrës.

Të tilla janë:
Kardiomiopatia hipertrofike: Kjo është një kardiomiopati gjenetike e zakonshme, e cila shfaqet në 1 nga 500 individë në popullatën e përgjithshme dhe shkaktohet nga një mutacion në gjenet e përfshira në sintezën e proteinave për fibrat e muskujve të zemrës. Diagnoza vendoset me anë të ekokardiografisë dhe rezonancës magnetike të zemrës kur muri i muskujve të zemrës është i trashë (≥ 15 mm në diametër). Shumica e pacientëve kanë jetëgjatësi normale, por disa pacientë kanë simptoma të dështimit të avancuar të zemrës, aritmive atriale dhe ventrikulare, tromboembolisë dhe janë në rrezik të vdekjes së papritur.

Amiloidoza: Amiloidoza e zemrës ndodh si rezultat i akumulimit të proteinave amiloide ndërmjet fibrave muskulore të zemrës. Kjo çon në hipertrofi të murit të ventrikulit të majtë, mosfunksionim diastolik dhe më pas sistolik të zemrës. Hipertrofia mund të jetë simetrike, asimetrike, koncentrike ose ekscentrike. Hipertrofia është zakonisht në mënyrë disproporcionale më e madhe në krahasim me pacientët me hipertension.

Faktorë shtesë të rrezikut:

Përveç hipertensionit dhe stenozës së valvulës së aortës, faktorët që rrisin rrezikun e hipertrofisë së ventrikulit të majtë janë:

  • Mosha e pacientit: Hipertrofia e ventrikulit të majtë është më e zakonshme tek personat e rritur mbi 65 vjeç.
  • Shtimi në peshë: Të qënit mbipeshë rrit rrezikun e presionit të lartë të gjakut dhe hipertrofisë së ventrikulit të majtë.
  • Historia familjare: Në familjen e pacientit të diagnostikuar me kardiomiopati hipertrofike, nevojiten ekzaminime ekokardiografike ekzaminuese për diagnostikimin e hershëm të anëtarëve në rrezik.
  • Diabeti mellitus: Hipertrofia e ventrikulit të majtë është më e zakonshme tek pacientët me diabet mellitus tip 2. Është një parashikues i fortë i ngjarjeve të padëshiruara kardiovaskulare, duke përfshirë dështimin e zemrës. Patofiziologjia e zhvillimit të hipertrofisë së ventrikulit të majtë tek pacientët me diabet mellitus është ende duke u hetuar, por inflamacioni, stresi oksidativ dhe rezistenca ndaj insulinës mendohet se luajnë një rol në zhvillimin e hipertrofisë. Trajtimi i hipertensionit dhe regresioni i hipertrofisë redukton rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare dhe vdekjes.
  • Gjinia: Gratë me hipertension janë në rrezik më të madh të hipertrofisë së ventrikulit të majtë në krahasim me burrat me vlera të ngjashme të presionit të gjakut.

Diagnoza: Për të vendosur diagnozën e duhur, është e nevojshme historia mjekësore e pacientit, prania e sëmundjeve shoqëruese, historia familjare pozitive dhe ekzaminimi fizik.
Megjithatë, në ditët e sotme, diagnoza më e besueshme e hipertrofisë arrihet me anë të ekokardiografisë (eko kardiake) dhe rezonancës magnetike të zemrës.

Metodat diagnostikuese:
Elektrokardiografia (EKG): Elektrokardiografia regjistron sinjalet elektrike të zemrës. Sipas të dhënave të EKG-së, diagnoza e pacientit mund të supozohet, dmth. nëse pacienti mund të ketë shenja të hipertrofisë së ventrikulit të majtë, të djathtë ose atrial. Por për një diagnozë më të saktë është e nevojshme të bëhen ekzaminime të mëtejshme: ekokardiografi dhe rezonancë magnetike të zemrës.

Ekokardiografia: Kjo metodë është më e ndjeshme se elektrokardiografia në diagnostikimin e hipertrofisë kardiake. Ekokardiografia siguron vizualizim 2D ose 3D të barkusheve të zemrës, mund të masë trashësinë e mureve të tyre dhe ndoshta të gjejë shkakun e mundshëm për zhvillimin e hipertrofisë (për shembull prania e stenozës së aortës).

Rezonanca magnetike e zemrës: Rezonanca magnetike e zemrës është një metodë e fuqishme, plotësuese e ekokardiografisë. Kjo metodë lejon vlerësimin e saktë të hipertrofisë veçanërisht kur ekokardiografia nënvlerëson ose nuk e zbulon trashësinë e murit në zonat që nuk vizualizohen qartë nga ana ekokardiografike (muri anterolateral, septumi i pasmë dhe kulmi i zemrës). Përveç trashësisë së të gjitha mureve të barkushes së majtë, rezonanca magnetike mund të përcaktojë trashësinë e barkushes së djathtë, si dhe praninë e fibrozës difuze ose zëvendësuese. Rreziku i takiarritmive malinje ventrikulare dhe rreziku i vdekjes së papritur mund të vlerësohet nga sasia e fibrozës.

Trajtimi:
Trajtimi i hipertrofisë varet nga shkaku i shfaqjes së saj. Hipertrofia mund të trajtohet me medikamente ose kirurgji.
Nëse hipertrofia e ventrikulit të majtë shkaktohet nga hipertensioni ose amiloidoza, atëherë trajtimi është medikamentoz.
Nëse shkaku i hipertrofisë është stenoza e rëndë e aortës ose nëse është e pranishme hipertrofia ekscentrike që pengon traktin e daljes së ventrikulit të majtë, atëherë indikohet trajtimi kirurgjik.

Konkluzion:
Diagnostikimi i hershëm i hipertrofisë kardiake, si dhe zbulimi i shkakut të zhvillimit të hipertrofisë mundëson trajtimin e duhur, dhe në këtë mënyrë parandalimin e dështimit të zemrës, zvogëlimin e rrezikut të aritmive malinje dhe vdekjes së papritur.