Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Back to Daily dose of health

11.11.2020

Jeta me epilepsi

Sipas përcaktimit të Organizatës Botërore Shëndetesore (OBSH), epilepsia përcaktohet si një sëmundje kronike e trurit që ka etiologji të ndryshme dhe karakterizohet nga kriza të përsëritura të shoqëruara me shkarkime të tepërta të neuroneve në tru.

Epilepsia është një nga çrregullimet neurologjike më të shpeshta që prek persona të ndryshëm në mënyra të ndryshme. Ndodh në formën e sulmeve të përsëritura të epileptikut. Sulmi i ngjan një stuhie të brendshme. Ndodh papritur, pa asnjë paralajmërim.

Nuk ka një shpjegim të thjeshtë në lidhje me epilepsinë dhe shpesh nuk është e lehtë të shpjegohet pse shfaqet dhe përse përsëritet sulmi epileptik. Mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona kontrollohen nga qelizat në tru të cilat komunikojnë me njëra-tjetrën përmes impulseve elektrike dhe për shkak të një aktiviteti të papritur dhe të madh elektrik ndodh sulmi epileptik i cili shfaqet në intervale të ndryshme.

Sidoqoftë, për diferencimin e tyre nga gjendjet e tjera nje rol te rendesishem luan EEG-ja (elektroencefalografia). Kjo metodë mund të zbulojë një lloj të veçantë të anomalive tek qelizat e trurit që shkaktojnë sulme.

Diagnoza përcaktohet në bazë të simptomave të sulmit dhe rezultatit të marrë nga elektroencefalografia (EEG). Mjeku zakonisht nuk është në gjendje të përcaktojë sulmin epileptik, për këtë është i nevojshëm përshkrimi i hollësishëm i sulmit dhe rrethanave në të cilat ndodh. Tepër e rëndësishme është dëshmia e personit të pranishëm, i cili e ka parë apo ndjekur të gjithë ngjarjen, pasi personi i cili ka përjetuar sulmin epileptik shpesh nuk është në gjendje të përshkruaj saktësisht ngjarjen dhe simptomat. Pothuajse në të gjitha rastet, është e nevojshme që të bëhet EEG, rezonancë magnetike ose CT (tomografi kompjuterike) e trurit, EKG (elektrokardiografi) dhe teste laboratorike.

Diagnoza përfundimtare bëhet nga mjeku specialist që ka njohuri të duhura teorike dhe praktike. Zakonisht nga mjeku neurolog ose neuropsikiatrik. Epilepsia është një gjendje e cila shoqërohet me sëmundje dhe gjendje të ndryshme. Prandaj mundësitë për trajtim janë të ndryshme dhe varen nga rrethanat specifike që çojnë në epilepsi. Sidoqoftë, kur analizohen rezultatet e trajtimit të një numri të madh të personave me forma të ndryshme të epilepsisë, mund të thuhet se sulmet nuk shfaqen tek më shumë se 2/3 e atyre personave që janë në terapi të rregullt, pra rreth 75% të personave me epilepsi kanë sulme të kontrolluara.

Në të gjithë botën eshte pranuar fakti se megjithëse sulmet epileptike janë shumë komplekse, ato zakonisht ndahen në dy kategori: të pjesshme dhe të përgjithshme. Sulmet e pjesshme ose fillojnë në një pjesë të trurit [d.m.th., në pikën kryesore të trurit] dhe ndikojnë në pjesën e trupit që kontrollon ajo pjesë e trurit. Sulmet e përgjithshme ndikojnë në të gjithë trurin dhe për këtë arsye prekin të gjithë trupin.

A mund të shërohet epilepsia?

Ekziston një përqindje e lartë e personave me epilepsi, veçanërisht fëmijët, ku epilepsia është “kuruar” ose sulmet janë zhdukur, dhe trajtimi është ndërprerë me rekomandimin e mjekut. Mesatarisht, 80% e njerëzve të tjerë me epilepsi mund të kontrollojnë sulmet e tyre me ilaçe, që do të thotë se ata mund të bëjnë një jetë normale. Suksesi varet nga lloji i epilepsisë, diagnoza e saktë, zgjedhja e ilaçeve, dëmi i mundshëm i shkaktuar nga epilepsia dhe problemet sociale.

Sidoqoftë, tek disa persona, sulmet vazhdojnë përkundër trajtimit të duhur. Këta persona, pikat epileptike të të cilëve janë të vendosura në një zone të caktuar të trurit, mund të parandalojnë sulmet me anë të trajtimit kirurgjikal. Ilaçet e përditshme nën mbikëqyrjen e rregullt mjekësore mund të parandalojnë sulmet. Kur është e mundur, mjekët përdorin vetëm një ilaç gjatë trajtimit. Dhe pas ndërprerjes së sulmeve, perdorimi i ilaçeve duhet të vazhdojë për disa vite të tjera, por vetëm me udhëzimin dhe kontrollin e mjekut i cili trajton epilepsinë dhe mund të fillojë t’i përjashtojë ato.

Ndërprerja e papritur e ilaçeve mund të çojë në sulme më serioze, në seri sulmesh ose status epileptik (sulme të zgjatura, të shoqeruara me humbje të vetëdijes gjatë sulmeve) të cilat mund të rrezikojnë jetën e pacientëve. Sigurimi i një cilësie më të mirë të jetës është motivi kryesor për zhvillimin e përgjithshëm dhe përpjekjet e mëdha kërkimore në fushën e mjekësisë. Trajtimi terapeutik i pacientëve me epilepsi është tepër i rëndësishëm për ta, pikërisht për këtë arsye. Kujdes i veçantë duhet të tregohet edhe persa i përket dozës së duhur në kohën e duhur, pasi mbidozimi me këto kimikate që kontrollojnë aktivitetin e trurit mund të shkaktojë pasoja të rrezikshme.