Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Back to Daily dose of health

01.12.2021

Këshilla për mbajtjen e trupit në pozicionin e duhur

Mbajtja e trupit në pozicionin e duhur është shumë më tepër sesa thjesht qëndrimi drejt për t’u dukur mirë. Qëndrimi i duhur i trupit është një pjesë e rëndësishme e shëndetit tuaj të përgjithshëm gjatë gjithë jetës. Kështu, mbajtja e trupit tuaj në pozicionin e duhur, pavarësisht nëse jeni në lëvizje apo duke qëndruar, mund t’ju ndihmojë të shmangni dhimbjen, lëndimet dhe probleme të tjera shëndetësore.

Qëndrimi i duhur mund të përfshijë dy pozicione kryesore:

Qëndrimi dinamik – i referohet mënyrës se si e mbani trupin kur lëvizni, si për shembull kur ecni, vraponi ose përkuleni për të marrë diçka.
Qëndrimi statik – i referohet mënyrës se si pozicionoheni kur nuk jeni duke lëvizur, si për shembull kur jeni ulur, në këmbë ose duke fjetur.

Është e rëndësishme të ruani qëndrimin e duhur në të dyja rastet, për këtë rol vendimtar luan pozicioni i duhur i shtyllës kurrizore. Shpina juaj ka tre kthesa (harqe) natyrale: në qafë, në mes të shpinës dhe në pjesën e poshtme të shpinës. Qëndrimi i duhur do të thotë që këto kthesa duhet të jenë të pranishme, por jo të theksohen më tepër. Koka duhet të mbahet drejt mbi shpatulla, dhe shpatullat duhet të jenë në linjë me këllçet.

Qëndrimi jo i duhur i trupit mund të jetë i dëmshëm për shëndetin tuaj. Mbajtja e përkulur e trupit mund të çojë në:

• Çrregullim të sistemit muskuloskeletor
• Konsumim të shtyllës kurrizore, duke e bërë atë më të brishtë dhe të prirur ndaj lëndimeve
• Shfaqje të dhimbjes në qafë, shpatulla dhe shpinë
• Fleksibilitet të reduktuar
• Lëvizje jo të duhur të kyçeve tuaja
• Çekuilibr dhe rrezik të lartë për të rënë
• Tretje joadekuate të ushqimit
• Vështirësi në frymëmarrje

Si mund ta përmirësoni qëndrimin e plotë të trupit tuaj?

  • Jini të vetëdijshëm për qëndrimin tuaj gjatë aktiviteteve të përditshme, të tilla si shikimi i TV, larja e enëve, ecja ose puna para kompjuterit.
  • Qëndroni aktivë. Çdo lloj ushtrimi mund të ndihmojë në përmirësimin e qëndrimit të duhur të trupit tuaj, megjithatë, disa lloje ushtrimesh mund të jenë veçanërisht të dobishme. Për shembull, joga dhe lloje të tjera ushtrimesh që fokusohen në ndërgjegjësimin e trupit. Gjithashtu është mirë të bëni ushtrime që forcojnë muskujt rreth shpinës, barkut dhe pelvisit (legenit).
  • Mbani një peshë të shëndetshme. Të qenit mbipeshë mund të dobësojë muskujt e barkut, të shkaktojë probleme të pelvisit dhe shtyllës kurrizore dhe të kontribuojë në shfaqjen e dhimbjes së shpinës. E gjithë kjo ndikon negativisht në ruajtjen e qëndrimit të duhur të trupit.
  • Vishni këpucë të rehatshme me taka të ulëta. Takat e larta mund të ndikojnë në ekuilibrin tuaj dhe t’ju detyrojnë të ecni ndryshe. Kjo mund të rrisë presionin mbi muskujt tuaj dhe të dëmtojë qëndrimin e duhur.
  • Sigurohuni që sipërfaqet mbi të cilat punoni të jenë në një lartësinë e duhur dhe të rehatshme për ju, pavarësisht nëse jeni ulur para kompjuterit, jeni duke përgatitur drekën apo jeni duke ngrënë.

Si ta përmirësojmë mbajtjen e trupit gjatë qëndrimit ulur?

  • Shumë njerëz kalojnë kohë të gjatë ulur, qoftë në punë, shkollë apo në shtëpi. Është e rëndësishme që të uleni siç duhet dhe të bëni pushime të shpeshta.
  • Ndryshoni shpesh pozicionin tuaj të ulur.
  • Bëni shëtitje të shkurtra nëpër zyrë ose shtëpinë tuaj.
  • Zgjatni/tërhiqni butësisht muskujt tuaj herë pas here për të ndihmuar në lehtësimin e tensionit të muskujve.
  • Nëse këmbët tuaja gjatë qëndrimit ulur nuk arrijnë të prekin dyshemenë, përdorni një mbështetëse këmbësh
  • Relaksoni shpatullat tuaja. Ata nuk duhet të përkulen ose tërhiqen pas
  • Mbani bërrylat afër trupit. Ata duhet të përthyhen ndërmjet 90 dhe 120 gradë
  • Sigurohuni që shpina juaj të jetë e mbështetur mirë. Përdorni një jastëk ose mbështetëse tjetër nëse karrigia juaj nuk ka mbështetëse për lakimin e pjesës së poshtme të shpinës.
  • Sigurohuni që kofshët dhe këllçet të jenë të mbështetura mirë. Ju duhet të keni një ndenjëse të mirë në mënyrë që kofshët dhe këllçet tuaja të qëndrojnë paralelisht me dyshemenë.