Këshilla për ushqimin tuaj gjatë festave - Zan Mitrev Clinic

Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Doza e shëndetit ditor

29.12.2020

Këshilla për ushqimin tuaj gjatë festave

Gjatë festave të Vitit të Ri zakonisht përgatisim sasi të mëdha ushqimesh të ndryshme, të cilat me shumë kënaqësi i ndajmë me familjen dhe miqtë. Këtë vit, për shkak të pandemisë, shoqërimi do të jetë i kufizuar, që do të thotë se duhet t’i kushtoni vëmendje sasisë së ushqimit që përgatitni. Mos e teproni, por në të njëjtën kohë ndiqni rekomandimet në lidhje me llojin e ushqimit që mund të shkaktojë probleme me tretjen. Kjo vlen edhe për konsumimin e alkoolit dhe pijeve të gazuara.

Edhe pse bëhet fjalë për festa, përsëri mund të siguroheni që të shijoni ushqim të shëndetshëm, duke shmangur konsumimin e sasive të tepërta. Këtë vit keni më shumë kohë për të eksperimentuar me receta të reja, të shëndetshme.

Por nëse ende vendosni të festoni vitin e ri në mënyrë klasike, merrni parasyshë këshillat e mëposhtme:

  • Shmangni ushqimet gjysëm të përgatitura me shumë erëza, salca dhe pije alkoolike të tepërta.
  • Konsumoni mish në mënyrë të moderuar dhe nëse është e mundur me më pak yndyrë: mish pule ose peshk (skumbri, salmon, tuna, trofta). Ata janë aleatët më të mirë për uljen e kolesterolit të keq dhe kontrollin e yndyrës sepse përmbajnë acide yndyrore omega 3.
  • Përdorni vajra cilësor dhe të shëndetshëm si vaj ulliri, vaj nga fara e lirit, vaj luledielli ose vaj misri kur gatuani. Këto vajra përmbajnë yndyrna të pangopura që ulin nivelin  e kolesterolit të keq. Ato gjithashtu përmbajnë antioksidantë natyralë siç është vitamina E.
  • Konsumoni fruta arrore të tilla si arra, bajame, lajthi, fëstëk sepse ato i sigurojnë trupit tuaj yndyrna mono të pangopura dhe antioksidantë.
  • Konsumoni pije pa sheqer të tilla si ujë, ujë mineral, pije freskuese pa sheqer dhe lëngje frutash të shtrydhura. Është tepër e rëndësishme që ta mbani organizmin tuaj të hidratuar.
  • Në mbrëmje konsumoni ushqim të lehtë dhe mos i kapërceni vaktet, pasi kjo mund të çojë në konsum të tepërt të ushqimit.
  • Zëvendësoni majonezën ose salcat me qumësht të skremuar. Përfundimisht mund të konsumoni mozzarela ose djathë tjetër të bardhë jo shumë të kripur.
  • Mos harroni aktivitetin fizik. Edhe pse është periudhë festash, përsëri mund të kaloni kohë duke ecur në park, çiklizëm dhe madje edhe në kushtet e shtëpisë. Kjo do t’ju ndihmojë të digjni kaloritë e tepërta.
  • Në periudhën vijuese (pas festave) rekomandohet dietë detoksike e bazuar në fruta, perime dhe çajra bimorë.

Mos harroni sallatat e bëra nga perime të freskëta. Ato i sigurojnë trupit tuaj fitosterole, vitamina dhe minerale që ndihmojnë në uljen e kolesterolit. Ju do të merrni efekte më të mira prej tyre nëse i konsumoni të papërpunuara.

Shtoni lakër, brokoli, lulelakër dhe hudhër si erëz ose erëza për të zëvendësuar kripën. Të gjitha këto, së bashku me qepët, përmbajnë përbërje squfuri që përmirësojnë qarkullimin dhe aktivitetin kardiovaskular.

Frutat janë gjithashtu të rëndësishme. Gjatë kësaj periudhe, frutat e stinës si shegët, agrumet: mandarina, portokall, limon, citron si dhe banane të cilat janë gjithmonë të pranishme.

Frutat e kuqe ose blu siç janë kumbullat, qershitë, mjedrat dhe boronicat, megjithëse në formë të ngrirë gjatë kësaj periudhe, janë të pasura me antocianina, antioksidantë natyralë që parandalojnë akumulimin e yndyrës në muret e brendshme të arterieve. Rrushi të cilin ende mund të gjejmë në treg përmban resveratrol, një substancë natyrale që mbron zemrën nga hiperkolesterolemia, trigliceridet e larta dhe presionin e lartë të gjakut.

Festat janë pikërisht për tu shijujuar, prandaj le të zgjedhim mënyrën më të mirë dhe më të shëndetshme, pa ekzagjeruar me ushqimin por edhe pa e ndaluar atë. Gëzuar Festat!