Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

21.12.2021

Lëkura dhe i ftohti – 8 këshilla për një shëndet më të mirë të lëkurës gjatë dimrit

Dimri dhe i ftohti ndikojnë në të gjithë trupin tonë, veçanërisht në lëkurë. Lëkura është më e ekspozuar dhe mund të dëmtohet rëndë nga ndryshimet e temperaturës. Kushtet e këqija të motit si temperaturat e ulëta prekin zonat më të ndjeshme të fytyrës, buzët, qafën, dekoltenë dhe sigurisht duart.

Prandaj, në vijim do t’ju japim disa këshilla që duhet të ndiqni, në mënyrë që të përmirësoni shëndetin e lëkurës tuaj:

  • Hidratoni lëkurën çdo ditë, disa herë në ditë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata që vuajnë nga një lloj dermatoze (dermatiti atopik, psoriasis…). Një krem i përshtatshëm për zbutjen e lëkurës (me bazë lanolinë, ure, etj.) do të ndihmojë në mbajtjen e lëkurës të shëndetshme gjatë dimrit.
  • Shmangni larjen e tepërt të duarve. Dermatiti i pjesës së jashtme të duarve është një shkak i zakonshëm i acarimit në këtë periudhë të vitit, veçanërisht te njerëzit që lajnë duart shpesh për shkak të punës që bëjnë. Për të shmangur këtë, duhen përdorur doreza dhe kremra mbrojtës.
  • Mos përdorni produkte agresive për larjen e fytyrës dhe trupit. Zgjidhni produkte të buta dhe të testuara dermatologjikisht.
  • Shmangni dushin me ujë shumë të nxehtë ose shumë të ftohtë. Ideale është të përdorni ujë të vakët dhe të mos bëni dush më shumë se një herë në ditë, pasi kjo do të rriste dehidratimin-tharjen e lëkurës.
  • Hidratoni buzët tuaja dhe mbroni ato nga rrezet ultravjollcë. Buzët vuajnë shumë në dimër, aq më tepër nëse ka një ndryshim themelor (keiliti atopik, aktinik…).
  • Mos harroni syzet e diellit dhe përdorimin e kremit të përditshëm me faktor mbrojtjen ndaj rrezeve të diellit edhe në dimër, veçanërisht në zonat malore dhe aty ku ka borë, sepse në ato vende reflektohet 80% e rrezatimit diellor.
  • Vishni doreza dhe rroba të ngrohta. Veçanërisht ata persona që janë të ndjeshëm ndaj të ftohtit dhe që zakonisht vuajnë nga morthi ose nga fenomeni Raynaud (gishta të ftohtë që bëhen të bardhë, blu dhe të kuq).
  • Shmangni ndryshimet e papritura të temperaturës, pasi kjo rrit mundësinë e zgjerimit të kapilarëve (venave merimangë) në fytyrë (veçanërisht në faqe).

Përbërësit aktivë të rekomanduar për tipin normal të lëkurës: vitaminë C, acid retinolik, acid glikolik dhe acide hidroksi, të gjithë me funksion të rëndësishëm kundër plakjes. Megjithatë, për llojin e lëkurës së ndjeshme, ata duhet të përdorin substanca qetësuese, vazokonstriktive dhe dekongjestive. Të tilla janë dexpanthenoli, alfa-bisabololi, acidi glicirhizik. Përveç kësaj, këta persona duhet të shmangin produktet që përmbajnë alkool, konservues ose parfume. Për këtë arsye, është i nevojshëm një vlerësim individual dermatologjik i çdo lloji të lëkurës.

Lloji ideal i produkteve të kujdesit varet nga lloji i lëkurës dhe ekzistenca e mundshme e një gjendje të caktuar, problemi, alergjie dhe gjendje të tjera të ngjashme. Në përgjithësi, kremrat me përbërës aktivë pastrues janë më të mirë për lëkurën e kombinuar ose të yndyrshme, dhe kremrat e pasur dhe të yndyrshëm për lëkurën e pjekur (personat e vjetër) dhe të thatë.

Ekzistojnë maska dhe trajtime të reja, të tilla si mesoterapia me acid hialuronik, që ndihmojnë në hidratimin e thellë të lëkurës.

Është mirë të dini se dimri është koha më e mirë për të kryer trajtime intensive të depigmentimit të fytyrës, si në shtëpi ashtu edhe në ordinancë (peeling ose maska kimike).

Sigurisht, është e rëndësishme t’i kushtoni vëmendje ushqimit. Le të jetë i pasur me vitamina dhe antioksidantë. Mos harroni të pini 1.5 -2 litra ujë në ditë. Shmangni duhanin dhe alkoolin, pasi ato ndikojnë negativisht në shëndetin e lëkurës sonë, duke krijuar radikale të lira. Përveç kësaj, alkooli përkeqëson kapilarët e zgjeruar të fytyrës.