Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

23.04.2020

Më shumë më frikëson fakti që Covid-19 shkakton depresion dhe ndjenjë kataklizme

Zhan, nga vjen ky emër, çfarë simbolizon emri juaj dhe cili është autori që ju ka vënë këtë emër?
– Kumbari, ju e dini si është, fëmija i parë mashkull, pasi kishin pirë ca më tepër, ndërkohë që idhulli i kumbarit tim ishte Zhan Gaben, kështu vendosi…, djali do të quhet Zhan ose nuk do të ketë kumbar. Nëna ime ka qarë plot një javë. Duhej të ma kishin vënë emrin Stojan (Qëndrim), si gjyshi im, dhe do të më përshtatej mjaftë mirë ai emër me gjithë ato që kam kaluar e përjetuar, por kështu ndodhi. Më vonë, gjatë periudhës së shkollës së mesme, kur njiheshim me miq të rinj, të gjithë jepnin pseudonimin, ndërsa unë emrin, dhe shpesh më thonin: Shumë pseudonim interesant, po emrin e vërtetë si e ke?

A ju frikson Covid-19?

-Ju e dini, ne përballemi shpesh me raste të ngjashme, kemi përvojë me gjendje të tilla, por gjithashtu kemi edhe qëndrime të ndryshme në lidhje me mënyrën e veprimit.  Çdo pacient me sëmundje të zemrës ka mungesë  imuniteti, dhe shumë lehtë pas operacionit mund të preket nga ndonjë infeksion. Në raste të tilla shfaqen probleme serioze por mund të them se përballemi mjaftë mirë me këto situata. Ndoshta kjo është dhe arsyeja përse në një farë mënyre ndihemi më të sigurt, se ndoshta nuk është diçka shumë e rëndë. Por sipas të gjitha informacioneve, mendoj se bëhet fjalë për një virus të rrezikshëm dhe për një gjendje për të cilën ende nuk është gjetur ilaçi. Është shumë shqetësues fakti që përhapet lehtë dhe rezultati është i paparashikueshëm, ka raste kur njeriu vdes vetëm pas disa ditësh dhe raste të tjera kur njerëzit jetojnë çdo ditë me virusin në trup pa asnjë simptomë dhe pa asnjë problem.

Nga ana tjetër, ndikon shumë keq në gjendjen shpitërore, shkakton depresion dhe ndjenjën e kataklizmës. Kjo më frikësron madje më tepër se fakti që nuk dime se çfarë do të ndodhë më tej…

Plane të reja për hapjen e ndonjë klinike jashtë vendit, apo kjo do të ishte e vështirë për tu organizuar dhe kontrolluar?

-Plane ka shumë, sigurisht edhe jashtë vendit, por gjëja më e rëndësishme është që fillimisht “në shtëpi” gjërat të funksionojnë siç duhet. Por, “virusi” na shkundi të gjithëve dhe na rikujtoi se duhet të jemi tepër të vëmendshëm, se duhet të respektojmë dhe të ndihmojmë potencialin vendas. Nuk ka më tani vajtje jashtë vendit, as ardhje të ekspertëve nga jashtë. Tani ne jemi këtu dhe përballemi me gjithçka që duhet.

Po në Shtip, vendin tuaj të lindjes, apo nuk ka staf të kualifikuar mjaftueshëm apo forcë edhe për një fillim të ri?

– E dua shumë qytetin tim Astib (Shtip). Bëj gjithçka që mundem nga ana ime, që edhe atje të lëvizë diçka. Unë e kam iniciuar dhe kam marë pjesë në krijimin e Universitetit Goce Delçev në atë kohë, duke shtyrë dhe duke kërkuar nga politikanët për të projektuar ndërtimin e autostradës. Kishte edhe projekte të tjera të cilat mund të realizoheshin, por nuk u realizuan. Mund të realizohen shumë gjëra, por gjithçka ecën shumë ngadalë, dhe do të më duhen edhe shumë jetë të tjera për të bërë gjithçka që dua. Është vërtetë një ndjenjë e bukur kur ti me pjesëmarrjen tënde diku, ndikon në ndryshimin e disa gjërave në favor të së mirës së përbashkët, dhe në diçka më të bukur …

A është puna juaj mbart në vetvete stres, a ju ndihmon ndonjë aperitiv para intervenimit apo ndonjë pije e mirë pas operacionit?

– Unë jam shumë i rreptë ndaj vetes. Gjatë ditëve të javës kur jam në punë, gjatë periudhës që jam në punë, konsumoj vetëm ujë dhe nuk ha gjithë ditën, derisa të kthehem natën në shtëpi. Pra, nuk ka asnjë “pije” tjetër as para dhe as pas operacionit. Por, preferoj verë të mirë, verë të kuqe dhe gjatë fundjavës kam një kënaqësi të veçantë të shijoj një ose dy gota verë.

Zemra është një simbol, motivim dhe frymëzim për dashurinë, për jetën, për artin. Ju keni hapur mijëra zemra, çfarë ka brenda tyre?

– Magji. Pavarësisht gjithë këtyre viteve, më shumë se 33 vjet punë, çdo ditë është një frymëzim dhe sfidë e re. Magji e cila quhet shkencë e lartë. Imagjinoni, gjatë çdo operacioni, bëhet ndalimi i zemrës, vazhdon të qëndrojë e qetë derisa operacioni të kryhet dhe më pas “zgjohet” përsëri, vazhdon të funksionojë dhe pacienti zgjohet, shërohet, shkon në shtëpi. Po të kthehemi pas në kohë, vetëm gjysmë shekulli më parë, e gjithë kjo ishte e paimagjinueshme, e pamundur. Por edhe më tej, zemra vazhdon të mbetet një enigmë…

Çfarë ju zhgënjen në punë?

– Më zhgënjen fakti që njerëzit nuk dinë çfarë kanë. Më zhgënjen sipërfaqësia, mospërputhja, mungesa e përkushtimit në punë.

Çfarë ju bën të lumtur në punë?

– Kur gjithçka është “në mënyrë të përpiktë”, kur pacientët janë të kënaqur, kur shoh se si disa ide shndërrohen në realitet dhe funksionojnë mirë. Kur diçka duket e pamundur dhe më bëhet e realitet.

Pacientët e vegjël, ju shqetësojnë veçanërisht, çfarë force emocionale duhet të ketë një mjek, një person që në duart e tij pulson një zemër fëmije?

– Është një gjendje tepër e veçantë. Personalisht kam shumë përvojë në kirurgjinë kardiake. Nuk ekziston asgjë që të jetë e panjohur për mua në këtë fushë. Jam një nga personat e paktë në botë që kanë kryer vetë më shumë se 15,000 operacione në zemër. Por sa herë që operoj tek një fëmijë, ndiej shumë presion, sikur të kem veshur kostum banje të ngushtë nën ujë, dhe e gjithë vëmendja ime është e përqendruar aty, tek pacienti që ka vetëm disa orë që ka ardhur në jetë dhe peshon tre kilogram. Gjithçka duhet të funksionojë në mënyrë perfekte. I gjithë ekipi përreth meje. Është e vështirë të përshkruhet. Ashtu siç është e pamundur të përshkruhet ndjenja kur nëna më pas merr fëmijën në krahët e saj, kur sëbashku kthehen në shtëpi… Pikërisht atëherë jam vërtetë i lumtur që kam zgjedhur këtë profesion.

A lexoni ndonjë gjë jashtë literaturës mjekësore, keni kohë për këtë?

– Gjatë fundjavës lexoj diçka që më relakson, për ushqimin, vreshtarinë, verën…

Shkurtimisht, nga 1 në 10, ku ka arritur Klinika “Zhan Mitrev” në hartën botërore të kardiokirurgjisë sot?

– Dhjetë e pastër. Asnjë ekzagjerim. Por gjithësesi, e di mjaft mirë se për shumë persona është akoma e pabesueshme. Ndoshta sepse është këtu dhe sepse është e jona!?

“Operacion i pasuksesshëm”, a ka ndonjë përkufizim, çfarë do të thotë kjo thënie?

– Në punën time operacioni bëhet nga 350 persona. Të gjithë punonjësit marrin pjesë në të. Është një zinxhir i shumë aktiviteteve të ndryshme të rëndësishme, përgatitja para operacionit, diagnostikimi, konsultimi, vlerësimi, planifikimi i kryerjes së operacionit me të gjitha segmentet, anestezinë, instrumentet, teknikën kardio. Pra, zgjimi pas operacionit, monitorimi 24-orësh, aktivitetet e vazhdueshme të infermierëve, mjekëve, fizioterapistëve, psikologëve, administratës, në mënyrë që pacienti të largohet nga shtëpia i kënaqur, sikurse edhe familja e tij. Ne jemi një spital privat ku pacientët paguajnë për disa shërbime të caktuara dhe presim shumë. Dhe sikur vetëm diçka të mos shkojë siç duhet në këtë zinxhir të plotë veprimtarish dhe të shfaqet pak pakënaqësi tek pacienti apo tek anëtari i familjes së pacientit, dhe tashmë mund të jetë  “operacion i dështuar”. Nuk është e lehtë që të gjithë të përshtaten veçanërisht këtu, ku një mikro-koncesion mund të çojë në një ndërlikim të madh. Kjo është arsyeja pse për shumë nga punonjësit e mi, unë jam i vështirë, i rreptë, por thjesht po përpiqem për përsosmëri dhe profesionalizëm të lartë për ta bërë “operacionin e suksesshëm”.

 

Pacientët ju shohin si një hero. Kjo gjë ju bën shumë krenar apo thjesht shumë të motivuar?

– Më bën të ndiej se nuk e kam çuar dëm kohën, përpjekjen dhe përkushtimin tim, se e gjithë kjo ka kuptim, se jeta ime ka kuptim.

Çfarë ju nervozon më tepër në punë?

– Burokracia. Rregulloret, dokumentacionet natyrisht që unë i mbështes, por mënyra se si funksionon gjithë këto vite, kohëzgjatja në rast se duhet të marrësh ndonjë leje… po, më nervozon tepër, aq sa më bën të dal nga lëkura ime!

Çfarë nuk ju pëlqen në politikën maqedonase?

– Çfarë jo? Por ju e dini, të gjithë ata janë persona të shkëlqyer kur janë në opozitë. Kur vijnë në pushtet, diçka ndodh me ta. Do të doja që në qeveri të vinin persona me të njejtat mendime që kanë kur janë në opozitë, më kuptoni…?

Për një organizëm të shëndetshëm keni promovuar disa dieta. Zemra dhe enët e gjakut vuajnë nga ushqimi, stresi apo gjenet?

– Deri më tani, ende nuk mund të ndryshojmë gjenet. Por gjithçka tjetër është në duart tona. Ushqimi është diçka që konsumohet çdo ditë. Dhe kjo, sigurisht ndikon. Por, para së gjithash, është e rëndësishme të dini se problemi kryesor është ngrënia e tepërt. Shumë shpesh, në sasi më të mëdha se ajo që i nevojitet trupit. Duhet të reduktohet sasia dhe vaktet e ushqimit. Sa më pak, aq më mirë. Nuk ju nevojitet dietë nëse mund ta kontrolloni veten. Por sfidat janë të mëdha, nga të gjitha anët ka lloje të ndryshme ofertash, reklamash, dhe stresi është vetëm një arsye ose një justifikim për ta tepruar me ushqimin. Ky është një rreth në të cilin mund të përfshihesh shumë lehtë dhe shumë vështirë të dalësh.

Zanati juaj ka nevojë për shumë njohuri, por edhe prirje, cila nga të dyja është më e rëndësishme?

– Shumë gjëra duhet të përputhen. Ndoshta dija dhe talenti nuk janë të mjaftueshme nëse nuk ka ndonjë magjepsje me punën. Është një pasion i vërtetë për mua, dashuri e pakufizuar, obsesion, fanatizëm, dhënie apo dorëzim i plotë ndaj profesionit… të gjitha këto së bashku.

A ka kirurgë të rinj talentë në Maqedoni, të cilët marrin frymë mbi qafën e të pacenueshmit Zhan Mitrev?

– Për një gjë më vjen vërtet shumë keq. Gjatë gjithë këtyre viteve, gjërat u vendosën në mënyrë që unë të duhej të luftoja disi e thënë fjalë për fjalë për të mbijetuar. Një nga “armët” kryesore ishish rezultatet e mira, kështu që unë duhej të isha shumë i kujdesshëm, për një kohë shumë të gjatë, të bëja vetë të gjitha operacionet. Me kalimin e viteve, shumë mjekë të rinj nuk kanë qenë në gjendje që t’iu jepej mundësia. Sikur e gjithë kjo të kishte qenë ndryshe, tani do të ekzistonte një shkollë e tërë e kardiokirurgëve të rinj. Por, pavarësisht gjithçkaje, ka ende persona të rinj dhe të talentuar që punojnë në mënyrë të pavarur tani, së bashku me mua.

Intervista është ralizuar nga gazeta “Sloboden Pecat” / “Shtyp i lirë”