Reagimi anafilaktik - si të përballemi me të? - Zan Mitrev Clinic

Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Doza e shëndetit ditor

11.02.2021

Reagimi anafilaktik – si të përballemi me të?

Ekziston një numër në rritje i fëmijëve me alergji ushqimore, e cila në rrjedhën e saj mund të jetë e lehtë, por edhe shumë e rëndë me një zhvillim të paparashikueshëm. Një lloj i tij është anafilaksa.
Këta fëmijë kalojnë një kohë të gjatë në ambiente me shumë fëmijë (kolektivë) siç janë: shkollat, kopshtet, çerdhet, dhe kjo gjendje nuk duhet të shkaktojë çrregullim në jetën e tyre. Sigurisht, këtu duhen përfshirë prindërit, mësuesit, dhe kujdestarët.

Çfarë është anafilaksa?

Shoku anafilaktik ose anafilaksia i referohet reaksionit alergjik të përgjithshëm që ndodh papritmas dhe mund të shkaktojë vdekje nëse nuk trajtohet menjëherë. Fillon shumë shpejt duke prekur dy ose më shumë organe (sisteme), siç është lëkura, sistemi i frymëmarrjes, sistemi i qarkullimit të gjakut ose ai gastrointestinal.

Kjo është për shkak të bashkëveprimit midis antitrupave IgE dhe alergjenit, një substancë që zakonisht është e padëmshme për shumicën e njerëzve, por që shkakton prodhimin e antitrupave IgE tek pacientët e predispozuar.
Reagimi mund të shkaktohet nga marrja e sasive shumë të vogla të alergjenit dhe për këtë arsye nuk varet nga doza: një sasi e vogël qumështi, veze, gruri, kikirikësh apo ushqimi tjetër është e mjaftueshme për të shfaqur një gjendje të rrezikshme tek ata që kanë forma të rënda të alergjisë.

Cilat janë shkaqet?

Alergjenët më të zakonshëm që mund të shkaktojnë këtë lloj reaksioni alergjik janë:

– Alergjenët ushqimorë: qumështi, veza, lajthia, kikirikët, peshku, midhjet, gruri, selinoja
– Pickimet e insekteve si bleta, grerëzat dhe insekte të tjera
– Ilaçet: penicilina, cefalosporina, ilaçe anti-inflamatore jo-steroide, ilaçe biologjike, etj;
– Agjentë kontrasti me bazë jodi.

Në disa raste nuk është e mundur të identifikohet shkaku dhe në këtë rast flasim për anafilaksinë idiopatike.

Shkaku më i zakonshëm i anafilaksisë në moshën e fëmijërisë është marrja e ushqimit dhe është e pranishme tek rreth 3-4% gjatë tre viteve të para të jetës. Është e nevojshme të bëhet përcaktimi i duhur  i alergjenit të rëndë ushqimor në mënyrë që të zbatohet parandalimi i duhur dhe të shmangen reagimet serioze anafilaktike, të cilat e ekspozojnë fëmijën ndaj rrezikut të vdekjes në rast të gëlltitjejes aksidentale madje edhe të një sasi të vogël të alergjenit.

Si manifestohet?

Gjatë shokut anafilaktik, reaksioni alergjik shfaqet tek disa organe ose sisteme. Veçanërisht tek lëkura, rrugët e frymëmarrjes, sistemi kardiovaskular, sistemi gastrointestinal janë më të prekur dhe mund të jenë të pranishme edhe simptomat neurologjike.

Për asnjë  nga simptomat nuk mund të thuhet se është karakteristikë e anafilaksës: ajo që jep pamjen klinike është manifestimi i menjëhershëm i simptomave për një periudhë prej disa minutash, maksimum dy orë pas kontaktit me alergogjenin, ndonjëherë jep simptoma fillestare ekplozive të cilat manifestohen si:

– Skuqje karakteristike e lëkurës (urtikarie-angioedemë), teshtimë dhe sekrecione të hundës
– Vështirësi në frymëmarrje
– Kruajtje e gjuhës dhe qiellzës; ndryshim i tingullit së zërit për shkak të ënjtjes së kordave vokale
– Të vjellave
– Diarre
– Hipotension (rrahje të ngadalësuara të zemrës)
– Rritje anormale të rrahjeve të zemrës (takikardi) dhe aritmi.

Manifestimet klinike atipike mund të jenë të llojit të reaksionit anafilaktik të vonuar. Të paktën një orë pas shfaqjes fillestare të dukshme, ekziston një vazhdim i simptomave anafilaktike pa u ekspozuar sërish ndaj alergjenit. Ndonjëherë ky manifestim mund të jetë më i rëndë se episodi i menjëhershëm.

Episodi i anafilaksisë ndonjëherë ndodh pas sforcimit fizik, pas gëlltitjes të mëparshme të ushqimit ndaj të cilit personi është i ndjeshëm.

Si trajtohet reaksioni anafilaktik?

Epinefrina është ilaç që shpëton jetën dhe duhet të ketë një rol kryesor në trajtimin akut të anafilaksisë. Në rastet e indikuara, mund t’u jepet të gjithë fëmijëve të çdo moshe, ndërsa prindërit e fëmijëve të cilët janë  në rrezik shoku anafilaktik duhet të mbajnë gjithmonë me vete shishe të epnefrinës dhe nuk duhet të hezitojnë ta përdorin tek fëmijët e tyre në rast të shfaqjes së simptomave kërcënuese.

Prindërit duhet të trajnohen në mënyrën e duhur pësa i përket përdorimit të epinefrinës – adrenalinës me një auto-injektor të veçantë. Këto preparate injektohen gjatë shenjës së parë të reaksionit alergjik, pa pritur për shfaqjen e simptomave serioze, në mënyrë muskulore në pjesën e kofshës – nga 0.2ml në 0.5ml në varësi të peshës së fëmijës – dhe janë të disponueshme në paketim sëbashku me adrenalinën e dozuar, rezistente ndaj nxehtësisë, i qëndrueshëm 18 muaj në temperaturë dhome.

Megjithëse përdorimi i këtyre shiringave është shumë i lehtë, kërkohet edukim shtesë i prindërve dhe fëmijëve për ta përdorur atë. Edhe kur simptomat ulen pas aplikimit të adrenalinës, është akoma e nevojshme që pacienti / fëmija të dërgohet në spitalin më të afërt, ku ai / ajo do të ndiqet në një periudhë prej 4 deri në 6 orë. Nëse simptomat nuk kalojnë brenda 5-10 minutash, duhet të aplikohet një dozë shtesë e adrenalinës.
Çdo pacient me alergji serioze, kërcënuese për jetën duhet të jetë i pajisur me një komplet për shpëtimin e jetës, një plan të qartë se si të veprojë dhe duhet të ketë trajnim për aplikimin e kësaj terapie.

Shkollat ​​duhet të përfshihen në kurse trajnimi për stafin mësimdhënës mbi procedurat për të zgjidhur situata të tilla tek fëmijët të cilat mund të ndodhin gjatë orëve të shkollës dhe gjatë aktiviteteve sportive, dhe për të shmangur përjashtimin e këtyre ngjarjeve tek fëmijët gjatë udhëtimeve shkollore dhe pjesëmarrjeve në turnet sportive.
Kërkohet gjithashtu evidentimi i duhur i fëmijëve me reaksione të rënda alergjike, zhvillimi i programit arsimor në nivel familjar dhe shkollor, si dhe inkurajimi për përdorimin e duhur të barnave anafilaktike, siç është adrenalina.