Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

30.11.2020

Shëndeti i meshkujve: Disa simptoma të cilat janë një shenjë treguese për të kontaktuar mjekun

Kur duhet meshkujt të paraqiten tek mjeku? Cilat simptoma nuk duhet të injorohen dhe cilat janë ndryshimet të cilat shfaqen në organizmin e meshkujve gjatë problemeve shëndetësore? Mjekët këshillojnë kryerjen e kontrolleve të rregullta, por a respektohet kjo nga ana e pacientëve? Këtu do të gjeni disa simptoma të cilat nuk duhet t’i lini pas dore, për të cilat duhet të kontaktoni menjëherë mjekun:

Probleme me inkontinencën urinare (urinimin e pavullnetshëm)

Keni vënë re se ngriheni gjithnjë e më shpesh gjatë natës për të urinuar ose ndjeni se keni nevojë për të urinuar,  por rrjedha e urinës është shumë e dobët ose urinimi është i dhimbshëm?

Arsyeja për këtë është zmadhimi i prostatës, një problem me të cilin përballen gjysma e popullsisë mashkullore. Ky problem trajtohet me ilaçe për të zvogëluar problemin dhe në raste më të rralla është e nevojshme ndërhyrja kirurgjike për të parandaluar komplikime të mëdha siç janë problemet me veshkat. Problemet me urinimin mund të jenë një sinjal i ndonjë problemi tjetër shëndetësor, siç është diabeti ose kanceri i prostatës.

Ndryshimet e lëkurës të cilat zgjasin për një kohë të gjatë

Shfaqja e anomalive (paregullsive) në lëkurë mund të jetë karcinomë e qelizave bazale, një formë e kancerit të lëkurës që prek burrat dy herë më shpesh se gratë.

Prandaj kontrolloni rregullisht lëkurën e kapakut të kokës, qepallat, veshët dhe shpinën – veçanërisht nëse pjesën më të madhe të ditës e kaloni jashtë. Ky kancer nuk metastazon aq shpejt sa melanoma, por sa më shumë që vononi trajtimin e problemit, aq më serioze bëhet gjendja juaj shëndetësore.

Kollë e zgjatur dhe e vazhdueshme

Një kollë e thatë e vazhdueshme që zgjat më shumë se katër javë mund të jetë një shenjë e sëmundjes së refluksit gastroezofageal (e njohur edhe si GERB). Nëse nuk trajtohet gjatë vitit, sëmundja mund të shkaktojë kancer të ezofagut, por kolla e shpeshtë mund të jetë gjithashtu një shenjë e astmës, ose në raste të rralla mund të jetë shenjë e kancerit të mushkërive dhe problemeve të zemrës.

Problemet e ereksionit

Ky problem prek rreth një të katërtën e burrave të moshës 40 vjeç dhe madje edhe më të rinj. Ndonjëherë ndodh për shkak të stresit, ankthit dhe zakoneve të këqija, të tilla si konsumi i duhanit dhe alkoolit, por mosfunksionimi erektil mund të jetë gjithashtu një shenjë e hershme e problemeve serioze kardiovaskulare.

Enët e bllokuara të gjakut zvogëlojnë rrjedhën e gjakut në zemër dhe ekzaminimi i hershëm mund të ndihmojë në identifikimin e shkakut dhe parandalimin e sulmit të mundshëm në zemër si dhe të goditjes në tru.

Depresioni

Mershkujt shpesh nuk shfaqin simptoma të qarta të depresionit, dhe në vend që të tërhiqen dhe të ndjehen të trishtuar, ata shfaqin zemërim. Ata gjithashtu kanë më pak të ngjarë të kërkojnë ndihmë ose të marrin ilaçe kundër depresionit.

Niveli i ulët i vitaminës B12 dhe vitaminës D lidhen me shfaqjen e depresionit, ndërsa sëmundjet kronike dhe dhimbja kronike (madje edhe diabeti) gjithashtu mund të lidhen me shëndetin mendor.