00389 2 3091 484
23 Korrik, 2022
Lidhur me sulmet dhe akuzat e mëparshme me të cilat po përballemi këto ditë, dëshirojmë të theksojmë si mëposhtë:
Në Spitalin klinik Zhan Mitrev Shkup nuk është kryer asnjë provë klinike dhe botimi i publikuar nuk është dhe nuk mund të përfaqësojë provë klinike. Në fakt, është një punim shkencor me rezultate të sublimuara laboratorike dhe përvoja të përdorimit të kësaj metode trajtimi.
Prova klinike e pajisjeve mjekësore nënkupton zbulim, domethënë konfirmim të sigurisë së pajisjeve mjekësore, dobisë së tyre dhe përputhshmërisë me kushtet e përgjithshme dhe të veçanta në përputhje me qëllimin e përcaktuar nga ana e prodhuesit, ndërsa sponsori i provës klinike ose personi përfaqësues i autorizuar i tij është i detyruar të raportojë ekzaminimin klinik në Malmed. Në këtë kontekst, Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup as nuk ka bërë kontroll të sigurisë së pajisjes mjekësore për hemofiltrim (pasi që ky është obligim i prodhuesit të pajisjes mjekësore), as nuk është sponsor apo përfaqësues i autorizuar që të mund të raportojë, të kërkojë ose të marrë leje për kryerjen e provave klinike.
Përdorimi i pajisjejes mjekësore për hemofiltrim është një metodë trajtimi dhe çdo përdorim i pajisjejes mjekësore nuk është dhe nuk mund të përbëjë një provë klinike.
Para së gjithash, ne kemi trajtuar pacientë nga pasojat e shkaktuara nga virusi COVID-19 sipas të gjitha burimeve të lejuara, duke përfshirë edhe hemofiltrimin – metodë e çertifikuar ndërkombëtarisht.
Për përdorimin e kësaj pajisjeje mjekësore (filtrave), Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup ka leje dhe aprovime përkatëse nga organet kompetente, të cilat i ka marrë si blerës në pajtim me marrëveshjen e lidhur për shitje dhe i ka përdorur si blerës – për mjekim, jo si sponsor.
Sipas kontratës për blerjen dhe shitjen e pajisjes mjekësore, Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup nuk është caktuar si qendër kërkimore, për të cilën është e nevojshme që të ketë marrëveshje të veçantë me shitësin për provë klinike në përputhje me kërkesat përkatëse të Rregullores nga Ministria e Shëndetësisë dhe as nuk është parashtruese e autorizuar e kërkesës për ekzaminim klinik sipas rregulloreve ligjore.
Shitësi i pajisjes (aparatit) mjekësore i ka dorëzuar Spitalit klinik Zhan Mitrev Shkup Vendim me të cilin lejohet shitja dhe përdorimi i asaj pajisjeje, që nënkupton se shitësi/prodhuesi ka ofruar dokumentin e duhur për pajtueshmëri.
Prandaj, Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup, si dhe institucionet e tjera shëndetësore që kanë blerë dhe përdorin një pajisje të tillë, nuk janë kompetente për të kryer asnjë ekzaminim të kësaj pajisjeje, përdorimi i së cilës tashmë është miratuar nga organi kompetent shtetëror.
Theksojmë se të dhënat e nxjerra nga faqet e internetit në shtete të tjera dhe sisteme të tjera shëndetësore nuk synohen si dëshmi se është kryer provë klinike sipas rregulloreve të provës klinike të RMV. Pavarësisht se si dikush dëshiron të interpretojë punimet tona profesionale të publikuara dhe përvojat e përbashkëta të trajtimit, përsëri theksojmë se nuk përbën një provë klinike sistematike.
Në lidhje me infeksionet intraspitalore, sqarojmë se Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup i përmbush të gjitha obligimet e parashikuara për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive në lidhje me infeksionet intraspitalore d.m.th.: ka marrë Vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Infeksione Intraspitalore. , ka miratuar programin e kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve intraspitalore për vitet 2021 deri në 2023, kriteret për fillimin e hetimit të infeksioneve intraspitalore, kontrollin e higjienës, planin e kontrollit të infeksioneve intraspitalore, metodologjitë e monitorimit të infeksioneve intraspitalore, sistemin e mbikëqyrjes së infeksioneve intraspitalore, si dhe posedon të gjitha aktet e tjera individuale të përcaktuara sipas rregulloreve për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive.
Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup ka 22 vite që funksionon në përputhje me ligjet dhe rregulloret e këtij vendi dhe pokështu do të vazhdojë të funksionojë.
Prandaj jemi të tmerruar nga ky sulm publik i inskenuar, i cili shfrytëzon tragjedinë e disa familjeve, duke krijuar një pamje krejtësisht të deformuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19, qasjen mjekësore dhe institucionet që u kujdesën për pacientët e sëmurë rëndë gjatë pandemisë.
Theksojmë se në ambientet tona shëndetësore janë trajtuar një numër i madh pacientësh nga COVID-19 dhe vetëm në disa prej tyre është përdorur hemofiltrim, sipas vlerësimit të mjekëve përgjegjës për çdo rast përkatësisht. Pacientëve të cilët nuk i janë nënshtruar hemofiltrimit u janë kthyer paratë e parashikuara për hemofiltrim, për të cilat ka dokumentacion të rregullt kontabiliteti. Vërtet nuk e kuptojmë pse nuk shkruhet për të gjithë ata pacientë të shëruar me sukses nga COVID-19 që u pranuan në spital me gjendje klinike të rëndë dhe pikërisht për shkak të trajtimit me hemofiltrim i’u është mundësuar shpëtimi i jetës.
Ne vazhdojmë të kryejmë aktivitetin shëndetësor në interes të pacientëve tanë në mënyrë jashtëzakonisht profesionale dhe të përgjegjshme. Inkurajojmë të gjitha autoritetet inspektuese, si shumë herë më parë, të kryejnë të gjitha kontrollet dhe mbikëqyrjet e nevojshme, të cilave do t’u dorëzohet i gjithë dokumentacioni që kemi në dispozicion, në mënyrë që autoritetet kompetente profesionale të hedhin poshtë të gjitha falsitetet dhe paqartësitë e publikuara.
Me respekt,
Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup